Kriza e Universiteteve (1)

Një debat publik, i kulturuar dhe konstruktiv, është duke u zhvilluar lidhur me arsimimin e lartë universitar në Shqipëri. Duke u përfshirë në këtë diskutim këtu do të paraqiten disa shënime ndoshta jo fort interesante për lexuesit e gjerë, për shkak të nivelit ku do të përqendrohem dhe shkurtimeve të detyrueshme për natyrën gazetareske, çka mund t‘i bëjë argumentet të kuptueshme me vështirësi. Çështjet janë pjesë e një studimi më të gjerë.

Kriza e universiteteve në Shqipëri mund të kuptohet vetëm duke u vendosur në një kontekst shumë më të gjerë. E, besnik ndaj vetes, do të përsëris se shkaku i të gjithave shkaqeve që po e çojnë universitetin drejt krizës, është "mungesa e vullnetit të mirë" dhe ekzistenca e një kulture të përgjithshme të papërshtatshme për universitete që janë vërtet universitete. Prandaj në fillim është e nevojshme të përshkruhen disa aspekte të këtij konteksti.

Jurisprudenca si në pasqyrë

Një ndër shkaqet më themelore të krizës së universiteteve në Shqipëri është mungesa e shtetit ligjor, dhe vetë kjo mungesë, edhe për shkak të një kulture të përgjithshme juridike të pasqyruar. Kjo do me thënë se në kulturën tonë të përgjithshme hierarkia e fuqisë së ligjeve duket si në pasqyrë. Në shtetet ligjore dhe kushtetuese, renditja e fuqisë së ligjeve është pak a shumë kështu: Kushtetuta - ligji - akti nënligjor - urdhërimi gojor. Në Shqipëri, renditja e fuqisë së ligjeve është pak a shumë në të gjitha fushat kështu: urdhri gojor - akti nënligjor - ligji - Kushtetuta. Pak veta kanë mbetur pa e provuar, dhe ata që kanë mbetur mund ta provojnë, të shkojnë në ndonjë institucion me ligjin në dorë, krejt të qartë dhe pa shteg interpretimi e t‘i kërkojnë nëpunësit ta zbatojë. Me një siguri gati të qind-për-qindtë në rast se nëpunësit i është dhënë një udhëzim i brendshëm, një urdhër gojor nga eprori/ja, apo ka një akt nënligjor p.sh. Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM), të ndryshëm ose të kundërt me ligjin, nëpunësi do të zbatojë urdhrin gojor, ose aktin nënligjor dhe jo ligjin, sepse "përndryshe e pushojnë nga puna". Kështu është edhe në sektorin privat. Siç do të shihet më tej, kjo situatë është pak a shumë edhe në fushën e arsimit të lartë. Prandaj detyra e detyrave të qeverisë në këtë mandat është fillimi i ndërtimit të shtetit ligjor dhe të drejtë. Me fjalë të tjera, në qoftë se qeverisja "Berisha 2005-2009" u bë "mandat i ndërtimit të rrugëve dhe infrastrukturës rrugore", ky do të duhej me qenë "Mandat i ndërtimit të shtetit dhe infrastrukturës shtetërore", të shtetit ligjor e të drejtë. Urojmë më me cilësi se rrugët.

Shteti nënligjor

Në qoftë se në praktikat e përditshme aktet nënligjore, qofshin VKM, udhëzime, vendime, urdhëresa etj., kanë më shumë fuqi se ligji kur bien ndesh, ose e kufizojnë atë, atëherë për qytetarët, për jetën dhe praktikat e përditshme ky është një shtet nënligjor. Sigurisht që po të dërgohen çështjet për gjykim në gjykatë, ka shumë të ngjarë që ligji merr fuqi më të madhe ndaj çdo akti nënligjor. Por, në jetën dhe praktikat e përditshme, dërgimi i çdo rasti në gjykatë përbën një mbingarkesë për qytetarët e për gjykatën dhe prandaj shumica e tyre nuk i nënshtrohet këtij procesi. Një rrugë më e lehtë do të ishte një përgjegjësi dhe kontrollim nga vetë shteti i akteve nënligjore dhe përputhshmërisë së tyre me ligjin dhe e ligjeve me Kushtetutën. Po ashtu, do të ishte kontribut lejimi i çdo qytetari për ta "paditur" një akt nënligjor në gjykatë, për t‘i kërkuar gjykatës të shprehet për ligjshmërinë e çdo akti nënligjor, edhe kur vetë qytetari nuk preket në interesat e tij nga një akt nënligjor ose ligj. Në fund, do të ishte kontribut, një kulturë qytetare aktive që padit një akt nënligjor të kundërligjshëm ose një ligj kundërkushtetues edhe kur nuk preket drejtpërdrejt si person nga një akt ligjor a nënligjor, por i preket cilësia e mjedisit të vet si qytetar i këtij vendi.

Kjo gjendje vepron edhe në punën e universiteteve, veçanërisht universiteteve publike dhe është një nga shkaqet e krizës dhe çuarjes galopante të tyre drejt krizës. Edhe universitetet publike qeverisen, administrohen, menaxhohen shumë më tepër nga aktet nënligjore se nga ligji dhe Kushtetuta. E, sipas rregullit, ligji ka aspekte në kundërshtim me frymën dhe germën e Kushtetutës, ndërsa aktet nënligjore kanë aspekte në kundërshtim me ligjin. Por, po ashtu sipas rregullit, fuqinë më të madhe për praktikat e përditshme e kanë aktet nënligjore, pastaj ligji, dhe në fund Kushtetuta. Disa shembuj ilustrues dhe disa rrjedhoja të këtyre dy rregullave do të jepen më poshtë.

Shteti afrofe

Pothuajse në çdo teori për shtetin ka një pajtim rreth dy funksioneve të tij: bërja e ligjit dhe kontrollimi i zbatimit të tij, përfshi ndëshkimin në rast shkeljesh. Shteti shqiptar sistematikisht dhe historikisht ka dështuar në garantimin e zbatimit të ligjit, ndonëse ligje ka bërë (pavarësisht të mira apo të këqija). Edhe qeverisjet e fundit kanë dështuar në kontrollimin e zbatimit të ligjeve. E, për ta kompensuar këtë dështim ose është përpjekur ta përqendrojë në duart e veta çdo gjë, ose ka ndjekë praktikën e afrofe-së, aty afër, përafërsisht - po të huazojmë një term nga caktimi i pagesave të rrymës elektrike. Kështu p.sh. shteti "nuk mund" të kontrollojë origjinalitetin e një dëftese malli të importuar dhe vendosë një rregull të sistemit të referencave doganore për çmimet; nuk mundet të mbledhë pagesat e rrymës elektrike dhe vendosë fatura afrofe; e di se nuk mundet t‘u marrë fshatarëve taksat e larta për tokat djerrë dhe i kërcënon se do t‘ua marrë tokën e t‘ia japë dikujt tjetër me shpresë se mos i fusë të konfliktohen ndërmjet veti pronari e qiramarrësi i ri, por jo me shtetin. Po të pyeten sa banorë ka Shqipëria përgjigjen "afro 3.5 milionë", po të pyeten se sa banorë ka Tirana përgjigjen "afro 700 mijë" etj., etj. Kjo logjikë e shtetit afrofe mund të shihet në aq shumë akte ligjore e nënligjore sa me të drejtë ky shtet mund të quhet shtet afrofé. Një shtet afrofé është i kundërt me shtetin ligjor dhe të drejtë dhe një shkelës sistematik i të drejtave të qytetarëve. Logjika e shtetit që nuk e kontrollon zbatimin e ligjeve dhe ndëshkon shkelësit, por merr vetë përsipër menaxhimin e përditshmërisë, ose ngarkon në mënyrë afrofé, vepron edhe në fushën e universiteteve, veçanërisht atyre publike dhe është një ndër shkaqet e shtyrjes së tyre në krizë, siç do të shihet në rastet ilustruese në vijim.

Korrupsioni si legjitimim

Në masë të madhe, praktikat e një shteti nënligjor dhe afrofe legjitimohen me luftën kundër korrupsionit. Kështu lufta kundër korrupsionit është bërë një nga faktorët më rrënimtarë të shtetit, shoqërisë dhe, kuptohet, të universiteteve shqiptare.

Si një filozofi e luftës kundër korrupsionit është praktikuar një nga parimet më të diskredituara, parimi i centralizimit. Ndoshta rasti më ilustrues i rrënimit të institucioneve dhe të shoqërisë përmes centralizimit është ligji për tenderimet. Që të luftohet korrupsioni ekonomik-financiar, pothuajse e gjithë jeta financiare është përqendruar në qendër, në instancat më të larta të çdo institucioni, sepse "po t‘u lihet e drejta e blerjeve, shitjeve, pagesave etj., atyre poshtë paratë publike ka të ngjarë të shkojnë në xhepat personalë". Që të mos ndodhë ky shpërdorim, financa është centralizuar (përqendruar).

Nuk ka asnjë argument teorik, as praktik që mbështet këtë arsyetim. Përkundrazi, ka argumente teorike dhe praktike, të përvojës botërore e shqiptare, që dëshmojnë se logjika e centralizimit të financës shton korrupsionin.

Teorikisht nuk ka asnjë argument se "ata lartë" janë më pak të korruptueshëm se "ata poshtë". Në qoftë se natyra njerëzore është egoiste, e prirur më shumë drejt interesit dhe xhepit personal, nuk ka asnjë argument teorik se "ata lartë" janë më pak egoistë, pra me më pak natyrë njerëzore se "ata poshtë". Po ashtu, në qoftë se natyra e njeriut është e mirë, altruiste, nuk ka asnjë argument teorik se pse "ata lartë" janë më njerëz se "ata poshtë". Diskutimi shekullor për natyrën njerëzore ende nuk ka arritur në ndonjë përfundim nëse njeriu është në thelb i mirë (= altruist) apo i keq (= egoist).

Teorikisht për ndërtimin institucioneve të mira shpesh është supozuar një individualizëm metodologjik që e merr njeriun si në thelb egoist. Kjo veçanërisht në doktrinat institucionaliste të djathta. Sfida është se si të ndërtohen institucione që japin rezultate shoqërisht të mira kur njerëzit mund të jenë egoistë, sepse puna do të ishte krejt e lehtë sikur njerëzit të ishin engjëj, altruistë, të prirë kah e mira e tjetrit dhe e shoqërisë. Nëse institucionet janë të mira në rastin më të vështirë, pra kur njerëzit janë egoistë, atëherë është përfshirë edhe rasti më i lehtë kur njerëzit janë altruistë. Ndërsa e kundërta nuk është e garantuar.

Teorikisht, në këtë filozofi (të djatht&eumlsmiley shpërqendrimi i financës ka shumë më tepër të ngjarë të pengojë korrupsionin, me të vetmin kusht: shteti të kryejë funksionin e vet kontrollues dhe ndëshkues. Në një model të tillë teorik "ata poshtë", si egoistë, do të kishin shumë më tepër frikë të fusin në xhep paratë publike sepse kanë sipër tyre dhjetëra instanca kontrolli dhe ndëshkimi. Ndarja e fitimit me të gjitha këto kontrolle, në mënyrë që t‘i korruptojë kontrolluesit, u del pa leverdi. Ndërsa "ata lartë" kanë shumë pak instanca kontrolli sipër vetes dhe prandaj guximi i tyre për të futur në xhep paratë publike është më racional, edhe ndarja e fitimeve me kontrollorët (të cilët po ashtu nuk kemi arsye t‘i mendojmë si jo egoist&eumlsmiley është më me leverdi për të dyja palët, sepse janë më pak, dhe sepse shumat që vihen në lëvizje janë shumë më të mëdha dhe të mjaftueshme për "ata pak veta lartë". Pra, në qoftë se për egoistin nuk ka shumë ndalesa morale, por shmangia e ndëshkimit është racionale edhe për të, në qoftë se "frika ruan vreshtin", atëherë frika e "atyre poshtë" është shumë më e madhe të kryejnë akte korrupsioni se frika e "atyre lartë". Ky model, gjithsesi funksion vetëm në një kusht: kur shteti kontrollon dhe ndëshkon shkeljet ligjore.

Praktikisht, nga përvojat e përditshme, është vështirë të besohet se "ata lartë" janë më pak të korruptueshëm dhe më të ndershëm. Përkundrazi, besimi më i përhapur në këtë vend është se njerëzit sa më lartë janë, aq më të korruptuar janë, se madje po qe i ndershëm nuk mundet të bëjë karrierë, se madje pikërisht ndershmëria i ka lënë shumë njerëz "atje poshtë" etj. Të gjitha këto mund të jenë opinione të pabazuara, por janë opinione shumë të përhapura, çka duket në sondazhet dhe anketimet e shumta për perceptimin e korrupsionit, si dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. I gjithë ky perceptim mundet të jetë i rrejshëm, por ai është konteksti i motivimit dhe guximit për t‘u ngjitur lartë. Shumë njerëz janë të motivuar dhe përpiqen të ngjiten lart, shpesh me sukses, sepse kanë këtë pritshmëri dhe kanë këtë pritshmëri sepse kanë këtë perceptim. E kur arrijnë lart përpiqen të realizojnë motivin dhe ëndrrën e tyre për korrupsion. Prandaj ky perceptim, i rrejshëm apo i bazuar, është shumë i rëndësishëm për korrupsionin më të madh pikërisht "atje lartë".

Në fund, parimi dhe filozofia e centralizimit të operacioneve ekonomike si rrugë e luftës kundër korrupsionit është diskredituar gjerësisht në teoritë dhe praktikat botërore, veçanërisht në rastin e komunizmit. E tani kjo praktikë është bërë themeli dhe filozofia e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Kjo logjikë dhe kjo filozofi e ka prekur dhe është një nga shkaqet më të rëndësishme që e ka çuar dhe po e çon universitetin drejt krizës dhe gati falimentimit. Siç do të shihet më tej mbi këtë bazë janë vendosur shumë praktika ligjore e nënligjore të universiteteve që e dëmtojnë rëndë natyrën e tyre.

Mungesa e sistemit

Praktika universitare në Shqipëri përcaktohet nga një bashkim eklektik gjërash, të cilat vështirësojnë funksionimin e tyre. Kështu, në mënyrë eklektike është bashkuar në vija të përgjithshme ligji francez i arsimit të lartë, praktika italiane e curriculave me 22 provime dhe konteksti shqiptar. Ky bashkim eklektik ligjesh dhe praktikash të ndryshme me njëra-tjetrën, dhe të dyja së bashku të ndryshme nga konteksti shqiptar kanë bërë që të mos ndërtohet një sistem i arsimit të lartë. Prandaj arsimi i lartë në Shqipëri nuk është sistem, nuk ka koherencë, nuk është lidhje elementesh dhe marrëdhëniesh funksionale ndërmjet elementeve. Ky bashkim eklektik bën që "sistemi" i arsimit të lartë në Shqipëri të ecë si rrangallë, me krisma, kuisje, fërkime pjesësh dhe rrotëzash që improvizohen shpesh dhe ndërrohen shpesh duke hequr mundësinë e krijimit të rutinave, traditave dhe elementëve të tjerë kulturorë të jetës universitare. Ky ndërrim i shpeshtë dhe improvizim i shpeshtë krijon çorientim te të gjithë: akademikët, studentët dhe administrata universitare.

Ky konstatim jep edhe një orientim për rregullimin e gjendjes universitare në Shqipëri. Pra, gjendja do të rregullohej duke krijuar një sistem koherent, logjikisht koherent të arsimit të lartë të përshtatshëm për kontekstin shqiptar. Në qoftë se mungojnë aftësitë për të ngritur një sistem të tillë, atëherë së paku të "kopjohej" një sistem koherent, por ama një sistem dhe jo bashkime eklektike dhe pa lidhje elementesh të sistemeve të ndryshme.

Universiteti: Ligji mbi Kushtetutën

Vetë ligji i arsimit të lartë shfaq dhe përforcon disa nga karakteristikat e përgjithshme të kontekstit që u përshkrua më lart, të kulturës juridike si në pasqyrë, të shtetit afrofe etj. Kështu p.sh. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në pjesën "liritë dhe të drejtat themelore të njeriut", neni 18, jep garancinë kushtetuese se "askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore", sigurisht "nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive". Ose thënë pozitivisht nëse "ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive" kushdo mund të diskriminohet sipas këtyre karakteristikave, pra edhe për shkaqe të tilla si "gjendja arsimore".

Mirëpo ligji për arsimin e lartë, në disa nene i diskriminon njerëzit, qytetarët pikërisht për shkak të llojit të arsimit, ose thënë më qartë ligji i diskriminon njerëzit pse janë arsimuar në Shqipëri, pse kanë marrë llojin e arsimimit të cilin e rregullon ky ligj, pse kanë gjendjen shqiptare të arsimit! E sipas kulturës tonë juridike të pasqyrimit, ligji ka më shumë fuqi se Kushtetuta. Kështu p.sh. Ligji për Arsimin e Lartë në Shqipëri (i ndryshuar), neni 20, pika 2, qytetarëve që kanë marrë nivelin e tretë të arsimit universitar, gradën Doktor (PhD) në universitete perëndimore u njeh të drejtën të zgjidhen si dekanë fakultetesh, ndërsa këtë të drejtë nuk ua njeh qytetarëve që kanë marrë të njëjtën gardë në bazë të të njëjtit nivel të arsimimit në Shqipëri. Ky diskriminim, pra, bëhet për shkak të arsimit, "për shkak të gjendjes arsimore", çka Kushtetuta e ndalon. Sigurisht, për këtë përjashtim "nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive". Sigurisht, ligji në Shqipëri ka më shumë fuqi se Kushtetuta dhe prandaj në zgjedhjet, të doktoruarëve në Shqipëri nuk u lejohet të kandidojnë për postet e dekanëve. Po ashtu, me siguri, nuk ka vdekur njeri nga diskriminimi pse nuk është bërë dekan. Por për marrëdhënien e ligjit me Kushtetutën, dhe për logjikën e shtetndërtimit, veçanërisht të shtetit ligjor kjo është shumë, shumë e rëndësishme. Po kaq dëmtues për ndërtimin e shtetit dhe, rrjedhimisht të universitetit është reagimi me cinizmin se "ama diskriminim qenka se s‘u bëka tjetri dekan"!.

Universiteti: Ligji afrofé

Nuk ka ndonjë arsye për t‘u besuar dhe nuk ka ndonjë argument të ngritur mbi dëshmi të kontrollueshme objektivisht e ndërsubjektivisht se doktoraturat e mbrojtura nga qytetarët shqiptarë në universitete perëndimore janë më shkencore se ato të mbrojtura në universitetet shqiptare. Është vetëm një opinion afrofé i ligjvënësve, një: "me përafërsi doktoraturat e mbrojtura në Perëndim duhet të jenë më shkencore sepse atje arsimi është më cilësor dhe kërkesat më të larta".

Por ky është vetëm një mendim me afërsi, afrofé, sepse madje ligjvënësit as nuk janë në gjendje të vlerësojnë shkencitetin e punimeve shkencore. Për më tepër, një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë i kanë mbrojtur doktoraturat në universitete perëndimore me tema nga Shqipëria dhe jeta shqiptare. Në shumicën e këtyre rasteve njeriu më i ditur dhe më i informuar se gjithë juria dhe komisioni vlerësues është vetë doktoranti. Ndërsa ndonjë prej anëtarëve të jurisë edhe mund të ketë dëgjuar se ku i bie Shqipëria.

Një pjesë e madhe e temave të doktoraturave janë mbrojtur me temën e Kanunit dhe gjakmarrjes pa i shtuar ndonjë gjë vështrimit ekzotik të Edith Durhamit, të para një shekulli. Dhe po ashtu pa i shtuar ndonjë gjë paraqitjes së jetës shqiptare si të terrorizuar nga gjakmarrja.

Natyrisht një pjesë e madhe e doktoraturave të mbrojtura jashtë, në universitetet perëndimore nuk janë botuar kurrë në shqip, dhe shumë prej tyre mund të mos e marrin kurrë guximin t‘i botojnë në shqip të pandryshuara dhe t‘i ballafaqojnë tezat e tyre ekzotike e zbavitëse për perëndimorët me shqyrtimin kritik dhe të informuar të komunitetit shkencor shqiptar. Sigurisht, para një komisioni në ndonjë universitet perëndimor ministri i ynë i Kulturës, i cili është arsimuar pikërisht në këto universitete perëndimore, ka shumë të ngjarë ta kalonte pa probleme, si fakt, se eshtrat e Ismail Qemalit gjenden në Itali dhe se qeveria shqiptare po bën përpjekje t‘i kthejë në vend, në kuadrin e një politike nacionaliste. Por, këtë pohim nuk mundet ta kalojë as para një gazetari shqiptar, dhe aq më pak para një komisioni shkencor.

Ndoshta edhe këto që po them janë opinione afrofé, të pabazuara, por së paku janë të bazuara, sepse doktoraturat e mbrojtura në universitete perëndimore nga qytetarë shqiptarë janë të arritshme për t‘u kontrolluar edhe kur nuk botohen në shqip. Po ashtu, që ky mendim të dëshmohet si i pabazuar, paragjykues, ziliqar etj., do të ishte mirë që ndonjë prej këtyre doktorantëve ta botonte punimin e vet të doktoraturës edhe në shqip.

Si përfundim, të dyja mendimet mund të jenë të pabazuara, ose pjesërisht të bazuara. Prandaj ligjit nuk i lejohet të diskriminojë mbi opinione të tilla afrofé, as të njërit dhe as të tjetrit, pikërisht sepse këto nuk janë "një përligjje e arsyeshme dhe objektive" për të diskriminuar për shkak të arsimit siç kërkon Kushtetuta. Pikërisht për këtë duhet respektuar Kushtetuta që ndalon çfarëdo diskriminimi për shkak të gjendjes arsimore, se dikush është arsimuar në gjendjen e arsimit në Shqipëri tani, dikush në gjendjen e arsimit në socializëm, dikush para Luftës së Dytë Botërore etj. Derisa askush nuk është diskriminuar për shkak të gjendjes arsimore të fituar në periudhën e socializmit, nuk ka arsye objektive te diskriminohet për shkak të gjendjes arsimore të fituar pas rënies së socializmit. Mirëpo ata që i kanë fituar gradat e titujt në kohën e socializmit gëzojnë të gjitha të drejtat dhe madje janë në shumicë akademikë.

Por, në kontekstin e një shteti afrofe edhe Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë është vetëm një rast i tij. Është po ashtu një ligj afrofe, me përafërsinë se "ata që janë doktoruar në Perëndim duhet të jenë më të mirë"! Edhe pse kjo nuk bazohet.

Për më tepër ligji saktëson "në universitete perëndimore", duke dëshmuar qartë se fjala është për një logjikë afrofé, sepse në mos universitetet shqiptare, së paku ka në botën joperëndimore universitete të shquara për akademizmin e tyre, ka universitete ruse, kineze etj., të cilat po lënë pa frymë për arritjet e tyre në mendimin teknologjik, ekonomik, politik etj., edhe vetë universitetet perëndimore. Por ligjvënësit tanë me filozofinë e tyre afrofe, mendojnë afrofe se edhe ato duhet të jenë të dobëta si universitetet tona sepse janë lindore!

(Vijon në numrin e ardhshëm)

1 Komente

Hysamedin Ferraj tek "Mos humbisni"?!

Shume "benefit of the doubt" po kerkohet, por po pres me (pa)durim numrin e ardhshem.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).