Kronikë e një gjendjeje të paralajmëruar

Faktorët dhe organizmat ndërkombëtarë kanë kontribuar dhe ndihmuar në daljen e Kosovës nga Serbia, por jo edhe në daljen e Serbisë nga Kosova.
Përkundrazi, këta faktorë, pa përjashtim, po kërkojnë që të tolerohet Serbia brenda Kosovës. Të tolerohen strukturat paralele të Serbisë si dhe ekonomia e mallrat e saj që e kanë vërshuar Kosovën pikërisht pse nuk paguajnë doganë. Serbëve të Kosovës, duke ua lejuar strukturat e Serbisë mbi kokë, u është imponuar fokusimi në atë çfarë kanë humbur, ani se nuk iu ka takuar. Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës orientohen tek ajo çfarë kanë fituar, ani se iu takon më shumë se aq. Ende ndodhemi përbrenda traditës, ku privilegjet e serbëve bëhen të drejta për ta, kurse të drejtat e shqiptarëve konsiderohen si privilegje.

Serbët në Kosovë nuk i kanë fituar të drejtat e tyre sepse janë minoritet dhe si minoritet që janë, por si kërkesë e shtetit të Serbisë. Të drejtat e serbëve janë vetë përmbajtja e koncesioneve joparimore e të dëmshme të Grupit Negociator të Kosovës përgjatë negociatave në Vjenë për statusin e Kosovës. Kosova nuk është rast sui generis, por të drejtat e serbëve në Kosovë janë sui generis: vetëm pesë a gjashtë përqind të popullsisë e kanë të drejtën e vetos në Kuvendin e Kosovës për ligjet me rëndësi jetike, gjuha e tyre serbe është gjuhë zyrtare gjithkund në Kosovë, i kanë 10 komuna me shumicë serbe dhe një tjetër që u zgjerua territorialisht me fshatra serbe pikërisht për t’u bërë e tillë, e kanë komplet trashëgiminë kulturore ortodokse në 45 zona të veçanta mijëra hektarëshe, etj.etj.

Pas shpalljes së pavarësisë, Qeveria e Kosovës i ka dhënë prioritet decentralizimit mbi baza etnike që paraqet rirregullim territorial dhe jo sovranitetit e tërësisë territoriale; i ka dhënë prioritet sundimit ndërkombëtar që kërkon stabilitet rajonal dhe jo zhvillimit ekonomik që e kërkojnë qytetarët. Kjo është mënyra se si institucionet vendore kanë treguar që janë dakord me ndarjen e brendshme të Kosovës, me lënien e sovranitetit në duart e burokratëve ndërkombëtarë dhe me tretjen e perspektivës për zhvillim ekonomik. Pra, që janë dakord me bosnjezimin e Kosovës. Janë dy ministra të Qeverisë së Kosovës të cilët bëjnë gara se cili do ta dëmtojë Kosovën më shumë: në njërën anë, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, me decentralizimin etnik që ia humb Kosovës territorin dhe, në anën tjetër, Ministri i Ekonomisë e Financave, Ahmet Shala, me privatizimin neoliberal që ia humb Kosovës pasuritë natyrore dhe kapacitetet zhvillimore.

Kaosi në veri të Kosovës është i përsosur, që do të thotë se është i planifikuar. Veriu është shndërruar në një tax free zone, në një Gran Canaria, por ama vetëm për Serbinë. 300 maune me mallra të Serbisë hyjnë për çdo ditë në pikat e djegura doganore 1 dhe 31 në veri pa paguar fare doganë. Kjo e bën veriun e Kosovës ekonomikisht më rentabil për Serbinë sesa po të ishte veriu pjesë e Serbisë. Duke qenë se prodhuesit serbë që eksportojnë në Kosovë nuk e paguajnë TVSH-në prej 18% në Serbi, meqë supozohet se e paguajnë atë prej 16% në Kosovë, mallrat e Serbisë në Kosovë janë më të lira edhe se në vetë Serbinë. Prandaj, nuk është e rastësishme që te shumë supermarkete anekënd Kosovës më se gjysma e produkteve janë nga Serbia. Paralelisht me këtë dominim ekonomik, strukturat politike dhe të sigurisë së Serbisë dirigjojnë me jetën politike, shoqërore e kulturore, ndërkaq KFOR’i dhe EULEX’i, duke u përkujdesur që situata të jetë e qetë, në fakt, kontribuojnë drejtpërsëdrejti që gjendja të mos ndryshojë.

Shteti i Kosovës përgjithësisht nuk ndjehet në veri. Organizimi i këtyre zgjedhjeve lokale të Kosovës në veri nëpërmjet ekipeve mobile i përngjante një cirkusi udhëtues që qarkullonte nga njëri vend te tjetri. Shteti i Kosovës në veri të vendit dukej si Zampano (Anthony Quinn) dhe Gelsomina (Giulietta Massina) në filmin La Strada të Federico Fellinit: Zampano e lidhte veten rreth gjoksit me një zinxhir, Gelsomina niste tamtamet e daulles, kurse shikuesit e paktë shpërthenin në duartrokitje atëherë kur Zampano e këpuste zinxhirin gjersa frynte gjoksin e tij.

Përderisa veriun e Kosovës Serbia e kontrollon më shumë sesa vetveten, Plani i Ahtisaarit tash po zbatohet në jug të lumit Ibër, duke e riprodhuar situatën veriore edhe në qendër, në lindje e në veriperëndim të Kosovës. Sikurse që në veri kontrolli i huaj politik ka reperkusione të mëdha ekonomike, njësoj edhe decentralizimi mbi baza etnike në pjesët tjera të Kosovës do të ketë edhe pasoja ekonomike. P.sh., 42% të të hyrave të deritanishme (dy banja dhe katër gurëthyes), komuna e Vitisë i merrte nga Kllokoti që tash u bë komunë e veçantë me shumicë serbe.

Një ndër arsyet e intervenimit të NATO’s në Kosovë thuhet të ketë qenë parandalimi i një Bosnje të re në Evropë. Mirëpo, përmes decentralizimit etnik dhe protektoratit ndërkombëtar të pakufishëm në kohë e kompetenca, Kosova dalëngadalë por sigurt po bëhet një tjetër Bosnje. Më parë se për decentralizimin e pafuqisë vendore, Kosova gjithsesi ka nevojë për demonopolizimin e fuqisë ndërkombëtare mbi të.

Kosova nuk mund të përparojë pa ndryshuar kjo situatë, porse për këtë nuk na ndihmojnë më ndërkombëtarët. Këtë duhet ta bëjmë vetë ne. Dhe, mund të na ndihmojnë kombëtarët – Shqipëria. Vetëm se për të na ndihmuar Shqipëria duhet të kërkohet ndihma e saj dhe duhet t’ia fillojmë vetë ne, apo jo? Këtë gjë nuk e ka bërë Qeveria e Kosovës. Në aspektin ekonomik, Shqipëria e ka vënë në dispozicion portin e Shëngjinit për Kosovën i cili nuk po shfrytëzohet dhe për më se një dekadë të tërë Kosova nuk e ka ndërtuar linjën 400 kV që do ta lidhte me Shqipërinë, duke u bërë kështu komplementarë në fushën e energjisë.

Mbase njerëzit si puna e qeveritarëve tanë, që u pasuruan pikërisht në Kosovën e varfër, nuk kanë interes ta ndryshojnë gjendjen. Prandaj edhe nuk kanë vullnet dhe as plane, e jo anasjelltas.

1 Komente

 Artikull interesant dhe me shum te dhena per gjendjen aty. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).