Intervistë me kryeministrin Sali Berisha

Zëri Amerikës: Zoti Kryeministër, së pari ju falenderoj për këtë intervistë në fund të këtij viti. Ndoqa një konferencë shtypi tuajën, ku bëtë një përmbledhje të 100 ditëve të para të mandatit tuaj të dytë qeverisës, e cila në të vërtetë ishte dhe një analizë e këtij vitit, një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, me ngjarje të rëndësishme si anëtarësimi në Nato, një moment historik, ecuria e integrimit europian gjithashtu. Ju folët me superlative, folët për reforma historike, për ditë historike në këtë periudhë 100 ditore. Dukej sikur ishte edhe një përpjekje për të zbehur një realitet të vështirë politik: një parlament pa opozitën brenda.

Sali Berisha: Unë mendoj se asgjë nuk mund të zbehë dritën, ndriçimin, shkëlqimin e vendimeve më të mëdha që bota e lirë ka marrë për Shqipërinë e shqiptarët nga viti 1912 deri më sot, siç është anëtarësimi i Shqipërisë në Nato. Kjo përbën një arritje historike për çdo shqiptar. Së dyti, lidhur me të, ka patur një moment të veçantë dhe e kam theksuar disa herë, se ky vendim na u dha, në një aspekt, në mirëbesim. Cili ishte aspekti? Ai i zgjedhjeve. Parë me realitetin më të madh, mes 28 vendeve anëtare të Natos ne ishim i vetmi vend me probleme të konsoliduara në procesin zgjedhor, se probleme mund të ketë çdo vend, por për fat të keq anormalitetet në procesin zgjedhor tonin ishin të konsoliduara dhe 28 qershorin e prisnin që të gjithë me interesin më maksimal. Do zhvillojë Shqipëria zgjedhje të standarteve të OSBE-së apo jo?. Mendoj se më 28 qershor qeveria ime por dhe shoqëria shqiptare në tërësi, përfshirë këtu edhe opozitën i dha përgjigjen më të mirë në tërë historinë e këtij procesi.

Pra nxorrëm Shqipërinë nga lista e vendeve me probleme të papranueshme në zgjedhje. Pikërisht për këtë arsye themelore dhe faktin tjetër se shumica e dalë nga këto zgjedhje ja doli të tregojë performancë të plotë në reforma, jo vetëm vullnet të shprehur, por zbatim në praktikë dhe ndërmarrje njëra pas tjetrës, u bë e mundur që vendimi që mbahej pezull për kërkesën për anëtarësim dhe kjo mbahej pezull për shkak të zgjedhjeve, të shndërrohet në realitet. Pra vjen pas anëtarësimit në Nato, vendimi i dytë më i madh në historinë e vendit dhe këto janë vendime historike, jo se unë i përcaktoj të tilla, por ato të tilla janë, sepse ky vendim përcakton që Shqipëria ecën drejt anëtarësimit në BE. MSA është një paraproces, procesi i vërtetë nis më 16 nëntor. Ky vendim u mor. Opozita nuk ishte në parlament. Në rast se bota demokratike do të kishte qoftë edhe dyshimin më të vogël se opozita ka të drejtë në pretendimin e saj vendimi nuk merrej. Ky vendim u jepet vendeve që kanë përmbushur detyrimet dhe rregullat demokratike. Nuk mund të mos jetë historik vendimi që Shqipëria të kalojë në listën e bardhë për heqjen e vizave. Sërish opozita nuk ishte në parlament. Por një gjë, gjatë gjithë këtyre muajve unë në mënyrën më të sinqertë kam ftuar opozitën të hyjë në parlament, kam bërë ofertën time, sikundër e kam garantuar se është shumë e gabuar se mund të mendoj se mund të penalizojë vendin me bojkotin e saj “sine material”. Unë nuk shpall vetën kurrë, nuk dua të bëj profetin, por këto parashikime u bënë realitet. Në harkun kohor të 100 ditëve kur zoti Rama qarkoi Shqipërinë me një kërkesë që në themel është antidemokratike, pse është antidemokratike? Sepse po kërkon që parlamenti të cilin procedura juridike e pengon nuk e lejon, të cilin kushtetua nuk e lejon, të cilin vetë komisioni nuk e lejon, të cilin vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e lejon të merret me vendime gjykatash, të trajtojë një problem që e ka trajtuar gjykata. Unë të garantoj se po të mos ishte çështja e këtij parimi pranoja jo 100 herë por 500 herë hapjen dhe numërimin e kutive se cfarë më kushton mua. Këto janë gjëra tërësisht të pakonceptueshme. Por ama, ka 100 ditë që problemi i kutive është lakuar mbi 1 milion herë. A ke dëgjuar qoftë dhe një person të vetëm, qoftë dhe një zyrtarë të vetëm nga kongresi amerikan, nga parlamenti europian, nga institucionet ndërkombëtare që të kenë thënë: Le të hapen. Absolutisht të gjithë do ta kishin bërë për hir të opozitës nëse kjo do të ishte e mundur. Por kjo është tërësisht e pamundur, dhe nëse opozita e bazon qëndrimin e saj në kërkesa pa kauzë demokratike, atëherë ato s’mund të plotësohen.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar se kjo situatë mund të ndikojë në fazën në të cilën në jemi me BE. Do të plotësohet pyetësori dhe ka patur një deklaratë në këtë sens nga komisioneri Rehn se “nëse vazhdon kjo situatë politike ajo mund të bëhet pengesë, sepse janë kritere politike?

Sali Berisha: Ajo është një apel për opozitën sepse unë kam bërë një ofertë publike, prapë e ftoj të vij, prapë e ftoj të bëjmë komisionin hetimore, prapë garantoj t’i jap mazhorancën sic nuk e parashikon ligji, por është një çështje mes nesh dhe ka një mekanizëm për t’ja lënë atij mazhornacën në dorë. Të hetojmë cdo gjë tjetër për këto zgjedhje por jo vendimin e gjykatave. Të sjellë të formuluara të gjitha amendimet për sugjerimet që janë bërë dhe une ja pranoj sic m’i sjell. Testin zoti Rama duhet t’ja bëjë kësaj mazhorance te reforma, te ligjet, te debatet, te të gjithë por testin nuk mund t’ja bëjë duke I kërkuar një procedurë që zgjedh murin e qoshes së ndërtesës. S’mund ta marr unë atë, s’mund të them unë sot se sot unë mund të diskutoj me zotin Rama të kapërcej një vendim gjykate. Po pastaj? Nesër? Dhe ka një gjë. Ka një bojkot. Por ky bojkot ka zero mbështetje nga e gjithë piramida socialiste e zgjedhjeve që ka firmosur cdo procesverbal, ka zero mbështetje nga faktori ndërkombëtar. Atëherë nëse ne do të bëjmë pazare ky vend do të ketë ditë shumë të vështira. Çdo humbës i zgjedhjeve, pa asnjë shkak tjetër vec motiveve individuale personale do t’I pretendoj shumicës një, dy tre katër për të hyre në parlament.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha ju jeni shprehur se do të zbatoni kushtetutën pikë për pikë, duke ju referuar momentit sipas të cilët kur kalojnë 6 muaj deputetët humbasin mandatin. Por nëse do vijnë 64 të tjerë, as këta nuk futen. Do vijmë në një moment kur praktikisht ky parlament nuk do të ketë më opozitë.

Sali Berisha: Jo, lexojeni mirë ligjin. Për fat të mirë zoti Rama ka bërë një ligj shumë të mirë në këtë drejtim. E vërteta është se zoti Rama ka përcaktuar në mënyrë jashtëzakonisht të saktë të gjitha eventualitet. Unë të garantoj që vendet nuk do të mbeten bosh, por të garantoj se zbatimi i kushtetutës është një detyrim që bëhet me keqardhje, por është detyrim. Nuk kam asnjë dëshirë. Zoti Rama të vijë. Eshtë i mirëpritur. Por nuk mund të krijohet një krizë tjetër kushtetuese për këtë arsye. Jo. Kushtetua do të zbatohet. Dhe të jem i sinqertë. Në këtë cështje është bërë një interpretim shumë i gjerë i situatës. Kushtetuta thotë se mandati humbet kur deputeti nuk bën betimin. Eshtë shumë e qartë, shumë e prerë dhe është pika e parë kur deputeti humbet mandatin. Rregullorja e parlamentit e cila në vetvete është kushtetua e parlamentit përcakton 6 muaj mungesë për t’u paraqitur dhe në këtë rast në opsionin më posibilist, është pranuar ky variant i dytë për t’u llogaritur. Por kushtetuta do të zbatohet.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, flitet në këtë rast se s’mund të dilet mbi vendimin e gjykatave. Megjithatë një projektligj i qeverisë që ka kaluar në parlament për disa ndryshime në Inspektoriatit të Ndërtimit, duke sikur i anashkalon gjykata kur thuhet se “Ankimi në gjykatë nuk pengon ekzekutimin e vendimit të Inspektoriatit”….

Sali Berisha: Të garantoj një gjë se titulli ekzekutiv është i përbotshëm. Po studiove për kuriozitet, ligiin tatimor, ligjin fiskal të Shteteve të Bashkuara është në shumë nene. Por titulli ekzekutiv nuk përjashton kategorikisht gjykatën. Dhe të gjitha pasojat, pas vendimit të gjykatës bien mbi atë që ka marrë vendimin arbitrar. Domethenë, tatimeve, doganave, inspektoriateve u është dhënë e drejta e titullit ekzekutiv, çka nuk është e policisë së shtetit, pra janë një formë e ndermjetme ku absolute është gjykata. Ky model ekziston në të gjithë vendet, përndryshe inspektoriatet nuk mund të funksionojnë. Por nëse ka dëmtuar me vendimin e tij ai përgjigjet një për një pas vendimit të gjykatës.

Zëri i Amerikës: Meqenëse jemi të Drejtësia: Zoti Berisha ka një ngërç të krijuar me konferencën gjyqësore, e cila duhet të emërojë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një deklarim tuajin, në Top Channel, keni deklaruar se ajo funksionon si NGO. Por si mund të bëhet një cilësim i tillë kur ajo është e përcaktuar në kushtetutë dhe përsa kohë ka patur dhe një ligj për të, është një institucion kushtetues?

Sali Berisha: Kushtetuta çfarë thotë? Propozohen nga konferenca gjyqësore. Por në kushtetutë nuk është institucion kushtetues konferenca gjyqësore. Sepse për të qenë e tillë duhet të kishte prerogativa të tjera kushtetuese. Eshtë absolutisht identike sikundër ne themi në ligje me tre të pestat që propozohen nga shoqëria civile, borde të ndryshme. C’është shoqata? Nuk mund të konceptoj që një NGO, sepse ashtu është ajo, është shoqatë e komunitetit të gjyqtarëve. Kaq është. Nuk mund të konceptoj që ajo të rregullohet me ligj, domosdoshmërisht me ligj me tre të pestat, e drejta e saj. Me asgjë nuk mohohet që komuniteti i gjyqtarëve ta rregullojë atë sipas vullnetit të vet të padiktuar qoftë nga qeveria qoftë nga KLD qoftë nga askush tjetër. Unë këtë cështje e kam të konsultuar edhe me juristë shumë të shquar që kanë ndihmuar prej kaq vitesh drejtësinë shqiptare. Cfarë po bëjnë ata. Ata duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në KLD. Nuk ka diskutim se mbledhja e trupës së përgjithshme të tyre dhe vota e fsheshte është mënyra më demokratike e zgjedhjes. E përcakton këtë ligji apo statuti i funksionimit të saj kjo për mua nuk përbën një dallim. Ky është koncepti im dhe unë jam i bindur, thashë që e kam konsultuar me juristë me një eksperincë shumë të madhe në vendet e tyre. Nëse qeveria, KLD do i diktonte shoqatës, “Shiko se do i zgjedhësh në këtë mënyrë apo…” ajo do ishte ndërhyrje. Do mblidhen në formën më demokratike. Cila është ajo? Që nga lashtësia është që të mblidhen të gjithë e të votojnë. Janë 370 gjyqtarë., të votojnë..

Zëri i Amerikës: Duke u ndalur shkurtimisht në disa aspekte ekonomike. Ditët e fundit ka shkaktuar goxha debat rritja e cmimit të energjisë. Kam dëgjuar edhe kryetarin e ERE i cili është shprehur se kjo bëhët edhe për efekt të disa parregullsive në përllogaritjet e aseteve të CEZ, por edhe për shkak të rrjetit të amortizuar, arkëtimeve të munguara. Por nëse vazhdojmë me këtë lloj arsyetimi, rritje cmimi se nuk arkëtojmë dot, atëherë edhe kompania ceke mund të mos e shohë të arsyeshme të investojë se do i marrë me rritjen e cmimit vitin tjetër. Përse pjesa që paguan do të mbajë kusuret e pjesës që nuk paguan?

Zëri i Amerikës: Çdo vit është rritur çmimi i energjisë. Pse? Sepse ne kemi dalë në treg. Ne nuk kufizojmë më drita. Një pjesë e plotësojmë me prodhimin tonë. Pjesën tjetër e blejmë. Nuk ka asnjë lloj rruge tjetër për të përballuar kërkesat për energji vec rritjes së cmimit dhe madje me kujtohet se tremujorin e parë të këtij viti opozita kërkoi në mënyrë këmbëngulëse të rritej cmimi. Ne e shtymë. Edhe Banka Botërore e kërkoi. Nuk ishte gabim. U rrit cmimi 13 përqind. Sivjet është treg i favorshëm, por vjet e kemi blerë me 100 cent. Nëse do blihej me këtë cmim e do shisnim me 65-70 cent ku do i gjenim ato para?.

Po i lëmë humbjet. Po vetëm ky fakt e imponon rritjen e cmimit.

Enti rregullator është një lloj gjykate. Realisht është një lloj gjykate që i trajton këto. Por ajo cka mua më ka hidhëruar është se nëse rritjet e tjera kanë qenë 7 lekë të vjetra apo 13, për sektorin buxhetor i ka dyfishuar. Po sektori buxhetor nuk duhet injoruar. Nuk është konsumtaor i vogël se janë ujesjellsat, Vetëm ujësjellësi i fushëkuqes konsumon 4 megaëat në ditë për pompë. Dhe i ka dyfishuar. Sigurisht rritje do të ketë prapë në të ardhmen. Nuk dilet në treg ndryshe. Nëse duam të kemi energji do të pranojmë rritjen e cmimit. Dhe qeveria këtë vit ka përcaktuar 20 milion dollarë subvencion për shtresat në nevojë dhe do të rimbursojmë 100 për qind rritjen e energjisë për këto shtresa. Te të tjerët kjo rritje nuk mund të rimbursohet 100 për qind por ama kemi bërë rritje të vazhdueshme rrogash dhe do vazhdojmë. Rritje që tejkalojnë disa herë indeksin e cmimeve. Kjo rritje nuk ndikon në nivelin e jetesës e qytetarit. Por rritjet janë të dnmosdoshme. Tani si janë problemet mes CEZ dhe ERE nuk ndërhyj sepse në këtë proces unë shoh veten time si qeveri më të penalizuarin se janë dyfishuar cmimet për institucionet buxhetore, janë gjithë ato institucione, shkolla. Në buxhet dy herë me shumë do shkojnë për energji.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, infrastruktura ka qenë një pikë e fortë e qeverisë tuaj. Veçanërisht rruga Durrës-Kukës, e një rëndësie strateghjike, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën. Pak javë më parë pati një shembje ne njërën anë të tunelit. Cila është realisht situata dhe sa janë kostot e asaj që ka ndodhur atje?

Sali Berisha: E verteta është se ka patur një shembje të tunelit të pahapur. Një shembje jo e paparalajmëruar, sepse u diktua ndoshta jo nga studimi gjeologjik por nga progresi në pune. Sepse shkëmbi ishte i shkërmoqur. Në këtë rast tuneli është shumë problematik. Mund t’ju them se në një tunel 2 kilometra në Igumenicë janë dashur vite për ta stabilizuar. Megjithatë kompania e cila ka një nga eksperiencat më të mëdha ne botë për tunelet. Është marrë me të. Por dhe ne jemi marrë. Ne kemi kontraktuar, në dijeninë tonë, ekspertin më të mirë të Europës, grupin më të mirë të Europës për tunelet. Një grup austriako-gjerman, të cilët kanë ardhur e kanë vizituar tunelin dhe kanë dhënë garanci se problemi zgjidhet. Kanë bërë projektin. Sipas parashikimeve tuneli do zgjidhet nga pranvera. Në gjeologji është si në mjekësi. Parashikimi është shumë i vështirë. Dhe këtu kemi të bëjmë me një formacion gjeologjik … Sigurisht do ketë çmimin e saj por e para dhe kryesorja është që tuneli do të mbajë. Të jemi realist. Sepse leverdia ekonomike e rrugës dhe e tunelit tejkalon cdo parashikim. Ata japin garanci se tuneli do të mbajë.

Zëri i Amerikës: Një tjetër çështje e cila ka hapur debat është edhe ajo e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë. Në të vërtetë ajo është shumë teknike dhe për këtë kanë folur shumë specialistë.Edhe seance e parë që u zhvillua në Gjykatën kushtetuese la një shije jo fort bindëse. Ju mendoni se ka vend për korrigjim?

Sali Berisha: Unë natyrisht e kam ndjekur debatin. Unë çfarë shoh në debat. Shoh një sharlatan që kalon nga ekrani në ekran dhe cfarë thotë. Thotë që Gjiri i Sarandës nuk është ai që ai vetë ka përcaktuar me dorën e vet dhe institutin që ka drejtuar, ka vizatuar dhe ua ka dhënë shqiptarëve në të gjitha tekstet dhe e ka përcaktuar në enciklopedinë e Shqipërisë, por gjiri i Sarandës është ai që ka përcaktuar legjenda. Se bëhet fjalë te gjiri. Unë nuk do ta ndiqja, do e leja në dorën e ekspertëve, por e kam ndjekur.

Së dyti, bëhet fjalë për distancën ku u thotë shqiptarëve një herë se këtu janë humbur 350 kilometra. Kur distanca është 39 kilometra ai thoshte 21, pastaj thoshte jo nuk e kam deklaruar. Pra absolutisht kemi të bëjmë, koncepti im më falni, me një sharlatan të mirëfilltë që nuk jep as edhe një fakt të vetëm. Gjykata e Shkupit dhe ajo kushtetuese nuk mori përsipër trajtimin e kësaj çështjeje. Të njejtën çështje shtroi edhe atje opozita. Gjykata e Tiranës e mori përsipër.

Dakort. Po e ndjekim. Cfarë argumenti do paraqesë pala tjetër. Unë gjykoj se të gjitha argumentat janë paraqitur për zbatimin me korrektesë të traktatit të detit. Eshtë përcaktyuar ajo si bazë dhe ajo përdoret si bazë në shumicën e vendeve të botës. Nuk kam as edhe shqetësimin me të vogël për të. Por të mendoj se ekspertët shqiptarë shitën territor. Kjo vjen nga mendësia më e vjetër e këtij vendi.

Ai është një proces transparent. Gjiri i Sarandës është gjiri i Sarandës. Ka një përkufizim enciklopedik, gjeografik, një përkufizim të gjithanshëm.

Zëri i Amerikës: Një tjetër çështje të cilën ju e keni mbrojtur me zjarr është lufta ndaj korrupsionit. Por në vlerësimin e sivjetshëm të Transaprency International Shqipëria ka humbur 10 vende. Si e shpjegoni këtë?

Sali Berisha: Si e shpjegoj faktin. Kjo qeveri është quajtur kampione në luftën ndaj korrupsionit po nga TIA. Po të marrësh përllogaritjet që i bën korrupsionit Millenium Challenges Account Corporation ne tejkaluam pragun me 53 përqind.

Transparency i tha ekspertëve tanë se është përdorur një metodë tjetër e përllogaritjes dhe janë futur elementë të tjerë. Por këto unë po i injoroj. Cfarë unë marr për bazë? Unë marr për bazë një vullnet të hekurt për të luftuar korrupsionin. Në këto 100 ditë është bërë nje reformë jashtëzakonisht e rendësishme, cështja e transportit të zyrtarëve ku mbi 50 milion dollarë i shpëtuam nga kthetrat e abuzivitetit dhe ja kthyem taksapaguesve. Shëndetësia, u vendosën cmimet e referencës. Cfarë janë cmimet e referencës? Qytetari shkon regjistrohet. Nëse është i pasiguruar paguan një cmim, që është ftesë për t’u siguruar. Nëse është i siguruar apo është pensionist apo në ndihmë ekonomike, nuk paguan asgjë, por nuk ka kontaktin direkt. Dhe kjo ka ulur në mënyrë dramatike ryshfetin, paratë nën dorë. Vendoëm parimin Heshtja është miratim për rimbursimin e TVSH. Hermetizuan tërësisht sisitemin elektronik të prokurimeve. GRECO është një institucion i Këshillit të Europës. Shqipëria ka plotësuar të gjitha përvec dy kërkesave të saj. Dhe ne bashkëpunojmë shumë ngushtë me ta. Pra ka një luftë kontstnte e të vendosur kundër korrupsionit. Një gjë është e sigurt në këtë luftë nuk mund të ketë kurrë armëpushim

Zëri i Amerikës: Dhe së fundi zoti Berisha, cili është urimi juaj për shqiptarët për vitin 2010?

Sali Berisha: Unë u uroj shqiptarëve një vit në lartësinë e kërkesave dhe dëshirave të tyre. Një vit të mbarë. Por para së gjithave një vit në të cilin të fitojnë të drejtën për të lëvizur të lirë në mbarë Europën sic e meritojnë. Uroj lumturi në cdo familje shqiptare, punë më shumë, prosperitet më të madh, uroj që opozita të zerë vendin për të cilin është votuar në parlament dhe e garantoj për një frymë të hapur bashkëpunimi me të.

Shfrytëzoj rastin të uroj të gjithë ekipin e zërit të Amerikës, një vit të mbarë me suksese e ta falenderoj për të gjithë punën që bën të çmuar në informimin e publikut shqiptar.

7 Komente

 

TI,e rendit Shiperine ne vendin 95,mbas Ruandes Moldavise,per shkallen e Korupsionit ne rritje,pra korrupsioni eshte ne rritje me 10 shkalle per njeheresh,pra eshte i modelit "rritje"(ne 2008 Shqiperia ishte ne vendin e 85:----Kr/Mi,thote; lufta kunder korrupsionit nuk ka armepushim!

 TI, jep rezultatin,Shqiperia zbret 10 shkalle ne rank me Shtetet e tjera, Berisha nuk e mer per baze rezultatin;

http://www.transparency.org/policy_research/surveys_indices/cpi/2009/cpi_2009_table

Berisha eshte genjeshtar!Mashtrues!

 

 vjet e kemi blerë me 100 cent. Nëse do blihej me këtë cmim e do shisnim me 65-70 cent ku do i gjenim ato para

ncuq doktor, ja ke fut pak kot

te pacim sa malet ere doktorr, kush ta del me llafe ty... 

...ku di me fol ky mre.....ky eshte idiot

 

skishte lon vend pa i fut hundet ket vit.Kishte dhon interviste edhe tek Junior Tv fliste per Vitet e Vegjelise

Neser do jape interviste edhe te 'Cufo Tv'. Do flasi per permiresimin e dukshem te jetes se femijeve ne Shqiperi ne vitet e demokracise si dhe do beje krahasime me ate djalin e librit 'Djaloshi Zezak'.

Me 100 cent, mu duk dhe mua pak e habiteshme, ose lapsus.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).