PD në një bilanc tragjik

Gjithkush që e mban mend Shqipërinë e fillimit të viteve '90, nuk ka se si të mos e dijë që PD u krijua për të realizuar një mision të dyfishtë: së pari, shembjen e sistemit punist, çka nënkuptonte zëvendësimin e tij me një sistem demokratik, dhe, në kontekstin e institucionalizimit të pluralizmit, pjesa e dytë e misionit të saj ishte krijimi i së djathtës shqiptare. 19 vjet pas krijimit të saj, po të shohim me kujdes në substancë të gjërave, jo pa dhimbje konstatohet që PD është atje ku ka nisur, me një mision të paplotësuar, d.m.th., as nuk ka mundur të shkulë rrënjët e sistemit punist në Shqipëri dhe as nuk ka arritur të bëhet një parti e djathtë. PD nuk ka mundur të shembë sistemin punist në pjesë shumë të rëndësishme të tij, sepse qeverisjen e vetvetes dhe qeverisjen e vendit nuk e kreu nëpërmjet reformave reale, të vërteta, por thjesht u kujdes që të ruante një status-quo për të mbajtur pushtetin sa më gjatë të ishte e mundur. Kjo gjë solli një transferim të thjeshtë të marrëdhënieve të sistemit punist në shoqërinë e sotme, i cili vihet re lehtësisht, me gjithë tentativat për ta fshehur dhe manipuluar atë.

Sot, prandaj, është kufizuar rëndshëm hapësira për të ndërtuar një sistem tjetër në Shqipëri, aq më shumë një sistem demokratik. Nga ana tjetër, PD nuk arriti të shndërrohet në një parti të djathtë dhe kjo është e keqja më e vogël, sepse e keqja më e madhe është se PD nuk ka mundur, edhe sot që shkruaj këto rreshta, të shndërrohet të paktën në një parti politike, cilido të ishte vendi apo misioni i saj politik. E kapur në grackën e një primitivizmi të pashembullt, të paimagjinueshëm, sot PD funksionon pa statut, sepse e ka shkelur atë në çdo nen të tij; sot PD nuk ka një program legjitim, sepse nuk e ka të miratuar nga Këshilli Kombëtar; sot PD nuk ka asnjë autoritet të ligjshëm, përfshi kryetarin e saj, sepse të gjithëve iu ka mbaruar mandati; sot PD nuk ka asnjë strukturë të ligjshme, madje as Kuvendin që do të mblidhet pas pak ditësh, sepse i ka mbaruar mandati; sot PD ka në parlament përfaqësues jolegjitimë, sepse nuk janë mandatuar nga Këshilli Kombëtar; sot PD ka aleatë të pamandatuar, ashtu sikundër përmban si pjesë të sajën ca kokrra që vijnë nga një parti tjetër, e cila u shkri me PD pa pasur mandatin e Kuvendit të saj.

Sigurisht që nuk ndjej gëzim, kur i shkruaj të gjitha këto, por, meqenëse qëndrimi ndaj së vërtetës nuk është më vetëm një sakrificë, por është shndërruar edhe në "modë" këto kohët e fundit, atëherë le t'i shkojmë deri në fund asaj, së vërtetës. Kur një institucion, i çfarëdo natyre qoftë, pra edhe politik, siç duhet të ishte edhe PD, nuk funksionon mbi disa rregulla të vendosura dhe të pranuara si të tilla publikisht, atëherë ai, para së gjithash, nuk është më një institucion, por në rastin më të mirë është një grupim njerëzish që kanë pranuar rregulla të tjera loje, të cilat nuk mund t'i shkruajnë dhe nuk mund t'i bëjnë dot publike. Pra, duke mos pranuar statutin, ky grup njerëzish, dhe unë këtu kam parasysh kupolën e PD, kanë pranuar raporte të tjera midis njëri-tjetrit, midis tyre dhe të tjerëve, të padeklaruara, të cilat nuk bëhen publike vetëm për shkak të natyrës së tyre ilegjitime, madje edhe konspirative. Në këtë pikëpamje, duke mos përmbushur misionin e saj, përkundrazi, duke u transformuar në një grupim njerëzish që nuk mund të jetë politik në formë dhe as demokratik në përmbajtje, PD i është nënshtruar një procesi të gjatë denatyrimi, produkt i të cilit është një parti pa statut, pa program legjitim, pa pozicion politik, pa ideologji.

...

Gjëja më e natyrshme është të pyesësh se, vërtet, ç'ka ndodhur me PD, ç'forca, ç'procese e denatyruan atë, çfarë e detyroi të mos përmbushë misionin e saj dhe të përbaltë vullnetin politik të qindra-mijëra shqiptarëve? Analizat mund të bëhen me anë të modeleve të ndryshme, duke konsideruar shumë faktorë, por unë mendoj që një model i thjeshtë në fakt, ku zbulohen marrëdhëniet jo pak komplekse midis dy faktorëve esencialë, drejtuesit të PD, z. Berisha, dhe vetë PD, është një model që mund të na çojë me sukses shumë afër realitetit të gjërave dhe të na shpjegojë të vërtetën. Unë nuk besoj që ka pasur një anëtar të PD që nuk ka brohoritur një herë për z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një intelektual të përfshirë në PD, që nuk ka punuar për t'i dhënë emër të mirë z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një strukturë të PD apo një autoritet të kësaj partie që nuk ka investuar për z. Berisha, unë nuk njoh ndonjë militant të PD që nuk ka sakrifikuar nga vetja dhe familja e tij për emrin e z. Berisha. E gjithë PD ka investuar në një formë apo në një tjetër që z. Berisha të fitonte një emër dhe të shndërrohej, të paktën në vitet e para të PD, në drejtuesin që zotëronte një pushtet të padiskutueshëm në PD, që zotëronte mandatin më të gjerë në krahasim me çdo drejtues tjetër që ka pasur kjo parti. Qartësisht, e gjithë partia investoi një kapital politik të jashtëzakonshëm te z. Berisha dhe për një kohë të gjatë mbajti frymën, ruajti qetësinë, priti me padurim të shihte se si z. Berisha do ta përdorte vullnetin politik të qindra mijëra njerëzve, se si z. Berisha do ta ri-investonte këtë kapital politik. Ka qenë koha kur të rrallë ishin ato autoritete politike të ish-vendeve komuniste që përfituan një kapital politik aq të madh sa ai që përfitoi z. Berisha në Shqipëri.

Por, z. Berisha bëri ekzaktësisht atë që nuk duhet të bënte, ekzaktësisht atë për të cilën ky kapital politik nuk i ishte dhënë: e përdori atë, jo për forcimin dhe zgjerimin e bazës popullore të partisë, jo për shndërrimin e saj në një Parti të vërtetë Demokratike, jo për të ndërtuar një të djathtë moderne, përkundrazi, ai e ri-investoi këtë kapital politik te vetja, tek uni, duke rikrijuar edhe njëherë në Shqipëri, menjëherë pas diktaturës, një kult individi tjetër, kultin e tij, kultin e njeriut që ka pushtet të pakufizuar, që e përdor atë me mospërfillje dhe thjesht për interesat e tij, për të qenë nesër edhe më i fuqishëm se sot. Ja pse u prishën balancat brenda PD, ja pse PD filloi gradualisht të denatyrohet. Denatyrimi filloi me rritjen jashtë standardeve të autoritetit të z. Berisha në raport me strukturat e partisë, aq sa pesha relative e këtyre të fundit në politikën e partisë filloi të bëhej e parëndësishme. Këto ishin momente që nuk u kaluan lehtë dhe z. Berisha iu desh të mbante një qëndrim shumë të ashpër dhe të padrejtë ndaj individëve që kundërshtonin prishjen e balancës politike midis kryetarit dhe strukturave të partisë në favor të të parit. Ai shumë shpejt e kuptoi që nuk mund të vazhdonte të ndeshej në këtë mënyrë me individë që nuk mendonin si ai brenda partisë, sepse ajo do të ishte një luftë që herët a vonë do ta zvogëlonte në sytë e të tjerëve dhe do ta mundte një ditë. Kur kulti i tij kishte arritur kulmin e vet, pra, ekzaktësisht atëherë kur fuqia e tij politike kish arritur atë pikë të kurbës, pas së cilës nuk mund të vinte një rritje tjetër, përkundrazi, ishte gati të binte, z. Berisha e kuptoi që jo superimi i strukturave të partisë, jo imponimi, çka po bëhej gjithmonë e më i lodhshëm për të, por zëvendësimi brutal i anëtarëve të strukturave të partisë që mendojnë ndryshe, që janë autoritarë dhe që kanë integritet, me njerëz pa personalitet, konformistë, demagogë, "të armatosur" me një pragmatizëm vulgar lehtësisht të menaxhueshëm prej tij, madje edhe me cene të njohura tashmë, pra, "tharja" e këtyre strukturave, shndërrimi i tyre në asgjë, esencialisht "tharja" e PD, do të qe forma më e mirë për një pushtet të gjatë të tij. Pa pikë hezitimi, tragjikisht, ai e investoi kapitalin politik që i ishte dhënë nga PD për të asgjësuar PD.

Këtu fillon edhe pjesa më e trishtueshme e realitetit politik që lidhet me PD. Duke anashkaluar çdo strukturë dhe çdo procedurë partiake për shkak të kapitalit politik në zotërim, z. Berisha filloi të ftojë njerëz me adresim të drejtpërdrejtë për t'u bërë anëtarë të strukturave më të larta të partisë, të cilët duhej që minimalisht të plotësonin vetëm një kriter: të pranonin atë si kryetar të partisë, me çdo kusht, në çdo rrethanë dhe të mos pretendonin të dinin apo të ndërhynin në mënyrën se si përdorej pushteti prej tij. Kjo ndodhi hapur, fare pa skrupuj, veçanërisht me KOP-in. Ishte një si lloj puçi. Vinin njerëz që s'kishin asnjë lidhje me PD, jashtë çdo procesi selektiv, madje pa asnjë eksperiencë personale, madje edhe pa karrierë në Shqipëri, ndërkohë që të tjerët shtyheshin jashtë partisë, harroheshin, duke krijuar edhe problemin e madh të fshirjes së identitetit të PD. Procesi i denatyrimit të PD kishte ardhur pothuajse në fundin e tij. PD nuk ishte më, sepse nuk ishin më as strukturat dhe as autoritetet partiake në kuptimin normal, funksionues, të tyre. Z. Berisha kishte krijuar më në fund, në vend të PD, një alien politik, dhe ishte vënë në krye të tij, me anë të komandimit të së cilit do të fillonte të denatyronte edhe procesin demokratik në mbarë vendin.

...

Në asnjë rrethanë nuk do t'i kisha kushtuar kaq shumë vëmendje procesit të "tharjes", të "kukullzimit" të PD si pasojë e sundimit politik nga kryetari i saj, nëse nuk do të isha i bindur për ekzistencën e një lidhjeje sinjifikative midis mënyrës se si një parti qeveris veten dhe mënyrës si qeveris vendin, kur merr pushtetin, pra, nëse nuk do të isha i bindur për ekzistencën e së vërtetës së madhe se qeverisja e vendit nga një parti politike nuk mund të jetë ndryshe veçse një zgjatim i mënyrës se si kjo parti qeveris vetveten. Kryeministri po e qeveris vendin ekzaktësisht siç qeveris PD. Tani kjo është bërë forma e ekzistencës së tij politike. Ai e ka përqendruar pushtetin në duart e tij dhe përqendrimi i pushtetit është një proces që sa vjen e më shumë po përjashton shqiptarët nga qeverisja e vendit. Unë nuk njoh deri më sot asnjë sistem, asnjë institucion në Shqipëri, që është ndërtuar dhe funksionon mbi parimin "check and balance"; unë nuk di asnjë sistem dhe asnjë institucion në Shqipëri që funksionon mbi bazë të parimit të ndarjes së pushtetit duke filluar nga poshtë dhe jo nga lart (parimi i shpërndarjes së pushtetit sipas rëndësisë më të vogël); unë nuk di asnjë institucion dhe asnjë sistem në Shqipëri që t'i jetë dhënë aq pushtet sa do t'i duhet për të zgjidhur problemet që lindin tek ai. Pushteti është "sipër", problemet janë "poshtë", dhe nuk ka qytetar që të mos ta emërtojë këtë sistem politik, ose punist, ose të ngjashëm me të. Ai vetëm demokratik nuk është.

Pashmangshmërisht, ky deformim në përdorimin e pushtetit në Shqipëri ka çuar dhe çon çdo ditë në një shpërdorim gjigant të energjisë popullore. Akoma më shumë, meqenëse marrëdhëniet puniste të krijuara nëpërmjet qeverisjes janë transferuar si të tilla, në thelb të pandryshuara, nga shoqëria e para viteve '90 në shoqërinë e sotme, kjo gjë ka prodhuar një akumulim të njëjtë të pushtetit si në ato vite, çka sot, në thelb, është edhe një "ftesë" për mafien, e cila, të paktën sipas deklaratave publike të politikanëve, është rëndshëm e pranishme në Shqipëri. Nëse do të duhet që të përcaktohet më saktë se ku, është e qartë se ajo nuk është as duke bërë alpinizëm dhe as duke plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave. Mafia është atje ku është përqendruar pushteti dhe paraja. Ekzaktësisht, se s'ka pse të jetë në një vend tjetër.

13 Komente

 "....unë nuk besoj që ka pasur një intelektual të përfshirë në PD, që nuk ka punuar për t'i dhënë emër të mirë z. Berisha, unë nuk besoj që ka pasur një strukturë të PD apo një autoritet të kësaj partie që nuk ka investuar për z. Berisha, unë nuk njoh ndonjë militant të PD që nuk ka sakrifikuar nga vetja dhe familja e tij për emrin e z. Berisha..." 

-Jeni ju, pa jemi ne,- thosh dhe merhumi, veç merhumi e thosh spontanisht, me nje ndershmeri, dhe sigurine e budallait. Ndersa Bualli si skile qe eshte ka 20 vjet qe karkulon ne heshtje kete besim te njerzeve ndaj tij.  

 

"....Qartësisht, e gjithë partia investoi një kapital politik të jashtëzakonshëm te z. Berisha dhe për një kohë të gjatë mbajti frymën, ruajti qetësinë, priti me padurim të shihte se si z. Berisha do ta përdorte vullnetin politik të qindra mijëra njerëzve, se si z. Berisha do ta ri-investonte këtë kapital politik..." 

Te gjithe priten dhe do presin akoma, persa kohe Bualli eshte i zene me prapaskenat dhe kllounet qe e rrethojne.  

 

"....Por, z. Berisha bëri ekzaktësisht atë që nuk duhet të bënte, ekzaktësisht atë për të cilën ky kapital politik nuk i ishte dhënë: e përdori atë, jo për forcimin dhe zgjerimin e bazës popullore të partisë, jo për shndërrimin e saj në një Parti të vërtetë Demokratike, jo për të ndërtuar një të djathtë moderne, përkundrazi, ai e ri-investoi këtë kapital politik te vetja, tek uni, duke rikrijuar edhe njëherë në Shqipëri, menjëherë pas diktaturës, një kult individi tjetër, kultin e tij, kultin e njeriut që ka pushtet të pakufizuar, që e përdor atë me mospërfillje dhe thjesht për interesat e tij, për të qenë nesër edhe më i fuqishëm se sot. Ja pse u prishën balancat brenda PD, ja pse PD filloi gradualisht të denatyrohet..."  

Artikulli ia vlente ta lexoje dhe eshte tamam pasqyra reale e asaj partie ose me sakte e atij klani me prijsin e tyre. 

 artikull i hartuar me kujdes, me gjuhe te rregullt e te qarte, pa gabime shtypi e sintakse, qe vihen re pothuaj kudo tek artikuj te shumte.

megjithese nga ana tjeter, ai nuk shpjegon gje te madhe.

thote PD, parti pa ideollogji. te gjitha partite e qendres, edhe ne bote, jane parti pa ideollogji.

thote me pas, qe ajo nuk permbushi vullnetin politik te qindra mijera shqiptareve per te bere reforma te verteta borgjeze (ketu autori nuk shprehet qarte se çfare lloji reformash pret ai prej PD-se). 

duke qene parti e qendres ajo nuk ka si te beje reforma, pasi elektorati i qendres NUK DO reforma. reforma te verteta bejne vetem partite ekstremiste, te djathta ose te majta qofshin.

flet me tej per figuren qendrore te kryetarit te saj. Sala perfaqeson ose identifikon verioret. kur apo ne qofte se Sala iken prej Pd-se, edhe verioret (votat e tyre) do te ikin prej saj ne kerkim te nje lideri tjeter, kudo ku te gjendet ky, qe i idektifikon dhe perfaqeson e mbron.

ne fakt per Ps-ne analiza eshte e ngjashme, ajo eshte kapur ne fyt prej jugoreve ekstremiste. eshte gjithashtu parti pa program (jo vetem ne shqiperi po kudo partite e majta borgjeze nuk kane program, ato vetem propozojne dhurata te vogla (mbrojtjen sociale, pensionet, etj gjera qe i kane parasysh dhe vete borgjezet pa u çmend akoma)

situata ne shqiperi do te qartesohet ose normalizohet, kur verioret dhe jugoret nuk do te koncentrohen respektivisht vetem tek dy partite me te medha duke i mbajtur ne te njejten kohe edhe si pengje te tyret.

por kjo do te marre akoma kohe e ndoshta do te ket edhe konfrontime te rrezikshme.

kjo behet qetesisht e shpejt, vetem neqoftese shqiperia behet monarki kushtetuese. pra presidenti, qe sot nuk luan asnje rol, te zevendesohet nga mbreti.

Po si mor Hajdar nuk beri reforma partia demokratike? Partia demokratike ne bashkepunim me partine Socialiste bene ate qe beri dhe partia e punes: Te famshmen reformen agrare, ose Toka i takon atij qe e punon. Per mua hajdar ( me fal qe po ta shkuraj emrin me te vogla) te dyja partite jane nje mut, jane nje pellg i qelbur dhe  kane vetem nje program: Te vjedhin e te grabisin te gjithe shqiperin dhe shqipetaretn deri ne shkretim te vendit.

 he ta lumsha...

jane mijra shqiptare qe ju mohua nga keto parti prona e gjysherve dhe baballareve...

kjo reforme i kushton edhe sot miliona euro humbje ekonomise shqiptare...keto humbje nuk mund te zevendesohen me legalizimet per efekt elektoral te uzurpuesve...cmenduria me e madhe eshte se trumbetohen me te madhe nga qeveria sa here shperblehen me tapi hajdutet e pronave...

Një nga gabimet e panumërta te PD-se si parti politike është pikërisht identifikimi i kësaj partie me një individ, e me një individ si Saliu ne veçanti.

 

Mungesa e një debati te shëndetshëm brenda partisë ka krijuar një gjendje absurde përgjatë gjithë kohës se ekzistencës se kësaj partie, (përjashto këtu vetëm një periudhe te shkurtër ne fillim te krijimit, kur PD i përgjonte me tepër një lëvizje popullore se sa një partie politike).

 

Para pak ditësh i sinjalizua qe Saliu është përsëri i vetmi kandidat për kryetar partie, gjendje anakroniste qe mund te krahasohet me partine Bathiste te Sadamit. 

 

Si mundet qe një parti politike moderne ti besoje logjikes së vetme te një individi. Absurdi qëndron jo vetëm ne faktin se kjo parti ishte krijuar si një alternative e mendimit e praktikes totalitare por edhe se krahu tjetër i bashke-shoqëruar me rrëgjimin e diktaturës paraqet brenda partisë një mendim relativisht më pluralist.

Si rrjedhoje ne kemi situata akoma me te çmendura ku grupe si p.sh ish te dënuarit ose ish pronaret, te arrijnë te mendojnë se PS mund te jetë një alternative më e mire për t[i shërbyer interesit te tyre.

Ky njeri nuk është tjetër veçse një uzurpues që mund te krahasohet në kontributin e tij për dëmtimin e anti-komunizmit shqiptar me atë te E. Hoxhes.

Edhe 1 here Z. Bukuroshi i ke ra kokës.

Kjo eshte nje analize "sikur te kishte daja" Ramiz Alia do ishte akoma president e Fatosi kryeminister.

Shqiperia e mbushur me ferra "vdekjeprurse" , i qajme hallin drurit te shtrember.

Zgjohu bashkatdhetar,jemi ne shek. 21.

Kur qan dhe gazeta majtiste hallin e PD pse nuk eshte e djathte sa duhet apo pse nuk ka crrenjosur komunistet.....

Shkurt eshte e kote te merresh me kte pune....

Rroft Tritan Shehu, tribuni dhe lideri historik i PD-se! Rrofte Eduard Selami, patriarku i PD-se!

Shabani eshte kryetari i vertet i PD, per shaben e memiajve e kam.

Ai eshte atashehu kulturor dhe i derguari i posacem(si ekspert) politik i PD-se ne Parajse o Vlonjato. Mbasandor i vertete!

 Intervista Nikollë Lesi: PD pa mbiemrin Berisha, copëtohet Kreu i LDK-së, Nikollë Lesi, njëkohësisht zv/ Ministër i Kulturës Rinisë e Sporteve, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” jep komentet e tij për situatën politike në vend. Sipas Lesit, situata është vërtet për t’u shqetësuar, ndërkohë që u bën thirrje edhe njëherë deputetëve të PS-së që të hyjnë në parlament. Sikurse gjithmonë dihet, Nikollë Lesi është në mbrojtje të kandidaturës së Ben Blushit brenda PS-së, përballë Edi Ramës, edhe për shkak të lidhjeve të kahershme miqësore ndërmjet tyre. Ajo që është më interesante sipas Lesit, janë zhvillimet brenda PD-së. Zoti Lesi thotë se nëse largohet Berisha nga PD-ja, është më mirë që këtë parti ta marrë vajza e tij Argita Berisha, se sa kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli (sipas asaj që kuptohet nëpërmjet intervistës).
Në pozicionin e një aleati bashkëqeverisës me zotin Berisha, si ju duket situata politike?
Jo krejtësisht normale. Nuk flas në pozicionin e një zv/ministri vartës i kryeministrit Berisha, pasi me kryeministrin dhe me vetveten e kam marrëveshjen që të them atë që mendoj, e jo të flas në varësi të karriges sime, të një zyrtari të lartë në ekzekutiv. Pra, situata siç duket, po ngarkohet dita–ditës, porse nga eksperienca ime 20-vjeçare në media e në politikën aktive mund të pohoj se nga kjo kohë me “bubullima e vetëtima” do të shkohet patjetër në një kompromis politik, ku të dyja palët do të tërhiqen nga llogoret e tyre luftarake. Nëse më pyesni se a duhet që PS-ja të futet në parlament, mendoj pa asnjë hezitim se ata duhen të jenë patjetër në sallën e Kuvendit, pasi qeveria vetëm në këtë mënyrë do të ishte në një sulm gjigant të 64 deputetëve të opozitës dhe çdo ministri do t’i dilnin djersët vetëm sa t’i kujtohej se do të shkonte në parlament e jo më të përballej me 64 veta, të cilët janë një superforcë parlamentare. E kam thënë në një tjetër media se, nëse do të isha deputet i PS-së, do të vrapoja për në parlament e do të gozhdoja cilindo qeveritar. Do të ishte një spektakël i paparë, aq sa të gjitha televizionet do të ishin ‘live’ e populli do të shikonte një superbetejë parlamentare. Këtë kam pohuar dhe mbetem prapë i këtij mendimi. Në lidhje me këtë i jap të drejtë Ben Blushit, i cili e dinte shumë mirë se ç’do të thotë të shkonin në parlament deputetët e PS-së.
A do të ishte një humbje e forcës së Edi Ramës në elektorat nëse ai futet në Kuvend?
Jo. Edi Rama e arriti atë që kishte si objektiv, që të unifikonte e kompaktësonte partinë. Tani ai e ka gjithçka nën kontroll në PS. Frikën se mos i përçahej apo i humbiste autoriteti, ai e anashkaloi mjeshtërisht duke përdorur turmën dhe hallet e njerëzve kundrejt qeverisë. Duhet pranuar se në të majtën shqiptare është lider absolut, të paktën për momentin. Por, Rama nuk pranon tashmë të futet në parlament, duke e luajtur me një djallëzi të madhe lojën për kutitë, pasi nëse pranohet hyrja në Kuvend, atëherë vëmendja spostohet nga rruga që po përballet me qeverinë, tek salla e parlamentit. Dhe në parlament ai nuk është deputet e kështu do të dilte në pah fuqia e Ben Blushit, të cilin gjithsesi e ka konkurrent të fortë në PS, sido që të venë ujdirat e momentit.
A do të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare nga precipitimi i kësaj situate?
Në zgjedhje të parakohshme shkohet vetëm nëse do kryeministri Berisha. Po ndodhi ajo që pritet, që në korrik 2010 të hiqen vizat për gjithë shqiptarët e prapë opozita mbetet në rrugë e në protesta, nuk është çudi që zoti Berisha të kërkojë vetë zgjedhje të parakohshme dhe i fiton thellë, mbi 75 deputetë i merr vetëm PD-ja. Ndërsa nga partitë e vogla nuk besoj se futet njeri si deputet, përveç nga PD-ja e PS-ja dhe paksa LSI-ja. Gjithnjë, nëse mbetet ky Kod Zgjedhor i pandryshuar. Por, në qoftë se ndryshohet Kodi duke iu dhënë hapësirë partive të vogla, atëherë tabloja politike do të jetë komplekse.
A ju ka bërë ftesë PS-ja të kaloni në frontin opozitar, pra që të jepni dorëheqjen nga zv/ministër?
Unë jam kryetar i një force politike kristiane që lindi para një viti, pas prishjes së marrëveshjes nga ana e Nard Ndokës me mua e demokristianët, që e sollëm për herë të parë Partinë Demokristiane në vitin 2005 me 3.4 për qind të votave kombëtare. Më 28 qershor 2009, si parti e re kam fituar 6 mijë e kusur vota vetëm në dy qarqe, pasi në 10 qarqet e tjera nuk arrita të organizohesha për mungesë kohe e hutimi në kampin demokristian dhe nisur nga sa thashë, jam në një koalicion publik me PD-në dhe respektoj akt-marrëveshjen politike për bashkëqeverisje. Pra nisur nga sa thashë, mbetem korrekt në firmën time, pavarësisht ofertave të cilat, për hir të së vërtetës edhe nuk mungojnë! Unë iki vetëm nëse shikoj që shkelen parimet për një shtet të lirë dhe po pikasa edhe nga larg se po orvaten të bëjnë kurthe nga ato që jemi mësuar të bëhen në politikë.
Si i keni raportet me ministrin Xhaferri ?
Krejtësisht korrekte. Mbetet bashkëpunues e bashkëvendimmarrës, të paktën deri sot kur po jap këtë intervistë. Nesër nuk e di...
Kryeministri Berisha, në një emision televiziv la të kuptohej se vajza e tij Argita mund të hyjë në politikë. Ju si mendoni, ka në plan t’ia dorëzojë PD-në asaj?
Flasim që Argita të hyjë në politikë aktive, pasi në politikë ajo është që prej vitit 1990, përderisa është e bija e liderit të PD-së që rrëzoi komunizmin. Nuk mund të thuhet, aq më tepër në Shqipëri, që fëmijët të mos jenë pjesë e bisedave politike, bile edhe vendimeve të rëndësishme. Unë personalisht, Argitën nuk e njoh, por nisur nga disa dalje të saj në media, nisur nga profesioni i juristit që ajo zotëron, nisur nga shumë vite që ajo është në politikë, ndonëse jo direkt, mendoj se është e vonuar në daljen e saj në politikë aktive. Aq më tepër ku ka shembuj botërorë si familja Bush në SHBA, apo Papandreu në Greqi, e plot raste të tjera, të cilët kanë vazhduar në traditë që brezi i parë ka përgatitur dhe brezin e dytë për të qenë aktiv në politikë në fatet e vendit. Tradita politike në një familje që është marrë me drejtimin e një vendi është një plus i madh eksperience për të qenë të ditur se si duhet drejtuar politika më mirë, pra është një shkollë politike. Nëse më lejoni mund të shtoj diçka para se të vazhdoj më tej në lidhje me këtë pyetje interesante, jo vetëm për PD-në, por për gjithë vendin; unë edhe nëse nuk jam më në koalicion me PD-në, do të them prapë këto që do pohoj paksa më poshtë. Kryeministri Berisha ka thënë në parlament se “do të largohem nga politika vetëm kur të më marrë me vete i Plotfuqishmi”! Por Berishës mund t’i thuash ç’të duash, por vetëm burrë pa mend e pa eksperiencë politike nuk mund t’i thuash. Ai e di mirë se ç’ka bërë për PD-në, por siç edhe di mjaft mirë që i Plotfuqishmi (Zoti) të merr edhe në çast! Ai di më mirë se kushdo tjetër në PD që nëse ikën ai, atëherë partia ndahet e copëtohet, kush e kush të marrë frenat e makinës demokrate, që është një makinë gjigante, të cilën asnjë nuk mund ta zotërojë. PD-ja është e lidhur vetëm me emrin e Berishës. Dhe vetëm një Berishë tjetër mund ta çojë në atë udhë që duhet, nëse i Plotfuqishmi e thërret me shpejt! Vetëm Argita Malltezi (Berisha) është trashëgimtarja e PD-së. Vetëm kështu ajo parti nuk ndahet e mbetet ikonë e politikës në vend. U përgjigja gjatë, pasi ju më ngacmuat për një çështje që zien qosheve shkodrane të politikës, të cilët aspirojnë të marrin drejtimin e PD-së në momentin e duhur. Por, i Plotfuqishmi nuk do duket edhe shumë vite!

(Marre nga GazetaShqiptare)
 

Pse, dhe Berisha te njejten gje tha para disa ditesh ne Opinion te fejziu.

Ajo s'ka vendosur kur tha ai, por ajo ka qene dhe eshte pjese e rendesishme e PD.

Pra kuptimi ishte Modeli Grek, qe eshte;

"vdes i jati vjen i biri/bija".

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).