Ka filluar fushata e zgjedhjeve lokale

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u mbyllën. Pak me vonesë e disi me probleme, por u mbyllën. Siç është bërë e udhës në gjithë periudhën e tranzicionit tonë të tejzgjatur, zgjedhjet nuk përfundojnë ditën kur KQZ-ja jep vendimin, por kur partitë (kryesisht ato të opozitës) shterojnë argumentet e tyre në lidhje me zgjedhjet e fundit. Partia Socialiste e Edi Ramës i ka shteruar tashmë të gjitha argumentet e saj në lidhje me zgjedhjet, pasi kërkesa gjysmë legjitime e saj për hapje kutish nuk u pranua po në mënyrë gjysmë legjitime nga qeveria. Politikisht i gjithë ky proces degjeneroi në akuza e shpifje të palëve në proces, ku më i spikaturi ishte si zakonisht zoti Berisha.
Ky i fundit, mjeshtërisht arriti të shmangë vëmendjen nga e vetmja kauzë e drejtë e opozitës, që ishte hapja e kutive nëpërmjet një hetimi parlamentar. Herë me luftën e tij imagjinare kundër mafies e herë me ndërhyrjet ekzekutive në dëm të biznesit të ndërtimit, ai arriti ta shfokusonte vëmendjen e opozitës dhe të vetë opinionit publik nga kërkesa për hapjen e kutive. Tani ai e ka përqendruar vëmendjen e opinionit te bashkitë e drejtuara nga socialistët, pallatet e deputetëve të PS-së, shtetëzimi i tokave të kundërshtarëve politikë, bllokimi i KRT-ve dhe lejeve të ndërtimit, ndërhyrjet në buxhetet e kompetencat e pushtetit vendor etj. Për hir të së vërtetës, Berisha arriti ta shmangë vëmendjen nga kërkesa për hapje kutish (terren moralisht i pasigurt për t&eumlsmiley në kërkesën më radikale të opozitës për largimin e tij (terren ky shumë i sigurt për t&eumlsmiley. Kutitë u harruan, sepse njerëzit që protestojnë mendojnë se do ta largojnë Saliun, pa e ditur ende se si. Kutitë u harruan sapo njerëzit filluan të merren me ndërtimet e pallateve dhe me ndërtuesit deputetë që futi Edi Rama në grupin parlamentar dhe në organet drejtuese të PS-së.
Grackat që ngriti Berisha me shpronësimet në qendër të Tiranës dhe me prishjen e të ashtuquajturit "pallati i Dashit", çuditërisht zunë mat Ramën, bashkinë dhe Partinë Socialiste. Të tre këta faktorë, duke dalë në mbrojtje të pronës dhe ligjit, i dëshmuan opinionit publik se Berisha ka pjesërisht të drejtë në akuzat e tij për "kapje të Partisë Socialiste nga biznesmenët e ndërtimit". Tashmë, falë kësaj lëvizje të Berishës, të gjithë e dinë fare mirë se sa i dobët do të jetë reagimi politik i Partisë Socialiste me deputetë ndërtues dhe krejt vulnerabël ndaj çdo akuze politike e legale. Fakti që PS-ja kishte kaq shumë biznesmenë në grupin e saj parlamentar dihej, por që për shkak të këtij grupi politika e partisë do merrej peng, kjo mbetej për t‘u provuar dhe u provua!
Përvoja e derisotme na mëson se Berisha rrit dozën e akuzave publike dhe fillon të kryejë veprime absurde, kur është në fushatë elektorale. Kur është në fushatë i ka kërkuar "leje" opinionit publik që të shajë e shpifë se nuk e ka seriozisht (për fat të keq edhe opinioni ia ka dhënë këtë "leje" vazhdimisht). Ky është stili agresiv i Berishës kur bën fushatë elektorale. Në këtë fushatë, Berisha kërkon më shumë se asgjë dhe asnjëherë tjetër të marrë Bashkinë e Tiranës. Tirana ka mbi 11 vjet, në çdo votim që është bërë, që nuk e voton Atë. Natyrshëm, një politikan që pa e fshehur fare, kërkon të hyjë në historinë e Shqipërisë (kjo është sfida e deklaruar e Berishës) nuk mund të pranojë që kryeqyteti i vendit nuk e voton. Prandaj, me çdo kusht ai e kërkon Tiranën dhe prandaj ka filluar fushatën elektorale kaq shpejt. Nuk është se nuk i ka vënë në "rrugë të mbarë" punët për ta marrë politikisht këtë bashki. Fillimisht ai u investua që të mos largohej Rama nga politika, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009. Berishës i duhej dhe i duhet ende Rama në politikë, sepse ka me kë dhe me çfarë të merret. Edhe pse Rama ka qenë i kujdesshëm në zbatimin e ligjeve në veprimtarinë e tij administrative, përsëri konsumi i tij i gjatë politik në krye të bashkisë i bën deri diku akuzat apo shpifjet e Berishës të besueshme. Këtë gjë Berisha e di mirë, prandaj dhe i duhet Rama në krye të PS-së dhe të Bashkisë së Tiranës.
Nga ana tjetër, Rama, që luan mjeshtërisht rolin e "viktimës" të qeverive "të politikës së vjetër" dhe Partia Socialiste kanë hyrë në një ngërç politik për shkak të faktit se bashkia, nga njëra anë është shndërruar në kosto politike për ta dhe, nga ana tjetër, kanë detyrimin për të mos e lëshuar politikisht këtë bashki. Ky ngërç kërkon zgjidhje, të cilat lidhen në mënyrë ekskluzive me sjelljen politike të Ramës. Ky i fundit është i marrë peng nga Berisha, i cili edhe pse me ndërhyrjet jo ligjore që po bën në bashki dhe në disa veprimtari private të lidhura me bashkinë, po synon t‘i presë "krahët" jo mafies (sigurisht), por Ramës. Rama realisht nuk e di se ç‘të bëjë me bashkinë, ta lërë duke caktuar ndonjë tjetër që nuk i dihet a e fiton apo të rrijë që të rrezikojë të mundet në zgjedhjet e ardhshme falë bashkëpunimit PD-LSI.
Në këto kushte Rama ndodhet në një trilemë politike; të hyjë vetë në zgjedhje, por me riskun që humb dhe moralisht largohet nga politika përfundimisht; të caktojë dikë tjetër, me riskun që bashkë me humbjen e bashkisë humb dhe ndërtuesit deputetë; të bojkotojë zgjedhjet (deri tani kjo mendohet se do të ndodh&eumlsmiley me arsyetimin se "Saliu i vjedh", por prapë me riskun që humb edhe partinë elektoralisht kur të largohen edhe të punësuarit e fundit nga shteti. Në këtë trilemë politike për Ramën, po fiton terren politik Berisha, i cili kujdeset të hedhë sasinë e nevojshme të "helmit" politik. Për hir të së vërtetës, sulmi i tij politik nuk bëhet për të kthyer opozitën në Kuvend (as që i intereson një gjë e till&eumlsmiley, por thjesht i duhet të zgjasë jetën trilemës së Ramës.
Nga ana tjetër, Berisha luan politikisht nën presionin se ka shumë gjasa që me gjithë aleancën e tij me LSI-në përsëri të mos e fitojë Tiranën. Prandaj dhe nuk e deklaron qartësisht këtë objektiv politik, që del qartë nga veprimet e tij politike. Në çdo rast, kjo betejë do t‘i shërbejë Atij për të rrudhur dukshëm Partinë Socialiste në pjesën tjetër të pushtetit lokal dhe për të konsoliduar pushtetin e tij qendror edhe pas "ndotjes" nga sulmi opozitar për vjedhje votash. Po të mendosh se këtë gjë e bëri më 2007-n, kur shpalli "Shqipërinë blu", megjithëse nuk e votoi më shumë se gjysma e votuesve, kjo që pritet të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme është relativisht e thjeshtë për mjeshtrin e propagandës Berisha. Sidoqoftë, një gjë mbetet qartësisht e dukshme se nëse vazhdon kjo gjendje Partia Socialiste rrezikon shumë, deri në vetëshkatërrim.
Për fat të keq, llogaritë e Berishës dhe të Ramës në këtë fushatë të gjatë elektorale, mbajnë peng të gjithë opinionin publik që pret nga politika gjëra më serioze për të zgjidhur. Mbi të gjitha shqiptarët sot rrezikojnë të ardhmen e tyre demokratike, pasi cilado qoftë zgjidhja politike e pas përplasjes Berisha - Rama demokracia do të humbë. Më shumë se sa gjithçka tjetër, demokracia e re shqiptare do të humbë vetë shqiptarët, që në mënyrë të përsëritur do të ndiejnë se janë mashtruar nga politika e papërgjegjshme.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).