Kriza jonë

Kriza jonë është në thelbnjë krizë përfaqësimi.Procesi politik gjithnjë e më tepër shkëputet nga procesi social.  Debatet shpesh të ashpra politike, gjithnjë e më shumë largohen nga problemet reale të shoqërisë tonë. E vërteta është se shumicës së shqiptarëve nuk u intereson dhe nuk ka përse t’u interesojë beteja e Ramës për hapjen e kutive. Dhe jo sepse shqiptarët nuk e duan demokracinë, por sepse Rama interesohet për demokracinë vetëm kur humbet zgjedhjet. Kur mendon se do t’i fitojë nuk denjon të bëjë as edhe një referendum mbi Kushtetutën, që në thelb është kontrata sociale. Shumicës së shqiptarëve nuk i intereson as lufta e Berishës kundër mafies apo imoralitetit të Ramës, sepse mafia më e fuqishme në sytë e tyre për momentin është familja në pushtet me oborrtarët e saj. Ndërsa imoraliteti më i madh është bërja ministër e politikanëve gërdecarë si Mediu. Shumicës së shqiptarëve nuk u interesojnë fort as përplasjet mes biznesit dhe politikës, pasi ata përfitojnë pak ose aspak nga bizneset që po sulmon qeveria për inat të opozitës. Ndaj debati politik dhe publik sot është një debat ku elita politike, mediatike dhe ajo e biznesit qajnë publikisht hallet e veta private. Publiku e ndjek këtë debat jo sepse ai trajton problemet e tij, por për sport ai shndërrohet në një spektator që ’shijon’ përplasjen mes palëve. Debati publik kthehet në një cirk komunikativ, ku sa më shumë palët të shahen, fyhen dhe abuzohen, aq më interesant bëhet spektakli. Ai është një produkt tipik i krizës së përfaqësimit.
Thelbi i kësaj krize qëndron te mospërputhja midis sistemit politik dhe sistemit ekonomik që ne po përpiqemi të ndërtojmë. Mospërputhja qëndron në faktin se sistemi ynë politik nënkupton konkurrencën midis grupeve të ndryshme të interesit në sferën publike, ndërsa sistemi ekonomik i shkatërron grupet e gjera të interesit, duke i reduktuar ato në klane të ngushta ose në individë të veçantë. Për pasojë lufta politike nuk bëhet midis grupimeve dhe aq më pak mes shtresave apo sektorëve socialë, por midis klaneve në rastin më të mirë dhe individëve të veçantë në rastin më të keq. Aq sa shpesh arrihet deri aty saqë aprovohet një ligj kundër një biznesi apo një personi të caktuar. E thënë ndryshe, sistemi politik presupozon një shoqëri me sektorë të ndryshëm, të zhvilluar dhe të organizuar, ndërsa sistemi ekonomik eliminon pikërisht formimin e tyre, duke prodhuar një sferë të ngushtë ekonomike ku në vend të sektorëve apo grupeve të gjera të interesit konkurrojnë individë apo klane të ngushta. Le ta shikojmë secilin dimension, pra atë politik dhe ekonomik, në veçanti, për të kuptuar më mirë se si ndërveprimi i tyre prodhon krizën tonë të përfaqësimit.
Sistemi politik që ne synojmë të ngremë është ai i demokracisë pluraliste. Robert Dahli është toericieni që e ka përmbledhur dhe përkufizuar më mirë se kushdo këtë sistem, që sipas tij duhet të quhet poliarki. Në thelb të tij qëndron ideja se shoqëria përbëhet nga grupe të ndryshme interesi, që konkurrojnë për të ndikuar procesin e qeverisjes dhe vendimmarrjes. Në këtë sistem nuk ekziston një e mirë e përgjithshme (ala Ruso) përtej interesave të ndryshme shoqërore. Qeverisja apo interesi i përgjithshëm është rezultantja e përplasjeve midis interesave të ndryshëm sektorial. Vetë termi ’poliarki’ i zgjedhur nga Dahl thekson idenë se shoqëria nuk ka një qendër të vetme, por disa qendra që konkurrojnë mes tyre duke prodhuar rezultate në qeverisje që zgjasin pak a shumë sa një mandat elektoral. Ajo që presupozon modeli i demokracisë pluraliste është ekzistenca e një sërë grupesh të organizuara interesi, qofshin këta industrialistë, bankierë apo financierë, fermerë, punëtorë, ndërtues, sindikalistë apo juristë. Kuptohet kur flasim për grupe interesi nënkuptojmë sektorë të gjerë dhe jo thjesht një grusht individësh. Ekzistenca e këtyre grupeve merret si e mirëqenë nga Dahli me shokë, pasi modeli i tyre në fakt është ai i demokracisë liberale që bazohet tek eksperienca e SHBA-ve dhe e Britanisë së Madhe. Në të dyja këto vende, grupe të tilla kanë ekzistuar historikisht, edhe përpara sesa të vendosej demokracia liberale. Dilema ka qenë se si të rregullohej konkurrenca mes tyre, dhe jo se si ato të krijoheshin. Me fjalë të tjera modeli i Dahlit reflekton eksperiencën amerikane, që natyrshëm ka formuar edhe idetë e tij.
Problemi fillon kur vijmë tek raste si Shqipëria që e përqafojnë me shumë zell modelin e Dahlit, por që ndodhen në një realitet tjetër historik. Problemi në Shqipëri është se sektorët social apo grupet e interesit u zhdukën gjatë tranzicionit. Pra ndërsa politikisht me rënien e komunizmit ne filluam të implementojmë një model ku grupet e interesit do konkurronin mes tyre, ekonomikisht politikat e tregtisë së lirë, tërheqjes së shtetit dhe konkurrencës së lirë, kombinuar me emigrimin masiv, eliminuan pikërisht sektorët që do duhej të merrnin pjesë në procesin politik, duke i zëvendësuar ata me individë apo grupe të ngushta. Me rënien e komunizmit sektorët e ndryshëm social u thërrmuan, duke krijuar aktorë klanor ose individual. Së pari, u zhduk klasa punëtore pasi këto njëzet vite tranzicion kanë prodhuar de-industrializmin e ekonomisë shqiptare. Sot në vitin 2009, industria zë më pak vend si pjesë e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) sesa në vitin 1990. Ndërsa roli i bujqësisë për pasojë është rritur, çka do të thotë se në këto 20 vite ne kemi shkuar nga një shoqëri industriale drejt një shoqërie agrare. Ama kjo nuk do të thotë se sektori bujqësor është fuqizuar. Sot dominon ende prodhimi i subsistencës, pra prodhimi për nevoja personale dhe jo prodhimi në masë për nevojat e tregut. Parcelizimi i tokës, marrëveshjet e tregtisë së lirë me vendet fqinje dhe tërheqja e shtetit nga kreditimi apo blerja e produktit agrar vendas ka krijuar sot një bujqësi shqiptare të parcelizuar, të paorganizuar, inefikase dhe primitive. Për pasojë nuk kemi një sektor të fuqishëm social agrar, dhe aq më pak një sektor të organizuar që mund të përfaqësohet politikisht. Madje sa herë Qeveria jonë nënshkruan ndonjë marrëveshje të tregtisë së lirë me fqinjët, fermerët nuk ndihen fare, derisa fillojnë të ndjejnë pasojat negative. Ndërkohë sektori i shërbimeve që u rrit ndjeshëm gjatë tranzicionit është një sektor ku dominojnë shërbime diverse dhe individuale, që nga shoferi i furgonit deri te berberi. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një sektor tejet të fragmentarizuar, që nuk mund të organizohet dhe përfaqësohet politikisht në tërësinë e tij apo sipas sektorëve të caktuar. Ndërsa sektorë si ai bankar janë pothuajse tërësisht në duar të kapitalit të huaj dhe jashtë lojës demokratike shqiptare. Së fundi, mungesa e një industrie prodhuese do të thotë që ne nuk kemi një klasë të fuqishme kapitaliste vendase. Edhe pse biznesmenët shqiptarë akuzohen për vjedhje masive në bashkëpunim me politikanët, e vërteta është se kapitali lokal është tejet i dobët, shpesh i zhytur në borxhe dhe krejt i paaftë të konkurrojë në tregun ndërkombëtar. Pra nuk kemi ende një klasë kapitaliste vendase, kemi kryesisht disa ndërtues dhe pak prodhues.
Të gjitha këto janë pasoja të modelit tonë ultra-neoliberal që nënkupton hapjen e tregut ndaj konkurrencës së huaj dhe tërheqjen e shtetit. Hapja e tregut e ka bërë të pamundur konkurrencën e produktit lokal, qoftë bujqësor qoftë industrial, qoftë të shërbimeve me produktin e huaj. Nga ana tjetër, tërheqja e shtetit e ka bërë të pamundur për biznesin vendas të përftojë kredi të buta dhe afatgjata, në mënyrë që të investojë dhe të rritet. Shteti shqiptar është tërhequr dhe kreditimin ia ka lënë tërësisht sektorit privat bankar që nuk ka prioritet zhvillimin e biznesit vendas, por maksimizin e fitimit. Këtyre fenomeneve i është shtuar edhe dogma e konkurrencës së lirë si ilaçi i të gjitha shqetësimeve ekonomike shqiptare. Ndonëse konkurrenca e lirë shpesh prodhon efekte pozitive, në një treg kaq të vogël sa tregu shqiptar, konkurrenca e lirë është kthyer në fakt në një konkurrencë të ashpër që e ka bërë të pamundur bashkëpunimin, rritjen dhe koncentrimin e kapitalit vendas. Në emër të luftës kundër monopolit dhe oligopolit është luftuar fuqizimi i kapitalistëve lokal teksa hapësira ekonomike është zënë gjithnjë e më tepër nga monopole apo oligopole të huaja, sic është ai i telefonisë celulare, që për më tepër janë jashtë kontrollit të shtetit shqiptar. Ndërkohë ekonomia shqiptare dominohet tërësisht nga biznesi i vogël dhe i mesëm, që do të thotë se kemi të bëjmë me një sektor social të fragmentarizuar dhe të paorganizuar dhe krejt i paaftë të përftojë nga integrimi i Shqipërisë në tregun global.
Me pak fjalë, modeli ynë i zhvillimit ekonomik prodhon një shoqëri të fragmentarizuar dhe jo të organizuar në sektorë socialë apo grupe sociale interesi. Në këto kushte, modeli i demokracisë pluraliste të Robert Dahl ku grupe interesi përplasen në arenën publike, degjeneron në modelin e demokracisë klienteliste, ku në vend të grupeve sociale kemi individë apo klane që përplasen mes tyre për të fituar favore nga pushteti. Me strukturën aktuale të ekonomisë dhe të prodhimit shqiptar është tejet e vështirë të kesh një sistem politik përfaqësues, apo parti politike që përfaqësojnë grupe interesi apo sektorë të caktuar social. Sektorët socialë nuk ekzistojnë, ndërsa grupet e interesit janë reduktuar në individë të interesuar. Kështu që në vend që shteti shqiptar të kapet nga sektorë të caktuar prodhues, sikurse kanë frikë teoricienët neoliberal, qeverisja kapet nga individë të caktuar biznesmen. Ose më saktë, individë të caktuar kapen nga qeverisja, sepse kapitali shqiptar me zor mbahet në këmbë.  Cka shpesh prodhon denoncime të bllokimit të biznesit nga qeveria dhe thirrje neoliberale për konkurrencë të lirë.  Por kapja e ndërsjelltë biznes–(media)-politikë nuk është pasojë e mungesës së konkurrencës së lirë, por produkt i saj. Recetat neoliberale të hapjes totale së tregjeve dhe të tërheqjes së shtetit nga ekonomia prodhojnë një biznesi lokal që mbetet i vogël, i paaftë të konkurrojë me bizneset e huaja si jashtë edhe brenda vendit. Ndaj importet e kanë mbytur tregun shqiptar, ndërsa sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare janë në duart e kapitalit të huaj. Dhe nga politikanët tanë kjo ende propogandohet si arritje e madhe!  Në kushte të tilla biznesi vendas duhet të konkurrojë për atë që mbetet cka e kthen konkurrencën e lirë në një konkurrencë të egër nën mëshirën e pushtetit. Nga njëra anë konkurrenca e ’lirë’ në një hapësirë ekonomike gjithnjë e më të ngushtë e bën të pamundur për biznese të caktuara shqiptare të rriten mjaftueshmërisht për të konkurruar në tregun global. Nga ana tjetër në një hapësirë të reduktuar ekonomike tenderat e qeverisë apo lejet e ndërtimit bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për mbijetesën e biznesit të madh vendas. Në mungesë të politikave mbrojtëse dhe stimuluese shtetërore për sektorë të caktuar bizneset shqiptare do kërkojnë mbrojtjen dhe mbështetjen e politikanëve të caktuar në mënyrë individuale. Dhe ky është thelbi i sistemit tonë klientelist politiko-(mediatiko)-ekonomik.
Ky sistem klientelist funksionon në cdo nivel të shoqërisë shqiptare dhe jo vetëm në nivelin e elitës politiko-meditiko-ekonomike. Mospërputhja midis modelit politik dhe atij ekonomik prodhon atë që shumë analistë dhe studiues e shikojnë si burimin e problematikës shqiptare, kulturën krahinoriste, klienteliste apo klanore. Shpesh kjo quhet ’mungesa e kulturës demokratike’. Si pasojë e tërheqjes së shtetit nga ekonomia dhe shoqëria lidhjet familjare, krahinore apo klanore bëhen tejet të rëndësishme për mbijetesën e individit. Këto lidhje bëhen edhe më të rëndësishme në kushtet kur ekonomia shqiptare e shpartalluar nga konkurrenca e lirë dhe e pambështetur nga politika shtetërore nuk ofron dot punësim të gjerë. Në kushte të tilla konkurrenca për një vend pune bëhet edhe më e egër, dhe lidhjet familjare, krahinore, politike, klanore, pra klienteliste, edhe më të rëndësishme. Ndaj individi që mund të mbijetojë në këtë sistem ekonomik është individi krahinorist, klientelist apo klanor dhe jo individi ’modern’ liberal demokrat. Mjafton të shohim ndërtimin e administratës, në çdo nivel, për të kuptuar diçka të tillë. Ama një sistem funksionues i demokracisë liberale presupozon ekzistencën e një individi liberal, autonom, racional, që ndjek interesat e veta, duke respektuar procedurën demokratike, pa u kufizuar nga faktorë ’tradicional’ si familja, krahina apo klani. Është pikërisht ky individ që eliminohet si pasojë e tërheqjes së shtetit dhe braktisjes së individit në duart e ’tregut të lirë’. Ndaj tërheqja e shtetit nga shoqëria, që është një nga themelet e modelit tonë zhvillimor, ka një dimension demodernizues që pengon krijimin e individit liberal-demokrat, që më shumë sesa ndaj klientelës është besnik ndaj procedurës apo parimeve demokratike. Është e rëndësishme të theksohet diçka e tillë, pasi ka kohë që është bërë e modës që rrënjët e çdo problemi t’i gjejmë te kultura jonë e mbrapshtë që sipas disave buron që nga koha e turkut, duke harruar se kultura shpesh më shumë sesa nip i të kaluarës është fëmija i së tashmes
Në këtë pikë dikush mund të protestojë duke argumentuar se analiza e mësipërme nuk qëndron pasi problemi i Shqipërisë është një administratë e dobët, gjyqësori jo-funksional dhe korrupsioni që pengojnë zhvillimin e tregut të lirë dhe demokracisë. Natyrisht që këto fenomene janë problematike, por ato janë produkt i përplasjes midis modelit politik dhe atij ekonomik më shumë sesa shkaqe të dështimit të këtyre modeleve. Një model zhvillimi që prodhon de-industrializim, demodernizim dhe papunësi në rritje do të thotë presion gjithnjë e më i shtuar për punësimin e militantëve politik dhe krahinor në administratë. Për sa kohë shteti nuk merr përsipër stimulimin e prodhimit dhe kapitalit vendas, por ia lë tregut në dorë hapjen e vendeve të reja të punës, administrata mbetet sektori kyç i punësimit. Sepse sektori privat shqiptar nuk zhvillohet dot fuqishëm në mungesë të politikave mbrojtëse apo kreditimit të butë, që mund dhe duhet të ofrohen nga shteti. Në këto kushte ndërtimi i një administrate publike profesionale bëhet tejet i vështirë. Jo vetëm sepse ajo popullohet nga militantët politik, por edhe sepse një ekonomi e dobët do të thotë një buxhet i varfër dhe institucionet e forta nuk mund të ndërtohen me një buxhet të dobët.
Ndaj parullat e ndërkombëtarëve ”forconi institucionet” dhe ’luftën ndaj korrupsionit’ duhen hedhur në koshin e plehrave. Jo sepse institucionet nuk duhen forcuar, por sepse para forcimit të institucioneve duhet menduar për forcimin e ekonomisë, duke ndërtuar një model të ri politiko-ekonomik zhvillimi. Një model që duhet të çlirohet nga dogmat e konkurrencës së lirë dhe tregut si ilaçi çudibërës i ekonomisë shqiptare. Kjo nuk do të thotë as se konkurrenca duhet eliminuar, as se tregu duhet të hiqet qafe. Të dy janë të rëndësishëm, por akoma më e rëndësishme është një strategji ekonomike e zhvillimit sektorial që përcakton sektorët që duhen zhvilluar, afatet brenda të cilave duhet të ndodhë zhvillimi, dhe mënyra konkrete se si ky zhvillim do nxitet. Për këtë qëllim duhet rikonceptuar edhe roli i shtetit dhe politikat e tij. Nëse është e nevojshme duhen implementuar politika proteksioniste për afate të caktuara. Shteti duhet të ndërhyjë duke ofruar kredi të buta dhe afatgjata apo duke nxitur investimin në teknologjitë e përparuara për sektorët prioritar të zhvillimit ekonomik, që tregojnë se janë të aftë të konkurrojnë si në tregjet lokale edhe në ato globale. Roli i shtetit nga arbitër duhet të shndërrohet në koordinator të zhvillimit ekonomik, për të lidhur më mirë kursimet gjithnjë e në rritje të shqiptarëve që vinë si remintanca me investimet lokale. Përpara se sa të shqetësohet për rritjen e investimeve të huaja, shteti shqiptar duhet të shqetësohet për rritjen e investimeve shqiptare, të cilat pak i interesojnë ambasadorëve të huaj apo faktorit ndërkombëtar, që në thelb përfaqëson interesat e kapitalit të huaj. Ashtu sikurse shteti mund të bëhet me agresiv në diplomacinë ekonomike, duke siguruar tregje për produktet shqiptare, gjë që nuk mund të ndodhë për sa kohë produktet shqiptare janë jo-konkurruese që në tregun shqiptar.
Nuk kemi të bëjmë vetëm me një model të ndryshëm të zhvillimit ekonomik por edhe me një model të ndryshëm politik. Duke nxitur zhvillimin sektorial shteti nxit edhe krijimin e sektorëve social dhe grupeve sociale të interesit që përplasjen mes tyre dhe favoret përkatëse nga shteti i kërkojnë në emër të një baze më të gjerë sociale dhe jo thjesht për përfitim personal. Në kushte të tilla, konkurrenca politike merr kuptim teksa sektorët të ndryshëm debatojnë jo vetëm për interesat personale por argumentojnë edhe se si këto interesa i shërbejnë ekonomisë kombëtare dhe shoqërisë në përgjithësi. Me pak fjalë shteti do duhet të luajë një rol më aktiv në krijimin e shtresës së kapitalistëve shqiptarë, të industrialistëve shqiptarë, të sindikatave shqiptare apo të fermerëve apo agro-prodhuesve shqiptar. Kjo do ishte realisht shoqëria civile shqiptare, dhe jo ai grusht OJQ-sh, që sot gabimisht mban këtë titull. Vetëm në këtë mënyrë mund të flitet për një demokraci pluraliste ku sektorë dhe faktorët social përfaqësohen dhe konkurrojnë politikisht. Vetëm në këto kushte mund të flasim për politika më të djathta, që p.sh. favorizojnë më shumë kapitalistët, dhe politika më të majta që favorizojnë më shumë punonjësit. Ama që diçka e tillë të ndodhë duhet që të përmbushen dy kushte, njëri politik dhe tjetri ekonomik. Politikisht ne duhet të jemi shumë më tepër optimist për potencialin zhvillimor të shoqërisë shqiptare, duke u çliruar nga pesimizmi që çdo fatkeqësi tonën ia vesh kulturës sonë të mbrapshtë. Hapi i parë në këtë drejtim është rishikimi i modelit ultra neoliberal që sot e kemi përqafuar po aq fort dhe po aq symbylltazi sa modelin ultra–stalinist dje. Ndaj nuk është çudi që ekonomia jonë kapitaliste është sot më e lodhura në rajon, ashtu si ekonomia jonë socialiste dje. Ekonomikisht duhet që të ndërtojmë një model të ri zhvillimi, ku shteti nga arbitër kthehet në koordinues dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik, ku tregtia e lirë dhe integrimi në BE çmitizohen, duke u parë si mjete dhe jo si qëllime në vetvete, ku prioritet merr mbrojtja dhe zhvillimi i sektorëve të caktuar të ekonomisë kombëtare, ku zhvillimi ekonomiko-social i Shqipërisë nuk duhet të barazohet me integrimin në BE, pasi këto janë dy procese të ndryshme dhe shpesh kontradiktore. Secili nga këto dy aspekte, pra ai politik dhe ekonomik, do trajtohen në vijim.

7 Komente

Blendi eshte shume i sakte por kam nje vrejtje te vogel per shokun tim, pak me konciz, e kuptoj qe duhet te mbyshe faqen e gazetes gjithsesi smiley

 "....Ndaj importet e kanë mbytur tregun shqiptar, ndërsa sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare janë në duart e kapitalit të huaj. Dhe nga politikanët tanë kjo ende propogandohet si arritje e madhe!..."  

E te mos harrojme, se ter keto firma vendase e te huaja qe jane ne Shqiperi, iu xhirohet leku, malli, pikerisht nga dergesat e emigranteve. Pra eshte kjo valute qe xhiron ter (shumicen) produktet aty. Sa per propaganden e qeverise si arritje, pse te mos ta propagandojne si arritje, persa kohe ai popull e ha sapunin per djath. 

 

"....Jo sepse institucionet nuk duhen forcuar, por sepse para forcimit të institucioneve duhet menduar për forcimin e ekonomisë, duke ndërtuar një model të ri politiko-ekonomik zhvillimi. Një model që duhet të çlirohet nga dogmat e konkurrencës së lirë dhe tregut si ilaçi çudibërës i ekonomisë shqiptare. Kjo nuk do të thotë as se konkurrenca duhet eliminuar, as se tregu duhet të hiqet qafe. Të dy janë të rëndësishëm, por akoma më e rëndësishme është një strategji ekonomike e zhvillimit sektorial që përcakton sektorët që duhen zhvilluar, afatet brenda të cilave duhet të ndodhë zhvillimi, dhe mënyra konkrete se si ky zhvillim do nxitet. Për këtë qëllim duhet rikonceptuar edhe roli i shtetit dhe politikat e tij...."  

Dhe qe te arrihet kjo Blendi, duhet nje Burse sipas atyre ideve qe une ju kam shkruar me kohe politikanve-trapa shqiptare. Dhe duke qene se une e njoh bursen, te fshehtat e saj, makroekonomine, modelet qe duhen ndjekur, shum mire, ju kam ofruar kafsheve ndihmen time, mirpo kam marre indiferencen e tyre, gje qe tregon se ata nuk jane te interesuar qe ekonomia shqiptare te heci perpara, por vetem tu plotesohen interesat e ngushta ekonomike te tyre.  

 Me vjen mire qe gazetari i njohur tashme nga ne Blendi Kajsiu, ka hedhur ketu, disa nga teza/idete e mia te hedhura disa vite me pare, por te artikuluara disi me ndryshe. 

Ekonomikisht duhet që të ndërtojmë një model të ri zhvillimi, ku shteti nga arbitër kthehet në koordinues dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik, ku tregtia e lirë dhe integrimi në BE çmitizohen.

Komunist!

Pardon, neo-komunist.

O Pallosh a e zgjidhe enigmen e PS te shqiperise per anetaresimin e saj?   smiley

Jam per ngritjen dhe funksionimin e burses si rregullator te tregut ndryshe nuk do te funksionoj per sa kohe eshte  shteti qe vendos c do te behet me  tregun dhe cmimet ndikohen politikisht.

Bursa me ligj dhe regullore eshte e ngritur. Puna eshte se nuk ka aktore.

Shqiperia nuk eshte ne krize.

Percaktimi i fjales "krize" eshte: nje moment kulmor, i rendesishem, nje fare udhekryqi ku gjendet nje shoqeri e caktuar.

 

Situata ku eshte tani shqiperia eshte rrjedhoje e 45 vjet ekonomi komuniste dhe mentalitet enverist product  i te cilave jane dhe keto 20 vjet pre-demokraci. Por ama, situata e sotme nuk perben ndonje moment kulmor, te rendesishe... eshte thjeshte nje situate e ardhur natyrshem si resultat i veprimeve me mentalitet pjeserisht komunist, pjeserisht primtiv balkanik dhe fshataresk.

Pa analizuar keta dhe faktore te tjere, cdo perpjekje per te bere nje analize objektive te problemeve qe ka shqiperia sot dhe rrugeve per te zgjidhur ato, eshte thjesht humbje kohe (si kjo kohe qe humba une duke lexuar kete artikull snob).

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).