E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit - Pj2

Te kjo tezë e re ne shohim një nonsens, për të mos thënë një absurditet. Por, disa akademikë sllavë të Shkupit duket se nuk duan të dinë fare për saktësi historike. Për ta, maqedonët e ditëve tona, vëllezërit e bullgarëve apo kushërinjtë e serbëve, kur e do puna janë sllavë, kur nuk e do puna nuk janë sllavë. Kur flitet për autoktoni ata nuk janë sllavë, por pasardhësit e maqedonëve të Filipit të Maqedonisë e të Aleksandrit të Madh. Përkundrazi, kur takohen me vëllezërit e familjes së tyre etnogjuhësore me rusë, bullgarë, serbë, ata shndërrohen në sllavë.
Rreth 30 vjet më parë, erdhi në Tiranë profesori maqedon, Hristo Andonov Poljanski, i cili mbajti në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë një ligjëratë mbi marrëdhëniet shqiptaro-maqedone. Ai e nisi ligjëratën afërsisht me këto fjalë: Marrëdhëniet maqedone-shqiptare kanë rrënjë të lashta në histori. Ato fillojnë, tha ai, që në kohën e Aleksandrit të Madh. I nderuari profesor i Shkupit kujtoi se me këtë lashtësi që ai na atribuoi, ne, shqiptarët e Shqipërisë së sotme duhej të krenoheshim, sepse duke na trajtuar si fqinjë të lashtë nuk ishim ardhacakë, por banorë të viseve tona të paktën që në kohën e Aleksandërit të Madh. Në të vërtetë, gjithë auditori u step kur e dëgjoi këtë profesor të nxirrte nga goja xhevahirin e padëgjuar se maqedonët e sotshëm ishin stërnipër të Lekës së Madh. Ca më tepër, auditori u çudit kur profesor Poljanski tha se Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu, nuk ishte shqiptar, por maqedon, sidomos kur shtoi se në ushtrinë që ai udhëhoqi në luftë kundër Perandorisë Osmane bënin pjesë kryesisht luftëtarë maqedonë dhe pak shqiptarë. Ne e përmbajtëm veten, por e pyetëm: Profesor, për cilët maqedonë flisni, sepse për ne historianët, në kohën e Aleksandërit të Madh, juve bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandërit të Madh ju keni ardhur dhjetë shekuj më vonë. Ai u përgjigj afërsisht në këtë mënyrë: Kam respekt, tha, për kulturën tuaj dhe për dijenitë tuaja. Por ju, ende nuk e keni mësuar historinë e vërtetë. Ne, tha ai, maqedonët, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhësit e tyre kulturorë, por edhe gjenetikë. Ne kemi të drejtë të krenohemi me Aleksandërin e Madh dhe të përdorim flamurin e tij. Pranojmë, i thamë, se nuk e dimë mirë historinë, prandaj u pyesim të na sqaroni çfarë do të thoshit ju nëse turqit osmanë, të cilët u vendosën në viset e Perandorisë Bizantine dhe patën të njëjtin kryeqytet, Stambollin, do ta quanin veten e tyre pasardhës gjenetikë të bizantinëve dhe shtetin e tyre do ta emërtonin në bazë të kriterit tuaj, jo Perandori Osmane, por Perandori Bizantine? Deri sot nuk kemi marrë ende përgjigje.
Ne kujtuam se profesor Poljanski ishte një pjellë e rrallë e nacionalizmit maqedonomadh, por tani po shohim se paskemi qenë të gabuar. Paskemi qenë të gabuar, sepse më 1991, kur ish-Republika maqedone e Jugosllavisë u bë republikë e pavarur në Ballkan, udhëheqësit e saj adoptuan për flamur kombëtar të tyre flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë. Të adoptosh emrin e lashtë të Maqedonisë si emër kombëtar të republikës së krijuar në shekullin XX dhe të adoptosh për këtë republikë të re flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë, kjo përsëri është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë kundër vullnetit të një kombi. Megjithatë, si qytetarë të një vendi që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe ca më tepër, si historianë që përpiqen të përvetësojnë standardet e metodologjisë moderne të historiografisë, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje se këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rremë, fals të identitetit kombëtar. Ja, në veprën e këtij profesori të mbushur me "madhërinë e vet" (shprehje e Migjenit) është mbështetur zëri shqiptarët e Maqedonisë, që botoi Akademia e Shkupit. Si mund të ndryshohet tri herë identiteti kombëtar brenda një shekulli? Çfarë kombi është ky, pjesëtarët e të cilit janë sllavë dhe si të tillë një shekull më parë quheshin bullgarë, pastaj e shpallën veten maqedonë, por përsëri sllavë, kurse pas vitit 1991 e quajnë veten maqedonë antikë, pra jo sllavë? Na vjen me të vërtetë keq që fqinjët tanë janë ende në kërkim të një identiteti përfundimtar kombëtar, kërkim i cili nuk dimë se ku do t‘i çojë më tej.
Tani le të kthehemi në faktet historike.
2
Struktura etnike në Maqedoninë e sotme në
shek. VI, në pragun e dyndjeve sllave

Para se sllavët të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik, pra para Mesjetës së hershme, maqedonët e sotshëm, si pjesëtarë të etnive sllave, banonin në stepat e Rusisë. Nuk dimë të ketë historianë që ta kenë ndriçuar parahistorinë e sllavëve, pra historinë kur ata jetonin në atdheun e tyre të hershëm, e cila është ende thellësisht e errët. Në fakt, etnogjeneza e maqedonëve të sotshëm fillon me dyndjet e tyre nga stepat ruse dhe me ngulitjen e tyre në trevat ballkanike. Pra, fillon kur ata u bënë fqinjë me popullatat ilire, të cilat banonin në Gadishullin Ballkanik që nga agimi i historisë e këtej. Megjithatë, procesi i formimit të etnisë maqedone apo i paraardhësve të tyre bullgaro-sllavëve nuk u krye menjëherë pas vendosjes së tyre në Gadishullin Ballkanik. Ai pushton shekujt e Mesjetës së hershme.
Mesjeta e hershme është një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së kombësive të Gadishullit Ballkanik. Si kudo në kontinentin europian, edhe këtu, gjatë kësaj periudhe ndodhën shndërrime të thella në fushën ekonomike dhe shoqërore, politike dhe kulturore. Shkakun themelor këto shndërrime e patën te kriza që mbërtheu rendin skllavopronar dhe te vala e gjatë e dyndjeve barbare që pësoi Gadishulli Ballkanik në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës së hershme. Në kuadrin e këtyre dy fenomeneve, shoqëria antike skllaviste në këto troje u përmbys. Mbi gërmadhat e saj lindi shoqëria feudale e Mesjetës së hershme. Në të njëjtën kohë, në përfundim të dyndjeve barbare në Gadishullin Ballkanik ndodhën ndryshime të rëndësishme edhe në hartën etnike të Europës Juglindore. Disa kombësi antike u zhdukën, disa rezistuan. Vendin e kombësive që u zhdukën e zunë popullata të reja që u dyndën nga veriu dhe nga verilindja e gadishullit.
Dihet se Mesjeta e hershme është jo vetëm për trevën shqiptare, por për mbarë Europën Juglindore, një periudhë thellësisht e varfër nga pikëpamja e burimeve dokumentare. Këtë varfëri të burimeve historike e kanë shfrytëzuar historianët e interesuar sllavë për të krijuar përshtypjen fiktive, sikur në Antikitetin e vonë, në fillim të dyndjeve barbare, trojet e Maqedonisë dhe të Dardanisë kishin mbetur pa banorë dhe se ato u mbushën, sipas tyre, me banorë të rinj sllavë, të cilët vërshuan në këto vise në pjesën e parë të shekullit VII. Me një fjalë, sipas tyre, banorët sllavë nuk janë uzurpatorë, por popullata që mbushën toka të zbrazura pa banorë, duke fituar kështu të drejtën e pronësisë mbi këto vise. Por, për të dyja këto çështje me rëndësi kapitale - për asgjësimin e popullatave të mëparshme ilire dhe për vendosjen e popullatave të dyndura sllave - historianët që përkrahin këtë tezë të re nuk kanë sjellë për asnjërën prej tyre argumente historike.
Me këtë rast dua të përsëris atë që kam pohuar në konferencën organizuar në Shkup në dhjetor të vitit 1991, me titull "Shqiptarët e Maqedonisë". Aty kam thënë:
"Nuk është e fshehtë se është mohuar prania e shqiptarëve në viset e tyre të Ballkanit gjatë kësaj periudhe (gjatë Mesjetës së hershme - K.F.). Kjo ka krijuar atë interpretim të shtrembër sikur shqiptarët në trojet e tyre historike nuk janë të zotët e shtëpisë, por të ardhur. Është temë e vështirë sigurisht. Mungojnë materialet dhe burimet e shkruara janë shumë të varfra. Por, burimet mungojnë edhe për ata (maqedonët - K.F.) që pretendojnë se janë të zotët e shtëpisë". (Shqiptarët e Maqedonisë, botim i Meshihati i BI në RM, Shkup 1994, f.634).

Ndërkohë, rezultatet e hulumtimeve të mëvonshme kanë hedhur nga pikëpamja dokumentare mjaft dritë mbi strukturën etnike që kishin viset shqiptare të Maqedonisë së sotme në pragun e dyndjeve sllave. Në trajtesën "Historia e Kosovës, vëll.I, Dardania (Kosova antike), përgatitur nga Kristo Frashëri, botuar nga "Dudaj", Tiranë 2008, janë sjellë me sa e ka lejuar vendi dëshmi që provojnë se treva e gjerë e Dardanisë ka qenë që nga agimi i historisë vazhdimisht e banuar nga popullatat e etnisë ilire. Kjo për të treguar se kur filluan dyndjet e popullatave sllave, Dardania nuk ka qenë një provincë e shkretuar, siç pretendojnë historianët sllavë, por një vend me popullsi të dendur ilire, pa mohuar se krahas tyre ka pasur dhe popullata ilire të romanizuara ose thjesht banorë romakë-latinë. Ato provojnë jo vetëm se kjo pjesë e Dardanisë, e cila është e përfshirë në Republikën e sotme të Maqedonisë ka qenë e ngjeshur me banorë ilirë, por edhe faktin tepër të rëndësishëm se kjo popullsi ilire ka qenë në atë kohë shumë dinamike në jetën ekonomike, shoqërore, politike të Perandorisë Bizantine. Më tej akoma, provinca dardane ka qenë kaq dinamike dhe kaq e populluar me banorë ilirë sa nga gjiri i saj dolën gjatë shekullit VI, tre perandorë të Bizantit me origjinë ilire. Ata qenë: i pari, Justini (518-527) nga Bederiana pranë Shkupit, në Dardani, të cilin kronisti bizantin i kohës së tij, Prokopi i Cezaresë e cilëson në veprën e tij - me prejardhje ilire (Historia quae dicitur Arcana, Lipsiae, B.G. Teubner, 1913, vëll. III, 6,2); I dyti, Justiniani (527-565), i mbiquajtur i Madh, nipi i Justinit, i cili lindi, sipas Prokopit të Cezaresë, në Tauris, fshat pranë Bederianës së Dardanisë, në afërsi të Shkupit, edhe ky ilir; i treti, Justini II (565-578), i cili ishte dardan, pra ilir, posa që ishte nipi i Justinianit të Madh (Menandri, Historici Graeci Minores, edidit Ludovicus Dindofias, fr.25-26).
Fakti që Justiniani ndërtoi dhe rindërtoi në Dardani në mes të shekullit VI më shumë se 158 kala, pra shumë më tepër se në provincat e tjera (në Epirin e Ri 58 kala; në Epirin e Vjetër 36 kala; në provincën maqedone 46 kala), tregon se këtu popullsia vazhdonte të ishte e dendur dhe jo e rralluar, siç pretendojnë jo pak historianë. Edhe dekreti që nënshkroi Justiniani më 18 tetor 532 mbi vështrimin juridik të institutit të familjes drejtuar prefektit të prefekturës së Ilirikut dëshmon për një jetë shoqërore dhe sllaviste tepër aktive te dardanët. Jetën shoqërore aktive të Dardanisë e dëshmon dhe novela XI pjesë e "Codex Justinianus", që Justiniani shpalli në vitin 535, me të cilën ai krijoi në trevën dardane, madje në vendlindjen e tij, pranë Shkupit, një kryepeshkopatë të re nën ombrellën e Romës, pa përfshirë provincën e Maqedonisë, pra një institucion kishtar që nuk do të kishte më lidhje me kryepeshkopatën e Selanikut, e cila mbeti e varur nga Kostandinopoja. Për më tepër, edhe pse nën ombrellën e Romës, institucioni i ri nuk do të ishte mitropoli, siç ishte ajo e Shkupit, por një kryepeshkopatë në një shkallë më të lartë, me statusin e ekzarkatit, e cila nënkuptonte se do të gëzonte një autoqefali kishtare. Vetë ngritja e një ekzarkati nënkupton një popullsi më me peshë se sa kishte një kryepeshkopatë në atë kohë. Fakti që kjo kryepeshkopatë kishte në vartësinë e vet disa peshkopata, është një dëshmi më tepër që provon popullsinë e dendur të krishterë të Dardanisë.
Në kundërshtim me historianët kryesisht sllavë, të cilët mohojnë karakterin etnik ilir të banorëve që popullonin brezin jugor të trevës dardane, me qendër Shkupin, nuk mungojnë historianë jugosllavë, të cilët nuk pajtohen me kolegët e tyre të politizuar. Midis tyre, vlen të përmendet një nga penat më të njohura të historiografisë bashkëkohore jugosllave, Fanulla Papazoglu. Ajo ka shkruar se Dardania ishte "një nga krahinat ballkanike më pak të romanizuara" dhe se "popullsia e saj vendase duket se e kishte ruajtur më mirë se gjetiu individualitetin dhe vetëdijen e saj etnike". Pastaj "nuk duhet pra, përjashtuar mundësia që dardanët, të cilët i shpëtuan romanizimit, të kenë mbijetuar, përfundon ajo, edhe pas migracionit sllav dhe të kenë dalë në Mesjetë me emrin shqiptar". (F. Papazoglu, Les royaumes d‘Illyrie et de Dardanie. Origines et developpement. Structures, hellenisation et romanisation. Në: "Iliri e Albanci", Beograd 1988, f. 19). Po ashtu, gjuhëtari i shquar serb, Henrik Bariç, pranon se shqiptarët banonin në hapësirën e Dardanisë dhe të Peonisë, para se në këto vise të dyndeshin sllavët. Në mungesë të njoftimeve historike, shkruan ai, praninë e shqiptarëve në këto vise në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës e vërtetojnë jo vetëm emrat ilirë të personave që ndeshen në mbishkrimet e varreve, por edhe toponimitë antike të kësaj treve, siç janë Scupi, Naissus, Astibos, Lychnis, shndërrimi i të cilëve në trajtat e mëvonshme Shkup (Scupi), Nish (Naissus), Shtip (Astibos), Ohër (Lychnid), etj., shpjegohet me anën e ligjeve fonetike jo të sllavishtes, por të shqipes (H. Bariç, Hymje në historinë e gjuhës shqipe. Prishtinë 1955, f. 49-50).
Nga sa u tha deri këtu dalin dy konkluzione, të cilat akademikët e Maqedonisë duhet t‘i kenë parasysh: e para, se në pragun e dyndjes së barbarëve në Gadishullin Ballkanik provinca e Dardanisë nuk ishte rralluar për nga popullsia, por kishte banorë ilirë aktivë dhe, e dyta, se këto vise ilire ku dhe sot e kësaj dite banojnë shqiptarë në shumicë, të cilët në shekullin VI vazhdonin ta kishin fytyrën të kthyer nga Roma, nuk kishin asnjë lidhje me provincën maqedone, e cila kishtarisht mbeti e lidhur me Kostandinopojën. Mohimi i këtyre konkluzioneve është një spekulim pa shije.
Të dy këto konkluzione na bindin se, teza e përhapur në historiografinë ballkanistike se në fund të Antikitetit, pra para ngulimeve sllave në Ballkan viset e sotme të Maqedonisë ishin pa banorë, mbështetet në pohime aprioristike pa dëshmi dokumentare. Kundërshtarët e këtyre dy konkluzioneve citojnë jo burimet dokumentare të Antikitetit të vonë, por njëri-tjetrin ose shumë-shumë toponimet sllave që ndeshen në viset shqiptare të Maqedonisë. Toponimet sllave, të cilat sot janë tepër të përhapura jo vetëm në viset shqiptare të Maqedonisë, por edhe në mbarë Gadishullin Ballkanik, nuk ndeshen në shekujt e hershëm mesjetarë. Ato dalin në fushën e burimeve dokumentare më vonë, duke filluar nga shekulli XI e këtej. Nuk është pa vend të përmendim këtu njoftimin që na jep kronisti bizantin me origjinë ilire, Marcelin Komesi, sekretari i perandorit Justinian, me origjinë dardane në veprën e vet "Chronicon". Shkupin ai nuk e vendos në asnjë nga të dyja Maqedonitë, por në provincën e Dardanisë (Marcellinus Comes, Chronicon, ad An. 518). Po ashtu, edhe Hierokli e quan Shkupin "Skupimetropolis", domethënë kryeqendrën e Dardanisë (Synecdemos 655, XVI, 8).
Si përfundim, nuk është e drejtë orvatja e disa historianëve, të cilët kur ngjarje që kanë ndodhur në brezin jugor të Dardanisë antike i përfshijnë si ngjarje që i takojnë Maqedonisë antike dhe mesjetare.

Tiranë, Nëntor 2009

4 Komente

Huh!!?

Kaq ishte?

Nuk vijon me? Po pak me tehu' nuk kishte nge te na ndriconte presori? Mesjete e Hershme, deri ne fund te shekullit te 18-te, bie fjala!

Sa i bi? Nja 1200 vjet!

E tmerrshme! Ky eshte nje nga akademiket me ne ze ne Shqiperi!

XERRO PIKE!

P.S.

Kam lexu nje koment tek blogu Peis/zazhe te Fjales:

Thonte robi i huj': A ka ndonje fushe apo te shkences ne te cilen ne mund t'i besojme akademikeve shqiptare?

Seriozisht! smiley

 

 paqesisht, 

ate periudhe qe te preokupo ty e ka trajtu ekskluzivisht Kadareja. smiley 

Nuk eshte vetem Kadareja eksluzivisht! (redundancy alert) smiley

E kane trajtu edhe piktoret e Muzeumit te Skenderbeut ne Kruje! smiley

Po nga Prof. Frasheri pritsha dicka me shume se anekdoda me vizita akademikesh, dhe name-dropping nga antikiteti!

Pocaqiae Superioris! smiley

 mrroklle, 

une ne fakt do te prisja nga kleri shqiptar smiley 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).