Endrra të shkuara dëm

E mbyllëm edhe një vit dhe të gjithë po përpiqemi të kuptojmë se si na shkoi, mirë a keq. Qeveritë dhe politika i masin hapat që bëjnë, me muaj apo edhe me javë, ndërsa historia i mat me vite dhe me breza. Dhe atje tek brezat, shihen hapat e vërteta të shoqërisë.
Njerëzia u kanë ngritur monumente e statuja perëndive e mbretërve që prej katër a pesë mijë vjetësh. Mirëpo këtyre, monumentet u takojnë "ex officio" siç do thoshin latinët, pra për shkak të detyrës. Je Perëndi dhe njerëzia, babilonas a egjyptianë qofshin, detyrohen të të ngrenë një shatatore ku të të falen. Edhe në qofsh mbret, prapë shtatorja të takon me tapí. Ndërsa grekërit e vjetër qenë të parët që, përpos këtyre, filluan t‘u ngrenë shtatore edhe heronjve njerëzorë, atyre tokësorë, që me veprat e tyre të ç‘do fushe, ngjallnin admirtatën e të tjerëve. Kështu na përcollën ata shtatoret e Akilit e të Homerit, të Leonidës, Aristotelit e Odhisesë. Që prej atëhere e deri në ditët tona, të gjitha qyterërimet u kanë ngritur e u ngrenë monumente heronjve të tyre, shkrimtarë a fillozofë, trima a shpatarë, mendimtarë e shtetarë, njerëz që me ëndrrën dhe përpjekjet e tyre, janë përpjekur ta çojnë përpara njerëzimin. Puna e do që, në më të shumtën e rasteve ai, Heroi i shtatores, të ketë vdekur a të jetë vrarë përpara se ta shohë të realizuar ëndrën e vet, gjë që mund ta bëjë pas vdekjes që së larti piedestalit ku e ngre shoqëria.
Duke notuar nëpër këto detra, më mori dallga e heroizmës edhe mua dhe u vura të rreshtoj heronjtë e vendit tim, për të parë se sa u janë jetëzuar pas vdekjes përpjekjet e tyre për së gjalli. Në këtë pikë, edhe në daça unë të ndërroj udhë, nuk e filloj dot me kënd tjetër, veç Skënder Beut që lartohet për midis Tiranës. E pra, një çerek shekulli vite harxhoi Gjergji ynë që t‘i ndahet islamit, por në fund të historisë, edhe pas 500 vjetësh, përmendorja e tij nuk shpëtoi dot nga silueta e xhamisë që i rri në sfond e pashkëputur.
Pasi e humbëm luftën me islamin dhe ndënjëm urtë nja katër shekuj, u desh Rilindja që të fillonim të ngrinim kokë sërish. Dhe, në pati hall të madh Rilindja Kombëtare veçanërisht në Jug, e pati me grekërit që nuk donin ta ndanin fenë nga kombi dhe që me këtë kurth, i përmblidhnin tërë orthodhoksët tanë ndën flamurin e tyre. Sa është bërë luftë në Jug në ato vite të fundit kundër orthodhoksisë së manipuluar, nuk kishim bërë as për 400 vjetët e fundit bashkë. Vite më pas Odhise Paskali tek Luftëtari Kombëtar u përpoq të shfaqte pikërisht këtë përpjekje të madhe. E pra Luftëtari e bëri të tijën, edhe Odhiseja që e derdhi në bronx e bëri punën, por prapë se prapë, fundi i shekullit tonë e gjeti heroin me Katedralen Ortodokse në shpinë.
Po në atë qytet që ai vetë i këndoi "Lumja ti moj Korçë o lule", ngrihet edhe shtatorja e Naim Frashërit. Që prej njëqind vjetësh, s‘ka kaluar mbi këtë tokë shqiptar që s‘e ka kënduar vargun "O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë". Këndoi e këndoi Naimi për male e lisa, për bregore e korie me pisha, me afsh të pashuar për t‘a parë Shqipërinë kështu, por në fund edhe monumenti i tij në sfond nuk ka as edhe një pemë për be, por një pyll të dëndur kollonash betoni e katesh që hidhen përpjetë pa numërim.
Dhe erdhën kohët e heronjve të rinj, të atyre që do bënin luftën e madhe që do të sillte begatinë për të gjithë. Kjo ëndrra e kësaj kategorie heronjsh qe e bukur vërtet. Nuk do kishte më mbi këtë tokë fukarenj e të varfër, por njerëz të barabartë e me dinjitet. U vranë heronjtë e rinj për këtë ideal dhe ua bënë brezat monumentin midis Tiranës. Por pikërisht ai, monumenti i Partizanit të Panjohur, sot shërben si simbol i varfërisë pa shpëtim dhe shkallët e piedestalit të tij edhe sot e gjithë ditën u shërbejnë të varfërve për të pritur punë nga të pasurit.
Këta, heronjtë e Luftës së Madhe, qenë vërtet idealistë dhe ishin të bindur se do e ndryshonin botën me themel dhe do të ngrinin botën e re të begatisë e lumturisë, ndërsa bota e vjetër do të përfundonte e harruar në plehrat e historisë. E bënë luftën dhe shumë u vranë për ëndrrën e tyre. Ua bëmë monumentin, por fati e desh që prapë monumenti i pesë prej tyre të përfundojë në fushën e plehrave të qytetit në Shkodër.
Këtë marshim heronjsh të vajtur dëm, mund ta vazhdoj pafund edhe unë edhe ju në daçi, por s‘do të doja të mendoni se po tallem me fatin e tyre, apo se po jua lë fajin heronjve. Jo faji është i yni. Ata e bënë veprën e tyre dhe, qëkurse merituan monumente, vepra ka qënë e mirë. Faji është i yni që, të paaftë t‘u japim jetë ëndrrave të këtij vëndi, përpiqemi që t‘i harrojmë heronjtë në vetminë e tyre. Por kështu harrojmë se çdo ëndërr e çuar dëm, është jo thjesht një hero i së shkuarës i harxhuar më kot, por edhe një hap në vënd numëro, apo edhe më keq, së prapi, në udhën e madhe drejt së ardhmes.
Paçim sa më pak ëndrra të shkuara dëm, në motin që po vjen!

6 Komente

. E pra, një çerek shekulli vite harxhoi Gjergji ynë që t‘i ndahet islamit, por në fund të historisë, edhe pas 500 vjetësh, përmendorja e tij nuk shpëtoi dot nga silueta e xhamisë që i rri në sfond e pashkëputur. Eja z Lame dhe shiko ketu ne angli si qendojne prane e prane,kisha,xhamia,tempulli e shume objekte te tjera te fese.Kjo eshte demokracia qe u jep jete endrave.
 

Këta, heronjtë e Luftës së Madhe, qenë vërtet idealistë dhe ishin të bindur se do e ndryshonin botën me themel dhe do të ngrinin botën e re të begatisë e lumturisë, ndërsa bota e vjetër do të përfundonte e harruar në plehrat e historisë.

Ku shkuan idealet e ketyre heronjve,ata nuk luftuan per te ndertuar bunkere burgje e tela me gjemba,qe diktatura i ndertoj dhe mbylli mbrenda tyre lumturine begatine dhe endrat per te cilat luftuan keta heroj

sa patetik..... 

Mendoj se asgje nuk shkon dem. Thjesht riciklohet, modifikohet, permiresohet, sipas kushteve e dinamikave qe realiteti ofron.

E rendesishme eshte qe te mos pushohet kurre se enderruari.

E rendesishme eshte qe te mos pushohet kurre se enderruari.

Endrra ne diell apo endrra me gjelle pasanikesh, Olsi? smiley

sa here qe te lexoj ty kaq entuziast, optimist, enderrimtar me vjen te te pyes nga te buron gjithe ky humor i mire, mo djale? Na rrefe sekretin, te pakten, ( ma bej dhurate per vit te ri, te lutem smiley )se kushedi me injektohet dhe mua ky entuziazmi yt.

Nuk e di Ana cili eshte sekreti, por shpesh here kur zgjohem ne mengjes dhe dal rruges, mrekullohem nga drita qe me shohin syte, zhurmat qe me kapin veshet, ajri qe me perledhel lekuren, njerezit qe kam perreth... e te tjera "banalitete" si keto... Si mund te mos enderrosh pas gjithe kesaj?

Nqs. ky eshte sekreti, lutem qe edhe ty te te bejne nje dhurate te tille per Vitin e Ri. Une personalisht nuk mund te ta bej kete dhurate, vecse mund te ndihmoj qe kjo te ndodh, por mbase dikush tjeter... mundet. smiley

 

 

 "....Faji është i yni që, të paaftë t‘u japim jetë ëndrrave të këtij vëndi, përpiqemi që t‘i harrojmë heronjtë në vetminë e tyre. Por kështu harrojmë se çdo ëndërr e çuar dëm, është jo thjesht një hero i së shkuarës i harxhuar më kot, por edhe një hap në vënd numëro, apo edhe më keq, së prapi, në udhën e madhe drejt së ardhmes..." 

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).