Haraçet e pakujdesit

Hyxhymi i fundit kryeministror ndaj biznesit është haraçi i trefishtë që po i paguhet pakujdesit dhe miopisë. Haraç që po e paguajnë Biznesi, Kryeministri dhe Partia Socialiste.

Haraçi i Biznesit
Eshtë e pafalshme për biznesin dhe sipërmarrjen që rri e dëgjon se si sulmohet nga Kryeministri i vendit dhe s‘bën as gëk as mëk. Kryeministri del e masakron një varg prej bizneseve më të mëdha të vendit, jo thjesht me terma të përgjithshëm, por me emra, mbiemra, metra katrorë e tendera dhe vetë biznesi, i organizuar tashmë prej vitesh në një varg shoqatash, as që bën zë. Nuk dëgjuam të hapnin gojë as Dhoma e Tregtisë e as Shoqata e Ndërtuesve për të mbrojtur anëtarët e tyre.

Kjo është shfaqja më e saktë e paaftësisë së biznesit për të kuptuar se përtej përkatësive politike të njërit apo tjetrit sipërmarrës, ata duhet të mbrojnë thelbin e veprimtarisë së tyre, që është biznesi. Ata nuk arritën të kuptojnë se, duke mbrojtur kolegun sot nga një sulm politik i njërit krah, do të mbrojnë veten nesër kur sulmi politik do t‘u bjerë në kokë atyre, apo të ndërrojë krahu i pushtetit. Nuk lulëzon biznesi dhe klima e sipërmarrjes, duke vajtur pas avazit: "në ato maja rripa-rripa / herë ma hipe e herë ta hipa".

Haraçi i Kryeministrit
Eshtë e pafalshme për Kryeministrin e vendit, që të sulmojë pallë-zhveshur biznesin e madh të vendit të vet. Për sa kohë që një gjë të tillë do të dëgjonim ta bënte Kastro Kuba apo Çaves Venezuela, askush nuk do të shqetësohej, por kur këtë e bën Berishë Shqipëria, Kryeministri i një vendi që po ndërton kapitalizmin (sa term qesharak), Kryeministri i një qeverie që deklarohet edhe e djathtë, kjo është për të vënë duart në kokë.

Eshtë absurd një Kryeministër që, për t‘u bërë i besueshëm në masakrën e tij, është i gatshëm të shpikë edhe Mafie, duke njollosur rëndë jo vetëm biznesin e sipërmarrjen, por gjithë vendin të cilin qeveris, ashtu siç Enver Hoxha shpikte armiq e komplote për të terrorizuar popullin e vet. Dhe, siç Komandanti përmes meselesë së armiqve virtualë justifikonte dështimet e veta, edhe Berisha përmes Mafies virtuale u jep miell për muhabet gjithë hallexhinjve që s‘kuptojnë dot se pse e kanë thesin bosh.

Haraçi i Partisë Socialiste
Eshtë e pakuptimtë që, ndërsa Kryeministri i tund letrat një grupi eksponentësh të PS-së dhe kërcënon t‘ua tundë edhe ca të tjerëve nëse hapin gojë, të akuzuarit s‘bëzajnë, por presin t‘i mbrojë Partia. Ky është haraçi që PS-ja po i paguan përfshirjes së biznesit në politikën e saj.

E ka sharë sa ka mundur Kryeministri Erion Braçen, por s‘ka vajtur dot përtej të sharave në hava. S‘ka ku ta zërë, se Erioni vetëm duart dhe gojën ka. E ka sharë Berisha Sajmirin, por përtej të krahasuarit me Qemal Stafën, s‘ka ditur se për çfarë ta akuzojë. Edhe shumë të tjerë, përfshirë edhe mua, na ka sharë sa ka mundur Berisha dhe kompani, por përveç sharjeve të rrugës, s‘ka mundur të na kërcënojë me gjë tjetër, se ne, proletarë të mendjes jemi. Mirëpo, në çastin kur Partia filloi t‘i mbushte radhët edhe me përfaqësues të biznesit dhe, jo atij të vogël por me miliarderë dhe, jo vetëm një e dy, por një radhë shumë të gjatë, punët ndryshojnë. Këtyre Saliu ka ç‘t‘u thojë dhe këta s‘kanë ç‘të thonë. Them ka ç‘t‘u thojë se, në një vend pa rregulla, në një vend me sistem të kalbur e të korruptuar, në një vend që vit pas viti bën tatëpjetë në listën e korrupsionit, ç‘do biznes që të mbijetojë është i detyruar t‘u nënshtrohet të gjitha të këqijave të detyrueshme. Për sa kohë që këto i bën jashtë politikës, është i justifikuar, por kur pastaj angazhohet në politikë, e gjitha kjo kthehet në kosto. Nga ana tjetër, ky biznes as nuk e ka të lehtë të mbrohet, pasi në çdo moment do të gjendej nën sulmin selektiv të gjithë administratës shtetërore me Kryeministrin në krye.

Vetë Partia Socialiste është ajo (që së bashku me një mori organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare) kanë denoncuar e denoncojnë korrupsionin galopant në gjithë procesin e prokurimeve dhe shërbimeve. Kanë denoncuar faktin që gati çdo tender kalon përmes procesit të gjobave të rënda, që sistemi doganor është i gjobuar, që shërbimet kanë të gjitha një tarifë të detyrueshme, e plot të tjera. Në këto kushte, çdo sipërmarrje do të ishte e justifikuar që t‘u nënshtrohej të gjitha këtyre për të mbijetuar, por si do ta justifikojmë këtë, kur këta sipërmarrës bëhen deputetë tanët? Apo do themi se të gjithë biznesmenët detyrohen të paguajnë gjoba dhe të japin para për të marrë tenderat, me përjashtim të biznesmenëve të PS-së? Zor se mund të na e besojë njeri këtë. Apo do themi se edhe këta paguajnë gjobat e tenderëve? Po kështu na dalin pjesë e problemit, pikërisht ata që posa i vumë të na e zgjidhin problemin!

I vetmi shembull që sillet për të justifikuar faktin e përfshirjes së biznesit në politikë, është rasti i Berluskonit në Itali, por duke harruar se, përveç faktit që kemi të bëjmë me një përfaqësues të së djathtës, në një qeveri të djathtë, fenomeni Berluskoni është shfaqja më e kritikuar në të gjithë Europën dhe, jo vetëm nga media e shoqëria, por edhe nga vetë politika europiane deri në nivelet më të larta të saj.

Bota do vazhdojë të rrotullohet, zgjedhje prapë do ketë dhe, më thotë mendja, se nga këto haraçe të hidhura të gjithë do nxjerrim mësim.

PYKAT E PULLAVE
Për këtë që do lexoni këtu më poshtë e di që në fund do thoni se s‘është koha për t‘u marrë me këto gjëra, mirëpo me ç‘duken bathët, në këtë vend nuk do vijë më kurrë koha për t‘u marrë me gjëra normale. Për sa kohë që injoranca zë vendet ku fitohen pará, kjo është thjesht për t‘u neveritur, por kur injorantët merren dhe me art e shkencë, kjo është për të vjellë.

Para ca ditësh, u emetua seria prej dy pullash postare, me rastin e 65-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Në pullën e parë kanë vendosur një fotografi që, me mendjen e myteberëve të Drejtorisë së Postave, u është dukur si partizan shqiptar. Në fakt, kemi të bëjmë me fotografinë e oficerit sovjetik Alexei Yeremenko, komisar batalioni, hero i Bashkimit Sovjetik, vrarë në luftimet pranë Voroshillovgradit në Ukrainë në vitin 1942. Fotoja është shkrepur nga fotografi sovjetik Maksim Alpert, korrespondent i vjetër i Pravda-s. Kjo fotografi mjaft e njohur në BS, është bërë edhe kartolinë e propagandës sovjetike (shih foton), është realizuar edhe si monument në Ukrainë, është bërë edhe këngë (shih në You-tube), si edhe është botuar, ribotuar e stërbotuar në dhjetëra kopertina revistash anekënd botës. Tani, më gjeni ju lidhjen e këtij komisari sovjetik të vrarë në Ukrainë në vitin 1942, me Çlirimin e Shqipërisë në vitin 1944!!!

Vazhdojmë me pullën e dytë. Ajo paraqet një grup avionësh që po bombardojnë. Në fakt kemi të bëjmë me një foto të realizuar nga shërbimi fotografik ushtarak amerikan dhe paraqet një skuadrilje bombarduesish amerikanë gjatë një inkursioni mbi qytetin Hokadate në Japoni në korrik 1945. Shtoj këtu se përgjithësisht në kujtimet mbi Luftën e Dytë Botërore, preferohet të evitohen pamjet e bombardimeve nga ajri, që janë konsideruar si një shfaqje e anës barbare dhe jo heroike të luftës. Por përtej kësaj, a më gjeni dot ju se çfarë lidhje ka bombardimi i një qyteti japonez nga amerikanët në korrik 1945, me Çlirimin e Shqipërisë në nëntor 1944!!!

Një përpjekje për të sqaruar këtë mishmash, e bën vetë Gazeta e Postave, e cila shpjegon se pullat përfaqësojnë njëra Çlirimin përmes partizanit shqiptar (por që në fakt është komisar sovjetik) dhe tjetra pushtimin gjerman (por që në fakt janë avionë amerikan&eumlsmiley. Amani, në kini Perëndi, mos e përktheni në anglisht këtë budallallëk ose, nëse e keni bërë ndërkaq, hiqeni një orë e më parë nga qarkullimi dhe griseni e digjeni dhe shpërndajeni hirin përtej Malit me Gropa.

Ekziston një Komision Shtetëror i Pullës, që ka ekzistuar që në kohë të Zogut, e më pas të Enverit, por e keqja është se, meqenëse ky komision është me pagesë, në të nuk pranohen ekspertët dhe filatelistët, por futen myteberët e Ministrisë dhe të Drejtorisë së Postave, që kështu marrin ndonjë lek. Pra, për ca pak pará na bëjnë turpi e gazi i botës mbarë. Zgjidhja është shumë e thjeshtë. Mjafton që me një urdhër të Ministrit Olldashi, të hiqet shpërblimi për anëtarët e Komisionit. Nga ky moment, asnjë prej atyre pykave nuk do dojë më të marrë pjesë në të dhe kështu do të marrin specialistë e filatelistë të pasionuar, të cilët pa iu lutur dy herë do pranonin të bënin punën pa pará, vetëm e vetëm që të mos turpërohet vendi i tyre faqe botës. Aman Sokol, bëje kështu.

"Qeverisje e pykave" e ka quajtur Noli qeverisjen e të këtillëve, i cili sqaron se është në zakonin e pykave që të rrethohen nga të tjerë pyka. Sokol, mua s‘më përgënjeshtron dot, por të paktën përgënjeshtro Nolin.

7 Komente

Para ca ditësh, u emetua seria prej dy pullash postare, me rastin e 65-vjetorit të Çlirimit të Atdheut. Në pullën e parë kanë vendosur një fotografi që, me mendjen e myteberëve të Drejtorisë së Postave, u është dukur si partizan shqiptar. Në fakt, kemi të bëjmë me fotografinë e oficerit sovjetik Alexei Yeremenko, komisar batalioni,

HAHAHAHA!

Hallall Lame!

Sa derra qe jane mer jahu!

Nuk prajne! smiley

 

Lame keshtu duam te te lexojme gjithmone. Krahasimi me Enverin dhe armiqte e klases/popullit ishte vecanerisht i frikshem. Por edhe alarmi per PS-ne biznesmene nuk eshte me pak shqetesues. Lere pastaj mungesa e organizimit te biznesit, gje qe, sado interesante per nga ana sociologjike, mua me duket e pelqyeshme nga ana politike: boll perfiton biznesi i madh nga klientelizmi ne kurriz te konsumatorit te pambrojtur, le te jete i percare, kjo e ben me pak oligopolistik. E qarte qe ketu e mendoj ndryshe nga Lamja, te cilit po i pikoka per biznesin.

Me qe eshte permendur pallati dhe meqe Lame eshte shprehur ngjashem dikur, nuk e kuptoj pse gjerat PRISHEN dhe nuk KONFISKOHEN dhe pse lufta kunder mafies behet duke SHKATERRUAR e jo duke BURGOSUR, PERVETESUAR ASETE, NDRYSHUAR PROCESET E LICENSIMIT (ok ketu po kerkoj shume). Dmth, jo se nuk e kuptoj, por me duket vecanerisht e lemerisshme kjo menyre. 

Madje mund te themi qe Sala keshtu siguron rritjen ekonomike. Sepse ai pallat eshte ndertuar njehere, duke rritur PBB-ne. Por rrezimi i tij nuk figuron gjekundi. Rindertimi ama del si PBB e re. Eshte nje metodologji vecanerisht saliiste.

Myteberet e Sales shkojne per te shkateruar nje ndertese 12 katshe edhe e nisin nga 2 katet e para.. !!!

Ideja eshte se 10 katet e tjera do qendrojne ne ajer!! Mtyberet e Sales kane miting sot festojne 8 dhjetorin, qe si date s'ka asgje te perbashket me PD (e cila nuk ishte krijuar ende) por me studentat e Universitetit te Tiranes.

 

 

Myteberet e Sales shkojne per te shkateruar nje ndertese 12 katshe edhe e nisin nga 2 katet e para.. !!!

 

Laughing hahahha, you made my day...nuk lexoj asgje tjeter sot. rrofsh

"....Amani, në kini Perëndi, mos e përktheni në anglisht këtë budallallëk ose, nëse e keni bërë ndërkaq, hiqeni një orë e më parë nga qarkullimi ..."  

 Mos u merzit, Lame, se me shume se ne 7-8 gjuhe nuk perkthehet.  

Ej mos na fyni me permendjen e mytebereve, se kena shok per koke bash me ket mbiemer. Kapu Delinjte se ata jane me te kqinj se myteberat.

Tani perfundimisht je i madh

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).