Gazetari në krizë

Ndryshimi i teknologjisë  dhe kriza ekonomike i kanë bërë organizatat tradicionale të lajmeve që të ndodhen në vështirësi. Aftësia jonë për të informuar për çështje që kanë të bëjnë me interesin publik, duket se është në risk. “Ka një rënie të furnizimit me gazetari cilësore” paralajmëron Bill Keller, drejtor ekzekutiv i “The New York Times”.  
Pyetja që kemi të gjithë në auditore ku flitet për lajmin, në rubrikat e opinioneve apo komenteve në gazeta e mbi të gjitha aty ku bëhet lajmi, në redaksitë e lajmeve, është sesi mund të ngadalësohet apo në rastin më të mirë të kthehet mbrapsht kjo rënie. Shumë shpesh gjatë këtyre kohëve të fundit gazetarët kanë rimenduar çështjen sesi mund të funksionojë “gazetaria cilësore”, por shumica e tyre jam e sigurt që nuk kanë rimenduar se në këto kohë që jetojmë, çfarë mund të jetë dhe çfarë mund të konsiderohet “gazetari cilësore”. Në një dialog online me lexuesit e tij, Keller jep një përkufizim me të cilin mund ose jo të biem dakord: “Me gazetari cilësore, unë kuptoj atë lloj gazetarie që përfshin reporterë me eksperiencë, që shkojnë në vende të ndryshme, dëgjojnë e bëjnë publike ato që ju thonë dëshmitarë të ngjarjes, gërmojnë në histori, zhvillojnë marrëdhënie me burimet e lajmit, sigurohen dhe super sigurohen për vërtetësinë e materialit të tyre. “Kjo, ju thotë Keller lexuesve të tij, është gazetaria që jep “informacionin për të cilin keni nevojë për të qenë një qytetar i angazhuar.” Por a është “gazetaria cilësore” kaq e përcaktuar dhe vërtet ajo për të cilën kanë nevojë qytetarët sot?

Shumë gjëra kanë ndryshuar kur gazetat kishin shitje të mëdha, e kur njerëzit informoheshin vetëm përmes tyre. Do doja të risillja në mendjen tuaj gazetarinë e asaj kohe, ku njerëzit mbanin radhë të gjata për të blerë “Rilindjen Demokratike” apo gazetën “Koha Jonë”. Kjo e fundit në vitin ’96 arriti numrin rekord të shitjeve me 60 mijë kopje në ditë, që është një ëndërr e paarritshme për gazetën më të shitur sot në treg. Kanë ndryshuar cilësinë gazetat? Nuk gjenden më gazetarë si gazetarët e atyre kohërave? Kanë ndryshuar shijet e publikut apo teknologjia ka ndryshuar trendet në gazetari?
Po qe se do i analizojmë të gjitha këto pyetje me radhë, duke u munduar të heqim mënjanë edhe nostalgjinë e atyre kohërave, do mund të thoshim se shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Shumë gazetarë të mirë dhe me emër të asaj kohe janë bërë politikanë, pronarë mediash apo biznesmenë dhe në pozicionin e tanishëm predikojnë parime të tjera nga ato që përdornin vetë më parë si gazetarë. Megjithatë një ndryshim i madh në shije mund t’i atribuohet pjesërisht edhe teknologjisë së re. Informacionet për shumë ngjarje të mëdha tani shfaqen shumë shpejt dhe falas në Google, Yahoo apo qindra faqe të tjera interneti me natyrë të drejtpërdrejt apo të tërthortë gazetarie.
Ky nuk është vetëm një ndryshim shqiptar, por shumë më tepër se kaq. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të XX, raportimi i lajmeve – jo vetëm “diskutimi dhe shpjegimi i tij” – filloi të marrë statusin e tij të vërtetë. “Realizmi naiv”, siç e quajnë postmodernistët, vazhdoi të ekzistojë në gazetari edhe pse letërsia e arti kishin kohë që kishin dalë nga kjo fazë. Gazetaria ishte kthyer në mbledhësen e kujdesshme të informacionit për ngjarjet koherente.

Në Evropë, gazetarët shpesh mbajtën një perspektivë më interpretuese për ngjarjet. The Telegraph dhe Le Figaro, nga e djathta për shembull, dhe The Guardian dhe Le Monde, nga e majta. Kjo gjë në Shtetet e Bashkuara konsiderohej totalisht e gabuar.
Por kjo periudhë, pothuajse e një shekulli e gjysmë më parë – gjatë së cilës ishte e mundur të bëje biznes duke shitur lajme duket se ka përfunduar.

Në Shqipëri aktualisht janë licensuar tri stacione televizive komerciale me shtrirje kombëtare, 69 stacione televizive lokale dhe 50 stacione televizive kabllore, 48 radio vendore dhe 2 radio kombëtare.
Për sa i përket shtypit të shkruar ekzistojnë 21 gazeta të përditshme për një numër lexuesish që besohet të jetë më i vogël se 60,000 vetë.
Me një numër kaq të madh mediash, për një popullsi kaq të vogël e në një treg reklamash kaq të kufizuar sa ky i yni, media nuk arrin të marrë të ardhura të mjaftueshme dhe për këtë arsye varet më shumë nga financimet e biznesit. Në përgjithësi dihet pronësia e transmetuesve më të rëndësishëm, përfshirë edhe gazetat më të rëndësishme ditore, por burimet për financimin e tyre vazhdojnë të mos jenë transparente. Struktura e tregut të reklamave është e një forme të tillë që lejon që disa transmetues reklamash, si autoritete publike apo kompani të mëdha, të influencojnë politikat editoriale. Monitorimi i medias nga MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it, dy javët përpara fillimit zyrtar të fushatës, tregoi se spotet televizive me tematikë qytetare që u lançuan nga ministritë apo agjencitë e ndryshme shtetërore, që mund të interpretoheshin si fushatë në favor të PD-së, u shfaqën më së shumti në televizionin publik (30 për qind) dhe në televizionin TV Klan (48 për qind), kanale këto që janë më afër PD-së, më pak në Top Channel (22 për qind), dhe aspak në dy kanalet e tjera televizive që monitoroheshin Vizion + dhe News 24, të cilat dukeshin të ishin më kritike ndaj Qeverisë.
Mediat më të rëndësishme televizive dhe ato të shkruara konsiderohen si të angazhuara me njërën prej dy partive kryesore politike.
Është pothuajse e pamundur të botohen artikuj editorialë që bien ndesh me interesat e pronarëve, të cilët kanë interesat e tyre ekonomike dhe politike. Gazetarët dhe media, për shkak të rreshtimit të tyre politik, i minimizojnë deri në autocensurë aspektet e ndryshme të lajmeve, apo vënë më në pah ato elementë që janë në përputhje me aleancat e tyre politike apo komerciale.
Zgjedhjet e Qershorit 2009 patën nja mbulim të gjerë nga media, qoftë ajo kombëtare apo lokale. Numri i madh i mediave ju dha mundësinë partive t’u ofronin votuesve alternativat e tyre, ndërsa audiencës i ofruan një gamë të madhe këndvështrimesh e perspektivash. Por ashtu siç theksohet edhe në deklaratën e konkluzioneve paraprake të Misionit Ndërkombëtar për Zhvillimin e Zgjedhjeve “Interesat partiake dhe të biznesit të pronarëve të televizioneve e kufizojnë nivelin e kritikave dhe vënë në rrezik detyrimin e mediave për të ruajtur pluralizmin e brendshëm dhe paanësinë në programet informuese. Mungesa e kulturës së vetë-rregullimit dhe situata e punësimit të pambrojtur te shumë gazetarë kontribuon në kontrollimin ose dominimin e transmetimeve nga interesat partiake apo të bizneseve.”

Monitorimi i lajmeve dhe veçanërisht i debateve gjatë fushatës elektorale të qershorit 2009 nga Bordi i Monitorimit të Medias, ngritur nga KQZ apo edhe nga Misioni Vëzhgues i OSBE/ODIHR-it, flet për njëanshmëri të treguar nga shumica e televizioneve të monitoruara, si në aspektin cilësor, ashtu edhe sasior të pasqyrimit, që tregon një mungesë të theksuar të pavarësisë editoriale. Monitorimet e kësaj periudhe tregojnë se shumë pak prej lajmeve të kësaj periudhe kishin në fokus shpjegimin se si qytetarët mund të afektoheshin nga këto zgjedhje. Pjesa më e madhe e lajmeve fokusohej në çështje që afektonin partitë dhe kandidatët. Gazetarët e të gjithë mediave të monitoruara treguan se pasqyrimi i fushatës ishte kthyer më së shumti në një punë, ku transmetoheshin filmimet dhe komentet e bëra e të dhëna nga vetë partitë politike. Ky kontroll i partive politike mbi politikat editoriale çoi në mungesën e kritikave dhe  mendimeve ndryshe, që nuk konsideroheshin të përshtatshme për preferencën politike të një kanali të caktuar televiziv.
Kjo tregon se kemi një gazetari në krizë. Në momentin që hedhim poshtë penën dhe lajmin e marrim gati nga një parti politike nuk jemi më gazetarë, por jemi bërë zëdhënës të partisë.

Ndoshta ka ardhur koha që të shikojmë sërisht në një mënyrë të re motivin dhe sloganin “Personalja është Politike”, pasi jetojmë në një kohë kur politika është bërë në mënyrë të habitshme personale. Ne dimë më shumë për pronat e familjes Berisha sesa për pronat tona, dimë mirë se sa herë është martuar e divorcuar Rama, e nuk dimë se cila është politika që ai ofronte për shëndetësinë apo arsimin, por ajo që me të vërtet nuk e bëjmë mirë është kornizimi i personales si politike, të shpjegojmë pse, kur dhe ku politika ka rëndësi në jetët tona.

6 Komente

 Nje renie e gazetave, vjen edhe nga titujt bombastike dhe artikulli/lajmi brenda shum i dobet. Kjo e çon lexuesin ne zhgenjim, siç dhe ka ndodhur. 

Kjo tregon se kemi një gazetari në krizë. Në momentin që hedhim poshtë penën dhe lajmin e marrim gati nga një parti politike nuk jemi më gazetarë, por jemi bërë zëdhënës të partisë.

Ndoshta ka ardhur koha që të shikojmë sërisht në një mënyrë të re motivin dhe sloganin “Personalja është Politike”, pasi jetojmë në një kohë kur politika është bërë në mënyrë të habitshme personale. Ne dimë më shumë për pronat e familjes Berisha sesa për pronat tona, dimë mirë se sa herë është martuar e divorcuar Rama, e nuk dimë se cila është politika që ai ofronte për shëndetësinë apo arsimin, por ajo që me të vërtet nuk e bëjmë mirë është kornizimi i personales si politike, të shpjegojmë pse, kur dhe ku politika ka rëndësi në jetët tona.

Pese yje. smiley

Nje tjeter aspekt, mbase jo aq i rendesishem per gazetarine sesa per gjuhen shqipe, eshte qe duhet folur shqip, sidomos nga gazetaria. Afektim dmth ndikim shqip, qe e perdor autorja ne kete shkrim, e shume fjale te tjera te huaja qe perdoren pavaresisht egzistences se ekuivalenteve ne shqip.

Sot nese nuk di 2-3 gjuhe te huaja veshtire te kuptosh ca thone gazetaret dhe analistet shqiptare. smiley

Shkrim i bukur . I ka rene ne koke muhabetit gazetaresk sidomos aty ke Ne.

Po kur shkru dhe EDI PALOKA mos shkrujt njeri .Se di nese rron ai TIT LLAPA (kush e ma men )se dhe ai do shkrute.

Kriza e gazetarise shqiptare fillon qe nga Departamenti i Gazetarise ne Universitetin e Tiranes, ku duke vecuar disa pegagoge, pjesa tjeter e tyre nuk kane lidhje me gazetarine, madje nuk kane punuar asnje dite si gazetar. Per te mos thene qe ka edhe pegadoge qe jane kryeredaktore te gazetave partiake... Kriza fillon qe nga bankat e saj shkolle.

Sidoqofte Departamenti i Gazetarise eshte cilesor, megjithe defektet e vogla qe mund te kete. ajo qe thua robin mbase qendron, por nga sa di une ai eshte edhe departament i shkencave te komunikimit keshtu qe do kete edhe jo gazetare, normale.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).