Përtej: Vizion? Iluzion? Deluzion?

1. Zgjidhet kryetar. Me platformë të rrëzuar, tetor 2005. Bilbila dhe trumbeta në Kuvend, përgjatë 2006. Poshtë certifikatat, dhjetor 2006. Merr mandatin e tretë të bashkisë. Me koalicion. Ditën kryetar. Natën kryetar. Sipas rastit. Dështon për dështimin e zgjedhjes së Presidentit, korrik 2007. Dy xhiro rurale anekënd fshatrave të vendit, përgjatë 2008. Shpalos vizionin "Përtej të Majtës dhe të Djathtës". E mbështet, zbërthen, përditëson me precedentë historikë, kontradiktorë, të largët, të afërt. Nuk lë pas dore imitimin e modeleve. Bashkëkohore. Ndërkombëtare. Shqiptare. Në keqkuptim. Kopjon. Keq.

2. Thërret "Bashkim pa dallim feje, krahine ideje". Ndërsa thellon ndarjen brenda të majtës. Armiqësi deri në asgjësim ndaj LSI. Margjinalizim i ekipit themelues të PS. Pjesë e historisë së saj 19-vjeçare. Shumica nga profesorati i universiteteve deri në 1990. Zëvendësohen nga biznesi. Nga brezi i dytë i drejtuesve të lartë të Partisë së Punës. Janë rritur fëmijët. Rivë në skenë "Rrëzimi i bustit të diktatorit" në Qytetin Studenti. Shpall armik ish-liderin Nano. Ndërsa ngrihet kulti i liderit të ri. "Më keni zgjedhur, më lini të drejtoj! Fitoni vetëm prej meje! Bashkohuni"! Vizioni bashkues zbatohet përmes mohimit të mohimit.

3. Vizioni ka nevojë për akte të mëdha kompromisi. Kontributi. Të një shtetari. Kërkon bërjen e aplikimit për Bashkimin Europian. Por shpall skepticizmin, kundërshtinë kur kjo ndodh, prill 2009. Mbështet anëtarësimin në NATO. Por organizon protestë, të heshtur, domethënë të zbutur sipas disave, në prag të marrjes së ftesës, prill 2008. Për Gërdecin natyrisht. Çfarë fati! Kërkon regjistrin elektronik civil, kartat e identitetit. Shpërndarje falas ama. "JO taksës së votës". Shpërndan dyshime mbi sigurinë e tyre. Konsensus për ligjin e organizimit të gjykatave. Në pararendje të ndryshimeve kushtetuese për sistemin zgjedhor, shkurt 2008. Shkëmbehet ndryshimi i sistemit zgjedhor me ndryshimet e tjera kushtetuese, prill 2009. Shkëmbehet kodi zgjedhor me ligjin për prokurorinë, dhjetor 2008. Pas kësaj nuk ka më konsensus. As kontribute. Ligji për gjykatat administrative s‘miratohet. Reforma e pensioneve gjithashtu. Teknikisht pranë. Politikisht larg. Ç‘na duhet para zgjedhjeve. Është me risk. Vetëm risk nuk pranojmë. Shkëmbim i thjeshtë. Ndryshim me çdo kusht i sistemit zgjedhor. Për asgjësimin e LSI-së. Kontrollin e listës së kandidatëve. Kontrollin e partisë. Asgjë tjetër. Bie shtetari. Ngrihet pushtetari.

4. Program elektoral, dosje me 1001 faqe. Kush e pa! U thanë ca gjëra. Kontradiktor. Kthim mbrapsht. Edhe në ato pak elemente që u bënë të njohura. Zhvillimi rural bazuar në ngritjen e një dikasteri për fshatin. Zhvillimi arsimor pa maturën shtetërore, pa tekstin alternativ. Shëndetësia s‘ka nevojë për sigurimet. Kthim te sistemi i para ‘90-ës. Financim buxhetor. "Të bëjmë sikur i paguajmë mjekët/infermierët e këta të bëjnë sikur na shërbejnë". Ju kujtohet? Idetë amerikane. Të dobishme për Amerikën, të pakuptimta për Shqipërinë. Por duhen përdorur. Obama në modë. "Kriza ekonomike. Totale. Vendi po rrënohet". Shans për opozitën.

5. Gjuhë e pasur. Vizioni kërkon mjeshtërinë e fjalës. Liderit nuk i mungon. Elegant në akuza. Lider me sqimë. Qytetar qysh tri breza. Qëndron lart. Vartësit vulgarë. Ata bëjnë akuzat vulgare. Duhen edhe këto. Krijojnë kontrastin. Shquhet eleganca e liderit. S‘e lënë kundërshtarin të qetë. Lideri s‘merr angazhime konkrete. As objektiva të matshme. As të vlerësueshme. Vetëm procese qeverisëse, përfshirëse. Lëvizja gjithçka. Qëllimi ku të dalë. Vetëm fitore. Do jenë vetë qytetarët që do përcaktojnë, çfarë, sa, si, kur. Modeli bazë i qeverisjes së ardhshme: Bashkia Tiranë. Në lëndë, në proces, në stil. Mediokritet. Lokalizëm i projektuar kombëtarisht.

6. Vizioni i turbull, zbërthim kontradiktor. Por bashkëshoqëruar me pritshmëri të lartë, në rritje, për fitore. Pritshmëri, jo thjesht për fitore elektorale të radhës. Fitore të shumëfishtë. Ndaj demokratëve të Berishës, socialistëve integrues të Metës, socialistëve të vjetruar të Nanos, mbetjeve të tjera politike, majtas dhe djathtas. Politikë e Vjetër. Poshtë. Politikë e Re. Lart. Para. Fitore totale. Historike. "Është fundi i një epoke". "Mbyllje e tranzicionit të stërzgjatur". "Kalimi në tjetër epokë". "Katër vite të tjera si këto nuk durohen". Iluzion. Sondazhet dhe analizat logjike flasin për të kundërtën. Humbje e ngushtë por e sigurt e socialistëve. Fitore e demokratëve. Mbijetesë e LSI-së.

7. Dita zgjedhore shkon qetë. Janë të sigurt. Kanë përdorur teknologji moderne survejimi. Mbrojnë votën. Mbrëmja, me exit polls, veçse trondit iluzionin e fitores së thellë. Por nuk vret shpresën. Fitore relative, modeste. Mjafton edhe kjo. Shpresë. Të nesërmen, hapja e kutive të para. S‘paska humbje të thellë. As fitore të thellë të palës tjetër. LSI në kufirin e jetës/vdekjes. "Varjani sondazheve. Në kohën e gabuar. Në vendin e gabuar". Rikthehet entuziazmi. Modest gjithsesi. Të martën, determinizmi i pamëshirshëm i votave. Avantazh i koalicionit të demokratëve. Mbijetesë e socialistëve për integrim. Aleanca e demokratëve me socialistët integrues jep goditjen fatale. Deklarohet qeveria e tyre, e përbashkët. Dështojnë tentativat për marrëveshje socialisto-demokrate. Iluzioni shteri. Lindi deluzioni. Dëshpërimi. Humbje e fitores historike. Pra, humbje historike. "Jo, fitorja është historike, humbja jo".

8. Kapitullim apo mbijetesë. Lideri zgjedh të dytën. Mbijetesa e vizionit nuk e pranon deluzionin. Iluzioni s‘ka se si të jetë i pavërtetë. "Si mund të pranojnë shqiptarët katër vite s‘i ato paraardhëset? Po 80 mijë zemrat e majta si mund të pranojnë të shkojnë djathtas? S‘ka mundësi. Tradhti". Misioni duhet të vazhdojë. Ky është fati i misionarit. Rob i vizionit, krijues i iluzionit, mospranues i deluzionit.

9. Masat kanë nevojë të ushqehen fillimisht me deluzion. "Na i vodhën votat. Na i blenë komisionerët. Na premtuan zgjedhje të ndershme. Besuam. Kontribuuam. Na zhgënjyen. Kjo nuk mund të pranohet. Populli opozitar nuk dorëzohet". Pretendentët për kryetar në partinë e socialistëve lëvizin. Shumica e deziluzionuar i bllokon. Bëhet njësh me liderin. E rizgjedhin. Populli opozitar thirret në protesta. Merr pjesë. Jo i gjithi natyrisht. Por jo pak gjithsesi. Grupi militant. Bazë e qëndrueshme. Qëndrestar. Gjithnjë i lidhur me liderin. Që nuk pranon se ka humbur. Kur kërkohen arsyet e humbjes, ato gjenden gjithnjë te të tjerët. Jo te vetja.

10. Protestat vazhdojnë. Mitingu në Tiranë, 20 nëntor, mbledh më shumë se parashikimet pesimiste. Çuditen organizatorët. "S‘e prisnim që shqiptarët të protestojnë për votën". Deluzioni shndërrohet në iluzion. "Qenkemi shumë. Shumë. U tmerrua mazhoranca". I japin ultimatum. "Berisha! Hap kutitë ose largohu". Bisedojnë mes tyre. "Mund të ndodhë kthesa. Ç‘thua? Ajo po ndodh? Këtu. Në bulevard. S‘paskemi humbur. Mjafton të hapen kutitë. Dy mandate më shumë ne. Dy më pak ata. Prishet ekuilibri. Riformatohet qeveria. Me bazë të gjerë. Pa Berishën. E dobët. Hyjmë në zgjedhje të parakohshme. Kriza ekonomike ka bërë të vetën. Rrugës janë mbledhur pakënaqësi të tjera. Tuneli ra. Familja sundon. Populli revoltohet. Në fitojmë". Iluzioni shndërrohet në vizion.

11. Mazhoranca sulmon me të njëjtën metodë. Më fort. Më qartë. Miting shumëfish më i madh. Akuza të menduara mirë. Prej kohësh. Dokumente. Aksion antindërtimor. Vizioni opozitar shpërbëhet shpejt. Iluzioni humbet. Rishfaqet deluzioni. Kalohet në mbrojtje opozitare. E pabarabartë. Hutim. Rimbledhje forcash. Mbrojnë pallatet. "Duhet rezistuar se na fshiu fare. S‘e kishim menduar se do kthehej kështu. Pastaj, ku i dihet. Edhe mund të ndodhë mrekullia. Në 2010 Berisha largohet. Në mos në 2010, në 2011. A s‘i mbajti Berisha të vetët me gajret 8 vite me radhë? Ç‘i gjeti! Ja ku është. Ja ku janë". Deluzioni, herët a vonë sjell iluzion dhe ky vizion. "Berisha! Hap kutitë ose largohu". Bëjnë llogaritë. "Tek e fundit, ç‘humbasim. Ne opozitë jemi, në opozitë mbesim. Kuvendi aty është. Kemi kohë deri në mars. Shohim e bëjmë. Kemi kohë edhe deri në zgjedhjet vendore. Ndoshta s‘na i heqin vizat. Atëherë ta shohë qeveria. Po na i hoqën, themi se kemi kontribuar edhe ne. A s‘ka thënë vetë qeveria se opozita s‘mund të pengojë heqjen e vizave"!?

12. Opozita humbet. Mazhoranca humbet. Publiku humbet. Duket sikur s‘ka rrugë tjetër. Fatalitet. Në fakt ka. Është e thjeshtë. Komode. E sigurt. Pa kosto. Fitojnë të gjithë. Opozita shkon në Kuvend. Ngre komisionin hetimor. Diskuton lëndën dhe metodën hetimore. Nëse ka kundërshtime nga mazhoranca i kërkohet qëndrimi Gjykatës Kushtetuese. Ajo vendos. Vazhdon hetimi. Vazhdon puna normale e Kuvendit. Opozita e fortë bëhet aty. Po të duan të vazhdojnë edhe protestat. E drejtë e tyre. S‘na mbetet gjë tjetër veçse të përsërisim vazhdimisht këtë sugjerim. Por, tashmë e kanë kuptuar të gjithë. Kutitë janë sebep. Transparenca është sebep. Progresi s‘ka nevojë për hapjen e kutive. Gjithsesi kërkojeni nëse ngulmoni. Por në rrugën e sugjeruar. Në Kuvend. S‘ka tjetër mënyrë. Kemi fituar mbështetje të gjerë në Europë. Jemi shumë pranë. Por ka ende plot europianë që nuk na duan aty. Larg. Po u japim argument. Pretekst. Shkak. Vizion, iluzion, deluzion. Deluzion, iluzion, vizion... Dilni nga ky kurth. Kthehuni nga përtej. Këtu. Në këtë botë. Kur të shkojmë të gjithë përtej, do kemi kohë plot për muhabet. Do gjykohemi. Të gjithë.

5 Komente

 Llogarite nganjehere nuk dalin. Sidomos tek politikanet shqiptare, qe s'kane vizione fare, dhe trurin ma kane sa te pules. 

Dhe te mendosh se tani cilesohet LSI si tradhtare, nderkohe marreveshja Rama-Berisha ne 2007 nuk permendet fare!

Po kur ka budallenj qe i besojne keto perralla, pse mos te udheheqe Rama socialistet. Por kjo nuk do te thote se do udheheqe te gjithe te majtet...

Per inat te   vjerres nuk shkohet me mullixhiun rolex.Rama ka mekatet e veta ama edhe LSI po e mban gjalle Berishen ne politike.

Pa dashur te bej avokatin e dikujt, por me duket se po calon ne llogjike.

A nuk beri Rama marreveshje me Berishen ne 2007 per te ndryshuar kushtetuten dhe sistemin zgjedhor. Pra kuptohet qe kush nuk bente pjese ne kete marreveshje, duhet te vdiste sipas llogjikes se Rames ne 2007!

Kur dkush kerkon te te eliminoje politikisht, mua me duket IDIOTE ato qe thoni ju per tradhti.

Ky eshte gazetar! Hallall.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).