Nuk ecën projekti për adresat

Ndonëse fundi i vitit 2009 është përcaktuar si limiti i përfundimit të sistemi të ri të adresave, në një pjesë të konsiderueshme të vendit procesi po vijon me ritme të ngadalta. Në mjaft qytete të vendit adresari i ri ka "ngecur" në hedhjen e të dhënave në hartë, në disa të tjera ka përfunduar vetëm pjesërisht. Projekti që ka filluar në shkurt të 2007-s dhe pritej të përfundonte deri më 31 dhjetor 2009, duket se do të vazhdojë më tej. Ndërkohë, në Shkodër dhe në Kukës, ndonëse adresari i ri ka përfunduar, vazhdon referimi sipas sistemit të vjetër. Kjo ka bërë që gati në të gjithë vendin, adresat e rrugëve, pallateve apo apartamenteve të jenë në kaos.

Dibër
Në qytetin e Peshkopisë, qendër e Qarkut të Dibrës, puna për sistemin e adresave vetëm sa ka nisur. Kështu, burime nga kjo bashki, saktësojnë për "Shqip" se puna për sistemin e adresave e cila ka nisur prej muajsh, ka ecur shumë ngadalë duke mbetur në hapat e parë të saj. Ndonëse ka përfunduar emërtimi i rrugëve, objekteve dhe shesheve nga ana e këshillit bashkiak, specialistët janë duke hedhur emërtimet në hartë. Emërtimet do shoqërohen me vendosjen e tabelave përkatëse në çdo rrugë dhe lagje, si dhe numrat përkatës për çdo hyrje apartamenti të banesave me emrat e kryefamiljarëve, për të përfunduar me dixhitalizimin e këtyre adresave. Ndërkohë, mësohet se do të ngrihet edhe një zyrë e veçantë e adresave, ku qytetarët në çdo moment mund të informohen saktë për adresat e qytetarëve të këtij qyteti. Por deri në këtë moment do të duhet edhe shumë punë nga ana e bashkisë. Ndaj askush në bashki nuk është në gjendje të japë një afat limit të përfundimit të procesit të sistemit të adresave për qytetin, duke u mjaftuar me informacionin se puna ka nisur. Në lidhje me këtë problem, pothuajse e njëjta situatë vërehet edhe në bashkitë e tjera të Qarkut Dibër si: Klos dhe Burrel, përjashtuar atë të Bulqizës, ku mësohet se procesi ka ecur më mirë dhe është në hapat e fundit të realizimit të tij.

Elbasan
Ndërkohë, në Elbasan, procesi gati është bllokuar, pasi ende nuk ka përfunduar faza e parë e projektit. Deri më tani është bërë gati lista e emërtimeve, të cilat do të mbajnë rrugët dhe rrugicat e qytetit. Në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak, që do të jetë në mes të muajit dhjetor, pritet të miratohen emrat e rinj të rrugëve, duke shënuar kështu mbylljen e fazës së parë të këtij procesi. Sipas drejtuesve të bashkisë, faza e dytë pritet të mbarojë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.

Fier
Në qytetin e Fierit ende nuk ka përfunduar procesi i vendosjes së sistemit të adresave. Vonesën e numërimit dhe emërtimit të rrugëve dhe lagjeve të Fierit e pranojnë edhe drejtuesit e pushtetit vendor. Nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, Eriselda Çobo, jo vetëm që pranon procesin e papërfunduar të vendosjes së sistemit të adresave, por ka akuzuar qeverinë si shkaktaren kryesore. "Në udhëzimet e qeverisë ishte vendosur që rrugët e qytetit të emërtoheshin me kode të posaçme. Ne si bashki e përmbushëm numërimin me kode brenda afatit të parashikuar. Pas dërgesës së materialit të parë qeveria na e rikërkonte këtë emërtim me formë tjetër. E realizojmë për herë të dytë ashtu siç e kërkon udhëzimi dhe gjithçka ka mbetur në Ministrinë e Brendshme. Në këtë të fundit duhej që me kohë të ishte realizuar një tender, i cili do të mundësonte kryerjen e tabelave emërtuese dhe numërues të rrugëve. Gjithçka që i takon bashkisë është realizuar", ka sqaruar nënkryetarja e Bashkisë së Fierit, Eriselda Çobo. Ndërkohë, mësohet se pritet vetëm prodhimi i tabelave, që do të realizohet pas tenderimit në Ministrinë e Brendshme dhe ky proces rezulton i përfunduar edhe në Fier.

Gjirokastër
Burime nga Prefektura e Gjirokastrës bëjnë të ditur se prej vitesh kanë nisur një projekt për adresat dhe kombinimin e të dhënave të tyre me regjistrat e gjendjes civile, por ende nuk ka përfunduar. Gjatë një periudhe gati dyvjeçare është punuar me dixhitalizimin e hapësirave urbane me qëllim hartimin e një sistemi modern adresash. Mësohet se janë bërë edhe propozime për emërtimin e blloqeve dhe rrugëve në këshillat e komunave dhe bashkive, por deri tani projekti nuk është finalizuar. Gjatë kësaj periudhe në qytetin e Gjirokastër ka pasur edhe propozime për rivendosjen e emrave dhe toponimeve tradicionale në lagjet karakteristike të qytetit, pasi kjo do të krijonte një kreativitet për guidën turistike brenda qytetit, përfaqësues të fondacionit QKMA në Gjirokastër ka propozuar ndryshimin e disa emërtimeve me karakter politik të bërë në vitet e socializmit si: lagjet "Partizani", "11 Janari", "Punëtori", "Rruga Pionieri", etj., të zëvendësohen me emrat e hershëm si "Bashte e Teqesë", "Hazmurat", "Cfake", "Sokaku i të Marrëve" etj.

Korçë
Bashkia e Korçës ka plotësuar sistemin e adresave të reja dhe numërimit e rrugëve në masën 90%. Pjesa më e madhe e rrugëve kanë tashmë adresat e reja të shënuara në tabela, ndërkohë që në çdo kryqëzim të rrugëve në pjesën më të madhe të lagjeve të qytetit janë vendosur tabelat sinjalizuese që tregojnë sipas shënimeve drejtimin për rrugët përkatëse në të katër anët. Sipas të dhënave nga bashkia e qytetit janë vendosur për sistemin e ri të adresave të paktën 264 tabela teke me mbishkrimet përkatëse në mure dhe dhjetëra të tjera me tuba me mbishkrime në dy anë për orientimin në kryqëzime. Për të kompletuar krejt sistemin e adresave pritet që të kryhet edhe një tjetër investim nga ana e ministrisë.

2 Komente

Medemek do vazhdojme te shikojme adresa te tipit:

Rruga Kasap Katili, pallati 6 katesh perballe ish institutit XX.

Kati 5, Hyrja majtas.

Ku e ke shtepine moj vajze, s'te  pyes dot jo

Adresen e saj te thjeshte une nuk e di

Sa do desha............

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).