It’s the economy, stupid!

“It’s the economy, stupid!” Është ekonomia, o budalla! Me këtë slogan ironik, agresiv, dhe shumë të mirëtargetuar, fushata presidenciale e Bill Clinton në 1992 ia doli mbanë të fitonte mbi George Bush, që për momentin konsiderohej si i pamundshëm pas sukseseve diplomatike dhe fitores së Luftës së Gjirit. Amerikanët perceptuan (dhe votuan) Clinton si zgjedhjen më të mirë, sa kohë që Bush nuk kishte mundur të punonte për ekonominë, e cila kishte kaluar në recesion.

Komshiu im, xha Miço, nuk është shumë familjar me politikën amerikane. Shumicën e kohës e kalon duke luajtur domino, duke kujtuar ‘kohët e arta’ të komunizmit, “kur të gjitha gjërat shkonin mirë”, dhe duke lexuar me terezi gazetat majtas e djathtas. E ftoj për kafe, e tek përpiqem t’i uroj festa të gëzuara, ai qesh e më thotë: “Po ç’festa mor bir, ne s’po na dalin paratë as për të blerë bukë, kafe e ilaçe! Na rroftë NATO e integrimi, po s’mbahet shteti me llafe e premtime, se ekonomia ka marrë të tatëpjetën e rripi po shtrëngohet dita-ditës!”

Në thjeshtësinë e mençurinë e vet, xha Miço e ka kuptuar thelbin e mirëqeverisjes. Ekonomia!

Ditët e fundit të gjithë mësuam që qeveria na qenkësh në krizë financiare! Pas vitesh rritjeje ekonomike, që bënte xheloze Kinën, Indinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (po, po!), Shqipëria duket se nuk i ka fort mirë punët financiarisht. Pensionistët do të marrin sivjet vetëm 2500 lekë shpërblim për festat e fundvitit (mjaftueshëm sa për një gjysmagjel); administrata publike duhet ta harrojë rrogën e 13-të, por do duhet të kënaqet me 10.000 lekë shpërblim, dhe akoma më për t’u alarmuar është fakti që qeveria urdhëron që rrogat e dhjetorit të shpërndahen në janar, duke treguar që arka e shtetit është bosh e që punonjësit e shtetit do t’i kalojnë festat me ç’pará u ndodhen nëpër duar, sa të mblidhen ca lekë për të siguruar rrogat.

Sikur të mos mjaftonin këto, shqiptarët mësojnë se faturat e energjisë elektrike do të rriten me 13% (rritja e parë në një vazhdë të tillash), shumicës së bizneseve do t’i duhet të falimentojë pas riklasifikimit të bizneseve të vogla në të mëdha, deficiti tregtar do vazhdojë të thellohet, euro do vazhdojë të fitojë terren ndaj lekut, dërgesat nga emigrantët natyrshëm do vazhdojnë të bien, ndërsa çmimet sigurisht që do vazhdojnë të rriten.

Qeveria, pasi shkelmoi jashtë vendit misionin e FMN, dhe në yryshin e fushatës elektorale i ra me top financave të shtetit, sa kohë që roja ishte përzënë dhe vreshti i takonte hajdutëve, tani dëshpërimisht kërkon që FMN të kthehet e të na japë ndonjë ndihmë financiare përpos këshillave tejet të vonuara. Investimet publike janë kthyer në një gropë thithëse (70 milionë euro janë vetëm borxhet te firmat e ndërtimit), thashethemet thonë që tuneli i Kalimashit s’rregullohet më as me 25 milionë eurot ekstra, dhe 160.000 vende të reja pune (të premtuara nga konglomerati integrues PD-LSI), s’dihen se nga do dalin e me ç’pará do krijohen.

Mazhoranca qeverisëse nuk hezitoi të shpenzonte miliona euro për të festuar 8 dhjetorin, por festimet, banderolat e këngëtarët nuk e ndryshojnë realitetin e hidhur, me të cilin përballen sot shqiptarët. As premtimet për lëvizjen e lirë, as integrimi në NATO, as marrja e pyetësorit nga BE, as përgëzimet e Partive Popullore Evropiane, as fotografia me Papën; asnjë nga këto reklamat propagandistike e trulavazhet e qeverisë nuk do të mund të vendosin ushqim në tryezat e shqiptarëve e nuk do ta ndihmojnë ekonominë e vendit. As lufta ndaj aleancës punisto-mafioze, as reminishenca e monopolizimi i përpjekjes heroike për të sjellë demokracinë në vend, as shkatërrimet e pallateve e sulmi ndaj bizneseve që janë kundër mazhorancës, nuk do të mund të heqin vëmendjen nga fakti që kjo qeveri ka dështuar haptazi në menaxhimin e parasë publike dhe në forcimin e ekonomisë.

Herët a vonë qeverisë do t’i duhet të japë llogari, ndërsa shqiptarët (ashtu si xha Miço) do kuptojnë që ngjyra politike s’mund të determinojë aftësinë apo paaftësinë e një mazhorance për të miradministruar paranë publike e për të gjeneruar rritje ekonomike të prekshme e të vlefshme për xhepat e të gjithëve e jo për një pakicë në pushtet. Deri atëherë do na duhet të dëgjojmë pallavrat e përditshme që tentojnë të heqin vëmendjen e shqiptarëve nga e vërteta themelore: Është ekonomia, o budalla!

6 Komente

Me nje fjal, slogani i vitit tjeter, do jete ndonje variacion i "Edhe bar do hame ..."

Titulli: Eshte ekonomia ajo qe dikton dhe jo ti mor gamor!

Hajde artikull hajde!

...thashethemet thonë që tuneli i Kalimashit s’rregullohet më as me 25 milionë eurot ekstra...

Merru me thashetheme ti vella se ashtu merret edhe shefi yt Merua.Dhe nuk i ka dale keq.Ka ngrene me Saliun dhe po ha me Remen.

....Komshiu im, xha Miço, nuk është shumë familjar me politikën amerikane. Shumicën e kohës e kalon duke luajtur domino, duke kujtuar ‘kohët e arta’ të komunizmit, “kur të gjitha gjërat shkonin mirë”, dhe duke lexuar me terezi gazetat majtas e djathtas. E ftoj për kafe, e tek përpiqem t’i uroj festa të gëzuara, ai qesh e më thotë: “Po ç’festa mor bir, ne s’po na dalin paratë as për të blerë bukë, kafe e ilaçe! Na rroftë NATO e integrimi, po s’mbahet shteti me llafe e premtime, se ekonomia ka marrë të tatëpjetën e rripi po shtrëngohet dita-ditës!”

Në thjeshtësinë e mençurinë e vet, xha Miço e ka kuptuar thelbin e mirëqeverisjes. Ekonomia!....

Tani per cdo gje duhet te pyesim xha Micon.Ai me rradaken e tij do te na thote te kthehemi prape ne komunizem.Cjane ata ekonomiste qe lehin ne BB se ekonomia ka rritje 2-3%.Pyesni xha Micon se ai i di te gjitha.

Keshtu duhet bere.U vendos do te kthehemi ne komunizem perseri.

s’po na dalin paratë as për të blerë bukë, kafe e ilaçe!

Eh prioritetet e një pensionisti, ilaç e kaluar ilaçit ajo kafja e shkretë

Me kujton ate kengen -ky artikll;

Haja qenit, pija qenit

ne i bim' karadyzenit

Ky kapitalizmi jone nuk bon per pensionista shoku "xha Miço" 

Ca do me thene "mirëtargetuar"?

Po kjo "Komshiu im, xha Miço, nuk është shumë familjar me politikën amerikane. " Mos do te thote qe xha Mico nuk e ka kusheri ndonje politikan Amerikan?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).