Iran, dhunë dhe viktima

Policia vret 10 manifestues

Dhunë dhe gjak në Iran, në ditën e Ashures, festës fetare më të rëndësishme për shiitët. Për të dytën ditë radhazi, Teherani është kthyer në teatrin e përplasjeve mes manifestuesve dhe policisë, madje sipas burimeve opozitare më shumë se dhjetë persona kanë humbur jetën në kryeqytet dhe në Tabriz. Policia kishte mohuar se kishte pasur viktima, por pasdite televizioni shtetëror iranian ka konfirmuar se përplasjet në Teheran mes manifestuesve të opozitës dhe forcave të rendit ka shkaktuar disa dhjetëra të vdekur e të plagosur nga të dyja palët. Mes personave që kanë humbur jetën në Teheran është edhe nipi i liderit reformator, Mir Hossein Mousavi. "Sot, në mesditë, Sayed Ali Mousavi, nipi 35-vjeçar i Mir Hossein Mousavi, u godit në zemër pranë sheshit "Enghelab" dhe vdiq ndërsa transportohej me urgjencë për në spitalin "Ebnesina", ka raportuar "Parlemannews", sajti zyrtar i pakicës reformatore në Parlamentin iranian. Më vonë lajmi u konfirmua edhe nga një prej këshilltarëve të Mousavit. Ndërkaq, forcat e sigurisë, nga ana e tyre kanë mohuar gjithçka. "Nuk ka lajme për të vdekur. Asnjë prej manifestuesve nuk është prekur", tha kreu i policisë së Teheranit, Azizollah Rajabzadeh, cituar nga agjencia e lajmeve Isna. Por, televizioni iranian "Press tv" ka konfirmuar se të paktën katër manifestues janë vrarë në Teheran nga persona të panjohur. Policia ka vazhduar të mos pranojë asgjë dhe të theksojë se milicitë e vendosura në kryeqytet nuk janë të pajisura më armë zjarri. "Policia nuk ka goditur asnjë manifestues as në Teheran dhe në asnjë vend tjetër", vazhdonte të këmbëngulte Azizollah Rajabzadeh. Një dëshmitar ka treguar për BBC-në se kishte parë një makinë policie që kishte shtypur një manifestues.

Mes viktimave në kryeqytet është një burrë i moshuar, i goditur në ballë, që më pas është larguar nga manifestues të tjerë. Mijëra persona të bashkuar në grupe të vogla, u mblodhën në sheshin "Enghelab", në qendër të kryeqytetit iranian, pavarësisht pranisë së forcave të shumta të sigurisë. Policia ka ndërhyrë menjëherë, fillimisht me gaz lotsjellës, për të shpërndarë turmën që u ka vënë flakën kazanëve të plehrave. Opozitarët kundër Ahmadinexhadit kishin paralajmëruar se do të kishte manifestime në vend përpara ceremonive të festës së Ashures. Herët në mëngjes, sajti Rahesabz kishte folur për goditje direkte të policisë mbi turmën e manifestuesve edhe pse ky lajm nuk është pranuar kurrsesi nga policia. Sipas të tjera burimeve, manifestimit të opozitës, mbështetësit e Presidentit Ahmadinexhad iu përgjigjën me një kundërmanifestim. Turma që kishte zbritur në shesh për të festuar një nga festat më të rëndësishme fetare të shiitëve, ka prononcuar slogane kundër Presidentit, duke bërtitur: "Vdekje diktatorit!". Ndërkohë, në Teheran është ndërprerë krejtësisht komunikimi me telefonat celularë. Edhe aksesi ndaj shumë faqeve të internetit është bllokuar. Helikopterët e policisë kanë kontrolluar vazhdimisht qytetin nga lart, ndërsa lajmet për incidente, sidomos në zonën qendrore të kryeqytetit, nuk kanë munguar gjatë gjithë ditës. Përplasje mes forcave të rendit dhe opozitarëve janë zhvilluar edhe në Isfahan, në qendër të Iranit dhe në Najafabad, qytetin e lindjes së ajatollahut reformator, Hossein Ali Montazeri, që vdiq pak ditë më parë. Përleshjet kanë nisur në vend pas zgjedhjeve të 12 qershorit, që zgjodhën sërish fitues Ahmadinexhadin. Ato u kundërshtuan hapur nga opozita dhe mijëra protestues që akuzonin regjimin për manipulim votash zbritën në shesh për të protestuar. Në manifestimet e ndryshme të atyre ditëve vdiqën të paktën 30 persona që u vranë nga milicia Basij dhe pati më shumë se një mijë të arrestuar, shumë prej të cilëve vazhdojnë të jenë akoma në burg.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).