Luftë me shpata druri

Në raportin e ardhshëm të Bashkimit Evropian për Kosovën është e mundshme të përmendet një gjykim, i cili të premten mori fund në Prishtinë, kur gjyqtarja e guximshme Marije Ademi dënoi me burg shumëvjeçar një grup dilerësh të drogës. Pasi gjyqtarja kishte shpallur verdiktin, një vajzë nga publiku, me gjasë e afërt me të dënuarit, i kishte thënë zonjës Ademi: „Oj, e mallkume!“ Një i dënuar po ashtu kishte shprehur mllefin e tij kundër dënimit, por gjyqtarja reagoi me vendosmëri: „Shko ti ku të çova unë, e tani flasim“. Arsyeja pse ky gjykim mund të regjistrohet nga zyrtarët e BE-së është tjetër: Para se të akuzuarit, shumica me origjinë nga Anamorava, të dënoheshin për tregti me drogë, për rastin e tyre në gjykatën e Prishtinës ishte ”interesuar“ një gjykatës, i cili ishte i lidhur familjarisht me njërin prej dilerëve. Sipas burimeve në gjykatën dhe prokurorinë e Prishtinës ky gjykatës dy herë kishte ardhur nga Gjilani në zyrat e drejtësisë në Prishtinë për të ushtruar presion. Njëjtë thuhet të ketë vepruar edhe djali i tij. Për këtë arsye rasti ishte marrë në shqyrtim nga autoritetet gjyqësore në Prishtinë, sepse dyshohej se kjo çështje mund të gjykohej në mënyrë të pavarur nga drejtësia në Gjilan. Dënimi i grupit të dilerëve të premten në Prishtinë është një triumf i vogël i drejtësisë kosovare. Ky triumf njëkohësisht është edhe shembull trishtues që tregon se në Kosovë jo pak gjykatës janë aq të paskrupullt saqë nuk ngurrojnë të përpiqen për të influencuar drejtësinë. Para disa javësh është publikuar një video, në të cilën shihet shoferi i kryetarit të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë Anton Nokaj, duke bërë ”pazar“ me një palë lidhur me një rast që po shqyrtohej nga drejtësia. Përkitazi me këto dy raste nuk ka reaguar asnjë përfaqësues i institucioneve të Kosovës. Në vendet me rend demokratik politikanët do të kërkonin masa të ashpra kundër shkeljeve dhe skandaleve të tilla. Kjo është detyrë e politikanëve dhe nuk ka të bëjë asgjë me ndërhyrje në ”sistemin e drejtësisë“.

Pse hesht kryetari Fatmir Sejdiu, i cili është jurist dhe e di mirë rëndësinë e sistemit të drejtësisë?
Pse hesht kryeministri Hashim Thaçi, i cili tregohet shumë i palodhshëm për të bindur opinionin se punët në Kosovë po ecin si është më së miri?
Pse hesht ministrja e drejtësisë Nekibe Kelmendi, e cila do duhej të reformonte rrënjësisht drejtësinë?
Pse hesht Ramush Haradinaj, i cili së paku me retorikë premton një   shtet funksional?
Pse hesht opinioni, shoqëria civile?

Disa përgjigje për heshtjen e pafalshme të politikanëve të Kosovës mund të gjenden në librin e sapobotuar të dy gazetarëve gjermanë mbi Ballkanin (“Minenfeld Ballkan”, “Ballkani – fushë me mina”, botoi shtëpia botuese Siedler). Autorët Olaf Ihlau dhe Walter Mayr janë gazetarë të njohur të revistës gjermane “Der Spiegel”. Në veprën e tyre ata arrijnë në përfundimin se Ballkani ende mund të rrëshqasë në kriza serioze dhe luftëra nëse mungon vendosmëria e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’ua lidhur duart fantazmave të luftës dhe “aktivistëve kombëtarë” të përfshirë në krimin e organizuar.

Sa i përket Kosovës, Ihlau dhe Mayr theksojnë se angazhimi i bashkësisë ndërkombëtare nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të jetës në Kosovë, as një demokratizim të mirëfilltë. Sipas tyre, që nga viti 1999 bashkësia ndërkombëtare në Kosovë ka harxhuar 33 miliardë euro. Në këtë skenë teatrale lëvizin “kalorës të fatit dhe agjentë, idealistë dhe aventurierë”, të cilët për punën e tyre jashtë atdheut marrin edhe rrogë shtesë, e cila në zhargonin e tyre quhet “para për punë në xhungël”.

Gati çdo i dyti banor i Kosovës jeton me më pak se 45 euro në muaj.

Prodhimi social bruto është më i ulët se në Papua Guineja e Re. Në të njëjtën kohë mes klasës politike sunduese dhe opozitare zhvillohet një betejë e ashpër për të ndarë “plaçkën e luftës”. Në libër shumica e politikanëve të Kosovës përshkruhen si gangsterë. Njëri prej tyre akuzohet drejtpërdrejt për tregti me drogë, me armë dhe me mallra. Autorët rikujtojnë edhe akuzat e zëvendësministrit të Transportit dhe Postë-Telekomit, Adem Grabovci, kundër kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Siç dihet, Grabovci e kishte akuzuar Haradinajn se pas luftës kishte grumbulluar një pasuri të madhe, përfshirë këtu patundshmëri, tokë dhe pompa benzine. Asnjë dëshmi nuk është prezantuar për këto akuza të rënda.

Drejtësia nuk ka reaguar. Kështu helmohet debati publik, sepse asgjë nuk vërtetohet në gjykatë. Në mungesë të reagimit të drejtësisë aktivistët e të dy partive, të AAK-së dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, mund të vazhdojnë të besojnë në idhujt e tyre dhe t’i atakojnë rivalët për krim. Nuk dihet kush i ka duart e pastra dhe kush të përlyera. Këtë do të duhej ta zbulonte shteti. Kush po gënjen, kush po e thotë të vërtetën, kush po plaçkit, kush po vjedh. Përgjigjet në këto pyetje do duhej t’i gjente shteti, por cili shtet? I Kosovës? Gazetarët Olaf Ihlau dhe Walter Mayr në librin e tyre përmendin edhe rastin e arrestimit të tre agjentëve gjermanë para një viti në Prishtinë, të cilët në kundërshtim me çdo rregull u ekspozuan publikisht. Ata theksojnë se detyrë e agjentëve të BND-së kishte qenë të zgjerojnë “bazën e të dhënave për kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi”. 

Sipas autorëve, Thaçi ende është “nën vëzhgim” të BND-së.

Në kapitullin për Kosovën gazetarët e “Der Spiegel” përmendin edhe tregtinë me drogë, një ndër problemet më të mëdha të Kosovës. Ndonëse autorët kanë një qasje ekzagjeruese ndaj këtij problemi, megjithatë nuk duhet injoruar fakti se në Kosovë një pjesë e madhe e pasurisë së biznesmenëve me koka të rruara, me syze të zeza dhe me kostume “Armani” e ka burimin nga tregtia me drogë. Një hetues gjerman në Kosovë thotë: “Ne këtu jemi duke luftuar me shpata të drurit kundër kundërshtarëve të armatosur mirë”. Hetuesi kritikon edhe policët kosovarë, të cilët tregohen tepër ngurrues në luftën kundër krimeve të rënda.

Toni alarmant i autorëve gjermanë lidhur me gjendjen në Kosovë dhe në Ballkan shpesh mund t’i shkojë në nerva lexuesit. Por, akuzat e tyre kryesisht janë të mbështetura në fakte, studime dhe analiza të autoriteteve policore evropiane dhe të shërbimeve sekrete. Jo gjithçka mund të jetë krejtësisht ashtu siç pretendojnë Ihlau dhe Mayr, por edhe sikur vetëm një e treta e akuzave të tyre të jetë e saktë, atëherë secilit lexues mund t’i ngrihet gjaku. Kosova ndodhet para një kodre me probleme dhe pjesë e këtyre problemeve janë edhe jo pak politikanë, të cilët janë zhveshur nga çdo parim etik, moral dhe njerëzor. Këtë imazh të keq nuk mund ta ndryshojnë reklamat qesharake të asnjë agjencie marketingu. Reklama më e mirë për Kosovën janë gjyqtarët me duar të pastra që luftojnë ashpër krimin. Dhe politikanët që me përgjegjësi të madhe ushtrojnë funksionet, për të cilat qytetarët ua kanë dhënë borxh besimin. Në pyetjet e mësipërme se pse heshtin politikanët e Kosovës ekzistojnë dy përgjigje: Prijësit e Kosovës ose i kanë duart e përlyera, ose kanë frikë të ballafaqohen me krimin?

 

4 Komente

Po mir, si skom nigji asnjonin qe jep nje alternative 'paraberese' qe mund te krahasohet me tregtine e narkotikeve apo pervetesimin e paligjshem te plackes te tjetrit

Ky Robelli eshte nje cinik i pandreqshem. Gjithmone e tregon te njejten histori.

 M'duket se aty duhet vertet nje dore e forte. Gjendja qenka me keq se ç'e mendonim. 

BND dhe Der Shpigel nuk kane asgje te re ne qasjen e tyre ndaj Kosoves ne vecanti dhe ndaj shqiptarve ne pergjithesi. Jane te percaktuar haptaz si antishqiptarë, nuk ka ndonje gje te re. Eshte zgjedhje e tyre, dhe menyre shume e ulet perhapja e thashethemeve dhe pergjithesimet pa fakte. Nuk besoj se Hashim Thaci ose Ramush Haradinaj, jane me teper "mafioze" se Gerhard Shroder, i cili u shit tek Gazpromi9 rus qe kur ishte hic me pak se kancelar i Gjermanise. Ndaj, e lus Enver Robellin, qe te na sjelle edhe texte qe tregojne anen tjeter te medaljes edhe per BND (e mbuluar me skandale te brendshme) edhe per zedhenesen e BND "D.Shpigel".  

Kosova calon ne shume gjera, por zgjidhja nuk eshte ajo qe perpiqet te sjelle BND dhe Shpigel; - se ja, aty sundon kriminaliteti dhe se cdo gje rreth Kosoves eshte bere gabim, se eshte vetem projekt amerikan, se eshte bere cerdhe e krimit dhe fraza te tilla te shkeputura nga faktet qe do turperonin edhe nje gazete fshati dhe jo me nje reviste qe ja mban vetes per "e madhe" si Pasqyra (e thyer)... 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).