"Onufri", një konkurs pa skulpturë

Në sallën kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, kanë nisur përgatitjet e fundit për konkursin ndërkombëtar të arteve pamore, "Onufri 09". Për datën 24 dhjetor gjithçka duhet të jetë gati. Disa prej artistëve janë aty, kujdesen për veprat e tyre. Kuratori Parid Teferiçi, edhe ai nuk i mungon kësaj tabloje. Gjen kohën për një bisedë të shkurtër, dhe pse telefoni nuk pushon së rëni. Tregon disa prej detajeve të konkursit. Jo pa keqardhje thotë se këtë vit, skulptura do të jetë një zhanër që do t‘i mungojë "Onufrit". Veprat të cilat kuratori ka parë gjatë fazës parapërgatitore, nuk përputheshin me konceptin e tij kuratorial. Teferiçi ka qenë më shumë i fokusuar që nëpërmjet punëve të artistëve pjesëmarrës, të shpërfaqej një pjesë e realitetit shqiptar dhe vendin që ai zë në krijimet e artit bashkëkohor po shqiptar. Për këtë arsye, edhe pse "Onufri" nuk e ka një temë të caktuar, ai ka vendosur ta quajë "Onufri, dëshirë dhe dëshmi", të paktën kjo ka qenë ndjesia e tij teksa ka vëzhguar e ka përzgjedhur punët pjesëmarrëse.

Edhe pak ditë na ndajnë nga çelja e konkursit ndërkombëtar "Onufri 09". Në ç‘fazë jeni?

Tani jemi në fazën e grumbullimit të punëve pranë Galerisë së Arteve dhe sistemimin e tyre në hapësirën e vënë në dispozicion në sallën kryesore të Galerisë Kombëtare.

Në këtë konkurs ndërkombëtar, si është raporti mes artistëve shqiptarë e të huaj?

Vërtet është një konkurs ndërkombëtar, por në edicionin e këtij viti është vendosur që të ketë një prani të fortë të autorëve shqiptarë. Synimi im parësor ka qenë paraqitja e një panorame të artit bashkëkohor në Shqipëri. Në këtë kuadër më duhet të them se këtë vit nuk ka asnjë prani të huaj në konkurs, e megjithatë, ai vazhdon të mbetet ndërkombëtar.

Është vendosur se sa do të jetë numri i artistëve pjesëmarrës?

Do të ketë pak a shumë rreth 20 artistë. Mosha e tyre është e larmishme. Kemi autorë të moshuar në kuptimin e moshës, por jo në kuptimin e risive që sjellin si për shembull Gjelosh Gjoka nga Mali i Zi, i cili është rreth të 70-ave apo profesor Hasan Nallbani, për të mbërritur deri te më të rinjtë që janë 20-vjeçarë apo më pak se kaq, si Genti Pipa, Albi Bogdani etj.

Cila do të jetë e veçanta e këtij edicioni të "Onufrit"?

E veçanta e këtij konkursi është se jam përpjekur që të mos ketë asgjë të veçantë. Ai do të jetë një vitrinë e asaj çka ndodh në studiot e artistëve në Shqipëri, e kryesisht në Tiranë. Këtë vit do të jenë punët që do të flasin. Ato janë punë që kryesisht nuk bërtasin, janë punë që komunikojnë me shikuesin në mënyra që janë larg skandalit apo mënyrës së deklamuar. Për mua është dytësore ndarja, sepse vetë heterogjeniteti i zhanreve dhe gjinive që marrin pjesë e pengon një gjykim real, për një konkurrim real. Është e vështirë të vendosësh nëse duhet vlerësuar një video apo një pikturë dhe cilat janë parametrat që u duhet mëshuar më shumë në momente të caktuara. Unë u përpoqa që të shmangia ndjenjën e garës dhe prania të ishte themelore, të kisha një gjithëpërfshirje të pjesëve më të mira krijuese në Shqipëri.

Cilës periudhe i përkasin veprat?

Janë vepra të viteve të fundit. Të vitit 2009, 2008 dhe në raste të caktuara nëse vepra është përfaqësuese e një periudhe krijuese që nuk është mbyllur ende për artistin, atëherë ajo është edhe e ndonjë viti më parë. Por e përsëris janë punë që përfaqësojnë aktualitetin e artistit.

Duke qenë se nuk kishte një temë të caktuar këtë vit, a ishte e vështirë për ju si kurator përzgjedhja e artistëve?

Unë mendoj se çështja e temës është diçka që është kaluar tashmë. Mospasja e një teme të caktuar ishte një zgjedhje metodologjike e imja. Ne do të kemi një ese përfundimtare. Ajo do të jetë një pasojë e një hulumtimi të gjatë që kam bërë nëpër skenën dhe prapaskenën e artit shqiptar. Paradoksalisht, mospasja e temës ka qenë lajtmotivi i parë. Kam kërkuar që të jetë puna dhe jo ajo që më bën punë mua si kurator që të jetë kriter i parë në përzgjedhjen e tyre. Kriteret përzgjedhëse kanë qenë minimale, por rreptësisht të respektuara. E para ka qenë cilësia e vetë punës, e dyta që kjo punë të mos jetë aksidentale, por të përfaqësojë periudhën aktuale krijuese të vetë artistit, domethënë trajektoren e tij krijuese të momentit dhe e treta, veprat duhet t‘i rrinë mirë mozaikut të këtij konkursi. Ato duhet të hyjnë siç duhet në rebusin që krijon konkursi.

Po artistët, a janë ndier ata të kufizuar nga mospasja e temës?

Mospasja e një teme doemos që është diskutuar gjatë edhe nga vetë autorët e punëve. Është diskutuar për të parë edhe premisat e tyre estetike dhe teorike, si dhe për të parë shtysat e tyre parësore. Fakti që punët janë përzgjedhur, pasi ato janë kryer, pra asnjëra prej tyre nuk ka qenë e porositur posaçërisht për "Onufrin", u heq atë cenin e dikurshëm ku vepra e artit humbiste thelbin e saj. Në të gjithë historinë e artit, është artisti që e ndien të nevojshme të krijojë diçka pavarësisht ndërhyrjeve apo porosive nga jashtë. Çështja e koncepteve dhe e platformave ka qenë gjithnjë deformuese e vullnetit artistik për të krijuar. Ishte një aktivitet artistik i kësaj natyre që i ulte artistët të punonin, gjë që nuk është normale në një mjedis të shëndetshëm kulturor. Po të bëjmë një krahasim, fatet e një kampionati futbolli nuk varen nga komentatorët sportivë. Këta të fundit janë ata që quhen pjesë anësore e një sistemi. Është iluzive që çështjen e kreativitetit ua delegojmë gjithmonë kritikëve apo kuratorëve që janë dytësorë në procesin krijues.

Ndërkaq, cilat janë temat me të cilat artistët kanë zgjedhur të përfaqësohen?

Në esenë që do të shoqërojë ekspozitën unë i kam përmbledhur këto tema në fazën mes dëshirës dhe dëshmisë. Si "Onufër" do të quhet "Dëshirë dhe dëshmi". Te pjesa dërrmuese e punëve që kam parë tek artistët, vura re se ishte shumë e theksuar kjo qasje herë konfliktuale, herë dialektike dhe herë paqësore mes dëshirave të artistit dhe dëshmisë së një realiteti apo një situate të caktuar.

Cili zhanër mbizotëron më shumë në këtë "Onufër"?

Asnjë zhanër nuk është paragjykuar, të gjithë janë parë me seriozitetin më të madh. Ajo që vë re me keqardhje është mosprania e skulpturës këtë vit. Kam shkuar në shumë studio dhe situata ka qenë e tillë: ose artistët nuk kishin punë të këtyre viteve të fundit ose ato që ishin prodhuar ishin të një niveli që nuk ngjallte interesin e duhur. Ndaj për të shmangur keqkuptimet, preferova që të mos kisha skulpturë këtë vit. Ndoshta është një problem i imi, por e marr vetë përsipër këtë risk.

A ka artistë të rinj që shfaqen për herë të parë?

Po, ka disa syresh. Ka të rinj që me energjitë e tyre vijnë shumë interesantë, ka nga ata që kanë arritur rezultate të konsiderueshme në fusha të ndryshme. Ndoshta ajo që kam vënë re te të rinjtë është një lloj lehtësie me të cilën krijojnë. Ndryshe nga paraardhësit e tyre që i mëshojnë shumë kohë dhe mund kulturës së përgjithshme, euridicionit, këta të rinj i besojnë shumë spontanitetit dhe intuitës. Kjo nganjëherë sjell edhe rezultate pozitive dhe befasuese, por herë të tjera edhe shijen e hidhur dhe të dyshimtë të diçkaje të lehtë dhe të pavullnetshme. Kam parë shumë prej të rinjve, disa kanë qenë paksa problematike, sepse në momentin që kërkojnë të bëjnë rolin e artistit të angazhuar, mendojnë se duke mos u hyrë në thellësi gjërave, mund të sjellin risi nga perspektiva të pavrojtuara më parë dhe kjo më duket problematike. Unë them se sidomos në artin bashkëkohor, ku gjithçka është e intelektualizuar dhe e hiperkontekstualizuar dhe e hipercituar, kërkohet një erudicion që artisti i ri duhet patjetër ta mendojë seriozisht. Nuk mund të jesh artist bashkëkohor me konceptin romantik të frymëzimit, të lirizmit. Asgjë nuk të vjen nga qielli. Duhet punë dhe kulturë e përgjithshme.

Përse mendoni se konkurse të tilla janë të rëndësishme për realitetin e artit pamor shqiptar?

Sepse e para heqin nga izolimi dhe vetëizolimi artistin. E shkëpusin atë nga rutina e së përditshmes dhe e stereotipizimit të tij. Artistët shikojnë se cila është klima, japin shtysa për krijimin e një prototregu, (se nuk mund të flitet për një treg të mirëfilltë arti në Shqipëri), hedhin premisat për vendosjen e një hierarkie vlerash dhe këto për mendimin tim janë disa nga arsyet. Ashtu siç edhe prania e artistëve në aktivitete ekspozimesh kolektive u jep atyre mundësinë të komunikojnë, të japin dhe marrin me njëri-tjetrin. Në rastin konkret në "Onufrin" e këtij viti është një përpjekje serioze, nuk e di sa ia kam arritur, që të jepet një peizazh i artit aktual në Shqipëri.

Ju si artist, por edhe si kurator, shikoni një lloj interesi të artistëve kundrejt këtyre konkurseve, apo ka një lloj shmangieje në pjesëmarrje?

Gjëja e rëndësishme që kam vënë re është dëshira për të marrë pjesë. Por më duhet të them se mungesa e një teme ka qenë frenuese për disa. Por ka qenë frenuese për atë pjesë që nuk kanë një punë sistematike, për ata që të qenit artist e konceptojnë si një certifikatë që e merr sipas rolit që luan në kafene apo në mjedise të ndryshme sociale. Nuk të bën artist sjellja si artist, puna krijuese të bën të tillë. Mungesa e temës ka qenë frenuese për atë kategori artistësh që nuk kishin punë.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).