Ervin Hatibi: Trafikimi im në botën e arteve pamore

I rezervuar në daljet publike pa shkak dhe i karakterizuar nga një prirje qendërikjeje, Ervin Hatibi në ditët e fundnëntorit u bë i pranishëm përmes qasjes së tij ndaj artit pamor. "Ubi sunt", si një refleksion ndaj gurëve të varrit, qëndroi e çelur deri në datën 10 dhjetor në galerinë "Promenade" në Vlorë. Ervin Hatibi, i cili profilin e vet e ka prej poeti para publikut shqiptar, nuk ka qenë i pranishëm fizikisht në këtë prezantim. Prej disa kohësh ai jeton në Turqi. Kjo nuk është hera e parë që Hatibi tenton ekspozimin. Ka qenë viti 1991, në një ekspozitë të përbashkët "jozyrtare" si kohë, që ai e cilëson "trafikimin tim të parë publik në botën e arteve pamore". Ndonëse me shkëputje të vazhdueshme, Ervin Hatibi bëhet pjesë e ngjarjeve kulturore herë përmes botimeve e herë përmes aktivitetesh të tilla. Në një intervistë për gazetën, Hatibi përpiqet t‘i qaset teorikisht vetes si artist pamor, ndërsa shprehet se së shpejti pret të botojë disa ese gjysmëletrare. Për të, zgjedhja e mënyrës së prezantimit publik është thelbësore për vetë orientimin që artisti i ofron publikut për leximin e artit të tij, ndaj shprehet se do të ulet të bisedojë me ta sa herë që ka diçka serioze për t‘u thënë.

"Ubi sunt" ishte ekspozita juaj e parë personale për publikun shqiptar si artist pamor. Nuk keni zgjedhur Tiranën, por Vlorën. Është në vazhdën e tërheqjeve tuaja nga qendrat?

Artan Shabani i galerisë "Promenade", më bëri një ofertë që nuk mund të refuzohej, d.m.th. më ofroi të ekspozoj në një galeri komode, drejtuar nga një profesionist pasionant dhe për të ardhur tek ajo që thoni ju, më premtoi se e gjitha kjo do ndodhte në Vlorë. Jo vetëm për faktin se ky është qyteti me kuptime të forta pavarësie e rebelimi, por duke qenë edhe "periferi", akti i ekspozimit atje, në përmasën jo thjesht artistike, mori tek unë ca nënvizime të dëshiruara separatizmi e qendërikjeje. Jam tepër i kënaqur që iu bashkova një ndërmarrjeje ambicioze, e cila tenton ta hapë gjeografinë e ngjarjeve artistike përtej Tiranës, aq më tepër kur bëhet fjalë për një qytet që e dua shumë e ku kam gjithë ata shokë. Në një përmasë tjetër leximi, kjo ekspozitë, teknikisht, nuk është e para që kam hapur në Shqipëri. Në maj të 1991-shit kam ekspozuar bashkë me 8 artistë të tjerë në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe ka qenë befasi e bukur se ndodhi krejt rastësisht. Duke kundruar nga brenda punimet përgatitore të hapjes së një ekspozite, sigurisht pa më shkuar dot në mendje kurrë pjesëmarrja, disa prej artistëve të pranishëm, me të cilët sapo kisha nisur të miqësohem, treguan interes për kolazhet e mia dhe më lanë pa gojë kur më propozuan t‘i var përbri punëve të tyre. Ekspozita ishte nga të parat, në mos e para e artit "jozyrtar" në vend; jozyrtar sa i përket jo vetëm daljes qëllimshëm jashtë gramatikës së njohur teknike dhe tematike, por edhe për atë se "politikisht" ishte me sa duket e para që organizohej nga poshtë, në kuptimin e shmangies së hierarkive burokratike në përzgjedhje e vendime. Midis paralizës gati totale që kishte kapluar shtetin e shoqërinë në ato ditë të grevës së përgjithshme të sindikatave, ajri anarkik që thithnin të gjithë mundësoi trafikimin tim të parë publik në botën e arteve pamore, duke i shpronësuar përkohësisht autoritetet klerikale të institucioneve shtetërore të artit nga Vendi - më i shenjti - e po ashtu edhe nga Koha, ajo që nuk e kisha kaluar në procedura iniciatike a disiplinime formale shkollore, pa të cilat nuk kryhej investitura e artistit. Po në Tiranë, gjithnjë në "territore përkohësisht autonome" apo përkohësisht publike/artistike, kam ekspozuar poezi grafike më 1991, me dy kolegë, plus dy cikle posterash, një më 1996-n, tjetri më 2006-n. Tani, dukshëm unë po i problematizoj pak këto kronikat e ekspozitave, por mënyra sesi e shoh publikimin e artit, ka të bëjë më pak me punën që sajon artisti privatisht se sa me raportin e konfrontimit që ajo krijon me publikun, institucionet, historinë, duke u vendosur mes tyre në bazë të ca rregullimeve paraprake, të cilat do t‘i japin pastaj punës një pjesë të madhe të kuptimeve. Në këtë prizëm, pyetja se si, ku apo kur ekspozon, mënyra se si i përdor apo shpërdoron strukturat e publikimit artisti, ka rëndësi të paneglizhueshme në përpjekjen e tij për të imponuar leximin e vet mbi punët e veta.

Ashtu si edhe në poezi, nxitja ka ardhur nga kohët e hershme, në këtë rast të fëmijërisë. Vijnë në mënyrë të natyrshme apo ti vetë "zhytesh" në ato kohë?

Kur në tekstin që kam shkruar për ekspozitën, flas për varre të vjetra që i kam prekur si fëmijë, përpiqem më tepër të hamendësoj, apo përmes një truku, të zbuloj apo të dyshoj në pjesë të pavullnetshme, të paplanifikuara të projektit tim. Unë di vetëm se një ditë prej ditësh kam pikturuar një varr. Pastaj, ca nga ca, karton pas kartoni, gati një varrezë të plotë. Përtej ca vendimeve të mia strategjike, që janë të prekshme e të ditura po aq sa marka e vinovilit me të cilin përgatis bojërat, ka një pjesë të procesit që nuk e lokalizoj dot, nuk ia gjej origjinën. Këtë mosdijeni, ashtu si shumë të tjera, përpiqem ta justifikoj apo komentoj me argumente prej fëmijërisë. Se fëmijëria është ai momenti ku dituria e vetvetishme është ende e pasfiduar nga akumulimi i aksidenteve banale që i quajmë përvojë, por është edhe një kopshtije jashtë ligjit, në të cilin jemi ende të lirë të kemi pamjen tonë për gjërat. Në këtë mënyrë ajo që quajnë muzë mbase është fëmija mbi të cilin pastaj shoqëria sharton veten e vet e na prodhon në format adult. Së këndejmi, përballë frymëzimit si zbritje nga lart, apo mbase si zbritje nga e ardhmja, ka edhe një mënyrë tjetër, ngjitëse, që bën përpjetë nga fëmijëria drejt nesh. Në të dyja rastet, doza tjetërsuese është gati e njëjtë.

Angazhimi si artist pamor është një eksperiment i juaji për mënyrat e shprehjes?

Nuk kisha për ta quajtur eksperiment. Më tepër është një mjet për të zhgënjyer boshin që shqetëson herë qenien e herë siluetën e saj sociale. Nuk dihet mirë, sepse një pjese jo të vogël të njerëzve, ku fus edhe rastin tim, i duhet të përmirësojë mendimin për veten përmes punëdoreve të ndryshme. Unë prodhoj objekte, sepse këtë e kam bërë përherë dhe sepse kjo tashmë më sfidon. Ajo që unë pretendoj se mbaj brenda, mbase është e tillë që të kërkojë të konfirmohet estetikisht përjashta: në një farë mënyre, në letra apo gjetiu, lufta është për të prodhuar një autoportret që të na pëlqejë apo që të na zëvendësojë sa më bindshëm pamjet që nuk duam t‘i shohim. Kurse më shpesh është thjesht një ritual i vjetër, që kapërcen arsyet apo spekulimet e gjithkujt, e sa më pak ta vrasësh mendjen për të, aq më shumë të shijon. Për sa kohë do të më pëlqejë të var në mure punët e mia, për sa kohë që miqve të mi do t‘ju pëlqejë kjo për muret e tyre, nuk ka ndonjë shenjë tjetër më të qartë se sido që të jetë, është mirë dhe duhet vazhduar.

Prej disa kohësh ju po jetoni në Turqi. Çfarë keni zbuluar nga afër te ky vend dhe njerëzit e tij?

Në Turqi mua më duket vetja vetëm kur shkoj në ndonjë zyrë të shtetit, apo kur hidhem për disa minuta në ndonjë kanal televiziv vendas. Realisht Stambolli është kaq madhështor dhe kaq shtypës, sa Turqia abstrakte humb si detaj nëpër cepa targash në trafik. Ajo që do të mbaj mend unë nga këtu, dua të jetë kujtimi i ca qosheve jashtëkohore që janë zhdukur prej vitesh nga Tirana e po zhduken dita-ditës edhe këtu. Po ashtu edhe dashuria prekëse që kanë njerëzia këtu për macet.

Sa ka ndikuar kjo periudhë te ju për sa i përket besimit, ka raporte të përmbysura?

Mendoj se çdo gjë provon të ndikojë te besimi e po ashtu edhe besimi provon të ndikojë te gjërat. Unë jam nga ata që nuk munden përveçse të shpresojnë se besimi do të ndikojë më shumë te gjërat sesa e kundërta.

Kohët e fundit dukesh paksa i tërhequr nga jeta publike. Është një nga ato periudhat kur merresh "me veten"?

Për momentin po rri këtu dhe duke ndenjur po përpiqem të mbaj mend një qytet mitologjik, i cili pas disa vitesh besoj se do të jetë zhdukur krejt, hiq minaret e kartolinave.

Në këtë kuptim ka edhe një tërheqje nga krijimtaria, të paktën nga kontakti me lexuesin. Është situata jo e favorshme letrare që ju ka kushtëzuar?

Në fakt, artistët që kam pasur unë si shembull, krijimtarinë e kanë parë si një kantier, jo si punishte, si një pretekst i cili shërben për të mirëmbajtur gjendjen e tensionit kreativ rreth artistit. Projektet, aksidentet, reliktet që prodhohen gjatë kësaj mirëmbajtjeje, e të cilat jo përherë klasifikohen dot në sirtarë zhanresh artistike, janë gjithë ajo çka koleksionohet në nivele të ndryshme të dëshmitarëve, të cilët duke pranuar ndarjen e punëve, kanë zgjedhur ta celebrojnë dikë si artist. Kështu, ata, në oraret që i kanë dedikuar artistit, zgjedhin dhe marrin nëpër kantier objekte apo përshtypje që u hyjnë në punë, sepse këtë liri bastisjesh e sekuestrimesh ua njeh statusi i tyre si celebrues të artistit. Në këmbim të kësaj të drejte shpronësimi, ata i kanë dhënë të gjithë nga pak pjesë nga liria e tyre artistit, duke u ngushtuar për ta trajtuar si të ndryshëm, si qenie kufitare, në skaj të normës dhe të dijes. Me t‘u kryer kremtimi i dikujt si artist, është përherë tepër vonë për të dyja palët që të tërhiqen, të bëjnë sikur nuk e dinë. Vështrimi ndaj këtij të shpallurit si artist nuk do të pafajësohet dot më, dhe së këndejmi gjithë marrëdhëniet e mëtejshme me të do të lexohen në bazë të këtij momenti kremtues e tjetërsues, sado dobët. Për të qenë më i qartë, më duhet të shkoj pak në ekstrem, duke bërë pyetjen nëse e bën vepra artistin, apo ky veprën. Ose a mund të ekzistojnë ndaras e pa lidhje artisti me veprën? Ose pak më troç, a ka vepra që nuk i ka bërë asnjë artist, apo artistë që nuk kanë bërë ndonjë vepër? Duke e lënë mënjanë parabolën e orës së rërës, ku dukshëm një herë derdhet pula dhe formëson vezën, pastaj kjo avash-avash bëhet pulë, pastaj me një kthim ciklik rëra bie e mbështjell me lëvozhgë vezën, dua të them se përveç vizionit amësor/prodhimtar të artistit, ekziston edhe figura parazitare e gjelit, mungesa e të cilit në parabolë bërtet prej shekujsh brenda vezëve.
Pavarësisht periudhave të shkëputjes, ju mbeteni një nga poetët më të vlerësuar të brezit tuaj. Kjo duhet të ishte një stimul më shumë se tërheqje...

Respekti për veten dhe lexuesin më bën t‘i dal këtij në takim vetëm kur gjykoj se kam ndonjë muhabet serioz për t‘i bërë.

Aktualisht, si është procesi juaj i të shkruarit? Pritet ndonjë botim së afërmi?

Kam në dorë disa ese gjysmëletrare, të cilat shpresoj t‘i botoj sa më shpejt.

Poezi, arte pamore... Ka ndonjë fushë tjetër të artit që ju grish ta provoni?

Para rreth 15 vitesh, një koleg në entuziazëm e sipër ma tha haptas, se sipas tij, ne mund të merreshim me gjithçka - hiq një lloj zhanri skenik, për të cilin ai la të kuptohej se nuk kishim ose fizikun ose predispozitën etike të duhur. Sot pas 15 vjetësh, lista është ngushtuar drastikisht, sërish për të njëjtat shkaqe të aluduara nga kolegu im. Kam besimin se listat e provave janë mbyllur, në mos qofshin hapur për shkurtime.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).