Gjendja e objekteve muzeale: katastrofë

Organizimi i një laboratori të tillë kushton, por është e vetmja mënyrë për të shpëtuar objektet. Po ashtu, ligji për trashëgiminë dhe ligji për muzeumet, duhen rishikuar, e plotësuar urgjentisht, në mënyrë që të detyrojë shtetin të aplikojë konservimin muzeal

Përse duhet organizuar laboratori qendror i restaurimit
 

E thënë troç që në fillim: për të shpëtuar objektet e saj muzealë nga
gjendja e një shkatërrimi të pandërprerë, madje në shumë raste deri
katastrofik, në të cilën ndodhen.

E kam fare të lehtë ta trajtoj këtë çështje me kolegë të profesionit tim, por njëkohësisht e kam disi të vështirë ta trajtoj, e ta bëj të kuptueshme për lexuesin e gjerë një temë që është kimi dhe fizikë, vetëm kimi dhe fizikë dhe pak biologji dhe asgjë tjetër... Megjithatë, do të mundohem ta paraqes në një mënyrë të thjeshtë, pa formula, pra, sa më të kuptueshme për të gjithë.

Nuk e di nëse është e gjetur po të them se objektet muzealë janë si një kufomë. T'i lemë pa i përmendur në këtë pjesë të shkrimit vlerat historike, kulturore,
trashëgimia, edukimi, të gjitha fjalë me mend, e të bukura. Këto janë tjetër
gjë nga esenca e këtij shkrimi. Pra, objektet muzeale janë si një kufomë.
Kufomën po nuk e ngrive do të dekompozohet menjëherë. Kështu ndodh edhe me objektet e muzeumeve. Krahasim i bukur! - do të thotë dikush. Atëherë gjeni një më të mirë! "Ngrirja" e objekteve muzeale, për të mos lejuar prishjen e tyre, është konservimi.
Pikërisht konservimi mungon thuajse plotësisht në Shqipëri. Prandaj edhe objektet muzeale në Shqipëri janë në procesin e shkatërrimit, ku më shumë, e ku më pak, katastrofik. Vetëm një pjesë e vogël e tyre, ndoshta 7-8%, nuk udhëtojnë në këtë proces lebroz.

Si është krijuar kjo gjendje në Shqipëri?

Nuk mund të themi nga neglizhenca, se në fund të fundit neglizhencën e dëbon me dhunë administrative, po çfarë t'i bësh mosdijes? E këtu do t'i kthehem edhe
njëherë punës së kufomës. Kufoma nuk mbrohet nga dekompozimi, duke e spërkatur me ujë trëndafilash, por me ngrirje, që është më e mirë se mumifikimi.
Çfarë ka ndodhur në Shqipëri? Në kohën e fëmijërisë së shtetit shqiptar filloi grumbullimi i objekteve në muzeume. Ishte një detyrë që u bë me
pasion të vërtetë dhe me sakrifica. Pastaj ekspozimi i objekteve në muze çeli
lumturi në shpirtin e të gjithë atyre punonjësve, që u morën me realizimin e
kësaj ëndrre të sinqertë.

Gjithçka deri këtu ishte mirë dhe meriton lavdërimet thuajse maksimale. Menjëherë pas kësaj ndërthuret padija. Natyrisht që për atë kohë nuk është faj. Sot po, se nuk janë po ato kondita si atëhere.

"Ngrirja" e proceseve të dekompozimit të objekteve muzeale përbëhet nga disa faktorë:
Kushtet e ruajtjes, që përmbledhurazi mund t'i përfshijmë në teknikën e klimatizimit, me anë të së cilës krijohen ata parametra të lagështisë relative, të temperaturës, etj., ku ndërpriten reaksionet kimike dhe biokimike të prishjes së objekteve. Kjo nuk ekziston në asnjë muzeum të Shqipërisë. Megjithatë duhet thënë se gjendja është dukshëm më e mirë në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Ekspozimi në ato kondita ku ndërpritet prishja, jo vetëm nga ato parametra që sapo përmendëm, por edhe nga ndriçimi
dhe rrezatimi ultraviolet, nga ndotja atmosferike, etj. Kjo nuk ekziston në
asnjë muzeum të Shqipërisë.

Trajtimi, apo manipulimi, nga njerëzit, p.sh. nga studiuesit, fotografët, etj., që të mos u shkaktojnë padashur objekteve dëmtime të ndryshme. Këtu
duhet shtuar edhe ruajtja në rafte teknologjikë, vërtet teknologjikë, që
shmangin dëmtimin kimik dhe fizik. Po të shikoni muzeumet e Shqipërisë do të
konstatoni se në shumicën dërmuese të tyre objektet ruhen, apo mbahen kapicë
nga mungesa e kushteve më elementare të ruajtjes.
Trajtimi laboratorik konservues dhe restaurues. Ky funksionon në mënyrë të kufizuar vetëm për objektet që ka në ruajtje Qendra e Studimeve Albanologjike, disi në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar Shqiptar në Korçë dhe në asnjë muze tjetër të Shqipërisë.
Nga ta kapësh më përpara këtë çështje!

Po e fillojmë me ligjin për trashëgiminë.
Ai është një ligj që nuk ka të sharë për mënyrën se si e trajton çështjen e
mbrojtjes së objekteve nga vjedhjet. Por medet, Shqipërisë objektet po ia vjedh
natyra me ligjet e saj të verbra të shkatarrimit. Eliminimi, apo shmangia e
veprimit të faktorëve shkatarrues nuk bëhet me fjalë, por do investime. Ligji
nuk parashikon konservimin e objekteve në asnjë aspekt. Ose të marrim ligjin
"Për muzetë". Ai ligj thotë se sa e madhe duhet të jetë bileta e muzeut, çmimi,
etj., por nuk thotë asnjë llaf se si duhet projektuar muzeu për të ndaluar prishjen,
se si duhet organizuar një ekspozitë që të mos prishen objektet, se si duhen
transportuar ata, etj., apo se çfarë kualifikimi duhet të ketë punonjësi i
muzeut që të mos dëmtojë objektet gjatë veprimtarisë së tij muzeale, etj. Ai
ligj nuk e detyron shtetin shqiptar që të kujdeset për trashëgiminë fizike të
objekteve. Nëse një muze ruan inventarin është në rregull, pavarësisht se nga
moskrijimi i kushteve të ruajtjes, objektet, p.sh. ata arkeologjikë prej
hekuri, kthehen në grumbuj ndryshku, apo nëse tekstilet grihen nga mola. Ligji
për trashëgiminë dhe ligji për muzetë, duhen rishikuar, e plotësuar
urgjentisht, në mënyrë që të detyrojë shtetin të aplikojë konservimin muzeal.
Për ta bërë sa më të qartë gjendjen, po paraqesim disa raste negative, apo pozitive, të ndërhyrjeve në objekte.

Dikur, një thesar me nëntëqind e ca monedha mesjetare nga ato të kryqëzatave, i zbuluar në Kaliva, u trajtua, apo u pastrua, në laboratorin e Fabrikës së konservave në Sarandë. Mbas dy muajve e sollën në laboratorin tonë që të gjente derman. Ose ai thesari i zbuluar në kapelën e amfiteatrit të Durrësit. Ka një histori të ngjashme. U munduan ta "restauronin" në laboratorin e Uzinës së radio-televizorëve. Ndërhynë në gjashtëmbëdhjetë copë. Pastaj thesarin, një shuk me monedha të salduara nga korrozioni, e sollën në laboratorin e konservimit, ku u trajtua jo pa probleme, por që gjithsesi u kaluan falë përgatitjes speciale të kuadrit dhe sot që të dy këto thesare nuk kanë probleme në ruajtje. Ose ai thesari me monedha mesjetare në Butrint, që nuk ka arritur të stabilizohet nga korrozioni.

Shikoni gjithashtu edhe disa koka skulpturash, po në muzeun e Butrintit, të
cilat janë bërë borë të bardha, vërtet të bardha, por për faqe të zezë, nga
trajtimi amator, ku nuk ka asgjë nga shkenca e konservimit, apo e restaurimit.
Do të sjell edhe dy shembuj të tjerë nga muzeumet. Kur u bë Muzeu i armëve në
Gjirokastër, puna e restaurimit të armëve iu besua argjendarëve me eksperiencë
dhe...ata iu futën me lima dhe me mjete të tjera kruajtëse, për të mos përmendur
se çfarë ndodhi më vonë në atë muze. Shembulli tjetër i takon muzeut të
Apolonisë. Kur u rregullua muzeu atje punoi një marangoz i devotshëm, që bëri
vitrina shumë të mira për atë kohë. Si "shpërblim" u vu të bënte restaurimin e objekteve prej qeramike. Ndër të tjera u restaurua edhe një krater-kaliks i pikturuar, i gjetur në fshatin Havaleas, pranë Apolonisë. Dhe restaurimi u bë duke ngjitur copat, s'di se me çfarë dhe duke i përforcuar me mushama. Natyrisht që ena u shemb mbas ca kohëve. Kur e morëm në laborator pamë se mushamaja e kishte shkulur pikturimin vende-vende.
Një problem tjetër lidhet me ndihmën e parë që u jepet objekteve menjëherë mbas gërmimit arkeologjik. Sot, nëpër ekspedita arkeologjike merren "për të restauruar" objektet diletantë, të cilët po bëjnë hatanë me objektet që zbulohen: janë si ata mjekët popullorë që shërojnë gjithçka dhe nganjëherë të fusin në varr. Kuptohen menjëherë nga pyetjet që bëjnë për përdorimin e kimikateve.

A bëhet që të shërohen sytë, duke u derdhur jod? Ekzistenca e këtij absurditeti
e ka një bazë: laboratori ynë i vetëm, ndonëse i pajisur, nuk ka kurrsesi as
personelin më të domosdoshëm për të përballuar volumin e punës.
E tani, do të vazhdojmë me atë që është edhe qëllimi i këtij shkrimi, ngritjen e
Laboratorit qendror të restaurimit. Shkencërisht do të ishte më e saktë të
thoshim Laboratorin e konservimit, por meqë njerëzit janë më të familjarizuar me
termin restaurim, do të vazhdojmë ta quajmë kështu.

Edhe po të marrësh masat që përmendëm më sipër, e që kanë për qëllim krijimin e konditave të konservimit, prapë se prapë objektet nuk do të mund të ekspozohen,apo të trashëgohen pa trajtimin laboratorik. Në shumicën e rasteve trajtimi laboratorik është faktori absolut i trashëgimisë. Jam i bindur se shumë
nga lexuesit e kujtojnë informacionin televiziv që u dha pak kohë më parë për një mburojë ceremoniale të zbuluar në Apoloni në vitin 1984, e që ndodhet akoma në laborator, apo për sandalet këto kohët e fundit, etj. Pa një ndërhyrje laboratorike ata objekte as që do të kuptoheshin se çfarë ishin!

Ka shumë raste për të treguar se si trajtimi laboratorik është vendimtar dhe ka shpëtuar nga zhdukja shumë, e shumë objekte brilant të historisë së Shqipërisë
Nëse Shqipëria ka sot ndonja njëzet e pesë muzeume të rëndësishëm, atëhere do të duhej të funksiononin njëzet e pesë laboratorë restaurimi. Ndërtimi dhe pajisja e një laboratori fare të thjeshtë e këtij profili kushton rreth 7000000 lekë,
ndërsa një laborator i një niveli mesatar kushton rreth 25000000 lekë. Nëse do
ta zhvendosnim laboratorin që ka Qendra e Studimeve Albanologjike nga ndërtesa private ku ndodhet, e ta ndërtonim të ri, nga e para, me çmimet e sotme, kjo do të kushtonte rreth 500000 Euro, duke mbetur në këtë nivel që është, që dihet se është ende larg nga ajo që duhet, e të mos harrojmë, që të krijojmë një ide më të qartë, ky laborator ka edhe ndonja 80000 Euro pajisje dhe materiale të tjera në përdorim. Vërtet është domosdoshmëri, por sa objekte kanë muzeumet që të justifikojnë shpenzimet për ngritjen e një laboratori? Efektiviteti i një investimi të tillë diskutohet edhe në shtetet me ekonomi shumë të fuqishme. Po t'i referohemi eksperiencës së Evropës do të konstatojmë se laboratorët e kësaj natyre janë të organizuar në formën e laboratorëve qendrorë të restaurimit, apo të instituteve të restaurimit, jashtë muzeumeve, ose pranë muzeumeve të mëdhenj, por që gjithsesi me pavarësi financiare dhe organizative, ku kursehet vetëm një drejtor i përgjithshëm. Ky organizim nuk presupozon ndërprerjen e punës që bëhet pranë muzeumeve më të vegjël për të patur në kujdes objektet e
inventarit.

Laboratori, kërkon veç ndërtesës dhe pajisjeve, edhe personelin e përgatitur në mënyrë speciale dhe shumë serioze,ndryshe ndërhyrjet e gabuara nuk do të mungojnë, së bashku me pasojat.
Rruga e vetme ekonomike dhe më e mundshme është krijimi i Laboratorit Qendror të Restaurimit. Ai laborator do të ketë në përbërjen e tij grupin analitik shkencor dhe grupin zbatues të konservimit, më të madh, të dy me një përgatitje speciale. Për të shpëtuar objektet e saj të kulturës, Shqipërisë i duhen ndonja pesëdhjetë kimistë! Sot ka vetëm dy!

Natyrisht, që organizimi i një laboratori të tillë kushton, por është e vetmja
mënyrë dhe më ekonomike për të shpëtuar objektet. Vetëm me një konditë: që të
mos ndërhyjë politika për të sistemuar militantët dhe miqtë. Në atë laborator
duhet të punojnë vetëm ata, kimistë për nga përgatitja universitare, që mund ta
përballojnë atë punë profesionalisht, psikologjikisht dhe nga ana nervore.
Ndokush mund të thotë : harroje këtë konditë! Pa këtë konditë nuk ka funksionim
të laboratorit dhe trashëgimi të objekteve, e kemi provuar se sa fatal ka qenë
emërimi i miqve dhe ndërhyrjet e politikës për emërimin e militantëve.
Ngritja e një laboratori të tillë do të thotë të kesh një qendër që të ketë në
kontroll teknik trashëgiminë, që realisht është jashtë kontrollit.
Ngritja e një laboratori të tillë do të thotë edhe kualifikim për punonjësit e muzeumeve në drejtim të trashëgimisë, që sot mungon.

Le ta organizojmë urgjentisht një laborator të tillë! Kostoja vjetore e funksionimit të tij do të jetë rreth 40000000 lekë, por gjithnjë në një farë vartësie nga momenti ekonomik i shtetit. Dikush do të bërtasë: O huuu! Por asnjë muzeum në botë nuk mbahet nga të ardhurat që nxjerr nga vizitorët, por financohet nga buxheti i shtetit. Pastaj turistët, që do të kenë se çfarë të shikojnë në muzeume, do të lënë paratë në hotele dhe dyqane.
Kështu siç është gjendja, është fare zi!

Buxheti i shtetit parashikon një fond për kulturën. Ekspertët që monitorojnë buxhetin nuk lejojnë rritjen e shpenzimeve për kulturën mbi një kufi të caktuar, që
është larg nevojave. Nëse është kështu, atëhere Ministria e Turizmit, Kulturës
Rinisë dhe Sporteve duhet të rishikojë ndarjen e buxhetit të saj në drejtim të
mbështetjes shumë më të madhe të trashëgimisë së objekteve, që me sa duket nuk e ka fort për zemër. Mos e keqkuptoni, është fjala për objektet e muzeumeve dhe jo për kështjellat, urat, kishat, banesat etj. Gjithashtu, pavarësisht
pavarësisë, pushteti lokal duhet të detyrohet të investojë për trashëgiminë e
objekteve që ndodhen në muzeumet që i ka në vartësi. Ndryshe merrini ekspertët e monitorimit të buxhetit, çojini nëpër muzeume të shohin katastrofën. Nëse janë ekspertë të huaj, ata nëpër vendet e tyre i kanë të zgjidhura këto probleme.
Ose qeveria duhet të gjejë mundësi të tjera për financimin e trashëgimisë së
objekteve muzealë.

2 Komente

Ca po thu ti daj ... shtatorja e Gjergj Kastriotit ne Tirane ""S``KA EMER""" ... I bi turisti dy- tre here rrotull ,po ca lesh ....duhet ta adresojme ne Kruje ose ne Lezhe per emrin...

 Persa kohe ne krye te qeverise dhe te kultures do te jene dallkauket, per aq kohe do te vuajne  kultura, objektet e vjetra dhe muzeumet shqiptare. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).