Pesë gjyqtarë sfidojnë shtetin

Të martën në mesditë, teksa pija kafe me disa koleg të mi në një nga lokalet pranë qendrës së kryeqytetit, në titrat e lajmeve flesh të “News 24” u shfaq vendimi i fundit Gjykatës së Krimeve të Rënda. Fërkova sytë fort se mos po shihja ëndërr, por në fakt isha zgjuar. Pak çaste më vonë, reporterja që mbulon kronikat gjyqësore në “News 24” u shfaq live (drejtpërdrejt) duke sqaruar gjithçka kishte ndodhur.

Me pak fjalë, trupi i gjykues i kësaj gjykate, i përbërë nga pesë anëtarë, vendosi masën e sigurisë të arrestit me burg pa afat për ish-kryetarin e Degës së Parë Operative në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë, Ilir Kumbaro. Në pamje të parë duket sikur nuk ka asgjë për t’u çuditur dhe se gjithçka ndodhi është krejt normale. Në të vërtetë, është krejt e kundërta.

Vendimin e fundit të pesë gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda unë e lexoj si një sinjal të fortë se Drejtësia në Shqipëri nuk është vënë krejt përfund nga politika dhe pushteti, ashtu sikundër flitet në media dhe gjithandej. Ata pesë gjyqtarë të Gjykatës për Krime të Rënda dhe prokurori i çështjes, sfiduan mbrojtjen politike dhe shtetërore që u është ofruar pa kursim nga kryeministri Sali Berisha (i njëjti që çirret përditë për betejën ndaj mafies), të pandehurve të këtij krimi monstruoz që rëndon moralisht prej 15 vitesh mbi çdo shqiptar. Me atë vendim sfiduan skepticizmin tim, se çështja “Remzi Hoxha” po arkivohej serish në kalendat greke. Ata pesë gjyqtarë rikthyen shpresën dhe buzëqeshjen te familjarët, djemtë, vajzat, nipërit, mbesat dhe bashkëluftëtarët e Remzi Hoxhës, këtij dëshmori të lirisë së Kosovës, se një ditë (mbase jo larg) do të mësojnë të vërtetën dhe do kenë një varr ku të vendosin në shenjë mirënjohje një tufë me lule. Ata pesë gjyqtarë u dëshmuan kolegëve të tyre britanikë që po gjykojnë të njëjtin person, se janë jo më pak dinjitozë dhe me integritet se ata vet. 

Ata pesë gjyqtarë sfiduan haptazi dhe pa ua bërë syri tërr, një vendim të vetëm dy javëve më parë, dhënë nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë. Më 2 dhjetor 2009, Gjykata e Lartë vendosi shuarjen e masës së sigurisë të arrestit me burg dhe i riktheu lirinë Ilir Kumbaros, njërit prej ish-titullarëve të lartë të SHIK-ut, të akuzuar për një krim të rëndë, rrëmbimin, torturimin çnjerëzor, vrasjen dhe më pas zhdukjen pa lënë gjurmë të Remzi Hoxhës. Me këtë vendim ata sfiduan as më shumë e as më pak, por njërin prej të pandehurve kryesorë të procesit, Arben Sefgjinin, drejtuesin e një sektori të rëndësishëm të Drejtësisë shqiptare, zyra e të cilit ndodhet bash në të njëjtën godinë me Gjykatën për Krime të Rënda. Unë dhe shumë kolegë të mi e kemi ndjekur dhe raportuar këtë ngjarje prej më shumë se një dekade, pa u lodhur dhe pa u stepur nga presionet.

Por, sinqerisht ky vendim më la të befasuar, sepse kjo çështje është kthyer tashmë në një sfidë për Drejtësinë shqiptare. Madje, i ka kaluar caqet e Shqipërisë, duke u ndërkombëtarizuar. Nuk ka mbetur agjenci prestigjioze lajmesh apo media e njohur në botë që s’i ka bërë jehonë apo s’i ka kushtuar një ‘TOP Story’ kësaj çështjeje. Pikërisht për këtë fakt, Drejtësia jonë duhej t’i shkojë deri në fund dosjes “Remzi Hoxha”. Për shkak të profesionit që kryej, më është dashur shpesh herë të kërkoj heronj, të ekspozoj jetën dhe veprimtarinë e tyre në dobi të komunitetit e vendit. Por, në situatën ku është zhytur Shqipëria, e kam pasur të vështirë të gjej personazhe të tillë. Heronjtë e fundit për të cilët kam raportuar ishin pikërisht ata që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, në luftë me krimin, për t’u siguruar qetësinë bashkëqytetarëve të tyre. Rasti më i afërt ishte 4 muaj më parë, kur m’u desh të raportohej mbi një akt trimërie dhe heroizmi të shkuar dëm, të katër oficerëve të policisë që mbetën të vrarë në krye të detyrës gjatë aksionit për arrestimin e një shumë të kërkuari, Dritan Dajtit. I kam parë ata djem trima, në lule të moshës, të shkojnë drejt vdekjes duke buzëqeshur, si Dëshmori i Atdheut, Altin Dizdari. Por, kam parë dhe eprorët e tyre, nga kryeministri, ministri i Brendshëm e duke vazhduar me radhë të tjerët, se si e shpërdoruan këtë heroizëm për të përfituar politikisht. Ata katër heronj i duheshin Shqipërisë dhe familjeve të tyre, të gjallë dhe të gatshëm për të bërë dhe heroizma të tjera, por një mëndje diabolike i nisi drejt një vdekje të sigurt, për të mbuluar afera korruptive dhe kriminale që mbase shumë shpejt ka për t’u dalë tymi.

Dhe, në këtë vakuum heronjsh të gjallë, pa pritur, të martën në mesditë, m’u shfaqën përpara emrat e pesë gjyqtarëve të Gjykatës për Krime të Rënda dhe prokurorit të dosjes “Remzi Hoxha”. Sigurisht, unë dhe bashkëqytetarët e mi nuk presim që ata të jenë Xhovani Falkone apo Paulo Borselino, por së paku të bëjnë pikërisht atë që janë betuar të bëjnë përpara ligjit dhe simboleve të atdheut. Të sfidojnë, madje edhe vetë shtetin kur ai u merr jetën qytetarëve të vet dhe më pas mbron vrasësit e tyre. Qysh nga dje, unë, kolegët e mi, qytetarët e këtij vendi, gjithë studentët e jurisprudencës që aspirojnë ta veshin një ditë togën e zezë të gjyqtarit, do të kenë një shembull heroizmi dhe kuraje profesionale më shumë, që na bën krenar dhe na frymëzon për ta ndjekur në të ardhmen.

7 Komente

Injorant me brire.

Nuk sfidojne shtetin, po zbatojne ligjin.

Mentaliteti i diktatorit nuk ju hiqet nga lekura, nje hero i kohes sone.

Sfidon shtetin, kush thyen ligjet, dhe shteti eshte i pafuqishem.

Zbatimi i ligjit nuk eshte sfide, po drejtesi.

Ku do e kuptosh ti duke pire kafe hoxhe efendi.

 

e drejte zbatojne ligjin...e ne nje shtet qe nuk e njeh ligjin do te thote sfidojne shtetin e ketyre horrave qe sfidojne cdo dite ligjin...

o lumidrin, "sfiduan shtetin", ky qe ka shkruajtur artikullin e ka shpjeguar me tej duke thene:

"sfiduan mbrojtjen politike dhe shtetërore që u është ofruar pa kursim nga kryeministri Sali Berisha."

ata ligjin po zbatojne.. dmth prioritet i tyre nuk eshte sfidimi i shtetit. dmth, ata s'u zgjuan ate dite ne mengjes edhe vendosen te sfidojne shtetin, por vendosen te zbatojne ligjin.. dhe duke bere kte iu desh te sfidojne shtetin. kete po thot shkruesi i artikullit.

pastaj cdmth "injorant me brire", ose "mentaliteti i diktatorit", dhe "nuk JU hiqet nga lekura", dhe "ku do e kuptosh ti duke pire kafe".... kto nuk jane argumente o lumidrin, jane dhune verbale. jane tentativa te ulta per te eliminuar elementin kritik te nje argumenti duke e zbritur ate ne nje nivel idiot. jane gjeste te ulta qe nuk meritojne respekt por provokojne vetem tendjetje. smileyUKE:

Kemi te bejme me inflacion te emrit Artan Hoxha, apo eshte ai i Qendres per Studime Kontenporane/Bashkekohore?  Nese nuk eshte ai, duhet qe ai urgjentisht te ndryshoje sadopak emrin se e zuri Sali-u prej koqesh dhe e hedh ne det.

Keshtu eshte kur ne administraten shteterore numerohen me gishtat e nje dore ata qe zbatojne ligjet dhe rregullat.... behen heronj per dicka qe e kane per detyre dhe paguhen te zbatojne.... Por, nga ana tjeter kur e gjithe makina shteterore eshte kunder ketyre "heronjve" ata jane me te vertete "HERONJ"  sepse te gjithe e dine se kush eshte "ujku" dhe kush eshte "delja" ne Shqiperi....

Do zoti nuk jua mbyllin gojen pa e hapur mire ketyre qe kane ngel.....

Artano, per mhbt(uae). Ata shoket ; gjyqtaret dhe Prokurori, kane bere nje "gabim te vockel procedural"...  - jo imunitetin jo, por nuk e kane njoftuar Ilirin edhe pse e dinin se ku ndodhej.... dhe ky gabim e shkermoq ate vendim (natyrisht edhe me ca presion politik) sidomos ne ONGLI

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).