I djathti i ri

E djathta, në vende më të përparuara ka pësuar dhe vazhdon të pësojë transformime të thella. Deri 20 vjet më parë, ajo ishte një lëvizje me sjellje tradicionale, patriotike dhe konservatore nga pikëpamja sociale.

Të djathtët mbështesnin vetëm ata që mbronin rolin tradicional të gruas. Ishin skeptikë, deri kokëfortë ndaj shoqërive multiraciale dhe martesave të përziera dhe për pasojë ishin kundërshtarë të migrimeve në masë. Konsideronin homoseksualitetin një mëkat, deri një faj, aq më tepër të çonin ndër mend një martesë mes gay-ve. Më tepër se të gjithë, ata ishin praktikues të fesë së tyre. Si normë, anëtarët e partive të djathta iu përkisnin shtresave të mesme, apo atyre të larta. Në Angli p.sh., konservatorët e rinj kishin rënë në sy për privilegje të panumërta, festa me shampanjë të kushtueshme, veshje dhe makina luksi, pra me pak fjalë, snobë deri në paturpësi.

Në të kundërt, sot David Cameron, kreu i konservatorëve anglezë ecën me biçikletë. A mund të përfytyroni ndonjë politikan shqiptar me dyrrotak? Çoni nëpër mend ndonjë emër dhe përfytyrojeni. Mos e dhëntë Zoti! A janë vetë politikanët shqiptarë dhe publiku i gjerë, të gatshëm të pranojnë këtë kastë politikanësh, të lirë nga çdo paragjykim? Apo, do e merrnin me domate, se mbase do e gjykonin si një sjellje të lajthitur, apo në rastin më të mirë, një sjellje snobiste?

I sapongjitur në pushtet është edhe Guido Westerwelle, kryetar i Partisë Demokrato-Liberale të Gjermanisë. Ai e transformoi partinë, duke e bërë më të dukshme me politikat social-liberale, një partner të ri të koalicionit qeveritar me Unionin Kristian-Demokrat. Westerwelle është gay i deklaruar, që shpesh dhe pa ngurrim paraqitet në publik me shokun e tij, të kapur për dore. Lufton për çarmatimin, shpall veten faktor të një politike favorizuese, për integrimin racial. Ka qenë ai që ka penguar liberalët gjermanë, të transformoheshin në një forcë ksenofobe, siç ndodhi në Austri.

Nikolas Sarkozy, i cili ka ndryshuar rrënjësisht standardin e politikanit francez tradicional, i aftë të thyejë shumë skema, duke futur në qeveri edhe eksponentë të majtë, si ministri i Jashtëm, Bernard Kouchner.

Duam, apo nuk duam, politikani dhe publiku janë të lidhur pazgjidhshmërisht. David Cameron ecën me biçikletë, Westerwelle deklarohet pa frikë gay, apo Sarkozy thyen skema e tabu, të detyruar, apo për rrjedhojë të transformimeve të thella që kanë ndodhur brenda opinionit të kastës së tyre dhe të të gjithë opinionit të gjerë publik. Edhe individët që kanë bërë epokë kanë qenë pjellë e kohës dhe e nevojave për transformim.

Kjo gjeneratë e re politikanësh, pikërisht të qendrës së djathtë në Evropë, po konfigurohen si përfaqësues, të cilët me politikat dhe sjelljen e tyre do të mund të dominonin kontinentin, për një kohë relativisht të gjatë.

Por më e rëndësishme është, se megjithëse këta përfaqësues të së djathtës evropiane përpiqen për një frymë të re në sjellje, qoftë edhe në look-un e tyre, nuk i humbasin rrënjët, që do të thotë nuk humbasin kastën apo shtresat që përfaqësojnë. Duhet të jemi të qartë për nocionet bazë, i majtë, i djathtë. Krahët politikë nuk mbijnë apriori dhe rastësisht. Ato janë pasqyrë e një shtrese sociale. Është krejt e qartë dhe e ngulitur në vendet e zhvilluara evropiane, që partitë e djathta të përfaqësojnë shtresat e mesme dhe ato të pasura, ndërsa krahu i majtë përfaqëson shtresat e varfra.

Sado të djathtët të kenë tendenca sjellje populiste, apo të bëjnë përpjekje të joshin edhe brezin e ri, nuk i shkëpusin dot rrënjët nga kasta e tyre, shtresat e pasura të cilat përfaqësojnë. Nuk lëviz dot David Cameron nga partia konservatore, në partinë laburiste. Këto shtresa të pasura i kanë rrënjët e thella për breza të tërë. Që nga përmbysja e monarkisë rreth viteve 1650, Anglia nuk ka njohur më përmbysje rrënjësore. Pra, partia e djathtë që përfaqëson këtë shtresë është shumë e konsoliduar, së bashku me anëtarët e saj. Nuk i merr era lehtë (erë e asnjë ndryshimi) apo t'u marrë trutë dhe të kalojnë, sa me një parti, në një parti tjetër.

Po në Shqipëri a ekzistojnë shtresa të pasura, të mesme, të varfra? Mbas 50 vjetëve regjimi të Enver Hoxhës dhe shkuljes me rrënjë nga ana e tij të asaj pak shtrese të pasur, a mund të mendohet që ajo të mbahet ende në këmbë? Ajo është përmbysur, duke humbur bazën e piramidës dhe është kthyer kokëposhtë. Me regjimin diktatorial ka humbur fuqinë ekonomike, e cila iu mor me dhunë. Ato shtresa nuk u lejuan as të shkollohen, duke humbur edhe një anë tjetër po aq të rëndësishme sa edhe fuqia ekonomike, fuqinë intelektuale. Domethënë jemi në një situatë, që shtresa të pasura me breza, si në Evropë, që përfaqësohen nga parti të djathta, nuk ekzistojnë më, në Shqipëri.

Nuk ekzistojnë më, shtresa të mirëpërcaktuara dhe të konsoliduara, që të ruajnë rrënjët, të japin stabilitet dhe qëndrueshmëri. Kemi ish-shtresa të pasura, sot të varfëruara dhe njerëz të pasuruar (jo shtresa) të paidentifikuar nga prejardhja klasore, apo prejardhja monetare. Sot, në Shqipëri mbizotëron një mentalitet që po të jesh anëtar i Partisë Demokratike je i djathtë dhe po të jesh anëtar i Partisë Socialiste, je i majtë. Për rrjedhojë, këto shtresa të paidentifikuara dhe të paqëndrueshme pjellin përfaqësues të paqëndrueshëm. Edhe ky është shkaku që politikanët tanë lëvizin kiu-fiu, sa me një parti, me partinë tjetër.

Ka politikanë, që në fillim kanë dalë me programe ultra te djathta, deri fashiste dhe sot janë në krye të ndonjë force të majtë. Ka nga ata që deklarojnë se janë përtej të djathtës dhe përtej të majtës, duke harruar qe te gjitha forcat politike përfaqësojnë shtresa të caktuara shoqërore. Ka politikanë që kanë kaluar dhe kanë qenë anëtarë të të gjitha partive dhe krahëve të mundshëm. Kë përfaqësojnë këta zotërinj dhe ku i kanë rrënjët? Pa punën e brezave që përcaktojnë një shtresë dhe forcojnë bazën e piramidës mbetesh në ajër. Këtu fillon mish-mashi.

Sjelljet e hapura, demokratike, të Sarkozy-së që ka thyer shumë rregulla, apo të Merkelit që krijoi bazën e gjerë në qeverisje, apo të konservatorëve anglezë me sjellje shumë më populiste se të 20 vjetëve më parë, nuk do të thotë shpërbërje e shtresave dhe humbje të identitetit të atyre, që i përfaqësojnë këto shtresa.

Të gjitha shtresat, në vendet e Evropës, janë të mirëpërcaktuar dhe të stabilizuara prej kohe, së bashku me përfaqësuesit e tyre. Nuk mund të dalin sot me teori fashiste, nesër me socialiste. Një politikan sot, del krah një force të djathtë, nesër del në krah të një force të majtë, pastaj krijon një parti më vete. Kë përfaqësoni zotërinj? Ku i keni rrënjët? Vërtet Enveri i shkuli ato, po ndërkohë kanë kaluar 20 vjet dhe do të kalojnë edhe 30 të tjerë, e do të mbetemi në kaos, nëse nuk kultivojmë rrënjët ku çdo popull, apo individ mbahet. Shtresat (rrënjët) kërkojnë punë brezash, në të kundërt politikanët shqiptarë do të reflektojnë një shoqëri ende në tranzicion, ende e pakonsoliduar, si në shtresa, si në mentalitete, si në kulturë politike (siç kanë bërë deri më sot). “Të jesh përfaqësuesi i një shtrese” tingëllon gati absurde në Shqipëri, të paktën deri sot. Me shtresa sociale të deformuara dhe pothuaj inekzistente, politika shqiptare ka shumë pak shanse të jetë e suksesshme. Asnjë shtresë nuk është e përfaqësuar në Shqipëri dhe kështu mbijnë njerëz të gabuar, në vendin e gabuar.

Sot, David Cameron konsiderohet një nga eksponentët politikë me brilantë dhe të modës. E ka rrënjën e tij. Mahnitëse është konsideruar edhe ngritja në pushtet e Kryeministrit suedez, Fredrik Reinfeldt, sot president i radhës i BE-së. Ai arriti në krye të një koalicioni të djathtë, por që përdori disa politika të së majtës. Epo, është ndryshe të përdorësh disa politika të së majtës dhe ndryshe të shkapërcesh nga e majta, në të djathtë dhe anasjelltas.

Revolucioni seksual ka pushtuar të djathtën. Edhe në Shqipëri, mbase për t'u treguar në një front me të djathtën e moderuar evropiane, propozuam një ligj për lejimin e martesave gay. Megjithëse me ilaritet, në mbledhjen e qeverisë, ndërkohë që Kryeministri e shtronte problemin, përsëri projekt-ligji u mbështet për të treguar, sa të hapur jemi ndaj ndryshimeve dhe erës së re të së djathtës, apo qendrës evropiane. Por a janë lëvizje të mjaftueshme këto, për t'u konsideruar të stabilizuar në krahun e djathtë? Kjo valë e re e liderëve të rinj të qendrës së djathte tradicionale, pa paragjykime, është përpjekje dhe hapje ndaj shtresave të reja dhe koncepteve të reja politike. David Cameron, me biçikletën e tij dhe pa kollare, pra me një sjellje tejet popullore, ka synim të shqelmojë laburistët nga pushteti dhe të marrë rolin e Tony Blaire, por një të Tony më modern, të hapur, të aftë të joshë edhe brezin e ri. Konservatoret kanë konsoliduar grupimin që përfaqësojnë dhe tentojnë të zgjerohen dhe të thithin edhe grupime të tjera.

Këtë gjë politika shqiptare nuk po e realizon dot, të integrojë shtresa të tjera sociale. Kur ndërron shpesh fytyrën, fati nuk të gjen dot më. Një shprehje kjo e shkrimtarit Teodor Keko. Dy janë arsyet: opinioni shqiptar ka shumë pak besim tek kasta politike që e udhëheq, pasi eksponentët e saj kanë bërë ndryshime drastike në lëvizjet, nga njëri krah, në tjetrin brenda spektrit politik, duke ngjasuar me pehlivanë. Mbas diktaturës enveriane nuk ka shtresa të mirëpërcaktuara sociale, për pasojë kasta politike nuk është e qartë, dhe s'ka se si të jetë e qartë, se kujt shtrese i përket dhe kë do të përfaqësojë. Ndaj, e ka thuajse të pamundur të përthithë atë përqindje të elektoratit që është prej shumë kohësh indiferente.

3 Komente

ska nevoj pr kaq sterhollime. kush di ndo1 vend tjeter ku kryeqytetin e merr "e majta" ndersa shpellat e komunat e humbura shkojn "djathtas"?

Analize e percipte. Eshte e vertete qe e djathta dhe e majta dallojne ne grupet qe perfaqesojne, po keto grupe nuk jane thjesht tre, te ndare ne te varfer, te mesem e te pasur.

Fshataret, sado te varfer, per arsye kulturore voten e kane konservatore ne shumicen e rasteve dhe vendeve te botes psh. pra votojne djathtas.

Edhe pse eshte e vertete qe politika dallon pikerisht prej interpretimeve ekonomike, keto interpretime ekonomike jane pak me te komplikuara se sa llogaria mbi leket qe fiton individi - po fitoi pak eshte i majte, po fitoi shume eshte i djathte. Spektri politik me dukshem dallon ne interpretimin dhe konceptimin qe i ben dinamikave dhe marredhenieve mes forcave prodhuese dhe prones.

Keshtu njerezit qe prodhojne per hesap te dikujt tjeter jane te prirur te votojne majtas, qofshin keta punetore fabrikash, intelektuale, artiste, qe mund t'i perkasin shtresave te varfer te siperme, e deri tek e mesme e siperme.

Madje thelbin e te majtes, ne teori e ne praktike, e luan shtresa e mesme, me te tre nennivelet e saj, dhe sidomos shtresa e mesme qytetare.

Artikulli ka 17 paragrafe nga te cilet vetem tre flasin per realitetin shqiptar. Nuk shpjegohet psh.

qe pse nje PD e vetedklaruar parti e djathte edhe sot mbas 20 vjetesh ndrim regjimesh vazhdon me "luften kunder komunizmit" megjithse ka 20 vjet qe ka nje ish komunist per kryetar dhe e deshtoi (qellimisht) ligjin e dosjeve.

Nuk shpjegohet psh qe sa here kemi zgjedhje fillojne legalizimet populiste dhe pse e mban akoma ne kembe ligjin 7501.

Nuk shpjegon psh se deklaratat per me pak shtet dhe me shume iniciative private jane vetem demagogji e cila sherben per nxjerjen nga puna te disave dhe mbushjen e administrates me militante besnike.

Nacionalizmi dhe integriteti i vendit jane vecanerisht te shenjta per te djathtet. Si ndodhi qe na u mbush vendi me "varreza" greke dhe pse bisedimet per rishikimin e kufijve me nje vend qe ka ende ligjin e luftes me Shqiperine?

----------

Ironia e ketij blogu eshte se kur per te gjitha keto ben fajtor Sali Pash Toptanin fillojne tu te qujte kamunist.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).