Kur humbet komoditetin e opozitës...

Ashpërsimi i luftës politike mes opozitës e maxhorancës (nuk po merremi me fjalorin) tregon për nga mënyra, koha, mjetet që po përdoren, është padyshim e paprecedentë, sidomos nëse kthehemi vetëm pak kohë më pas, që nga dita e zgjedhjeve. Nëse ditën e zgjedhjeve kishim një situatë normale, shpresë për vijimin e jetës normale politike, parlamentare e demokratike, ndryshimi i menjëhershëm i kursit nga opozita, ishte padyshim një befasi jo e këndshme. Liderët përkatës të partive e njëkohësisht kandidatët për kryeministër të radhës dhanë ditën e zgjedhjeve mesazhe, të cilat jo vetëm lartësuan profilin e tyre politik, por dhanë edhe në elektorat e opinionin publik mesazhe paqeje e qetësie, për të cilat kishim nevojë të gjithë.
Parë dhe krahasuar me zgjedhjet e kaluara, risia e këtyre zgjedhjeve ishte pikërisht garantimi i një demokracie të kontrolluar e një qeverisjeje të “superkontrolluar”. Themi kështu, pasi për herë të parë, asnjëra parti apo koalicion, as i djathtë, as i majtë, nuk mund të formonte e vetme një qeveri. Në këto kushte, mbetej të krijohej koalicion i detyruar, koalicion real, jo fiktiv, siç ishim mësuar me koalicione të disa partive të vogla, që partitë e mëdha i merrnin nën sqetull pa problem. Pra, sipas rezultatit të zgjedhjeve, kishte tre mundësi.
-Mundësia e parë ishte një koalicion i PD-së me një parti apo koalicion jashtë PS-së (siç ndodhi në të vërtet&eumlsmiley. E vetmja parti në këtë rast ishte LSI, e cila me katër deputetë, garantonte një qeverisje shumice, por jo një shumicë “të frikshme”.
-Mundësia e dytë ishte një model bashkëqeverisje. Në këtë rast, mund të kishim një qeverisje të madhe ose më saktë një ndarje pushteti mes PD-së dhe PS-së. Kjo mundësi teorike do të krijonte precedentin më negativ, pasi praktikisht, vendi do të mbetej pa opozitë dhe politikisht dhe praktikisht, do të kishte humbur nocioni i pluralizmit, pasi kjo mënyrë qeverisjeje njihet dhe në demokraci të zhvilluara si një rast “sui generis”.
-Mundësia e tretë do të ishte kalimi në zgjedhje të reja, të cilat për një vend si Shqipëria, do të ishin shkatërrimtare (edhe një vend “komod” për të tilla zgjedhje të shpeshta si Italia, ka vite që i është larguar kësaj përvoje aspak efektive).
Siç e thamë më lart dhe siç e dimë, u praktikua mundësia e parë. Sigurisht, ky koalicion, solli dhe një risi, pasi për herë të parë pas rreth dy dekadash demokraci, do të kishim një qeverisje “armiqsh”, të djathtë e të majtë. (Edhe në mundësinë e dytë, do të kishim të njëjtën performancë, pra një qeverisje “armiqsh”&hellipsmiley
Por, bashkë me këtë risi, ky koalicion, siç do gjë e re, pati dhe komente, opinione e kontestime të ndryshme, të gjitha normale në subjektivitetin e tyre. Kontestimet e koalicionit qeverisës, pak nga pak, ngritën dozën e tyre, gjer në një kusht që duket gjithnjë e më pak i zbatueshëm nga maxhoranca (për pikëpamje ligjore-siç shprehet ajo), hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin në disa zona.
Në këto kushte, praktikisht opozita ka bojkotuar parlamentin, duke mos bërë as betimin. Kjo luftë force mes palëve, ka dobësuar jo vetëm klimën politike, por edhe klimën ekonomike e shoqërore. Edhe pse palët duken në të drejtën e tyre, një gjë është e sigurt: më e dobësuar nga kjo “luftë” duket se është opozita, e cila padyshim, për shumë arsye, do të detyrohet një ditë të largohet nga rruga drejt sallës së Parlamentit (mbase edhe me ndonjë lëshim të maxhorancës). Por, kjo do të ishte një humbje e kotë kohe prej saj (opozitës), e cila, nuk diti ta shfrytëzojë komoditetin e vet me një numër të konsiderueshëm deputetësh. Komoditet, i cili edhe pse i dobësuar për shkak të lëkundjes në qëndrime dhe konglomeratit të figurave “të djathta e të majta e liberale”, mund të rivendoset me konstruktivitet e qartësi dhe duke menduar për të ardhmen e saj drejt pushtetit.
Çdo sjellje tjetër jashtë këtij konteksti, duket se do të zvenitë e humbë pikërisht komoditetin që i dhanë votuesit, të cilët, pse jo, mund të “mërziten” me udhëheqësit “rrugorë”, të cilët, përveçse nuk morën pushtetin, po humbin dhe opozitën...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).