Lajmet Skiç - 28 dhjetor 2009

STATISTIKA POZITIVE PËR VITIN 2009

TIRANË – Midis lajmeve të zymta mbi krizën ekonomike dhe politike që po prek vendin u shfaq më në fund të hënën një lajm pozitiv. Përfaqësues të shoqatës “Bishat janë si ne” njoftuan se rastet e leuçemisë tek qentë e rrugëve nuk kanë shënuar rritje gjatë vitit 2009. “Në një kohë kur mijra shqiptarë dergjen spitaleve pa gjetur derman për sëmundjet e tyre, na u duk me vend të sillnim këtë lajm të gëzueshëm. Numri qenve me leuçemi ka mbetur brenda normave për vitin 2009.” – thotë kryetari i shoqatës, Zoti Kafshim Kanini. “Shumë inkurajues pët të gjithë miqtë e kafshëve është edhe fakti se më pak qen rrugësh kanë ngordhur të shtypur nga makinat gjatë këtij viti në krahasium me vitin 2008. Numri i kafshëve të aksidentuara është disa herë më i vogël se numri i njerëzve që kanë vdekur në rrugë, dhe kjo flet vetë për sigurinë e lartë të jetës së qenve tek ne.” Në fund të fjalës së tij z. Kanini theksoi se as kriza financiare, as papunësia dhe as bojkoti i Kuvendit nga ana e Opozitës nuk do të ndikojnë në cilësinë gjithmonë e më të mirë të jetës së qenve në vendin tonë. "Qentë shqiptarë qysh pas rënies së murit të berlinit janë po aq të lumtur sa vëllezërit e tyre europianë." - përfundon Kafshim Kanini.

ROJA I ZHDUKUR I PARKINGUT GJENDET NË NJË PUNË MË TË MIRË
LAÇ—Zhdukja pa lënë gjurmë e rojes së parkingut të makinave Besim Riqipupthi në muajin shtator la të shokuar miqtë dhe punëdhënësit e tij në qytetin e Laçit. Zhdukja e rojës së parkingut u ndoq nga një hetim intensiv i organeve të prokurorisë i cili për muaj me rradhë nuk solli ndonjë rezultat. Vetëm mbrëmjen e djeshme Besim Riqipupthi u gjend nga prokurorët në Kryeqytet, pikërisht në zyrën e Zv drejtorit të Drejtorisë së integrimit. "Mbas atij kërkimi disa mujor jemi të lumtur që e gjetëm zotin Riqipupthi në gjendje shëndetësore dhe financiare tepër të mirë." - njoftoi për mediat kryeprokurorja Ina Rama. Zoti Riqipupthi u shpreh se po i shijon detyra e Zv Drejtorit të drejtorisë dhe nuk ka aspak mall për karrierën e tij të vjetër si roje nate në parkingun e Laçit.
 
MILITANTET E SHKURTER U KERKOJNE TE GJATEVE TE QENDROJNE NGA FUNDI
TIRANË - Në një finalizim të një lëvizjeje që mori mbështetjen e qindra mijra mitingashëve nën 170 cm, Shoqata e militantit të shkurtër u kërkoi sot militantëve të gjatë që në mitingje dhe grumbullime të qëndrojnë nga fundi në mënyrë që të shkurtrit të mund të kuptojnë se çpo ndodh në mitingje. "Kjo anomali u evidentua gjatë fushatës elektorale të qershorit. Militantët e shkurtër mizorisht janë privuar nga shijimi i koncerteve dhe në asnjë rast ata nuk kanë kuptuar ndonjë gjë nga programet e partive." - tregon Azgan Cici. "U lutemi atyre që zoti u ka dhënë shtat, të qëndrojnë nga fundi që dhe ne militantët besnikë nën 170cm të mund të shohim - e të na shihni qysh jemi. " Zoti Cici theksoi se personat e gjatë që pranojnë të qëndrojnë ulur, kërrusur, skiç apo galiç janë të mirpritur të rrinë pranë tribunës.


BASTI BËHET TEPËR KOMPLEKS
VLORË - Të pranishmi në kafenë e Xhixhos në qytetin e Vlorës u bënë dëshmitarë të një skene ku një diskutim përfundoi në vënien e një basti tepër kompleks. "Ata janë çuna njësha dhe i mbajnë premtimet po ky basti që vunë është i fortë fare ", thotë baristi Ivi Kanoçja. "Nëse fiton Flamurtari, Qemoja është idetyruar të hajë darkë me Baken, por vetëm në rast se Nino arrin të sjellë dhe Gimen. Dhe Gimja duhet të paguajë për të gjitha që ha Qemoja kurse  Qemoja do paguajë gjysmën e atyre që ha Bakja. Dhe Gimja... jo Ninoja vendos se ku do haet darka. Por në rast se Flamurtari fiton me tre gola diferencë. Qemoja e fiton bastin dhe nuk është i detyruar të hajë darkë me Baken."

RËNIA E DIKTATURËS ÇLIROI POTENCIALIN LYPËS TË TË MITURVE
TIRANË -  Paraditen e së mërkurës, në një tubim festiv në sheshin Nënë Tereza, shoqata e Lypsarëve të mitur të Shqipërisë përkujtoi 19 vjetorin e zhvillimeve demokratike falë të cilave fenomeni i përdorimit të foshnjave për të lypur erdhi edhe në vendin tonë. "Gjatë diktaturës së egër komuniste fëmijët shqiptarë ishin të detyruar të shkonin në shkollë gjashtë ditë në javë, duke i kaluar javët pa nxjerrë asnjë kacidhe," e hapi fjalën e tij përshëndetëse Qelbësira Xhiba, kryetare e shoqatës së Lypsarëve të mitur të Shqipërisë. "Ishin idealet e dhjetorit ato që bënë të mundur që fëmijët shqiptarë të të gjitha ngjyrave të mund të lypin rrugëve anë e mbanë vendit, duke i kthyer ata në kontribues realë në ekonominë e vendit" - thekson për mikrofonin tonë specialisti i lypjes, Qamet Zhuli.

INJORANTI NUK NJEH YJET E MUZIKËS SHQIPTARE
TIRANË - Injoranti 34 vjeçar nga Tirana, Krenar Zhgaba bëri një figurë të turpshme në tavolinë gjatë drekës së të djelës ku gjithë të pranishmit kuptuan qartë se Krenar Zhgaba nuk e kishte dëgjuar asnjëherë këngën fituese të garës së këngës magjike, madje as nuk kishte idenë se kush ishin Rosela dhe Eliza. Krenar Zhgaba mbeti keq dhe u mundua të shtirej sikur e dinte se Ingrid Gjoni ka fituar Top Festin e fundit, duke e ripërmendur këtë fakt vetëm pasi e pat dëgjuar nga dikush tjetër në tavolinë. Aq i painformuar dhe prapa botës ishte z. Zgaba saqë nuk tregoi asnjë interes në thashethemin e fundit rreth Flori Mumajezit dhe arriti të bëhej vërtet patetik kur tentoi ta drejtonte bisedën në tema pa interes dhe plotësisht vulgare si kriza financiare që ka përfshirë vendin.

45.2% E POPULLSISË E PAAFTË PËR TË PATUR MENDIME MBI ÇËSHTJET
TIRANË—Një studim shkencor i kryer nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me studjues dhe ekspertë del në përfundimin se 45.2% e popullsisë së vendit nuk duhet të ketë të drejtën e mendimit të lirë pasi nuk ka kualifikimin për të patur mendime individuale mbi çështje të ndryshme. "Sipas studimit tonë del se 45.2% e popullsisë shqiptare nuk ia ka haberin fare se ç'bëhet në këtë vend." - na shpjegon zëdhënësi i ministrisë së kulturës z Rexhep Shpumi. "Ky grup është plotësisht i painformuar dhe kanë mendime të kota , të keqbazuara të cilat do të ishin të dëmshme për shoqërinë nëse do të shpreheshin. Prandaj, në mbrojtje të stabilitetit të vendit 45.2% e popullsisë, që tash nuk gëzon më lirinë të kenë apo të shprehin mendimet e tyre."

PILO TALLASHI NDRTON NJË KOMPJUTER

FIER – I vendosur t'i japë të birit dhuratën që meriton këtë krishtlindje edhe pse në gjendje të vështirë ekonomike, ustallari nga Fieri Pilo Tallashi ndërtoi në kushtet e shtëpisë një kompjuter prej dërrase. Për pjesë të brendshme z. Tallashi përdori dy radio iliria në gjendje pune dhe e pajisi kompjuterin me disa virma përmes të cilave të mund të kryhet lidhja me internetin. "Për ekran kam menduar të përdor një pasqyrë. Do habitet djali, do i them e ke kompjuter me kamera." - shprehet krenar Pilo Tallashi. Ustai ka menduar që deri mëngjesin e krishtlindjeve të ndërtojë dhe një internet për djalin. "Internetin do e bëj me ca shufra çeliku që të mos shkëputet dhe do i vë dy kuzhineta që të jetë i shpejtë. Z. Tallashi na thotë se shumë shpejtë ka ndërmend të hapë një universitet privat.

23 Komente

 
U lutemi atyre që zoti u ka dhënë shtat, të qëndrojnë nga fundi që dhe ne militantët besnikë nën 170cm të mund të shohim - e të na shihni qysh jemi. "

lool bashkohem me mendimin e parafolesit! smiley

Qysh, eee? Edhe Pilua do hape universitet privat?! Eh, punto nero!  punto nero! smiley

ket' sikletin e  z.zhgaba e kam hequr ne kurriz smiley

 

"U lutemi atyre që zoti u ka dhënë shtat, të qëndrojnë nga fundi që dhe ne militantët besnikë nën 170cm të mund të shohim - e të na shihni qysh jemi. " Zoti Cici theksoi se personat e gjatë që pranojnë të qëndrojnë ulur, kërrusur, skiç apo galiç janë të mirpritur të rrinë pranë tribunës.

Na kishin munguar lajmet skic. smiley

 

P.S. Flo ca sikleti moj, ftillohu tamam. smiley

 

Pi Pi eS. Di njeri sa eshte (me statistika, jo me krahasim farefisi afrofe) sa eshte mesatarja e gjatesise per meshkujt dhe femrat shqiptare, dhe si krahasohemi me fqinjet? :think:

" Sipas Pittard-it lartësia trupore mesatare e gegëve është 1.683 mm;ajo e Toskëve 1,673 mm. 

 

jemi midis mesatare dhe te shkurter.. smiley

 

 

Serbet: 1.709 mm

Boshnjak :1.7209

( edhe malazezet, diku ketu rrotull) 

ndersa

Greket :1.670

Kemi parasysh qe gjatesia mesatare ndryshon e, jo vetem me shekuj, po dhe me dekada. smiley

Dhe ketej gjithmone jepen vec mesatarja per femra vec per meshkuj. S'e di ne memedhe nese ka statistika te tilla.

Gjithashtu dihet dhe pa shifra qe komshinjte ne veri jane me te gjate se ne, dhe komshinjte ne jug dicka me te shkurter (keshtu me duket) keshtu qe kur themi fqinjet duhet te kemi parasysh te gjithe, jo vetem ata me te gjatet. smiley

Ceshtja se pse geget jane me te gjate se tosket na hap telashe po ti hyme analizave, aq me teper neve qe s'jemi gege smiley keshtu qe po e leme tani per tani.  smiley

 

P.S. Ana, ca kopjova moj? :think:

Hic o hic, kishe shkeputur nga lajmet skic te njejten shprehje si dhe une. Sic duket, ku dhemb dhembi shkon gjuha. smiley

ku dhemb dhembi shkon gjuha

Gjithashtu dhe ku dhemb humori vete citati smiley

 

P.S. Hurbo tamam, sa me shume gega me mire kompjuteri, po dhe njekohesisht jo te gjithe kompjuterat qe kane shume gega jane te gjate, dmth te shpejte lol. Puna eshte mos na behet mendja vetem kompjuter, sic ju be Skenderbeut vetem shpate e turq. smiley

Gegat jane dhe njesi matese te kapacitetit. Psh :

Me sa gega e ke kompjuterin ti ? Oh une e kam me 160 gega ! Ou ? Goxha e paske. Po ti ? Jo une e kam te hershem, vetem 4 gega ka ne te. E keshtu.

Sa me shume gega te kesh, aq me shume je i shpejte, i forte, dhe i zgjuar. Kjo eshte provuar tashme prej kohesh.

Kurse tasket, keta jane te merzitshem. Psh :

Sa taske te ka dhene shefi sot ? Lere mos e pyet : 7 taske. Ou ? Shume qenkan, vertet. Do i mbash dot ? Posi jo ore, i mbaj une se jam multi task.

Une per vete kam zgjedhe gegat, tasket nuk me pelqejne fort. Jam mesuar me kompjuter, jo me pune te veshtira.

Sigurisht,

 

Ky boti( qe na paskesh qene nje burre i mire nga FR : J Mile) ka  bere yyyy sa studime te thella( megjithese nuk ishin te reja fare)... po une sjam e mire per te mbajt mend shifra...

nejse, mesatarja e popullsise mjafton per tu treguar atyre qe u eshte mbushur mendja se jemi 'gjatoshet' e Ballkanit... smiley

 

gjes njehere xhibo smiley

e kishnja llafin per siklet xhibo, e cfar sikleti se.... minus i madh te mos dish thashethuqet "trendy" te ketij fshati te madh, kaotik "artistesh"...

po tani qe po e shoh paskerkam patur dhe kete sikletin tjeter te militantit te gjate smiley s'u mbyllet goja kurre ketyre militanteve shkurtabiqe mor aman  smiley

Une kam lexuar ne nje vend qe shtatlartesine me te madhe ne bote e kane basketbollistet. Nuk e di ç'lidhje kane, por keshtu iu kishin dale vezhgimet. Po e hedh nje hamendesim keshtu kot : mbase vjen nga basketbolli.

Kurse me te shkurtet, kishin dale xhuxhet. Interesant. Kishin marre xhuxhet e gjithe botes, ne çdo vend, i kishin matur, dhe kishin dale me te shkurter. Ama kjo kishte mbetur enigme. Sepse nuk dihet vertet ç'lidhje ka shtatshkurtesia me xhuxhet, se keta s'merreshin me asnje sport te caktuar. Ec e gjeje lidhjen tani.

Une jam, si thote Ida, mesatare me shume. Si i gjithe populli i ndershem dhe punetor. Pa hile.

Edhe mua gjithmone me ka munduar pyetja: Perse calon calamani? Se e ka njeren kembe me te gjate apo e ka tjetren me te shkurter?  smiley

Ky problem, Pedro, prek paksa kufinjte e filozofise. Nuk e beson ? OK, ja shiko si vertitet puna tani :

Eshte e vertete se nuk dihet mire perse çalon çalamani. Ngaqe ka nje kembe me te gjate ? Apo ngaqe ka nje kembe me te shkurter ? E thene keshtu, ne jemi perballe nje muri. Sepse, pa e ditur as vete, ne i kemi mbyllur vetes dhe mundesi te tjera. Duke qene se gjykimi i pergjithshem vjen te hyje gjithnje i pari ne gjykimet tona, atehere nuk eshte per t'u habitur qe te gjendemi ne situata te tilla, gati te pashpresa.

Sepse, çfare do te thote te kesh nje kembe me te gjate ? Po nje kembe me te shkurter ? A ka ndonje ide tjeter qe fshihet pas ketyre te dyjave ? E thene shkurt, a mundet gjuha te gjeje nje formulim te vetem, i cili te permbledhe ne nje te dyja pyetjet, ose me mire idete e gjatesise dhe shkurtesise ?

Te ardhur ne kete pike, gjera fillojne te behen me te kapshme. Sepse, nje njeri me gjykim te shendoshe (njeriu çfaredo), duhet pernjehere, pas kokes se tij, te mendoje vazhdimin e fjalive : me te gjate, ne raport me çfare ? Me te shkurter, ne raport me çfare ? Sepse te gjithe e dime se krahasimet nenkuptojne dy njesi : te krahasuaren dhe krahasuesen. Nese marrim si reference kemben e shkurter, atehere e gjata eshte e krahasuara, dhe anasjelltas.

Tani besoj se te gjithe e kane te qarte. Me perkufizim, nje çalaman çalon sepse :

... kembet e tij paraqesin nje mosperputhje gjatesie.

Dhe qe nga ketu, ne lirohemi nga detyra per te gjetur cila eshte me e gjate e cila me e shkurter, apo cila me e shkurter dhe cila me e gjate.

Ligjeroi : doktori i shkencave terrci-verrcore, Ariqillius Botius.

Hurbi,

po shprehja "Nuk calon gomari nga veshet" nga mund ta kete zanafillen, thua?

Kjo shprehje ka nje zanafille te erret, te gjithe studiuesit jane dakort me kete. Megjithate, hulumtimet e fundit kane nxjerre ne drite si me poshte :

Na ishte dikur, diku nga shekujt VIII-IX te Mesjetes, nje katundar i vogel qe gojedhanat e paraqesin me emrin Hurbi Neck. Hurbi si urbi e turbi, dhe Neck si qafe albioni. Dhe Neck kishte vajtur per dru, bashke me te atin dhe nje gomar, çka kjo ishte e njejta gje, pra me dy gomere. Rruges, i ati i Neck u nxeh keqas me gomarin, ngaqe ky i fundit zuri te çaloje. I ati i bertiste kafshes se gjore, e rrihte me nje thuper, por gomari vazhdonte te çalonte. Hurbi, si nje djale i rritur ne natyre dhe i dashuruar pas saj, i kuptonte pothuaj te gjitha kafshet dhe zogjte, madje dhe bimet (njehere kishte biseduar me nje drize, thjesht per t'i thene se ne jete, nuk eshte e domosdoshme te jesh gjembaç dhe se mund te jetosh fare mire dhe si lulekuqe), dhe vendosi qe te nderhyje. Baba, tha ai, gomari nuk çalon nga veshet. Babai, nuk e kapi mire domethenien dhe kerkoi sqarimet e nevojshme. Atehere Hurbi, mblodhi tere fuqite mendore dhe shpjegoi :

Ka aty poshte, baba, nje krande goxha te forte qe po ia bren njeren kembe, e po ia keput fare. Ja ulu ta shohesh... A nuk e sheh se i tere ky gjak qe rrjedh ketu vjen nga ferkimi mes kesaj krandeje dhe kockes se kafshes ? Atehere, e perse duhet t'i bertasesh gomarit ? Mos valle ai te merr vesh ? Gomari ka vetem nje qellim ne jete : te mos i dhembe asgje. Veshi i tij nuk eshte per gojen tone, ai ka dy veshe sepse gjithçka ka dy veshe, simetria te detyron.

Babai kroi koken, largoi kranden, dhe ende pa i thene gomarit "ec !", gomari fluturoi perpara. Hurbi tha : "e sheh, baba, qe gomari nuk çalon nga veshet ?"

______

Kete thone hulumtimet e fundit, te fundit te hulumtimeve per kete vit.

Hurbi,

me kenaqe me kete perrallen dhe shpjegimin ekzotik. smiley

Ama, nga perralla jote me pelqeu shume kjo thenie:

(njehere kishte biseduar me nje drize, thjesht per t'i thene se ne jete, nuk eshte e domosdoshme te jesh gjembaç dhe se mund te jetosh fare mire dhe si lulekuqe)

 

Ana cfare do te thote shpjegim ekzotik se nuk e kuptoj?

Po prit ore edhe dy dite, sa te paduruar njerezit ! 2010 do te jete vit ku do t'i kuptosh te gjitha, ja iku, edhe dy dite kane ngelur, e pastaj do behesh tak-fak me i dituri dhe i ndrituri i Shqiperise fillimisht, dhe pastaj gjashtemujori i dyte, edhe i Europes. Por ama duhen hapur kutite, ndryshe do te te duhet me shume perpjekje. Mire, xhani i briskut ?

Hurbo, thanks per xhevapin, por me te thone te drejten pres nje pergjigje nga Ana, qofte edhe vitin tjeter. Ndersa ty te uroj te gjesh ndonje vajze per te bashkejetuar e pse jo edhe per tu trasheguar, dhe keshtu do te kesh mundesine qe perallat e tua te bukura te mos bien ne vesh te shurdher, por tia tregosh pasardheseve te vegjel perpara se ti zeje gjumi. Perallat ndikojne shume ne zhvillimin e imagjinates tek femijet deri ne 6-7 vjec, per me te medhenjt kthehen ne batuta humori. Shpresoj qe Ana te mos jete femije.

Qyqja, sa  kthehet njeriu me punu,  bohet nami per nje fjale ekzotike... smiley

Berber, cfare s'kuptove shpjegimin apo ekzotik?

Ja, me fjalor po deshe:

EKZOTIK mb. libr.

  • 1. Që ka ardhur nga vise të largëta dhe që nuk është i zakonshëm për vendet evropiane; që ka të bëjë me natyrën dhe me kulturën, me traditat, me zakonet etj. të vendeve të largëta e pak të njohura. Vende (vise) ekzotike. Bimë (kafsh&eumlsmiley ekzotike. Natyrë ekzotike. Bukuri ekzotike. Valle ekzotike.

  • 2. fig. Tepër i rrallë e i veçantë; që ka tipare tepër të rralla e të jashtëzakonshme, të cilat të ngjallin habi. Veshje ekzotike. Muzikë ekzotike. Pamje (paraqitje) ekzotike.

Ne te dyja kuptimet, perralla/ shpjegimi i Hurbit per thenien "nuk calon gomari nga veshet" eshte i rralle, vjen nga kohera te largeta, dhe me pershkrime te gjalla e te ndezura,  ndaj dhe ekzotik.

___________

Dhe sa per perrallat, me thene te drejten, edhe kur te shkoj 100 vjece, ( nese eshte e mundur, gjithnje) do te vazhdoj t'i lexoj me shume kenaqesi. Madje, mbreme, meqe s'me zinte gjumi, po lexoja Xinxifillon e M. Kutelit. Here pas here, i kthehem dhe Cufos. Te japin nje doze te mire humori, pastaj kur kane dhe paksa filozofi jete brenda, aq me mire. Te keshilloj t'i rikthehesh dhe ti ndonjehere, kushedi mbase zbulon qe ne vegjeli s'ke dashur te behesh berber i majte, por kirurg i pergjithshem. smiley

Naten tani, se fluturoi ora... smiley

Ana, thanks per shpjegimin. Si berber qe jam (pra jo shume i kulturuar kujtoja se ekzotik do te thote joheshese, eksituese, si psh veshje ekzotike, fruta ekzotike, ambiente ekzotike etj. Por cenkam gabuar. Prandaj te bera ate pyetjen se kujtova se cfare kishte gomari ekzotike (pra eksituese apo joshese sipas mendjes time). Dhe thashe se mos me te vertete johesh nga gomari qofte ky kafshe apo njeri. Shyqyr qe nuk qenka e vertete ajo qe une imagjinova.

 - ç'a ke qe po qesh- me tha gruaja, qe eshte mesuar te me shohi serioz para kompiutrit. Ne fakt nuk kisha qesh kaq shume para kompiutrit, sa ti terhiqsha vemendjen njerzeve te shtepise. 

- Ka shkruajtur diçka humoristike Blendi, drejtuesi i kesaj faqeje - i thashe duke lexuar e duke qeshur me copezat humoristike te Blendit. 

Mendoj se nga lajmet skiç, keto ishin si me te bukurat ose me humoristiket te Blendit, ngaqe ishin nderthurur bukur emrat e mbiemrat e personazheve me aktivitetin e tyre. Kjo jep tek lexuesi nje kendshmeri ne leximin e tregimeve.  

 

"....Numri i kafshëve të aksidentuara është disa herë më i vogël se numri i njerëzve që kanë vdekur në rrugë, dhe kjo flet vetë për sigurinë e lartë të jetës së qenve tek ne...."  

"..."Internetin do e bëj me ca shufra çeliku që të mos shkëputet dhe do i vë dy kuzhineta që të jetë i shpejtë. Z. Tallashi na thotë se shumë shpejtë ka ndërmend të hapë një universitet privat..."  

 

E te marrte e mira te marrte  smiley  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).