Lotët që (s)duhet të derdhen në politikë

Të hënën e kaluar, Hillari Klinton për herë të parë gjatë gjithë karrierës së saj si zonjë e parë e tradhtuar nga i shoqi, senatore që mbështeti vendimin e Bush-it për të pushtuar Irakun dhe si kandidate për presidenten e parë femër amerikane, lotoi në publik. Lot, të cilat sipas analistëve nëpër botë i dhanë fitoren në shtetin e Nju Hemshër (New Hampshire), pas një humbjeje të turpshme ndaj kandidatit tjetër demokrat për president, Barak Obama në shtetin e Aj’ouasë (Iowa). Momenti i saj i “thyerjes emocionale” u interpretua si njerëzor nga shumë media dhe “i pritshëm” nën trysninë e një fushate të ashpër elektorale. Por nëse fiton, ato lot do të jenë të vetmet që H. Klinton do t’i duhet të derdhë në publik, pasi ndryshe nga meshkujt, ndjeshmëria e treguar në politikë nga femrat është ende e papranueshme për çdo shoqëri, qoftë atë amerikane e indoktrinuar me idealizmin e filmave hollivudianë, dhe aq më tepër në një shoqëri maskiliste si kjo shqiptare. Nëpër vite lotët dhe vetë-viktimizimi i udhëheqësve meshkuj në politikë është pranuar si ndjeshmëri, por tek femrat siç citon autori i librit “Të qarit: Historia natyrale dhe kulturore e lotëve” Tom Lutz, “shihet si humbje e kontrollit”. Por nga ana tjetër po këto femra që gjykohen nëse tregohen të ndjeshme, nuk duhet të jenë as shumë burrërore, pasi perceptohen si “anti-femërore dhe jo-natyrale”, si nga votuesit meshkuj, ashtu edhe nga grupe feministe. Ky standard i dyfishtë i ka detyruar shpesh femrat në politikë të ngatërrohen me “këmbët” e tyre pa gjetur të mesmen midis një kollareje dhe një fustani. Dhe nëse meshkujve nuk iu është dashur të justifikojnë ndjeshmëritë e tyre, madje kanë ditur t’i përdorin për të fituar më shumë mbështetje, femrat shpeshherë janë detyruar të mbrohen sa herë janë gjykuar se janë më të ashpra se ç’duhet, siç bëri edhe Hillari Klinton përpara disa javësh në një intervistë televizive për “CNN”, kur këmbënguli se “Faktikisht unë kam emocione”, duke iu përgjigjur akuzave kryesisht të votuesve femra se ishte tepër e ftohtë emocionalisht. Apo siç ka bërë Jozefina Topalli, në vizitat e saj te fëmijët jetimë apo përpara disa javësh te shtëpia e një 9-vjeçari të vrarë në Peshkopi, kur ka qarë, pak si një njeri i gjendur përballë një tragjedie të rëndë, pak si nënë e pak ndoshta për të provuar se pas sjelljes së saj të konsideruar “burrërore” e gati shpeshherë harbute, sidomos në fillimet e saj si kryetare e Kuvendit, ka edhe një Jozefinë të ndjeshme.
Për zëdhënësen e kryesisë së PS-së dhe ish-kandidate për deputete, Mimi Kodheli, ndjeshmëria është njerëzore, por ajo pranon se nuk do të qante kurrë në publik, sidomos përballë syve të një shoqërie maskiliste dhe paragjykuese si ajo shqiptare.
“Këtu lotët do të vlerësoheshin si lot krokodili, pasi shoqëria jonë është ende e pamësuar me këtë pjesë. Vlerëson akoma mashkullin në politikë”. Për të ndjeshmëria e treguar nga Hillari ishte më se e pranueshme, sepse “ai është një vend demokratik dhe lotët nuk i marrin për dobësi, por për një arsye njerëzore e të sinqertë për atë që bën”.
Edhe anëtarja e LSI-së dhe një politikane aktive e viteve të fundit, Monika Kryemadhi, pranon se nuk do të kishte dëshirë të qante, por “emocionet nuk i ndalon dot”. Ajo kujton se ka qarë njëherë kur “kam qenë në Dibër në fushatë. Kisha kohë pa vajtur atje, dhe u thashë me lot në sy [njerëzve në sallë] se edhe unë jam një vajzë dibrane e jam krenare për këtë”. Por përsëri shton duke qeshur se “kur jam vetë në vështirësi apo në siklet, nuk dorëzohem, por jam e fortë, bëj si garipe”.
Për Monikën, një femër që hyn në politikë tërheq me vete një bagazh të madh, ku përfshihen edhe detyrat e saj familjare si nënë e bashkëshorte. [Pjesëmarrja në politikë] është një sakrificë në kurriz të familjes [dhe] nëse ajo loton, loton se ka fëmijët e saj dhe familjen e saj në luftë.
Në garë me burrat, femrat politikane duhet të qajnë sa ata, që do të thotë “Fare!”
“Lotët e një femre janë më se të natyrshme, më feminile, janë të pranueshme dhe më të besueshme, ndaj duken më të sinqerta”,  tregon psikologu Edmond Dragoti. Ai shton se nëse një femër politikane loton, nuk do të thotë domosdoshmërish se ajo është më pak e sigurt se kolegu i saj mashkull, por në këtë rast “bashkohet përfytyrimi i femrës politikane me konceptin e saj si femër në vetvete”.
Por sa femra politikane sinqerisht do t’i konsideronin fjalët e Dragotit dhe do të përballeshin me ndjeshmërinë e tyre në publik?
Alket Hoxhallarit, 28 vjeç, nga Tirana, i duket qesharake që femrat duhet të justifikohen në politikë se janë ndryshe nga burrat. “Atëherë të rrinë në shtëpi e të gatuajnë. Në politikë janë në lojë fatet e një kombi, askujt nuk i intereson nëse një grua lidere ka dy ditë pa parë fëmijën. Është zgjedhja e saj dhe duhet t’i shkojë deri në fund, ashtu si edhe burrat”. Një reagim që mund të konsiderohet i ashpër dhe maskilist, në fakt ka gdhendur ndër vite imazhin e femrës politikane, e cila me çdo kusht duhet të barazohet me meshkujt, sepse një “rrëshqitje” e vogël në paragjykim, mund t’i humbë besimin e elektoratit. E njohur si “Zonja e Hekurt”, ish-kryeministrja britanike Margaret Thetçër, u lut nga mediat të tregonte ndjeshmëri gjatë krizave ekonomike. Gazetat u pushtuan nga tituj si “Show us you care!” (Na dëshmo se shqetësohesh!), por ajo asnjëherë nuk lotoi kur ishte në detyrë. Dhe më në fund kur lotoi, në vitin 1990, kur u detyrua të braktiste zyrën e saj në “Downing Street”, të njëjtat media e konsideruan si “emotional breakdown” (thyerje emocionale) shprehjen e ndjeshmërisë dhe si shenjë dobësie, pasi ajo kishte pranuar dështimin.
“Unë jam përballur me momente kur me të vërtetë jam prekur, por për këto ka vende intime ku mund të ‘shfryhem’”, shton Kodheli.
Kolumnistja e vetme femër e të përditshmes amerikane “Nju Jork Tajms” (New York Times), Maurin Douds, në shkrimin e saj më të fundit “A mund të qajë Hillari Klinton rrugës deri në Shtëpinë e Bardhë?”, tregon se si kolegët e saj, u tallën me momentin emocional të H.Klintonit. “Shpresoj që të mos qajë kur të takojë Kim Jong-Il” apo “Lotët derdhen vetëm në një marrëdhënie”.
Jo vetëm amerikanët i frikësoi “thyerja emocionale” e Hillarisë. Kryemadhi thotë se ky lloj qëndrimi pritet edhe nga një politikane femër në Shqipëri. “Unë dua dhe ndjehem e barabartë me burrat [në politikë], por këtu në Shqipëri është në mentalitet që të merresh me politikë duhet të jesh e fortë si burrë. Këtu po pe një grua nga politika që qan të gjithë pyesim se çfarë pati dhe themi Uaaa”.
“Jam njeri mbi të gjitha” - tha ai,
dhe fitoi zgjedhjet
Nëse femrat në politikë gjenden përballë dilemës “Të ndjesh si femër apo të mendosh si burrë”, për meshkujt është më e thjeshtë të kapërcejnë herë pas here ylberin. Që kur kandidati për president i SHBA-së, Edmund Muskie, humbi garën presidenciale në 1972, sepse lotoi teksa i përgjigjej akuzave të kundërshtarit të tij ndaj bashkëshortes së Muskie-t, liderët e “ndjeshëm” janë pranuar, madje e kanë shfrytëzuar ndjeshmërinë e tyre mjaft mirë për të fituar mbështetje. Në Amerikë, ish-presidenti Bill Klinton është parë disa herë me lot në sy, që nga rrëzime avionësh e deri te sulmet ndaj jetës së tij personale. Xhorxh Bush vitin e kaluar u fotografua tek derdhte lot gjatë ceremonisë së nderimit të një marinsi të vrarë në Irak. Në Shqipëri, gazetarët që kanë mbuluar fushatën elektorale të vitit 2005, kujtojnë se kandidati për deputet Lulzim Basha gjatë një fjalimi në zonën e tij, u prek teksa kujtonte së bashku me bashkëshorten, fëmijërinë e tij të vështirë. Liderë si Berisha, Nano apo Edi Rama, kanë luajtur me kartën “Unë jam një njeri mbi të gjitha” më mirë se kushdo. Ju kujtohet premtimi i famshëm “Nuk jam më ai i ‘97-ës” i Berishës gjatë fushatës për zgjedhjet e 2005-ës? Po ish-kryeministri Fatos Nano në kulmin e epokës së katarsisit brenda Partisë Socialiste, kur përmendi i prekur gjatë një interviste në “Opinion” në 2001, se po sulmohej familja e tij? Të mos harrojmë edhe lotët e bashkëshortes së tij gjatë Kongresit të 12-të të PS-së. Xhoana Nano u filmua nga kamerat duke qarë, e ulur në lozhën e Teatrit të Operës dhe Baletit, teksa i shoqi jepte fjalimin e konsideruar si më patetiku i bërë ndonjëherë nga një politikan, e që për shkurt njihet si “Jam një zog i lirë!”. Nano e fitoi betejën për kryetar të Partisë Socialiste; nuk dihet se sa influencë direkte kishin lotët e Xhoanës dhe fjalimi me flora dhe fauna i ish-kryeministrit, por nuk mohohet se ai moment emocional ishte domethënës të paktën për ata besnikë dhe nostalgjikë të partisë.
Edi Rama mund t’i injoronte fotot e tij nudo të bëra publike nga një gazetë e opozitës, por ai bëri lëvizjen që për shumë të tjerë do të konsiderohej e rrezikshme, sidomos në një vend ku plazhistët “tmerrohen” nga gjokset e turisteve të huaja. Rama i pranoi duke u justifikuar se ai ka një jetë private, dhe ai ishte një moment privat. Pra, ai ishte njeri përpara se të ishte politikan.
DAKORD NA PREKE, PO PASTAJ?
Atëherë, në këtë luftë midis të qenit lider i fortë në njërën anë dhe njerëzor nga ana tjetër, çfarë do të fitonte? Përgjigjen më të mirë e dha vetë amerikania Mariane Pernold Jang, e cila, pasi mori përgjigjen me lot në sy të Hillarisë ndaj pyetjes “Si e përballon fushatën?”, votoi për Obamën. Siç u shpreh ajo për mediat në vend, tek Obama ajo gjeti atë që Hillari nuk ia shprehu dot as nëpërmjet forcës dhe sigurisë, as nëpërmjet lotëve të sinqertë; shpresën. Që do të thotë se edhe atëherë kur politikanët tanë meshkuj fituan betejat duke prekur emocionalisht votuesit, i humbën sërish dhe vazhdojnë t’i humbin, sapo nisin t’iu zbehin qytetarëve të tyre shpresën për ndryshim. Që do të thotë se sa herë politikanet femra të shfryjnë përpara gardërobës pa ditur se çfarë duhet të veshin, kollaren apo fustanin, të mos shqetësohen aq shumë, por të përqendrohen te mesazhi. Sepse në fund të fundit, me lot në sy, me buzëkuq apo me veshje ushtaraku e dekorata lufte, ajo që fiton është aftësia për të zgjuar shpresën te votuesit, e gradualisht për ta mbajtur atë gjallë.
 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).