Çfarë ndodhi në Festivalin e Këngës

Çfarë fshihet pas perdes që mbyll një festival, pas atmosferës, spektaklit, çmimeve?

"Nuk mundem pa ty" fiton çmimin e parë të Festivalit të Këngës. Këngëtarja Juliana Pasha përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Evropian, "Oslo 2010". Në vend të dytë Anjeza Shahini me kompozimin "Në pasqyrë" të Sokol Marsit dhe në të tretin Kamela Islami me "Gjëra të thjeshta", krijim i Kristi Popës.
Po çfarë fshihet pas perdes që mbyll një festival, pas atmosferës, spektaklit, çmimeve?

Finalja
Përfundoi të dielën, 27 dhjetor, Festivali i 48-të i Këngës, që në katër net solli në skenën e Pallatit të Kongreseve 18 këngëtarët me përvojë dhe 18 të rinj. Çmimi i parë i takoi këngëtares Juliana Pasha, e prezantuar me krijimin e Ardit Gjebresë, "Nuk mundem pa ty", tekst të Gjebresë dhe Pirro Çakos. Kjo është edhe kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, që këtë vit mbahet në Oslo, Norvegji.
Çmimin e dytë e mori këngëtarja Anjeza Shahini, e zgjedhur nga kompozitori Sokol Marsi për këngën "Në pasqyrë", me tekst të Jorgo Papingjit.

Me çmim të tretë u vlerësua Kamela Islami, pjesëmarrëse për herë të parë në festival me këngën "Gjëra të thjeshta", muzikë të Kristi Popës, tekst të Florion Zykos.
Këngëtarët interpretuan "live", të shoqëruar nga orkestra e Radio-Televizionit, që provoi interpretimin direkt sërish jo me të gjithë elementët e saj, ndryshe nga ç'u tha në fillim të këtij edicioni.
Në Festivalin e 48-të nuk kishte të ftuar të huaj. Spektakli ishte konceptuar me pjesë koreografike, interpretime këngësh nga prezantuesit Miriam Çani e Alban Skënderaj, nga anëtari i jurisë Olen Çezari, apo edhe nga vetë konkurrentët.

Kompozitorët
Festivali prezantoi krijime të kompozitorëve të njohur si Agim Krajka, Ardit Gjebrea, Pirro Çako, Ardian Hila, Edmond Zhulali, Endri Sina, të cilët në krahasim me pjesëmarrjet në vitet e fundit paraqesin herë rënie, herë ngritje, po edhe qëndrim në vend. Duket sikur nuk thonë gjë të re këtë edicion kompozitorë si Edmond Zhulali, fitues i festivalit të 47-të me Kejsi Tolën, i cili konkurroi këto net me këngën "Le të bëhet çfarë të dojë" e kënduar nga Flaka Krelani. Po ashtu e Adrian Hila që ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurosong dy herë, merrte pjesë me "Arie" e kënduar nga Denisa Macaj; apo Agim Poshka me "Gëzuar".

E gjejmë me vend konstatimin e anëtarit të jurisë, violinistit Olen Çezari, i cili u shpreh në një intervistë në "Shekulli" se ajo pjesë e festivalit kushtuar këngëtarëve të rinj, ishte e ngopur me muzikë elektronike. Kompozitori Dorian Nini është paraqitur me "Party", e kënduar nga Erga Halilaj, që dukej sikur kishte hyrë gabimisht në këngët e festivalit, më tepër e përshtatshme për diskoteka.

Këto rimte dominuan natën e dytë të festivalit, po i gjeje edhe me zëra të njohur.
Komisioni përzgjedhës i këngëve duhet të ketë toleruar edhe krijime të kompozitorëve jo të njohur që u kishin besuar zërave të njohur. Për shembull Era Rusi u paraqit dobët në krahasim me interpretimin dinjitoz të një viti më parë.
U shfaq pas disa vitesh në Festivalin e Këngës, Bojken Lako. Kënga e tij "Love, Love, Love" u prit mirë si nga juria edhe nga publiku. I këtij brezi kompozitorësh me Lakon, të tërhequr disi nga skena dhe që punojnë jo për festivale, është Kristi Popa. Të dy këta autorë tentojnë të lëvrojnë në drejtime të ndryshme, elementë muzikore të etnosit.
Megjithatë karakteristikë e Festivalit të Këngës është pjesëmarrja e muzikantëve dhe këngëtarëve që nuk janë çdo ditë muzikantë dhe këngëtarë. Gjeje jo pak edhe në këtë edicion nga artistin që gjatë vitit nuk e sheh as në koncert, as në studion e regjistrimit, as në tregun muzikor.
 

Tekstet
Poezia e festivalit mbetet një problem. Në 36 tekstet e këngëve duken pak autorë. Flasin sidomos për dashurinë, ajo/ai që ikën, ajo/ai që dëshpërohet dhe qan, ajo/ai që janë në gjoks të tjetrit me kokën tek retë. Dashuria e zhveshur nga kuptimi i saj njerëzor është një sindromë që nuk po gjen shërim në festivalet tona. Tekstet janë të varfra, vuajnë nga banaliteti dhe nuk i thonë gjë prej gjëje dëgjuesit.
Fjalë dhe vetëm fjalë që dalin lehtë nga gjuha dhe po aq lehtë i harron mendja. Edhe krijimet muzikore cilësore e vuanin fjalën e bukur, pohimin e ndjerë, shpërthimin e heshtur të vuajtjes. Nga ana tjetër këngëtarët tanë mezi u merren vesh fjalët, edhe shqiptimi i tyre është problem.

Është domethënës fakti që kënga fituese "Nuk mundem pa ty", u vlerësua me maksimalen e pikëve nga anëtarët e jurisë, me përjashtim të njërit, poetit dhe shkrimtarit Agron Tufa i cili e vlerësoi diçka më shumë se mesatarja. Mbase Tufa nuk ka pasur parasysh tekstin.

Mashkullore
Qysh herët u fol për një festival të ri, frymë të re. Nga 18 konkurrentët e rinj u veçuan dy që shkuan në finale. Fituesja e çmimit të parë për këtë kategori, këngëtarja Iris Hoxha, tregoi me interpretimin e saj në natën e dueteve, se rri denjësisht përkrah këngëtarëve me përvojë. Irisi na solli ndër mend Aurela Gaçen në daljen e saj të parë në skenë, vitale, gati të falet për këngën. Por ashtu si jo pak bashkëmoshtare të saj, ajo përfaqësoi një prirje për një interpretim mashkullor. Gjestet e këngëtarëve që vijnë nga getot e qyteteve të mëdha, të njëjtat lëvizje që transmetohen gjatë gjithë ditës në kanalet muzikore, janë alfabeti skenik mashkullor që ia zhvesh individualitetin edhe këngëtarit më të talentuar.

Prej kampionit të natës së të rinjve doli edhe Goldi Halili, të cilës iu dha çmimi i dytë. Ishte më shumë një çmim inkurajues për një 14-vjeçare, të cilës i kishte besuar Agim Krajka. Një sakrificë e vogël për një kompozitor si Krajka.

Prezantuesit
Festivali i traditës, po duket nga viti në vit, se e vuan mungesën e një tradite në prezantim. Kësaj here, ky mision ishte lënë në dorë të Miriam Canit dhe Alban Skënderajt. Gjatë 4 netëve të festivalit dukeshin të ngërthyer nga trysnia e daljes së parë skenike, më shumë ai se ajo. Interpretues të thatë të skenarit të Gent Ymerajt - që ishte një prezantim dhe koment këngësh - atyre u mungoi shkathtësia, improvizimi, duke i humbur kështu magjinë transmetimit të drejtpërdrejtë. Ndryshe nga Skënderaj, që në disa raste u shfaq cinik dhe me një të folur të varfër, Miriami dilte me çiltërsi nga situata. Pyetjet e intervistave, naive.
 

Skenografia, Ndriçimi, Koreografia

Ndryshe nga vitet e tjera, ku puna e ndriçuesit përqendrohej në "folenë" ku prezantohen këngët, rrinë drejtuesit dhe bëhen intervistat, skena e festivalit të këtij viti kishte një ndriçim të shkëlqyer, në gjithë rrezen e veprimit të ngjarjes, përfshi edhe hapësirën në lartësi. Ndriçimi i plotë, ngjyrat dhe efektet flisnin për një punë shumë të mirë të skenografit dhe ndriçuesit italian Karlo Cane, në bashkëpunim me skenografin shqiptar Bashkim Zahaj. Perdja projektuese, dukej më shumë një përafrim i sforcuar me skenën e Festivalit Evropian të Këngës, sesa një gjetje e skenografisë.

Numrat e baletit gjatë interpretimit të të rinjve, të realizuara nga koreografi Julian Bulku, i jepte ngjyrë skenës. Por edhe këtu sensi i masës mungonte. Jo çdo këngë ka nevojë për gjuhën e trupit.

5 Komente

Si perfundim, cfare fshihet pas perdes?

uuuuaaaaaaa c'paska ndodhur pas perdes mor aman se kishim marre me mend..... smiley

Me e thone, si me e thone pas perdes se festivalit kishte ca gjera te tjera qe vura re personalisht.

1. Mua me ofruan 6 bileta falas nga tre burime te ndryshme, per naten finale dhe nuk shkova se nuk mu duk dicka interesante qe ja vlente te rrije 4 ore ne nje salle te mbyllur.

2. Ne njerin nga rastet e biletave te ofruara, ishte pikerisht njeri nga organizatoret qe ja ndau biletat falas te gjithe banoreve te pallatit ku banonte, dhe keta po ja dhuronin te tjereve.

3. Salla ishte ne nje pjese te madhe bosh.

4. Nje nate me pare pashe 15 minuta festival ne TV dhe me pas nderrova kanalin.

5. Shume pak njerez qe kam takuar keto dy dite e dine se kush fitoi festivalin.

Me pak fjale interesi per festivalin ishte shume i ulet, e ketij problemi i duhet dhene zgjidhje.

Akoma bejne festivale keta?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).