Përkthyesi pionier Nikollë Dakaj

A është në gjendje shqipja të përcjellë vargun homerik, në atë trajtë rrokjesore, siç gjendet në veprat e Homerit?


I vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë, na rezulton djaloshi i ri asokohe, Nikollë Dakaj. I pari përkthyes në të dyja të folmet shqipe toske dhe gege, përfshirë edhe standardin letrar, që ka arritur të sjellë modelet e hekzametrit në shqip.

Sprovat e përkthimit të hekzametrit
Homerin e njohin të gjithë, andaj s'është e nevojshme ta paraqesim.
Vargu i Homerit është hekzametër, i cili jeton tash tre mijë vjet.

Nga historiku i përkthimeve të dy eposeve të Homerit, prej përkthimit të parë në gjuhën latine të Odisesë nga greku Liv Androniku (shek. III para Kr) e deri tek përkthimet më të reja te gjuhët moderne, është shfaqur një tendencë që të përkthehet më parë Odiseja, e pastaj Iliada.

Kjo tendencë, si të thuash e përhershme, zakonisht shpjegohet dhe arsyetohet nga përmbajtja pak a shumë më narrative dhe më interesante e Odisesë të një shtrese më e gjerë lexuesish, si edhe nga fakti se përkthyesit mendojnë se Odiseja është më e lehtë për t'u përkthyer se Iliada.

Nga historiku i përkthimit shqip shohim një tendencë tjetër, e cila manifestohet deri në momentin kur u bë përkthimi integral i këngëve homerike. Te shqiptarët përkthyesit e këngëve homerike më tepër i ka tërhequr Iliada sesa Odiseja dhe kjo dukuri, sipas studiuesit, profesor Engjëll Sejdajt, "lidhet drejtpërsëdrejti me qëndrimin që rilindasit shqiptarë kishin ndaj këngëve homerike, para së gjithash, si burim historik".

S'do mend, se përveç këtij faktori, po sipas Engjëll Sejdajt, "janë edhe disa momente të tjera karakteristike që i kanë tërhequr përkthyesit e këngëve homerike që ta përkthejnë Iliadën. Këto kanë të bëjnë me epikën tonë, përkatësisht me këngët popullore shqiptare, në të cilat këndohen veprat heroike të individëve dhe të gjithë popullit shqiptar".

Përkthimin në gjuhën shqipe të Iliadës së Homerit e ndeshim për herë të parë në vitin 1896, por vetëm këngën e parë. Autori i përkthimit ishte Naim Frashëri, i cili më 1886 e kishte botuar turqisht (shih Monografia mbi Naim Frashërin nga Dh. Shuteriqi).

Në vitin 1938 shtypshkronja françeskane në Shkodër nxori në botim këngën e XXIII të Iliadës (Vrasja e Hektorit) të përkthyer prej prof. Frano Alkaj, i cili ishte i diplomuar në letërsinë klasike në Universitetin e Bukureshtit. Botimi shoqërohej nga një panoramë mbi poezinë epike helene të shkruar po nga përkthyesi.

Përkthim i plotë i veprës së Homerit u realizua rreth viteve '60 dhe u botua më 1965 duke pasur si autor helenistin Gjon Shllaku. Ekipi redaktues përbëhej prej 6 vetësh midis të cilëve edhe Spiro Çomora i cili e shoqëroi botimin me studimin e tij: "Iliada dhe bota homerike". Përkthimi i vitit 1965 ishte në gegërisht.albanovaonline.com

Pas futjes në burg të përkthyesit shtëpia botuese "Naim Frashëri" realizoi një botim të dytë i cili u theksua: i ripunuar. Ripunimi konsistonte në kalimin e gjuhës nga gegërisht në atë zyrtar të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit më 1972. Botimi karakterizohej nga mungesa e ekipit redaktues, gjë e cila të çon në përfundimin se nuk ka pasur as ripunim dhe as ribotim me lejen e përkthyesit. Kjo duhet pasur parasysh kur krahasohen dy botimet e fundit të Iliadës.

Problemi i veprës së Homerit në Shqipëri nuk ka ngjallur diskurse pasi helenisti Gjon Shllaku ishte i paarritshëm në këtë fushë, por duke studiuar letrat shqipe vihet re një interpretim tendencioz i veprës së Homerit duke nxjerrë prej saj ngjarje të reja dhe tepër të diskutueshme.

Pikërisht ky fenomen përbën të renë në fushën e homerizmit. Punimet diku karakterizohen si vepra letrare e diku shkencore pa qenë asnjëherë mirëfilli të tilla.
Duke qenë se përkthimi i dy poemave homerike në shqip erdhi pas një tentative të gjatë, njëherë në toskërisht nga Naim Frashëri, mandej fill në gegnisht nga pater Gjergj Fishta, të dyja këto tentativa vetëm sa e përndezën kureshtjen dhe sfidën e përkthimit të tyre, gjersa përfundimisht variant i përballjes vendimtare me Homerin rezultoi gegnishtja, nëse nuk llogarisim këtu përvojën e Spiro Çomorës me përkthimin e 12 këngëve të para të poemës Odiseja .

Gegnishtja e kishte dhe madhështinë dhe forcën e përballjes së kësaj detyre për shkak se gjedhja e saj e njihte përvojën e poezisë heroike, duke patur në repertorin e saj 10 rrokshin e Këngëve të Kreshnikëve, sikundërse dhe leksikun e ngjashëm e mbase adekuat për tablotë epike të luftës. Këto kanë qenë arsyet që kanë ndikuar t'i përvishen përkthimit të Iliadës më parë se Odisesë jo vetëm Naimi, por edhe Fishta, Frano Alkaj, Nikollë Dakaj dhe Gjon Shllaku.

Nga ana tjetër, përkthimet e mëparshme të Iliadës nga N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Alkaj e Nikollë Dakaj e të tjerë, jo vetëm që kanë ndikuar në procesin e përkthimit të plotë të Iliadës, por e kanë ndihmuar përkthyesin Gjon Shllaku, si modele zanafillore, anipse Shllaku e zgjidhi çështjen e përkthimit të hekzametrit në mënyrë individuale.

Prandaj dhe përkthimi dhe botimi i saj përpara Odisesë na paraqitet i arsyeshëm. Përkthyesi integral i Iliadës, Gjon Shllaku, sigurisht i ka parë dhe studiuar modelet pararendëse në përballjen e mjeteve shprehëse të shqipes me këtë monument të përbotshëm të letërsisë.

Përkthimi në gegnisht i Homerit, sikundërse dhe në fillim të viteve '60 përkthimi i Dantes, si minimum vërteton një gjë: forcën vitale e të paskajtë që zotëronte gegnishtja edhe në agoninë e grahmave të veta të fundit, përderisa këto monumente janë edhe shkëlqimet e fundit madhështore të mahnisë së gegnishtes, para vendimit të dënimit të saj me heshtje, të ndërmarrë shtetërisht me vendosjen e normës letrare të gjuhës zyrtare standarde.

Kontributi dhe fati i Nikollë Dakajt

I sapokthyer nga diplomimi në Romë, Nikollë Dakaj nis një aktivitet të dendur letrar në vitet '30-40, së bashku me një grup intelektualësh të rinj shkodranë. Krijimtaria e tij rrok një diapazon të gjerë, kryesisht me krijimtarinë letrare dhe sidomos, me përkthimet nga poezia greko-latine dhe italiane, e më vonë, me studime monografike mbi etnosin e fisit dhe koinenë e gjuhës letrare.

I preferuar nga organet letrare më prestigjioze të kohës si "Hylli i Dritës", "Leka", "Shkëndija", Balli i Rinisë", "Tomorri i vogël", "Cirka", "Jeta kristjane", "Vatra shqiptare" etj, ai shfaqet, siç e dimë, me pseudonimet e veta letrare Basho Jona, Melibeu, N.D, N.L etj.

"Për Nikollën dhe për shumë si Nikolla shoqnia e atëhershme ka qenë e pashpirt, meskine dhe shtypëse, - pohon përkthyesi i madh Gjon Shllaku. Në nji vend tjetër të lirë ai burrë intelektual do të kishte ndritë e do të ishte nderue, dhe do të kishte lanë vepra kolosale. Por me gjithë humbjet e shkrimeve nga konfiskimet gjatë dy burgimeve të tij edhe djegies së banesës ku ma vonë u ba klubi i "Vllaznisë", prapëseprapë ka lanë punime me vlera të mëdha, me të cilat do të mbetet modelisti par excellence i Autorëve të Mëdhaj Klasikë".

I vlerësuar nga njohësit e thellë të poezisë dhe figurat e mëdha të albanologjisë, Nikollë Dakaj ishte një poet, e më së pari, një nga përkthyesit më të talentuar të viteve dyzetë. Një nxënës i gjimnazit françeskan, i rritur dhe i edukuar nga njerëzit më të mëdhenj të kulturës shqipe, një krijues i mëkuar me stihinë e vet gjuhësore - gegnishten shkodrane të Fishtës, nuk mund të jetë ndryshe përveçse krijesë e gjuhës, medium i potencialit energjitik gjuhësor të kësaj trashëgimie.

Kultura dhe njohja e thellë e greqishtes dhe latinishtes, si dhe e letërsisë në tërësi, e shtynë Nikollë Dakajn, fill pas studimeve, tek përvojat e para përkthimore, në radhë të parë, të Homerit.

Nikolla e bëri sprovën e parë të përkthimit të Iliadës, duke e përkthyer Homerin me Hekzametër. Është e qartë se gjuha e kulturës me të cilën qe mbrujtur e formuar Nikollë Dakaj, qe e papranueshme për pushtetin. Të mbaje të pandëshkuar gjuhën që përfaqësonte Nikolla (apo anasjelltas), do të thoshe se mban gjallë nëpërmjet kësaj gjuhe gjithë trashëgiminë gjigande të traditës dhe repertorit të shkrimësisë gegnishte. Këtë sistemi survejues e represiv komunist nuk do t'ia falte.

Para tij, vetëm pak vite më parë, një tentativë e kishte bërë dhe Frano Alkaj. Njohësi dhe mësuesi në gjimnazet tona në atdhe i gjuhës greke të vjetër dhe latine, Frano Alkaj, pati përkthyer dy këngë të "Iliadës", këngën XXII - "Vrasja e Hektorit" (1938) dhe këngën XXIV - "Varrimi i Hektorit" (1941). Në përkthimin e "Vrasjes së Hektorit" pati përdorë termin kanunor ndore:

"Hektor, o anmik i amshuem, mos m' fol për ndore!
Se paqë s' ka vu jo kurr luani e robi e as ujku me qingja..."

"Mbaj mend që një kritik - më vjen keq që nuk e kujtoj emrin dhe revistën ku qe botuar shkrimi - kujton Anton Çeta, e pati kritikuar ashpër, thua se kish bërë ndonjë herezi, përkthyesin e talentuar për përdorim të këtij termi, që simbas tij nuk kishte të bënte fare me etikën homerike.

Për fat, ne nuk mund të bëjmë një krahasim vargjesh të caktuara midis përkthimeve të Frano Alkajt dhe Nikollë Dakajt, për shkak se ata kanë përkthyer këngë të ndryshme nga Iliada.

Ne mund të bëjmë, sigurisht, një krahasim duke marrë si bazë fragmente të ndryshme të Iliadës dhe në këtë krahasim të shohim bukurinë e kumbit shqip të gegnishtes në përdorimin e këtyre dy mjeshtrave.

Kjo mund të ketë vlerë, për sa i përket leksikut dhe sintaksës poetike, receptimit estetik të ligjërimit poetik, pasi vetëm Frano Alkaj dhe Nikollë Dakaj na kanë dhënë modelet e një përkthimi me hekzametër, gjithnjë, nëse nuk harrojmë, që një përvojë të tillë e ka kaluar shumë më vonë edhe Spiro Çomora, tek Odiseja në dymbëdhjetë këngët e para të saj.

Problemi i Hekzametrit ka qenë një problem i madh për të gjitha gjuhët latinë, neolatinë, gjermanike, anglo-saksone e sllave. Vështirësia qëndron në skemën rrokjesore e ritmike të hekzametrit.

Në ndonjë rast, siç është përkthimi i Homerit në rusisht nga Gnediçi, rrokjet e gjata të greqishtes së vjetër nuk përkojnë me ekuivalentet e tyre në rusisht, andaj përftohej, skema me një dakti plus një spondej, që janë si shumë, të barabartë për nga gjatësia e kumbimit me hekzametrin. Ky eksperiment me skemën rrokjesore të hekzametrit ka hyrë në prozodi dhe njihet si "hekzametri rus".

Ndërkaq i kthehemi përvojës shqiptare të hekzametrit. Kemi për herë të parë një model të Frano Alkajt në vitin 1938 të këngës së 24 të Iliadës. Po japim vetëm 25 vargjet e para:

Lodrat mbaruen e çetat e ushtrive
T' shpërdame n' turma u kthyen ke anit e zgavrra.
Dhe mirë darkue m' nji gjumë t' âmbel kan ramun.
Nerkaq Akili tue kujtue për mikun,
5 Loçken e zêmres, zhgrehej n' váj as gjumi,
Qi shtron gjithëkêndin, s' po i a mbyllë qerpikun;
Veç herë m' nji krah rrotllou herë siellu m' tjetrin,
Trimnín kujtote e at shpirt bujár t' Patroklit
E punët e mdhaja, qi me tê kisht kryemun
10 Edh' aq mjerime zbashkut vuejtë e luftat
E rrebta kundra anmiqsh e n' sa rreziqe
Ishin pershkuemun valët tue rrahun t'detit,
Kto n' mend perbluete lott tue i rrjedhë si gurra,
E tash m' nja' n brî e herë më shpinë veç shtrihej,
15 Mandej permbys me ftyrë për dhé; te e mbramja
Prej shtratit fíll tue flakurue si i çmêndun
Per t' gjatë po êndej gjithëkah bregut t' detit.
Veç teksa shifte t' bardhë tue shkrepë agimin
Mbí tokë e dete, ai persri i shilote
20 Hamshorët e shpejtë, e tue e lidhë mbas kerri
Rreshanë Hektorin po e cvarriste mbrapa,
Dhe tue e rrotllue trí herë rreth trupit t' dekun
T' Patroklit, rishtas kthehej me pushue
M' shatorre t' vet, tue e lânun shtrî per dhé
25 Me ftyrë ne pluhen zhye at trup te dekun.

Siç shihet, hekzametri i Alkajt, nuk është i pastër; ai varion nga 10-12 rrokshi, tek 14-15 rrokshi, duke na kujtuar më së shumti jo hekzametrin e pastër, por metra të parregullt, të përzier, ndonëse dinamikë, çka është karakteristike jo për epokën homerike, po për kohën e dezintegrimit të hekzametrit, e cila përkon me poetikat romake në fillim të erës së re, si tek Horaci, Katuli, Properci, Tibuli, Ovidi apo Seneka.

Duke ndjekur këtë zgjidhje të skemës, na përftohet njëmend një skemë e shkathët, e gjallë, dinamike, por bukuria e vargut shijohet, duke e lënë të pazgjidhur skemën prozodike të hekzametrit, dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi problemi mbetet ende: a është në gjendje shqipja të përcjellë vargun homerikë, në atë trajtë rrokjesore, siç gjendet në veprat e Homerit?

Përkthyesi kur hyn në "betejë" me një gjuhë, nuk hyn i vetëm dhe, sidomos, nuk përfaqëson vetëm veten. Etika e përballjes tashmë shtrihet shumë më përtej personales, për shkak se pas shpinës së poetit-përkthyes qëndron nderi dhe dinjiteti i gjuhës amtare.

I vetmi që ia ka dalë kësaj përballje të vështirë "homerike" na rezulton djaloshi i ri asokohe, Nikollë Dakaj. Nuk dua të ripërsëris mbresën e jashtëzakonshme që la përvoja përkthimore e Dakajt në këtë përballje dhe jo vetëm me Homerin e Virgjilin, por edhe me Horacin, Tibulin, Propercin, Lukrecin dhe, jashtë hekzametrit edhe me kolosë të rilindjes italiane (Dante, Petrarka), sikundërse dhe italiane (Manzoni, Leopardi, Karduçi).

Ja modeli hekzametrik i Nikollë Dakajt nga kënga e parë e Iliadës, që në shqip përbëhet prej 17 rrokjesh me cezura të parregullta:

Mnin, rrënimtare këndomë, oj Zan' ti t'Akil Pelejas
T'zeza hidhrime Akejve e cila u solli me mija:
Shpirtën t'mdhej kreshnik'sh në Ferr sa shumë gorromisi,
Trupat e tyne mandej ajo pré ua bani po qenvet,
Shuj' dhe shpezve të malit, e Zeusit u bante vullnesa,
Qyshse s'pari u kapën ndër vete dhe u kacafytën
Mbreti i burrave t'dheut Atreu, e hynér ai Akili.
Kush qe au hy që degam' ktyne t'dyve u shtini t'u zejshin?
Bir' i Laton's e i Zeusit. Në mbretin huj mbasi mori
T'zez' ky n'ushtri ma lëshoi nji dergjë, u faronte po gjindja,
Qysh asobote që Krizin Atrejasi njat meshtarin
Pat napërkamb' ... Ky kish ardh' tek anit e shpejta t'akejvet
T'bin' për të nxjerrë, e dhanti kish sjellë të panumër me vete.
Flamurin n'dorë edhe mbante të larshigjetues Apolonit
Maje skeptri t'artë, edhe u lutej Akejve të gjithvet,
Veçanërisht, por Atrejve të dy, sundimtarëvet të gjindjes:
"O ju Atrejë e ju mir' ndër kollçikë, o Akejç, të mbërthyem,
Ju ata zota po u dhanshin, t'Olimpit që rrijn' ndër pellaze,
Krejt m'ja shemb' ju Priamit mbretnin' shndoshë n'atme me kthyem
T'dashunën mue me ma nxjerr' time bi, e dhanti me i pëlqyem
Largshigjetuesin Apol tu' nderuem të birin e Zeusit"
Tjer't sa qenë asobote në godi kan' ramun Akejatt
Mir' me u ndam me meshtar e dhantit t'i pranojnë të shkëlqyeshmet;
Po kurrqysh jo për shtat nuk i ra Agamemnonit Atrejas,
Keqas prandej e përzu' dhe fjalë i flakroi të rrebta:
"Ma mos të baj, o plak, me të zan' rreth anijeve zgavrra,
As tash ktu tu' tallë, as rishtazi mbrapa tu' kthyem,
Skeptri se gja nuk të vlen besa ty, as ai flamur' i hyjit.
Vet' até kurr s'e lëshoj ma parë', e pleqnia ta zaje
Larg prej atmje n'at Arg, përmbrenda pellazeve t'mija,
Vejk' tue bam edhe mue bri shtrati ajo tu' m'gjetun.
Hiqmu tash, ma mos të m'ndezësh, shnoshë ti po deshe të ndahesh".

Ky është modeli i hekzametrit shqip i demonstruar prej Nikollë Dakajt, me atë leksik burrnor, të burrave të rreptë e të hyjve, me leksikun, trajtat e përftesat e një gjuhë të randë, solemne e të sprovueme në vargun heroik.

Duke folur në parathënien e Antologjisë së përkthimeve të Dakajt, është me vend të citohet mendimi i profesor të antikitetit, Muzafer Xhaxhiut, i cili thotë: "E folmja e veriut s'është thjeshtë një dialekt, por është trung me degë e gjethe.

Këtë e shohim qartë në shkrime letrare origjinale apo përkthime. Nuk është puna te disa ndryshime fonetike, morfologjike, drejtshkrimore, është diçka përtej këtyre: muzikaliteti, shprehshmëria koncize lapidare, sintaksi poetik, po mbi të gjitha tharma etno-psikologjike që sjell kjo e folme në rrjedhën e shekujve"

Mbasi ia ka dalë mbanë modelit të parë, solemn e serioz, Nikollë Dakaj i lejon vetes edhe eksperimentin në gjuhën gjysmë letrare, gjysmë standarde, tashmë me dhjetërrokësh të rimuar, porse kjo është krejt tjetër gjë: është vazhdimi i ëndjes e i lojës. Ja një fragment i hyrjes së këngës së parë "Grindja":

Këndona, burrnesha e dheut,
At mëninë e Akil Peleut,
Që plot kobe Akejve u solli,
Shumë edhe n'Skëterrë përcolli
Shpirtra t'rreptë heronjsh, përdhé
Tue ua lanë kufomat pré
Qenve e shpendëve për t'i ngranë,
Si vetë Zeusi e kishte thanë, (etj)

Në përfundim mund të themi, se domethënia e kontributit përkthimor të Nikollë Dakajt, pret të çmohet e vlerësohet, pasi është i pari përkthyes në të dyja të folmet shqipe toske dhe gege, përfshij edhe standardin letrar, që ka arritur të sjellë modelet e hekzametrit në shqip.

Jo vetëm të Homerit, siç patëm rastin ta dëshmojmë, por edhe të një morie poetësh grekë e latinë, nga antikiteti i hershëm, deri në kohën e dezintegrimit të hekzametrit. Për këtë duhet t'i jemi mirënjohës, pasi gjedhja dhe modeli i tij kanë mbijetuar dhe mund e duhet t'i kthehemi si një trashëgime tepër të vyer.

Jeta e këtij pionieri të letërsisë dhe përkthimit që e hidhur, e mundimshme si e shumë korifejve të letrave shqipe, por për fat, harrimit, izolimit dhe vdekjes në harresë gjatë diktaturës komuniste, ka mundur t'i mbijetojë vetëm gjuha shqipe e tij, dhe nëpërmjet saj edhe ai vetë me dashurinë prekëse ndaj verbit shqip.
Fjalë e mbajtur në "Ditët e Albanologjisë"

Shënim:

Siç tregon edhe vetë fjala (heks-a "gjashtë" - metron "masë&quotsmiley hekzametri është varg prej gjashtë masave (ose këmbësh), që do të thotë prej gjashtë takteve (muzikore).

Këto masa mund të jenë nga tri ose dy rrokjesh, që do të thotë se në të masë trirrokëshe mund të jetë vetëm daktili (- v v ), kurse dyrrokëshe vetëm spondeu (- -) ose trokeu (- v), të cilët përcaktohen sipas kuantitetit të rrokjes, që do të thotë, se një rrokje mund të jetë e gjatë ose e shkurtër (nga natyra ose pozita që ka në fjal&eumlsmiley.

Meqenëse Iliada (dhe Odiseja) është kënduar vetëm në këtë varg, duhet patur parasysh vetëm tri masa (daktil, spondej dhe trokej), dhe nga këmbimi I tyre mund të dalin 32 hekzametra të ndryshëm, kurse marrëdhëniet e rrokjeve të gjata me të shkurtërat janë një e gjatë sa dy të shkurtëra, përkatësisht rrokja e gjatë ka vlerën e notës (pentagramike) katërtaktëshe, kurse e shkurta tetëtaktëshe.

Prej këtyre gjashtë masave (të hekzametrit) e fundit është përcaktuar të jetë dyrrokëshe, d.m.th., trokej, kurse ajo e parafundit (e pesta) zakonisht është tetërrokëshe, që do të thotë daktil. Prandaj nga kjo skemë:

- - - -
- vv/ - vv/ - vv/ - vv/ - vv/ - v
Ose
- - - - - -
- vv/ - vv/ - vv/ - vv/ - vv/ -vv/ - v
Mund të (këndohen) recitohen vargjet e para të Iliadës:
Meinin a/ eide, the / a, Pe/ leia/ deo Achi/ leos
Ulome / nen, he / myli A / chaiois/ alge e/ theken

Ose vargjet e para të Odisesë në shqip në përkthimin e S. Çomorës:
Muzë tre / gomë për / burrin me / mendje aq/ shumë pje/ llore
Që, pasi/ pirgjet e / shenjta ia / shembi qy/ tetit të / Trojës.

 

4 Komente

Shkrim teper interesant. Hurbi & Finis mos e humbisni!

Une Iliaden e kam lexuar te perkthyer nga Gjon Shllaku dhe me pelqen pa mase.

Kush qe au hy që degam' ktyne t'dyve u shtini t'u zejshin?

cfare eshte degam?

Duhet te jete "sherr", "xixe".

Kush qe ajo hyjni qe ua futi "sherrin" ketyre te dyve per t'u zene ?

Me beri shume kureshtare emri i tij dhe rremova ca ne internet, por gjeta vetem keto vargje te shkruara nga ai: Kete poezi e ka shkruar pas kongresit te '72.

 

Nuk ecën para gjuha me ligje e dekrete,

as me vendime gjuhëtarësh gjysmakë,

që vetë të zbehtë fjalën e kanë të pakë

e s’u shkon as proza, as vargu nuk u vete.


Mjeshtria e fjalës, zotësi më vete,

thithet në vogëli nga gjyshja plakë,

merr turr e rritet, digjet zjarr e flakë

e n’gojë të poetit buron si mjaltë blete.

Poeti lule më lule porsi bleta

fjalët qëmton e shprehjet e vetvetishme,

që nëpër popull tingëllojnë ma bukur

e thur me to kangët e madhërishme

përmbi atdhenë e anët që ka jeta

me një gjuhë flakë, që fluturon si flutur.

 

Sakatimi qe i eshte bere shpirtit te shqiptar ne 1972 eshte e pabesueshme! 

pa gegerishte Iliada, Odisea dhe Komedia e dantes nuk do te ekzistonin ne shqip!

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).