Kryeministri Berisha mbi 100 ditët e para

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha për 100 ditët e para të qeverisjes së mandatit të dytë

www.km.gov.al
28/12/2009

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp, në të cilën i njohu gazetarët me rezultatet e 100 ditëve të para të qeverisjes së mandatit të dytë. 

“Sot jam para jush për të paraqitur bilancin e 100 ditëve, që u bënë në datën 26 dhjetor, të koalicionit për integrim, apo mazhorancës integruese. Normalisht, 100 ditëshi është shans i mandatit të parë, por kur “nusëron” për së dyti, nuk ka asnjë arsye përse të mos e paraqesësh atë, pasi të gjitha të marra së bashku, do të faktojnë se këto 100 ditë, në rrafshin kalendarik kanë qenë 100 ditë, por në vëllimin dhe përmasat e reformave, kanë qenë mbi 300 të tilla. Unë nuk e mat këtë vetëm me faktin se janë mbi 360 vendime, ligje e dekrete, të miratuara, që të gjitha me synimin absolut të ndryshimit të vendit, por unë e mat këtë me zhvillimet madhore historike të këtyre 100 ditëve, zhvillime përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ka edhe një arsye të dytë madhore që unë paraqes sot këtë 100 ditësh, sepse ky është 100 ditëshi i një koalicioni të një spektri të ri i Koalicionit të PD-së dhe i aleatëve të saj, me forcën e tretë politike të vendit, Lëvizjen Socialiste për Integrim, si forcë e spektrit të majtë shqiptar. Ky koalicion lindi si rezultat I verdiktit të sovranit dhe leximit më të përgjegjshëm të këtij verdikti, si nga koalicioni i PD-së, ashtu edhe nga LSI. Natyrshëm,  miq dhe ziliqarë, shtronin pyetjen se si do t’ia dalë ky koalicion, kjo mazhorancë e re. Këto 100 ditë faktojnë se ky koalicion mund të ecë edhe 30 vjet të tjera në timonin e qeverisjes së vendit.

100 ditëshi që lamë pas është 100 ditëshi i vendimeve të mëdha historike që Bashkim Europian ka marrë për Shqipërinë dhe shqiptarët në 18 vitet e fundit. Ky 100 ditësh u karakterizua nga një besim total, i paprecedentë i Brukselit, i Komisionit Europian, Presidencës së BE-së, Këshillit të Ministrave të BE-së, Parlamentit Europian, ndaj mazhorancës në pushtet.

Më 16 nëntor, ministrat e Jashtëm të BE-së vendosën në një akt historik, të pranojnë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Siç dihet, në prill të këtij viti, Shqipëria u bë vend anëtarë i Aleancës së Atlantikut të Veriut, arritja  më e madhe historike e këtij vendi, që nga shpallja e pavarësisë deri më sot. Por, vendimi për anëtarësimin në Aleancën e Lirisë ishte në mënyrë të pa diskutueshme një vendim që jepej në mirëbesim, sepse ende në prill të vitit 2009, Shqipëria nuk kishte faktuar vullnetin e hekurt dhe përkushtimin për zgjedhje të lira, për votën e lirë të qytetarëve, respektin e saj, mbrojtjen e saj, si zembereku i një shoqërie të lirë.

28 qershori ishte një provë e madhe, para së gjithash e mbi të gjitha, e qeverisë shqiptare, sepse në një garë elektorale të përgjithshme qeveria nuk është aktori i vetëm përgjegjës, por ajo ka peshën më kryesore, ka detyrimin më madhor që t’i japë opozitës të gjitha garancitë që ajo të marrë pjesë në garën elektorale, ajo ka detyrimin madhor të bëjë të gjitha përpjekjet për një infrastrukturë zgjedhore të besueshme dhe transparente. Qeveria ime i përmbushi këto detyrime. 28 qershori është një nga datat e mëdha dhe duhet ta pranojmë, një nga datat e vonuara, në historinë e demokracisë shqiptare. Në 28 qershor, zgjedhjet e qytetarëve shqiptarë u votëbesuan nga 20 mijë komisionerë të PS-së, nga të gjithë komisionerët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u certifikuan nga Wach Dog-u ndërkombëtar, nga mbikëqyrësi ndërkombëtar, i përbërë nga 510 vëzhgues nga të katër anët e botës, i cili i kualifikoi zgjedhjet si zgjedhjet më të mira në historinë e vendit, si zgjedhje të cilat përmbushën angazhimet kryesore të OSBE/ODIHR, si zgjedhjet për të cilat nuk pati të dhëna për manipulim rezultatesh.

Zgjedhjet ishin një faktor përcaktues në vendimin historik të 16 nëntorit, por jo i vetmi. Produkti i zgjedhjeve ishte gjithashtu një faktor tjetër që do të vlerësohej në mënyrën më të hollësishme. Koalicioni dhe mazhoranca e krijuar, funksionaliteti i saj, përkushtimi i saj për reformat, ishin kushtet e domosdoshme për të bindur 27 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së për të votuar, për të miratuar kërkesën e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE, apo statusin e kandidatit siç quhet.

Këto 100 ditë janë historike, sepse janë pikërisht këto 100 ditë në të cilat Shqipëria doli në listën e bardhë për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve.

Zonja dhe zotërinj!

Premtimi im më solemn, më kryesor, gjatë fushatës elektorale ka qenë vendimi për heqjen e vizave të qytetarëve shqiptarë nga BE, brenda vitit të parë të këtij mandati. Zgjedhjet, pa diskutim ishin një test themelor, por absolutisht të pamjaftueshme. Janë mbi 120 kërkesa që duhej që qeveria ime, ky koalicion, t’i plotësonte, në mënyrë që të bindte Komisionin Europian, vendet anëtare, Parlamentin Europian, se shqiptarët meritonin heqjen e vizave. Kjo është e vërteta.

Gjatë këtyre 100 ditëve, u morën me dhjetëra e dhjetëra vendime, ligje, reforma, ndër të cilat më të rëndësishme do të theksoja modernizimin e plotë të kontrollit të pikave të kalimit të kufirit. Sot, të 24 pikat e kalimit të kufirit të vendit, janë të lidhura me sistemin e kontrollit të gishtërinjve dhe të kontrollit të dokumentacionit tjetër, të Interpolit. Sot, të 12 qarqet e vendit janë të lidhura me sistemin Memex, sistem i cili u bën disponibël të gjitha zhvillimet që ndodhin në Shqipëri, strukturave të krijuara në Ministrinë e Rendit, për t’i analizuar dhe mbajtur qëndrimet e duhura ndaj tyre.

Në kuadrin e reformave për heqjen e vizave, hapa gjigandë u shënuan në këto 100 ditë në pajisjen e qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike. Pasaporta e parë biometrike u lëshua në maj të këtij viti, ndërkohë, gjatë këtyre 100 ditëve janë lëshuar mbi 300 mijë pasaporta biometrike. Ndaj dhe erdhi vendimi i muajit nëntor i Parlamenti Europian, Komisionit Europian, kryesisë së radhës së BE-së, që Shqipëria të dalë në listën e bardhë, çka do të thotë se sapo të plotësohen edhe disa kushte të tjera teknike, shqiptarët do të kenë vendimin për heqjen përfundimtare  të vizave, për lëvizjen e tyre të lirë në Evropë, realizimi i një premtimi të amëshuar, të pritur në shekuj. Sepse të jesh një nga banorët më të vjetër të kontinentit dhe të jesh i ngërthyer në vështirësi lëvizjeje, është një mundim i madh, është një tundim i madh.

Këto 100 ditë janë ditë të vendimeve historike, sepse vetëm pas 30 ditë të vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, Komisioni Europian i dorëzoi qeverisë shqiptare pyetësorin me 2280 pyetje, në besimin më të mirë se kjo qeveri kishte të gjithë vullnetin, kapacitetet  dhe mundësinë për t’u dhënë përgjigjen më të përshtatshme, më të vërtetë këtyre pyetjeve. Qeveria shqiptare e merr këtë zhvillim si një besim shumë të madh, por edhe si një përgjegjësi më të madhe që BE u ka besuar autoriteteve shqiptare deri më sot. Parapërgatitjet intensive janë bërë. Janë rreth 420 punonjës të shërbimit civil dhe shumë grupe të tjera, të cilët do të angazhohen në përgjigjet më të mira të mundshme dhe më dinjitoze. Unë kam besim se ky proces do të jetë shumë serioz, por do të jetë një proces që gjithashtu do të shtyjë shumë përpara procesin e integrimit.

Zonja e zotërinj!

Këto vendime të Brukselit janë më të mëdha, më të rëndësishme se të gjitha vendimet e marra gjatë 18 viteve të shkuara. Opozita shqiptare, me bojkotin e saj, i privoi vetes një shans historik për të qenë bashkautor në reformat që sollën këto vendime. Opozita shqiptare, zoti Rama, duket se mendoi mbrapsht se, nëpërmjet bojkotit, do t’i bënte thirrje ndërgjegjes së Evropës për të bllokuar këto vendime. Nuk ka diskutim se Evropa ka ndërgjegjen e vet demokratike dhe, në qoftë se do të ekzistonte qoftë edhe faktori më i vogël lëndues ndaj opozitës, këto vendime nuk do të merreshin.  Por këto vendime u morën sepse  Brukseli, Evropa, bota e lirë, konstatoi se bojkoti i opozitës shqiptare është një bojkot pa kauzë demokratike, se me këtë bojkot kërkohet t’i vihet kazma në themel ndërtesës së demokracisë, kërkohet të shndërrohet parlamenti në gjykatë. Kjo është e papranueshme për çdo njeri të lirë.

Uroj, dëshiroj dhe shpresoj që vendimet e mëdha historike të marra për Shqipërinë dhe shqiptarët në këto 100 ditë, edhe për faktin e padëshiruar se opozita nuk ishte në parlament, të bëjnë që zoti Rama të nxjerrë mësimet e duhura. Unë nga ana ime, dua ta garantoj se jam shumë i vendosur që çdo akt në drejtim të procesit të integrimit, reformat për të, t’i bëjmë bashkërisht, në interesin më të mirë të vendit.

Dua të theksoj disa gjëra, lidhur me pretendimet se Shqipëria është e vonuar me procesin e liberalizimit të vizave. Atyre që u bien këtyre borive, dua t’u them këto pak gjëra. Shokë apo zotërinj!. Qytetarët e Republikave të ish Republikës Federative të Jugosllavisë, në vitet 80, lëviznin të lirë në mbarë Europën, ndërkohë kur paraardhësit tuaj historik e biologjik ndërtonin  tela me gjemba në kufijtë e Shqipërisë, ndërkohë kur edhe në vitin 90, edhe 3 ditë pas hapjes së pluralizmit, ekzekutoheshin të rinj shqiptarë në kufijtë e Shqipërisë, sepse donin të largoheshin nga Shqipëria.  Evropa ka një memorie.

Së dyti, nuk ka diskutim se zgjedhjet janë një test shumë madhor. Në mënyrë të përsëritur, ju kishit rastin të bënit zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në atë periudhë, Sali Berisha ka qenë në opozitë dhe nuk ka pasur dëshirë tjetër më të madhe se sa të shihte një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.  Ju nuk i bëtë këto. Në mungesë  të tyre, Europa, jo vetëm që nuk do të diskutonte për heqjen e vizave për Shqipërinë, por ajo ishte e gatshme të vendoste edhe sanksione edhe ndaj lehtësive diplomatike, ashtu siç bëri në disa vende.

Së treti, kjo mazhorancë, në mandatin e saj të parë, ka një meritë të njohur botërisht, shpartallimin, çmontimin e mbi 200 grupeve të Aldo Bareve, Nehat Kullave, etj. Ju qëndruat në simbiozë, në mos edhe më shumë se simbiozë, me to.

Sot, në përpjekjet tona të mëdha për heqjen e vizave, në plotësimin e kërkesave të BE-së, ligjin Antimafie, Moratoriumin e skafeve, eksponentë kryesor të opozitës, i denoncojnë ato dhe kërcënojnë me dërgimin  e tyre në Gjykatë Kushtetuese. Mua më lind e drejta të pyes: interesat e kujt mbrojnë këta zotërinj? Interesat e mafies e industrisë së saj, apo të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë?. Pra, ajo që është e sigurt, është fakti se këto 100 ditë do të mbahen mend si 100 ditët e përshpejtimit maksimal të procesit të heqjes së vizave për shqiptarët.

Zonja e zotërinj!

Këto 100 ditë, në kuptimin më të vërtetë dhe autentik të fjalës, ishin 100 ditë të qytetarit dhe të qeverisë së qytetarit. Le t’i hedhim një sy buxhetit. Në kushtet  e krizës më të madhe që Evropa ka njohur në tërë historinë e saj, që nga vitet 30 deri më sot, qeveria shqiptare formulon një buxhet me rreth 400 milionë dollarë më të madh se sa buxheti i vitit të kaluar. Qeveria shqiptare është e vetmja qeveri që parashikon nnë rritje të ndjeshme të të ardhurave personale të 800 mijë familjeve, me rritjen e rrogave dhe pensioneve. Qeveria shqiptare, po në këto 100 ditë, parashikon një buxhet i cili do të japë një përgjigje më të shkëlqyer të gjitha projekteve më të mëdha infrastrukturore të vendit, boshtit të Jugut, rrugës së Arbrit, tunelit të Elbasanit dhe akseve të mëdha rrugore të Shqipërisë. Ky është një buxhet i cili pesëfishon fondet për Shqipërinë dixhitale, është një buxhet që rrit respektivisht me 20 dhe 31 për qind buxhetin për arsimin dhe shëndetësinë, rrit me 20 për qind buxhetin për bujqësinë, me 17 për qind financimet për vaditjet, me 30 për qind mbështetjen për fermerët. Pra, siç e shikoni, nëse do ta merrni dhe do ta ktheni në të gjitha anët buxhetin, në të gjitha faqet e tij do të lexoni frymën sociale të kësaj qeverie. Ne mbetemi të vendosur në ndërtimin e një softi social, për të ruajtur kohezionin shoqëror të këtij vendi.

Këto 100 ditë kanë shënuar reforma të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Në fushatën tonë elektorale ne premtuam një qeveri pa shoferë personalë. Unë dua t’u kërkoj të falur shoferëve, sepse kam një vlerësim të jashtëzakonshëm për punën e tyre, por me shoferët personalë është çështje tjetër. Në mandatin e parë premtuam jo badiguardë, në mandatin e dytë  jo shoferë. Sot, në Republikën e Shqipërisë, shoferë personalë kanë vetëm drejtuesit e institucioneve kushtetuese, ministrat dhe 2-3 zyrtarë të tjerë, si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shefi i Shërbimit Informativ. Kjo reformë bën një shkëputje nga praktika e kalbur e nomenklaturës komuniste. Por kjo reformë jep një goditje shumë të rëndë korrupsionit galopant në fushën e transportit të zyrtarëve, ku një shofer me makinë, u kushtonte taksapaguesve shqiptarë mbi 19 mijë dollarë në vit. Me këtë reformë, Shqipëria renditet në grupin e vendeve perëndimore për praktikat dhe qëndrimet në transportin e zyrtarëve.

Lufta kundër korrupsionit ka njohur reforma të tjera të rëndësishme, ndër të cilat do të veçoja aplikimin e parimit “Heshtja është miratim”, në disbursimin e TVSH-së për bizneset, duke i dhënë kështu një goditje ryshfetit dhe korrupsionit në një fushë shumë delikate.

Por, në këto 100 ditë janë marrë vendimet më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në fushën e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë ka futur sistemin e çmimeve të referencës, të cilat, sipas disa studimeve paraprake, kanë ulur në mënyrë dramatike pagesën nën dorë për shërbimet shëndetësore, krahas efekteve të tjera pozitive për të cilat do të ndalem më poshtë.

Po në kuadrin e kësaj lufte, është krijuar “one stop shop” për energjinë, është konsoliduar dhe po degëzohet Qendra Kombëtare e Licencave dhe Lejeve, praktika këto të konfirmuara që ulin në mënyrë dramatike korrupsionin, në këto procese që vuajnë nga korrupsioni.

Por lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet vetëm me reforma për parandalimin e tij. Lufta kundër korrupsionit kërkon edhe penalizimet e autorëve të tij. Në këto 100 ditë janë të arrestuar me vendim gjykate 28 zyrtarë qendrorë e lokalë, por kësaj radhe, ndër ta, edhe gjykatës e prokurorë, çka do të thotë se lufta kundër korrupsionit është një luftë që po bëhet me zero tolerancë, se gërshërët e ligjit do të presin çdo dorë të zezë që do të shtrihet në paratë publike të taksapaguesve shqiptarë.

Në këto 100 ditë, lufta kundër krimit të organizuar dhe mafies, ka marrë një vrull të ri dhe ka hyrë në një fazë tëre. Kështu, janë çmontuar mbi 15 grupe dhe organizata kriminale trafiku droge, rrjete të vjedhjeve të sofistikauara, autorët e krimeve të renda financiare, u rikthye në Shqipëri dhe do të përgjigjet para drejtësisë shqiptare, famëkeqi Aldo Bare, për shumë e shumë vrasje e trafiqe nga më të tmerrshmet.

Në këto 100 ditë u miratua ligji Antimafie, ligj i cili është një mbështetje e madhe për të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe që do të mund të bëjë realitet çmontimin me darët e ligjit, një nga një, të pasurive dhe qendrave të mafies. U miratua serish moratoriumi kundër industrisë së mafies, skafeve. Ne jemi të vetëdijshëm që lufta kundër mafies është një betejë shumë e vështirë. Asgjë në këtë planet nuk ka më ndërkombëtare se mafia. Mafia është disponuese e pasurive përrallore, por nga ana tjetër, vendosmëria jonë është e plotë dhe totale që ta godasim atë në mënyrë frontale, absolutisht pa asnjë tendencë politike, por do të shkatërrojmë me forcën e ligjit çdo mburojë ndaj saj. Ky është zotimi ynë.

Fillimi i 100 ditëve është jashtëzakonisht premtues. Shqipëria ndër vendet më të sigurta në Evropë është zotimi ynë para shqiptare. Hapat janë inkurajuese, konsolidimi i tyre i mëtejshëm është përcaktues.

Revolucioni ynë fiskal nuk ka të ndalur dhe këtë 100 ditësh ka shënuar hapa të mëdha.  Për herë të parë, TVSH-ja u hoq për  arsimin privat. Për qeverinë time  nuk ka tabu, për revolucionin tonë fiskal nuk ka tabu.

Së dyti, një ndër aktet e para që u miratua në parlament ishte ligji për të mbrojtur biznesin e vogël. Juve ju kujtohet se javën e parë të mandatit tim të parë u miratua ligji për përgjysmimin e taksës së biznesit të vogël. Kjo ishte një frymëmarrje e madhe për mbarë biznesin. Çfarë ndodhi më tej? Në vitin 2009, të udhëhequr nga babëzia, qeveritarët vendorë i lejuan vetes të adaptojnë rregulla dhe të tre-katër fishojnë taksat duke i quajtur ato tarifa, paçka se nuk mbillnin asnjë pemë, apo mbillnin disa qindra të tilla. Ndodhi që vetëm për tabelën, biznesmenit t’i vihej një taksë e barabartë me atë që ai do të paguante për biznesin e vogël. Imagjinoni ju, të tatosh tjetrin për emrin. Në vend që ta shpërblesh atë, e taton. Ne si qeveri i shpërblejmë të porsalindurit. Ligji për financat lokale parashikon një të drejtë të autoriteteve vendore për ta rritur atë në diapazonin 10 deri në 30 për qind. Qeveritarët vendorë dhe bashkitë në disa rrethe ia lejuan vetes ta rrisin atë, jo në 30, por dhe në 60 deri në 90 për qind. Atëherë u bë ndërhyrje përcaktuese dhe u vendos “kufiri tek thana”, ashtu siç qeveria ia vendos edhe vetes “kufirin tek thana”, se kështu frenohet arbitrariteti. Kështu, u përcaktuan nivele të cilat nuk mund të kapërcehen. Këtë e mirëpriti biznesi i vogël në Shqipëri. Sikundër, po në mbrojtje të biznesit të vogël, u vendos të shtrihej fatura e TVSH deri në bizneset me 5 milionë xhiro në vit, absolutisht me asnjë qëllim tjetër, por vetëm për t’i ndihmuar dhe veçanërisht për të mbrojtur bizneset e vogla. Pra siç e shihni, revolucioni fiskal po vazhdon.Në këto 100 ditë janë marrë vendimet ndër më të rëndësishmet që janë ndërmarrë ndonjëherë.

Reforma e pronësisë është një premtim tjetër madh i qeverisë sime. Unë shpreh këtu kënaqësinë se një premtim jashtëzakonisht i rëndësishëm elektoral, ai i përdorimit të letrave me vlerë në tregun e legalizimeve, nga 1 janari i këtij viti bëhet realitet. Poseduesit e këtyre ndërtimeve do të mund të paguajnë truallin dhe sipërfaqen me letrat me vlerë, në 80 për qind të saj.

Reduktime drastike pësoi edhe taksa e infrastrukturës që ishte vendosur, pasi u konstatua se disa qeveritarë vendorë ua kishte shumëfishuar atë poseduesve dhe ata paguanin sa “frëngu pulën”. Ne e zvogëluam atë dhe u dhamë mundësinë ta paguajnë me letrat me vlerë.

Pasuritë e sindikatave, të cilat siç e dini, i kishte gllabëruar pikërisht mafia, po rikthehen që të gjitha edhe njëherë siç kanë qenë. Natyrisht, përparësi më të madhe do të kenë pronarët e tyre. Por,  merr fund një marrëdhënie kontraktuale. Unë dua të falënderoj të gjithë ata sindikalistë të ndershëm të cilët më mbështetën.

Një ligj tjetër shumë i rëndësishëm është detyrimi për borgjezinë e re për të paguar truallin e vilave të marrë në fshatrat turistike, së bashku me kompanitë, sepse në mënyrën më komode, këta zonja e zotërinj, kishin blerë vilat, kurse truallin e dispononin gratis për 99 vjet. Qeveria përcaktoi detyrimin e tyre për ta paguar atë me vlerën e tregut. Mendoj se ky vendim do të shtojë ndjeshëm fondin për kompensimin e pronarëve.

Në 100 ditë janë zhvilluar më shumë se kurrë veprimtari ekonomike promovuese ndërkombëtare të Shqipërisë. Një seri forumesh ekonomike me vendet mike, Turqinë, Greqinë, Kinën, Bankën Islamike etj, ishin raste të shkëlqyera për të promovuar potencialet e mëdha energjetike, turistike, minerale e të gjithanshme të këtij vendi. Progres i theksuar është shënuar në drejtim të konsolidimit të kuadrit ligjor dhe zhvillimit të zonave të tjera, të Parqeve Industriale në Porto Romano, në Vlorë, në Durrës etj. Janë dhënë me koncesion, apo janë firmosur, kontratat për mbi 20 HEC-e dhe për 15 të tjera janë në procedurë e sipër. Sot jemi dëshmitarë që u firmos një kredi e leverdishme me Bankën Gjermane për Zhvillim, për linjën që do të lidhe Tiranën me Prishtinën. Ky është një zhvillim shumë i madh. Këto janë vende të cilat energjinë e kanë nga burime tërësisht të ndryshme. Mundësia e vendosjes dhe koordinimit të prodhimit të energjisë në Shqipëri nga uji, me atë të qymyreve në Kosovë, krijon realisht një bazë shumë të mirë për ekonomizimin e saj. Por këto marrëveshje kanë një zhvillim tjetër po kaq të rëndësishëm, ndërtimin e rrjetit energjetik të jugut. Jugu është pa diskutim porti kryesor turistik i vendit dhe rrjeti ekzistues është larg përballjes siç duhet me kërkesat e  mëdha energjetike në sezonin turistik. Kjo unazë i jep një përgjigje të mirë këtyre kërkesave.

Krahas kësaj, janë miratuar një sërë ligjesh të tjera mbi ndërmarrje publike, si ai për plotësimin e ligjit për ndërmarrjet tregtare. Por do të theksoja këtu reformat shumë të rëndësishme të cilat janë në zhvillim e sipër. Njëra është reforma e inspektorateve. Ky vend, me 35 inspektorate, nuk mund të ecë në këtë mënyrë. Inspektoratet janë një problem serioz  për qeverinë, për praktikat që ata adaptojnë ndaj biznesit, ato i grabisin atij, në mënyrë të pa meritur, dhjetëra në mos qindra ditë dhe pa diskutim, korrespondues me këto janë edhe shumat e korrupsionit.  Ato dobësojnë një reformë të thellë. Kjo reformë ka filluar 1 vit e gjysmë më parë, por këto 100 ditë po shkon drejt konkludimit të saj. Do të ketë një reformim të plotë të këtij sistemi. Reformës së plotë e të thellë do t’i nënshtrohet edhe Agjencia e Investimeve të Huaja. Është punuar me ekspertët më të mirë të Evropës  dhe ekspertët më të mirë shqiptarë dhe është zgjidhur çështja e modelit që do adaptohet. Pra, këto 100 ditë kanë qenë përcaktuese për reformën në këto dy institucione jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

 Shëndetësia ka bërë hapa thelbësor. Ndër më kryesorët, do të përmendja aplikimin e çmimit të referencës, pasojat e të cilit janë 2 kryesore e jetike për  reformën në këtë sektor; së pari, zvogëlimin tërësisht të parave nën dorë për shërbimin shëndetësor, inkurajimin e sigurimeve shëndetësore, mbulimin e të gjithë atyre që janë në nevojë. Së dyti, kjo praktikë e thjeshtë por e domosdoshme, shënon shërbimin parësor në portën të parë të kontaktit të qytetarit dhe jo të tretësorit, ashtu siç po ecej deri tani. Në shëndetësi po ecën me ritme të shpejta dixhitalizimi i sistemit, po ecën reforma në drejtim të përcaktimit të kostos së kartelave e shërbimeve, është plotësuar infrastruktura rregullatore e edukimit dhe është ngritur Bordi kombëtar i certifikimit te mjekëve dhe infermierëve. Mendoj se edhe pse jashtë programit, autoritete shëndetësore shqiptare kanë përballuar me përgjegjësi të plotë, me kompetencë, edhe pandeminë e gripit të derrave, me një mobilizim total, si për parandalimin, ashtu edhe për mjekimin dhe edukimin shëndetësor në këtë drejtim.

Zonja e zotërinj,

100 ditëshi që kaloi është 100 ditëshi i reformave të pa ndalshme në arsimin shqiptar. Për herë të parë, u rimbursuan 100 për qind tekset e 130 mijë fëmijëve në nevojë, një premtim elektoral që u bë realitet. Po studiohet e reformohet alterteksti dhe qëndrimi ndaj një seri programesh. Vendimi për të ofruar bursa pa asnjë kufizim, të rinjve dhe të rejave nga 16 rrethe të zonave verilindore dhe juglindore të vendit për arsimit profesional, ka rritur në mënyrë më të ndjeshme dhe janë mbi 1600 bursa nga këto rrethe. Janë të mirëpritur edhe 300 mijë sikur të vijnë vitin tjetër. Por, gjithashtu bursa kanë përfituar gjithashtu të gjithë fëmijët që kanë kërkuar të ndjekin shkolla profesionale në degët prioritare në bujqësi, ndërtim, etj.

Ne jemi të vendosur në këto katër vite që raportin e arsimit profesional ta sjellim sa të mundemi afër raporteve evropiane.  Jemi larg, por progresi është dhe ne do të ecim në këtë drejtim. Janë dorëzuar këto 100 ditë, 90 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara. Por unë do të ndalem tek arsimi i lartë. Këtë vit, në arsimin e lartë , bachelor, mastera e doktoratura, janë regjistruar 37638 studentë shqiptarë, nga të cilët 26 mijë bachelor, 10500 mastera e specializime afatgjatë dhe mbi 1118 doktoratura. Këtë vit, në universitetet publike  të vendit u regjistruan mbi 120 mijë studentë, së bashku me universitete private, numri i studentëve në Shqipëria mbërriti në 135 mijë studentë. Jemi afër objektivit prej 150 mijë studentë dhe ne dalim mbi mesataren e BE-së. Por, brenda 100 ditëshit, premtimi im për heqjen e TVSH për universitet dhe shkollat private, në arsimin privat u bë realitet. Ky vendim hyn në fuqi vitin tjetër akademike 2009-2010.

Reforma të thella po zhvillohen në fushën mjedisit, ndër të cilat do të thosha reformimin e të gjithë sistemit të inspektorateve, që janë pothuajse gjysmë të paralizuara, po përgatitet ligji për menaxhimin e mbetjeve urbane,  u miratua ligji për gjuetinë, janë përfunduar reformat dhe programet për menaxhimin e zonave të mbrojtura.

Bujqësia është një sektor tjetër që ka njohur zhvillime të rëndësishme. Ka një rritje të buxheti prej 20 për qind. Plani Kombëtar i Ullirit po bëhet realitet. Përfundoi studimi i të gjitha rretheve, qarqeve ku mund të mbillet ulliri. Janë përcaktuar parcelat për 64 mijë hektarë tokë për mbjelljen e 20 milionë rrënjë ullinj. Janë financuar impiantet e para të prodhimit të fidanëve.  Po nxitet ullizimi i të gjithë zonës ku kjo pemë e përjetshme mund të zhvillohet.

Jemi zotuar se vaditja moderne do të jetë një përparësi e madhe për ne. Në buxhetin që miratuam janë rritur në 70 për qind fondet për vaditjen. Kullimi ka një përparësi. Emisari i madh i Myzeqesë prej 33 km, përfundoi, i cili kullon rreth 30 mijë ha tokë. Siç e kuptuat, ka një përballje shumë aktive me problematikën shumë të madhe të kësaj fushe.

Një rikonceptim tërësor i distrikteve arkeologjike, një përqendrim madhor në të gjithë trashëgiminë tonë kulturore, një reformë e thellë e muzeumeve të vendit, janë në proces e sipër. Janë hedhur baza solide për të gjitha këto. Festivali i Gjirokastër ishte festivali më i bukur të të gjitha kohërave.

Zonja e zotërinj!

Shqipëria sociale është morali i qeverisjes sime, ndaj dhe jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha reformat e nevojshme. Ka filluar puna për reformën r e cila do të zhdukë mjerimin në Shqipëri. Janë bërë dhe po bëhet dixhitalizimi i të gjitha familjeve me ndihmë ekonomike, do të bëhet identifikimi i të gjitha familjeve në mjerim, dhe absolutisht do të dalin nga mjerimi.

Po hartohet ligji për kujdestarinë e fëmijëve;  u miratua Konventa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuar në mënyrë të veçantë strategjia në kuadrin e dekadës për romët dhe egjiptianët. Shqipëria u anëtarësua dhe është e vendosur që në kuadër të kësaj strategjie të ndërmarrë hapat më konkrete për punësimin, shkollimin dhe strehimin e tyre.

“Dulcis in fundo”.  E ëmbla në fund, Shqipëria dixhitale. Shqipëria dixhitale është Shqipëria tjetër, është Shqipëria, e cila do të jetë në lartësinë e ëndrrave të të rinjve shqiptarë. Cilat janë zhvillimet? U finalizua interneti në 2117 shkolla të vendit, janë të lidhura të gjitha me internet; u 5-fishua buxheti për Shqipërinë dixhitale; u krijua Ministria e Shoqërisë dhe Informacionit. Ministri Pollo e kryeson këtë ministri dhe në këtë kuadër është bërë një reformë e thelle e të gjitha agjencive, të cilat kanë të bëjnë me shoqërinë e informacionit. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit që është një institucion i varur nga kjo ministri, do të jetë gjithashtu jo vetëm një agjenci e politikave, por dhe e projekteve dhe e zbatimit të tyre. Është përsosur, është fuqizuar i gjithë procesi i përpunimit elektronik, po ecet me shpejtësi drejt konsolidimit dhe zgjerimit të taksës elektronike, sikundër është përgatitur kuadri ligjor dhe do ecet drejt bankës postare me ramifikim dhe me qendra interneti në 510 zyra të vendit, në Shqipëri. Ne jemi të angazhuar që brenda  vitit 2013 të ketë internet me bandë të gjerë në çdo familje shqiptare. U rindërtua bordi i AKEP-it, njerëz kompetentë, mendjehapur dhe liberalë në koncepte, një revolucion i tërë do të ndodhë në shoqërinë e informacionit dhe të telekomunikimit. Mund t’u raportoj këtu se tre muajt e fundit, tregu i tyre ka njohur 35 përqind rritje.

Diplomacia shqiptare. Këto 100 ditë kanë qenë më aktivet se kurrë në promovimin e procesit të integrimit të vendit, promovimin e potencialeve ekonomikë të Shqipërisë, mbështetjen e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pra harku kohor është 100 ditë, por siç e shihni ekzakt janë së paku sa 300. Dhe duke e mbyllur, në këtë mandate ne na mbeten edhe 1324 ditë. Zotimi im para shqiptarëve është që çdo 100 ditësh të tejkalojë veten e tij. Është në natyrën time, që nuk matem me të tjerët. Jo se unë nuk respektoj dhe injoroj të tjerët, absolutisht jo, por unë e detyroj veten të matem gjithnjë me veten time. Edhe kjo qeveri do të matet gjithnjë me veten e vet edhe 100 ditshi që vjen do të matet gjithnjë me 100 ditshin që kaloi, në mënyrë që viti i ardhshëm të jetë viti i sukseseve të mëdha, të regjistruara, viti tjetër ta tejkalojë 2010-ën, dhe në këtë mënyrë 2013 ta gjejë qeverinë time si qeveri të premtimeve të mbajtura, si qeveria e  cila ka ndërtuar Shqipërinë Evropiane.

 

Më poshtë janë përgjigjet e Kryeministrit Berisha ndaj pyetjeve që i drejtuan gazetarët:

 

Pyetje: Zoti Berisha, në 100 ditët e ardhshme të qeverisë tuaj, maxhoranca ka përpara dy sfida shumë të rëndësishme, me të cilat ju e matni veten këto 100 ditë. Për sfidën e parë, që unë e quaj futjen e opozitës në parlament dhe që të mos jemi në vendnumëro. Keni një ofertë të re për opozitën që ajo të futet në parlament në 100 ditët e ardhshme?

Kryeministri Berisha: Siç e dini, unë jam kryeministër. Një pyetje e tillë, e formuluar në këtë mënyrë,  mund t’i bëhej Sali Berishës në qoftë se do të ishte Lartmadhëria e tij, Mbreti. Në këtë rast opozita quhet opozita e madhërisë së tij apo e madhërisë së saj. Unë nuk kam një pushtet mbi opozitën. Unë kam detyrimin tim madhor të zhvilloj zgjedhjet që u zhvilluan, kam detyrimin tim madhor ta ftoj dhe ta garantoj për bashkëpunim në parlament, por është jashtë çdo tagri, jashtë çdo mundësie që unë të pranoj në mungesë të plotë këto procedura juridike,  që unë të pranoj në ndalim të plotë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit,  kërkesa të cilat rrënojnë ndërtesën. Unë kam një ofertë, jam i hapur, i mirëpres, por  a nuk ju se po përjetohet një gjë jo fatale, por shumë e çuditshme. Në qoftë se etërit e tyre biologjikë dhe historikë u shndërruan në bunker, këta zotërinj po shndërrohen në kuti. Çfarë përzgjedhje është kjo? Ata bunkerë, këta kuti janë. Më thanë se zoti Rama ka dërguar kartolina me kuti.  Unë i kam dërguar kartolinën e kryeministrit dhe po qe se më ka dërguar një të tillë edhe unë do t’ia kthej me një tjetër. Nuk është opozita që mund të komandohet nga kryeministri. Opozita duhet të respektohet nga kryeministri dhe unë për këtë të garantoj respekt të plotë.

Pyetje: Besoj se i keni hedhur një sy 2280 pyetjeve të pyetësorit të BE? Sipas jush cilat janë pyetjet më të vështira për t’iu përgjigjur nga administrata shqiptare, nëse e keni më kollaj, ato që plotësojnë kriteret politike?

Kryeministri Berisha: Asnjë mëdyshje nuk ka që kriteret politike janë kriteret më të rëndësishme. Por duhet të theksoj këtu, në vlerësimin e tyre, siç treguan këto 100 ditë, predominon gjykimi  dhe logjika e rregullave të demokracisë. Nëse ndokush mendon se do të mund të penalizojë Shqipërinë për faktin se Edi Rama kërkon i vetëm në Evropë dhe në botë hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, të jeni të sigurtë,  gjë të cilën ia kanë mohuar në mënyrës kategorike absolute të gjithë bashkëbiseduesit e tij, të jeni të sigurtë se përgjigja jonë do të jetë e saktë, do të vlerësohet dhe do të ecim, siç morëm këto vendime. E them këtë, pasi është në interesin më të mirë të drejtuesve të opozitës të lenë mënjanë bojkotin dhe të heqin dorë nga ideja se mund të  bëhen të rëndësishëm duke bojkotuar. Absolutisht, vetëm se humbasin peshë dhe rëndësi në mënyrë progresive, çka nuk është në interesin e vendit.

Pyetje: Ju para pak ditësh keni deklaruar se do të ndryshojë ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror. Nëse keni një projekt, mund të na thoni detajet ku mund të ndryshojë dhe nëse në këtë projekt përfshihet afati i mandatit të drejtorit, i cili nuk përfshihet aktualisht ne këtë ligj?

Kryeministri Berisha: Shërbimi Informativ Shtetëror do të ndryshojë dhe absolutisht do të jenë publike të gjitha ndryshimet që do të bëhen.  Ligji nuk është përgatitur akoma, pasi unë po pres edhe sugjerimet. I ka bërë vetë disa sugjerim Shërbimi Informativ, për shembull disa shërbime kanë përcaktuar si vepër investigimi, korrupsionin e personave publike. Aktualisht shërbimi nuk e ka këtë. Gjykoj se ne një vend me probleme me korrupsionin duhet ta kemi këtë. E ka futur shërbimi polak, e kanë future shërbime të tjera. Ka shërbime, të cila i kërkojnë, i përcaktojnë me ligje në mënyrë taksative. Shërbimi inteligjent shqiptar i jep një ndihmë të  padiskutueshme të çmuar Policisë së Shtetit në ndjekjen e grupeve të caktuara kriminale dhe janë  jo të pakta grupet e çmontuara falë informacioneve të tij. Ky objekt duhet të zgjerohet dhe të konsolidohet me ligj në interesin më të mirë, në luftën kundër krimit dhe mafias. Pra në tërësi synohet që objekti i punës së shërbimit, të përshtatet me kërkesat e mëdha që shtron koha. Me një fjalë ligji është solid në parimet dhe përcaktimet e tij, ka nevojë për disa ndryshime.

Pyetje:  A ndikon bojkoti i opozitës në marrjen e statusit të vendit kandidat duke kujtuar këtu deklaratat e Olli Rehn, Pier Mirel dhe Helmut Lohan?

Kryeministri Berisha: Ftesat dhe deklaratat e komisionerit Olli Rehn, e drejtorit për rajonin Pier Mirel dhe të gjithë zërat e tjerë janë jashtëzakonisht të arsyeshëm. Por ato janë një apel I qartë për ata të cilët zhvillojnë bojkot “sine materia”. Qeveria ka detyrimin madhore të ofrojë bashkëpunim për opozitën dhe këtë ne e faktojmë, por qeveria nuk mund të bëjë, për asnjë çmim, lëshim për një parim themelor që është trau kulmor i një sistemi demokratik. Nuk mundet parlamenti shqiptar të marrë në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast atributet e pushtetit gjyqësor. Atë që ka vendosur gjykata, të pëlqen apo nuk të pëlqen, duhet ta zbatosh.  Shpresoj që opozita të dëgjojë, dhe shpresoj se do të analizohet rezultati i këtyre 100 ditëve, pasi edhe opozita ka pasur 100 ditëshin e saj.

Pyetje: Kur do të thërrisni Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike?

Kryeministri Berisha: Këshillin Kombëtar do ta mbledh në javën e dytë të muajit janar, ku do të zgjidhet kryesia, do të zgjidhen sekretarët, do të ketë një numër të zgjeruar sekretarësh, do të ketë risi, siç edhe pati ripërtëritje të këshillit. Vota do të përcaktojë edhe një ripërtëritje tjetër

Pyetje: Zoti kryeministër cilat janë sfidat kryesore të qeverisë tuaj në arsimin publik privat?

Kryeministri Berisha: Ne kemi krijuar një  grup, për reformën e financimit të arsimit të lartë. Kemi dërguar një delegacion në Lituani, do të studiojmë modelin e Kilit dhe synojmë të mund të transformojmë në interesin më të mirë, mekanizmat e financimit të arsimit. Gjithnjë e më tej do të ecet drejt  barazisë së formave private dhe publike të arsimit. Janë bërë edhe hapa gjatë 100 ditëshit. Për shembull në këshillin e arsimit të lartë, në Agjencinë e Akreditimit dhe të gjitha forumet, janë përfshirë edhe përfaqësues të arsimit privat. Por financimi do të jetë më themelori.

Pyetje: Ju më parë përmendët sukseset e kësaj qeverie. Por do t’ju pyesja cilat kanë qenë dështimet e kësaj qeverie, duke përmendur faktin këtu se kemi pasur një krizë politike, ku opozita ka bojkotuar parlamentin, si dhe faktin që vendi ka mbetur i fundit në rajon për liberalizimin e vizave?

Kryeministri Berisha: Unë gjithnjë përpiqem që sukseset të mos më errësojnë kurrë mosarritjet. Por juve, ju këshilloj që gjethet të mos t’ju pengojnë kurrë për të parë trungun dhe degët. Unë fola për 100 ditët dhe deklarova se kam përpara edhe 1324 ditë çka do të thotë se unë nuk kam asnjë pengesë, kam kohën, kam gurin, kam arrën, kam të gjitha mjetet për të realizuar programin tim.

Opozita nuk është është në parlament, jo për një kauzë demokratike, por me një kërkesë thellësisht në kundërshtim me parimin ndër më themelorët të kushtetutës së vendit, atë  për ndarjen e pushteteve. Nëse opozita për të justifikuar bojkotin e vet formulon kërkesa të tilla, është në të drejtën e saj, që të formulojë çdo kërkesë, por pasoja janë përgjegjësi e saj.

Pyetje: A do t’i nënshtroheni ju një dialogu politik me opozitën në emër të integrimit në Bashkimin Evropian?

Kryeministri Berisha: Po të kisha një emër të dytë, unë “Dialog” do të quhesha. Unë bëj dialog me këdo, unë jam i hapur pa asnjë lloj kompleksi. Është shume thjeshtë kjo. Nuk jam unë që krijoj kundërshtarin tim, as që e përzgjedh. Detyra ime është ta respektoj dhe unë kësaj i përmbahem. Kështu që unë në çdo kohë dhe në çdo moment jam i hapur për dialog pa asnjë lloj paragjykimi. Natyrisht rregullat bazë janë rregulla bazë. Ato nuk janë të miat, nuk janë as të zotit Rama, ata janë trashëgimi e një përpjekjeje të jashtëzakonshme të këtij vendi për të ndërtuar demokracinë në Shqipëri. Mendoni ju për një moment: në qoftë se parlamenti sot vendos për të hapur kutitë,  çfarë do të ndodhë nesër nëse një lob tjetër, i fuqishëm në parlament, qoftë edhe i vogël, por me fuqi të madhe në votim, do të kërkojë të gjykojë një çështje tjetër gjyqësore? Çfarë do të ndodhë nesër, në qoftë se do të kërkohet që Aldo Bare të dalë nga burgu? Ta nxjerrim, se e bëmë një herë me kutitë. Ky precedent nuk mund të krijohet kurrë  të nderuar gazetarë, nuk ka formë më primitive mbi tokë të formulimit të një kërkese. As në romanet e Markezit nuk gjen një kërkesë të tillë. Nuk mund  të jemi kurrë ajo shoqëri. Se pastaj fituam zgjedhjet, rroftë pushteti që na u dha, kapim gjykatën dhe bëjmë ç’të duam me të. Çdo gjë mund të bëhet pastaj ky vend, por nuk bëhet kurrë demokraci. Prandaj edhe janë interesa thellësisht jo demokratike ata që e kanë të përqendruar mendjen te kutia. Uroj që të dilet prej saj. Unë mbetem I hapur.

 

Në përfundim të konferencës për shtyp, kryeministri Berisha iu drejtua gazetarëve me një mesazh për festat e fund Kryeministri Berisha: vitit:

Meqenëse  pritjen për gazetarët do ta jap pas Vitit të Ri, mendova se keni shumë pritje dhe mendova që ta lë pas vitit të ri, madje 4 ditë pas “mister gjelit”, doja t’ju uroja gëzuar Vitin e Ri ju, t’ju uroj gëzuar  të gjithë gazetarëve, botuesve, drejtuesve të mediave  të shkruara dhe elektronike shqiptare, ju uroj një vit plot suksese. Faleminderit!

                                              

12 Komente

Cdo gje qe thote ky duket sikur ka dale nga revista hosteni.

Meqenëse  pritjen për gazetarët do ta jap pas Vitit të Ri, mendova se keni shumë pritje dhe mendova që ta lë pas vitit të ri, madje 4 ditë pas “mister gjelit”, doja t’ju uroja gëzuar Vitin e Ri ju, t’ju uroj gëzuar  të gjithë gazetarëve, botuesve, drejtuesve të mediave  të shkruara dhe elektronike shqiptare, ju uroj një vit plot suksese. Faleminderit!

 

Cuna apo goca. Po ka njeri nga fshati i Berishes, qe di te ma perktheje kete mesazh ne shqipe letrare, do ta falenderoja me nje birre virtuale.

P.S. Fjalia fillon me folje ne te ardhmen, vazhdon ne te shkuaren dhe mbyllet ne te tashmen. E di qe pas kesaj fjalie monster, edhe ai perdorimi i foljes paskam pas kene nuk po me duket me aq i frikshem!

"Kryeministri Berisha: Po të kisha një emër të dytë, unë “Dialog” do të quhesha. Unë bëj dialog me këdo, unë jam i hapur pa asnjë lloj kompleksi."

Ha, ha, ha, ha .... smiley

unë jam i hapur

Kuti e hapur eshte ne fakt, kuti transparente. smiley

Qe ketej e tutje "Sali Dialog Berisha"! Jo keq!

Thuhet qe u cua nje gazetar gjate konferences dhe foli: " Na falni, se helbete pa shkolle jemi neve, Po ju per budallenj na merrni neve'' thuhet...

 

.....qe e dogjen ne furre - Sic do thoshte kapter Ramiu.

albano, nuk bo vaki ajo qe thu ti, nuk ka asisoj trimash sot.

Nuk ka burr none ta perktheje ne anglisht kete interviste, sepse nuk ka sens ne shqip. Ka nanjoni beeth ta provoje?!

 "....Unë bëj dialog me këdo, unë jam i hapur pa asnjë lloj kompleksi. Është shume thjeshtë kjo. Nuk jam unë që krijoj kundërshtarin tim, as që e përzgjedh. Detyra ime është ta respektoj dhe unë kësaj i përmbahem. Kështu që unë në çdo kohë dhe në çdo moment jam i hapur për dialog pa asnjë lloj paragjykimi..." 

 

O genjeshtar, a nuk je ti qe ke rrahur, persekutuar, gjurmuar, survejuar, burgosur, ter ata qe kane guxuar te te kritikojne. Shprehja jote; " ... Nuk jam unë që krijoj kundërshtarin tim, as që e përzgjedh..." ,  a nuk i ngjan mentalitetit te kohes se E.Hoxhes, se dhe ai ashtu thonte, qe; ata kane zgjedhur rrugen e kunderrevolucionit, te mohimit etj. etj.  

Po une qe nuk isha kundershari jot, (dhe mendoj dhe shum e shum shqiptare te tjere) , pse i bere kundershtar apo me sakte pse iu dole kundershtar. Mos valle e keqja qendron tek ty. 

A nuk je ti qe mirresh me pislliqe (tashme e dine te gjithe), a nuk je ti qe mirresh me pelivanlliqe politike (e provuar tashme), a nuk je ti qe ke dale nga zyrat e Ramizit (per te mos thene nga zyrat e sigurimit), a nuk je ti qe ato i ke pas quajtur si krime kur ishe ne opozite, i ke aprovuar me marrveshje (apo limonate propagandistike, siç je shprehur), a nuk je ti qe ve kundra njerzeve -kundershtar politik, ideollogjik, oponent- segmente te veçanta te shtetit, a nuk je ti "dialogu" qe nuk iu pergjigjesh njerzeve kur te shkruajne letra, apo iu pergjigjesh (nganjehere) me vonese 3-6 mujore, a nuk je ti qe ke frike te dalesh ball per ball me mua dhe njerez te tjere nga populli, qe kemi vite qe te kerkojme (zgjidhe vet tv, tryezen, radion, stafin) ,  a nuk je ti ai qe bashkpunon me ata qe i ke cilesuar si kundershtar, e lloj-lloj epitetesh,  a nuk je ti, pikerisht, ai qe nuk bashkpunon me ata qe kane qene kundra regjimit te E.Hoxhes (e kjo e ka nje domethenie), a nuk je ti, pikerisht ti, qe nuk je i hapur per dialog (ti je i hapur per interesa vetjake), me thuaj nje rast kur ti ke qene i hapur per dialog me popullin, me individin, me shoqatat. Ti mund te kesh qene i hapur me segmente te fshehta te shtetit, me momeklaturen, me sekseret, me ata qe te rrethojne, por jo me ata qe shqetesohen per Shqiperine, per demokracine dhe prosperitetin e saj. Ti je nje vemje, nje parazit qe perfiton nga shoqeria shqiptare, tamam sikunder Nano  e te tjere mastiçer te pushtetit lokal e qendror. 

Pjer.

Ta them sinqerisht me vjen keq, po nuk mund ta mbaj!

Kam shume respekt per te vuajturit nen burgjet e komunizmit, po do jem krijuar me shume i keq se i mire.

Kam pershtypjen se babane tend e kane futur ne burg se ka thene "kete djale  ja kam falur partis".

Gezuar vitin e ri.

Ska gje lumi se edhe ti nga i njejti gjiriz je.

 lumidrin; "....Kam pershtypjen se babane tend e kane futur ne burg se ka thene "kete djale ja kam falur partis"..." 

 

Babain tim, LumiDrin, e kane futur ne burg kur ishte beqar, aty nga vitet 50 e ca, punonte shofer, dhe e akuzuan me 11 akuza, nder te cilat me e renda ishte ; Pregatitje per hedhjen ne ere te Komitetit Qendror. Ne fakt plakut as i kishte shkuar ndermend nje gje e tille, veçse fliste me ironi kundra regjimit,  E.H. dhe me simpati per perendimin, ndigjonte radiot e huaja, pra ate qe benin shum shqiptare. Ne hetuesi, megjithse me duar te lidhura mbrapa, rrahu hetuesin, duke e qelluar me kembe vetem njehere, ku e hodhi matane 3 metra tutje tek dera. Nga 11 akuza qe ndonse i mohoi, e nxorren ne gjyq me 5 akuza (te tjerat u rrezuan), ku akuza kryesore mbeti ajo e agjitacion-propagandes kundra socializmit dhe partise. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).