Patriotë me shpatulla pas murit

Eshtë një taktikë që Berisha e ka përdorur dhe rrjedhimisht përsosur në këto 19 vjet në politikë, dhe tanimë vrojtuesit e vëmendshëm të politikës janë mësuar ta dëgjojnë dhe natyrisht ta injorojnë. Nëse ka krizë pas zgjedhjeve, ja tek fillon debati për legalizimin ose jo të martesave mes së njëjtës gjini, nëse ndërkombëtarët kritikojnë qëndrimin e mazhorancës përkundrejt gjyqësorit, hop hidhet shashka e bashkimit de facto mes Shqipërisë e Kosovës, dhe Ministri i Jashtëm i Rusisë Lavrov i kërkon urgjentisht BE-së që të mbajë qëndrim. Kur populli irritohet për faljen e ujërave territorial të Shqipërisë, menjëherë Kryeministri demek patriot del e kërkon kthimin e eshtrave të Nënë Terezës nga India, që do t’i bashkohen eshtrave të shqiptarëve më të famshëm në një ‘Pantheon të Kombit’. Siç ndodh rëndom, këto çudira zgjasin veç një a dy javë, dhe edhe vetë kryeministri e kupton kur duhet të tërhiqet e të kalojë tek shashka e radhës. Fatkeqësisht, disa njerëz shkojnë edhe e marrin shumë seriozisht këtë ‘lojë mediatike’, pa e kuptuar që bëhen vetiu pjesë e maskaradës qesharake për të devijuar vëmendjen e publikut nga hallet reale të vendit. Ministri ynë i Kulturës (që gjithashtu ka deklaruar se ‘kultura do të jetë prioritet i Ministrisë së Kulturës (!?!?)’, na tregoi se sa seriozisht i merrte fjalët e shefit kur, duke folur për krijimin e ‘Pantheonit të Kombit’, deklaroi publikisht se ai po punonte intensivisht e po negocionte personalisht me palën italiane për kthimin e eshtrave të Ismail Qemalit, ndërsa eshtrat e Plakut të Urtë prej dekadash prehen në qytetin e Vlorës. Vallë a do gjente punë si ministër Z. Xhaferri në qeverinë e Ismail Qemalit??

Përtej magjepsjes së kësaj mazhorance me kockat e të vdekurve, apo injorancës së hapur të ministrave në lidhje me informacion që e kanë edhe nxënësit e fillores, akoma më shqetësues është manipulimi abuziv që kjo mazhorancë i bën ndjenjës patriotike të shqiptarëve. Mazhoranca s’ka ngurruar të hedhë në tavolinë kartat e patriotizmit të së djathtës (e respektivisht anti-patriotizmit të së majtës) sa herë që është gjendur në krizë. 26 viktimat e Gërdecit u këmbyen lehtë me ‘interesin kombëtar’ për të hyrë në NATO dhe çështja shkoi e u harrua; miliona Euro të vjedhura në rrugën Durrës – Kukës u mbuluan me ‘vlerën historike të rrugës së Kombit që do të lidhë shqiptarët e ndarë prej shekujsh’ dhe pavarësisht se rruga është çarë e tuneli është bllokuar nën peshën e aferave korruptive, askush s’po mban përgjegjësi për vjedhjen ‘patriotike’; koalicioni mes Berishës e Metës, pavarësisht se kanë sharë njëri-tjetrin për vite me rradhë ‘është i justifikueshëm pasi bëhet për të mirën e vendit dhe në kuadrin e procesit integrues’, falja e ujërave territoriale në favor të Greqisë ‘i shërben fqinjësisë së mirë dhe aksesit të shpejtë të vendit në strukturat e Bashkimit Evropian,’ e kështu me radhë. Në vitin e fundit, ndoshta në klimaksin e retorikës së vetë patriotike, Kryeministri ka filluar edhe ta krahasojë veten me Skënderbeun apo Ismail Qemalin, duke u vetëzgjedhur e vetëemëruar si një prej heronjëve të kombit. Dukshëm Z. Berisha e ka kuptuar se patriotizmi është një mjet tepër i fuqishëm politik, dhe nuk ngurron aspak të hiqet si patriot i kulluar sa herë i volit interesave politike të mazhorancës që ai drejton. Por, imazhi i tij si një politikan tejet patriot ka kohë që ka perënduar, e askush s’beson të tilla maskarada kur kujton milionat e tonëve karburant që Berisha çonte në Jugosllavi në fillim të viteve 90të, miqësisë pak si shumë të zhvilluar me ‘biznesmenin’ serbo-boshnjak që rastësisht i shet energji e i blen toka badiava Shqipërisë, heshtjen e tij përballë deklaratave të shkuara apo këto më të fundit të aleatit të tij Bollano i cili vazhdon e promovon idenë e Vorio-Epirit brenda e jashtë vendit, apo përkuljen e dorëzimin pa kushte vis-à-vis Greqisë për çështjen e varrezave të ushtarëve në territorin shqiptar dhe faljen e qindra km2 ujëra territoriale.

Kjo qeveri e veçanërisht ky Kryeministër s’mund të fshihet pas patriotizmit fals e part-time sa herë që gjendet me shpatulla pas muri. Sot do të ishte patriotike që shqiptarët të mos ishin populli më i varfër në Evropë, do të ishte patriotike që të mos radhiteshim si vendi më i korruptuar në kontinent, do ishim krenar për vendin, veten apo kryeministrin nëse nuk do të vuanim akoma për ujë e për drita, do ishte vërtetë patriotike që të mos kishim sistemin arsimor e shëndetësor më të pazhvilluar në rajon, të mos krahasoheshim me vendet e botës së tretë për lirinë e medies, të mos rrinim dyerve të ambasadave të huaja për viza, e të mos kishim 60% të popullsisë që do të largohej nga Shqipëria në rastin më të parë që do t’u jepej. Vetëm atëherë Berisha apo cilido politikan tjetër me trajta megalomane do të mund të fillonte e ti avitej patriotëve të vërtetë me të cilët guxon të krahasohet


 

Shënim i Peshkut: Autori i shkrimit është anëtar i partisë G99.

1 Komente

epo kur u bene bukuroshat e erjon velines te kerkojn patriotizem ... edhe bollano esht me pro-shqiptar se keta modelet

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).