Mbi mandatin e deputetit

Në doktrinën kushtetuese mandati i deputetit të zgjedhur zakonisht përkufizohet si forma me të cilën vishet përfaqësimi politik që i besohet atij, domethënë ushtrimi i pushtetit shtetëror në emër të zgjedhësve.

Ky mandat individual i çdo deputeti shkrihet me mandatin e deputetëve të tjerë dhe në këtë mënyrë krijohet mandati kolektiv, ai i Kuvendit. Megjithatë, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, fillimi i mandatit të deputetit nuk përkon plotësisht me fillimin e mandatit të Kuvendit.

Neni 65/1 i Kushtetutës përcakton se mandati katërvjeçar i Kuvendit fillon me mbledhjen e tij të parë pas zgjedhjeve, ndërsa, sipas nenit 74/1 mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve, pra më parë se sa mandati i Kuvendit. Sipas nenit 72 të Kushtetutës "para fillimit të ushtrimit të mandatit deputetët bëjnë betimin në Kuvend". Nga kjo kuptohet se ka një mospërputhje kohore midis fillimit të mandatit individual dhe fillimit të ushtrimit të tij.

Rrjedhojë e këtij ndryshimi është se deputeti i zgjedhur dhe i shpallur si i tillë gëzon imunitetin e parashikuar nga neni 73 i Kushtetutës, megjithëse ai ende nuk ka nisur ushtrimin e funksionit të vet.

Për sa i përket mbarimit të mandatit, ai i Kuvendit, si rregull, përfundon me mbarimin e afatit katërvjeçar të legjislaturës, ose në rast të një shpërndarjeje të parakohshme të tij.

Mandati i deputetit, në bazë të nenit 71/1 të Kushtetutës mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye (nënvizimi im) mbi 6 muaj rresht në Kuvend; kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Çështja e mbarimit të parakohshëm të mandatit të deputetit kohët e fundit është bërë objekt diskutimesh me rastin e bojkotimit të Kuvendit nga ana e gjithë grupit parlamentar të Partisë Socialiste që përfshin 64 deputetë, të cilët nuk kanë bërë as betimin në parlament.

Eksponentë të lartë të Qeverisë dhe të shumicës parlamentare janë shprehur se për deputetët që vazhdojnë bojkotin do të zbatohen sanksionet e parashikuara në Kushtetutë, çka nënkupton marrjen e një vendimi për mbarimin e mandatit të tyre.

Madje, është thënë se në rast se deputetët e zgjedhur me mbarimin e afatit 6-mujor nuk do të paraqiten në Kuvend, ata do të zëvendësohen nga kandidatët për deputet që vijnë pas tyre në listat që çdo parti ka paraqitur, në bazë qarku, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarata të tilla janë kundërshtuar ashpër nga opozita.

Si qëndron çështja nga pikëpamja juridiko-kushtetuese? Për t'i dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetje duhen analizuar jo vetëm nenet përkatëse të Kushtetutës, por edhe ato të Rregullores së Kuvendit si dhe të Kodit Zgjedhor që i referohen këtij problemi. Në nenit 4/1 të Rregullores së Kuvendit që është aktualisht në fuqi thuhet: "Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë".

Ndërsa neni 164 i Kodit Zgjedhor, duke iu referuar nenit 71 të Kushtetutës, thotë se "nuk përbëjnë shkaqe për ndërprerjen e mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati".

Në rastin e shkronjave "a" dhe "b" të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara Komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës.

Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të së njëjtës parti politike të së njëjtës zonë zgjedhore përkatëse".
Nga analiza e këtyre dispozitave të Rregullore së Kuvendit dhe të Kodit Zgjedhor mund të lindin disa pyetje, si dhe të parashtrohen disa mendime.

A mund të shpallet i shfuqizuar mandati i deputetit për mosbërjen e betimit kur ai, sipas rregullores, ka të drejtë ta bëjë atë në seancën e parë, në të cilën do të marrë pjesë (dhe Rregullorja nuk cakton ndonjë afat për këtë seanc&eumlsmiley?

A përbën "arsye" për mungesën në Kuvend mbi 6 muaj rresht, fakti që kjo mungesë është rrjedhojë jo e një motivi individual, por e një vendimi politik të një grupi parlamentar, pavarësisht nga vlerësimi që gjithsecili mund t'i bëjë këtij vendimi?

Duke pasur parasysh kërkesën e lartpërmendur të Kodit Zgjedhor që deputeti duhet të deklarojë publikisht para Komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë botimin ose heqjen dorë nga mandati, ç'do të bëhet nëse deputetët bojkotues nuk do ta bëjnë këtë deklaratë publike?

Vlen të vihet në dukje se deri sot asnjë nga deputetët socialistë dhe as grupi i tyre parlamentar nuk kanë bërë ndonjë deklaratë se ata refuzojnë të bëjnë betimin dhe as se heqin dorë nga mandati. Duhet thënë se bojkotimi i punimeve të parlamentit ka precedentë në Shqipëri.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ushtroi bojkotin për një farë periudhe që nga seanca e parë e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, në shenjë proteste kundër vrasjes së disa manifestuesve në mitingun e 2 prillit 1991 në Shkodër.

Deputetët e Partisë Socialiste bojkotuan punimet e Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e kontestuara të 26 majit 1996, që nga dita e parë e mbledhjes së tij dhe deri në mesin e vitit 1997, kur u kthyen në Kuvend për votëbesimin e "Qeverisë së Pajtimit Kombëtar".

Mund të bëhet vërejtje se këto bojkotime u bënë kur ishte në fuqi Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, i cili nuk bënte fare fjalë as për fillimin as për mbarimin e mandatit të deputetit.

Por, punimet e Kuvendit u bojkotuan edhe nga deputetët e Partisë
Demokratike, në shenjë proteste kundër zgjedhjes së "Kuvendit të kallashnikovëve" të 28 qershorit 1997, bojkot që filloi kur ende ishte në fuqi Ligji për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, por që vazhdoi edhe pas hyrjes në fuqi më 28 nëntor 1998 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Deputetët e PD u kthyen në Kuvend disa kohë pas takimit të kryetarit të PD, Sali Berisha, me kryeministrin Pandeli Majko dhe zëvendëskryeministrin Ilir Meta më 21 dhjetor 1998.

Punimet e Kuvendit u bojkotuan nga deputetët e Partisë Demokratike edhe fill pas zgjedhjeve të vitit 2001, në shenjë proteste kundër "fenomenit të Dushkut" dhe bojkoti u ndërpre vetëm pas kompromisit të arritur midis kryeministrit Nano dhe kryetarit të opozitës Berisha, për zgjedhjen e Alfred Moisiut si President të Republikës

Vlen të përmendet se gjatë bojkotimit të Kuvendit nga ana e deputetëve të PD, si pas zgjedhjeve të vitit 1997, ashtu edhe pas atyre të vitit 2001, nuk u mor as ndonjë masë për pezullimin e pagës së deputetit. Dhe duhet shtuar se ky pezullim nuk u zbatua ndonjëherë as për deputetin Fatos Nano, me gjithë mungesat e tij sistematike në Kuvendin e viteve 2005-2009-të.

Besoj se ka interes të shihet si e trajtojnë disa kushtetuta të vendeve të ndryshme çështjen e mbarimit të parakohshëm të mandatit të deputetit. Kushtetutat e SHBA, Italisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Austrisë, Holandës, Kroacisë, Rusisë, Norvegjisë, Sllovenisë, Spanjës, Suedisë nuk bëjnë fare fjalë për mbarimin e mandatit.

Kushtetuta e Bullgarisë parashikon mbarimin e parakohshëm të mandatit kur deputeti jep dorëheqjen, kur është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, kur verifikohet papajtueshmëria me funksione të tjera që kryen deputeti.

Edhe Kushtetuta e Hungarisë, përveç mbarimit të mandatit të vetë Asamblesë, vdekjes, papajtueshmërisë së funksioneve dhe dorëheqjes, parashikon mbarimin e mandatit kur deputeti humbet të drejtën e votës (kuptohet, në bazë të një vendimi gjyqësor). Po këto shkaqe për mbarimin e mandatit përmend edhe Kushtetuta e Rumanisë.

Humbjen e mandatit për mungesë të pajustifikuar mbi 6 muaj në Parlament e parashikon Kushtetuta e Maqedonisë, por vendimi përkatës duhet të merret nga Parlamenti me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve.

Edhe Kushtetuta e Turqisë, përveç dorëheqjes dhe dënimit penal, si shkaqe të mbarimit të parakohshëm të mandatit parashikon mungesën pa arsye në 5 mbledhje gjatë një muaji. Kjo Kushtetutë sanksionon mbarimin e mandatit edhe kur deputeti del nga partia, në listat e së cilës është zgjedhur dhe bashkohet me një parti tjetër.

Kjo masë, që në fakt i kundërvihet parimit të përgjithshëm të ndalimit të mandatit urdhërues, është ndoshta një dukuri unikale në praktikën kushtetuese të vendeve demokratike. Gjithsesi, edhe sipas Kushtetutës turke, vendimi për mbarimin e mandatit duhet të merret me votat e shumicës së të gjithë deputetëve.

Për sa i përket cungimit ose mohimit të pagës së deputetëve, në Kushtetutat që përmendëm një masë e tillë nuk parashikohet, përveçse nga Kushtetuta e Greqisë, e cila përcakton se për mungesa pa arsye në më shumë se 5 seanca në muaj, deputetit i mbahet 1/30 e shpërblimit mujor.

Nga këto që parashtruam del se do të ishte e nxituar dhe jashtë çdo logjike juridike dhe politike marrja e një vendimi për shfuqizimin e mandatit të deputetëve, kur është fjala për një grup të tërë parlamentar. një vendim i tillë do të ishte pa precedent në praktikën kushtetuese e parlamentare të vendeve demokratike.

4 Komente

Plotesisht dakort me artikullin mbi mandatet e deputeteve ( me dhimbje se vjen nga sekuli).

E drejta e mandatit nuk ka asjge te perbashket me te drejten e pageses, jane ligje te ndara, nuk perputhen me njera tjetren.

Deputet qe nuk marrin pjese ne parlament nuk kane te drejte pagese, kjo sipas ligjit mbi te drejten e pages.

 

"U bo ky nipi Enverit me na msue neve demokrateve se si ti trajtojme deputetet bojkotist" - tha ashtu kalimthi zonja Topalli. "Venin kena me ja tregue, ta provojne te vijne ne salle, por prej zhelesh kom per ti kap e ti qis jashte" - shpertheu ajo ne histeri e siper. "Nuk kena nevoje per ta, as rrogat nuk jua nap. Paret e tyne do ti merni ju si shperblim per vit te ri qi jeni ne ket sall e ata qe punojne dit e nate ne qeveri me Sal Berishen"- perfundoje ligjeraten spikerja e kuvendit.

aleanca punisto-mafioze e ka vendin ne burg. ne Spac do i cojme te gjithe deputetet dhe sal birishen do e shpallim kriminister pa limit.... te perjetshem qe ja morrsha te ligat ja morrsha. kur te VDESI vendin e kriministrit do e mbajme bosh si respekt per te pavdekshmin. qeverite do kene vetem ministra jo me kriminister. Si e boni milani kur iku barezi qe s'ja dha me numurin e tij njeriut (me duket).

kur te vije koha per zgjedhje do i japim nje liste emrash jozefines dhe ciljetes dhe ke tju doji butha atyre do e zgjedhin per parliament.

vetem 2 parti do kete Paria Demokratike dhe Fronti Birishist + rinia birishiste.

zoti e ka bekuar shqiperine!!!!!

 

 

Bjeri rrotull Koco sa te duash.Mandati u mbaron pas 6 muajsh.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).