Opozita: President mos e dekreto!

Selia rozë kundërshton ndryshimet për ndarjen e tokës në bregdet

Partia Socialiste i konsideron antikushtetuese ndryshimet në ligjin për pronat, duke kërkuar rishikimin e tyre, madje që Presidenti të mos e dekretojë. Ndryshimet ligjore u japin banorëve të zonave bregdetare nga 300-750 metra katrorë, por tani do t‘u duhet të heqin dorë nga toka që kanë aktualisht, duke shënuar kështu një reformë të re agrare, por që prek vetëm zonat e bregdetit. Duke qenë se ligji sjell veç të tjerash edhe një konflikt social, socialistët i kërkojnë Presidentit të Republikës që mos t‘i dekretojë ndryshimet e ligjit.

Deputeti socialist, Fatmir Toçi, tha dje se ky ligj ndryshon atë të vitit 1995, i cili është përmirësuar me një shtesë të bërë me anë të dekretit të vitit 1996 të ish-presidentit Sali Berisha, por që s‘ka mundur të gjejë zbatim për shkak të një procedure të munguar. Duke sjellë fakte konkrete, Toçi, deputet në Qarkun e Vlorës, tha se banorëve të zonave të Orikumit, Ksamilit, Borshit apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 m2, do t‘u merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe 300 deri në 750 m2. Në analizat e selisë rozë mbi impaktet që do të ketë ky ligj, socialistët kanë dalë në përfundimin se jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do t‘u merret toka, me ata të tjerët që do t‘u jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky "shtetëzim" modern kanë kërcënuar se nuk e lëshojnë tokën e tyre. "Konstatojmë se përpjekja e mazhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe e ka rritur revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët presin zgjidhjen ligjore të problemit, dhe jo marifete të reja të kësaj qeverie për grabitjen e tokave që ata kanë në përdorim që prej 18 vjetësh", vijoi deputeti socialist. Sipas tij, mazhoranca po tregon papërgjegjshmëri në një kohë krizë e që mund të shkaktojë një krizë të re. "Nëse kjo qeveri, vijoi Toçi, po zhvesh nga të drejtat e fituara më parë këta qytetarë në emër të ish-pronarëve, ky është veçse mashtrimi i radhës, pasi ka 5 vjet që ajo as i ka kthyer pronat, dhe thjesht po bën pronarë klientët e saj dhe të familjes në pushtet". Duke iu rikthyer miratimit të këtij ligji në vitin 1995, me disa ndryshime të bëra në 1996, këtyre banorëve u është dhënë e drejta për ta kthyer tokën nga përdorimi në pronësi. Veçse ligji në fjalë nuk gjeti dot zbatim për shkak të mungesës të procedurave të mëtejshme, si rrjedhojë e ngjarjeve në vitin 1997. Ndaj duke qenë se ndryshimet e ligjit sjellin ngushtim të të drejtave të njeriu, pasi po ulet sipërfaqja nga 1500 metra katrorë në 750, PS thotë se ligji është antikushtetuese, duhet rishikuar, dhe Presidenti duhet të mos e dekretojë. "I kërkojmë Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj që u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, për t‘i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi që ka penguar dhe bllokuar zhvillimet normale të vendit, në mënyrë të veçantë në fushën e turizmit dhe bujqësisë. PS kërkon rishikimin e menjëhershëm të këtij ligji në interes të zgjidhjes përfundimtare të problemit, duke e konsideruar atë të nxituar dhe në interes të grabitjes së këtyre tokave nga shteti për t‘ua kaluar disa grupeve që janë vënë në shërbim të tij", tha Toçi. Pak ditë më parë, Parlamenti kaloi ndryshimet në ligjin për ndarjen e tokave, ku thuhet se familjet apo individët që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit, do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t‘u bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli.

5 Komente

 çeshtja e pronave eshte shum delikate, ku gjer me tani ka sjell vetem konflikte dhe merira. 

 nuk eshte delikate hiç qe ne fillim prona u jepej pronareve te saj. atje ku nuk kish mundesi, pasi qene bere vepra (pallate, rruge, etj) atyre u takonte demshperblim (ky mblidhej nga shteti ne forme "takse banimi" ose "takse fitimi" psh). 

ndersa atje ku jetonin te tjere, keta duhej, te ishin vetem me qira.

pronaret pastaj shteti i takson ne baze te pronave qe kane. keshtu qe ata vetem po te jene te zotet, mund ta mbajne pronen e tyre. ne rast tjeter ata detyrohen ta shesin kete. 

keshtu dhe behet VETEM qarkullimi i prones. 

sepse po ta shohesh te gjithe ata qe kane perfituar nga pronat, ne fakt "i kane braktisur" (perveçse ne leter) keto, duke shkuar te punojne ne greqi. ose i kane shitur me pa te drejte.

Se dekreton jo,e cojne tek instituti i veterinarise pastaj.

Lloj lloj profesionesh te larmishme kane figurat tona, piktor, doktor, veteriner ... si varka e Noes, nga dy te cdo lloji. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).