Berisha, Mediu, në dy çështje të Gjykatës së Lartë

Gjykata Supreme në Shqipëri do të gjykojë Kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kreu i qeverisë është paditur nga një biznesmen për shpifje, ndërsa kryetari i Partisë Republikane është paditur nga dy të dëmtuar të tragjedisë së Gërdecit. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë thanë dje se janë hedhur shortet me gogla për caktimin e gjyqtarëve. Sipas njoftimit, gjyqtarja Ariana Fullani do të kryesojë trupën gjyqësore për padinë e Roxhers Durdës, i cili u dëmtua nga tragjedia. Babai i fëmijës paditi Mediun për plagosje dhe dëmtime të rënda, ndërsa për padinë e Alketa Hazizajt, relator i çështjes, është caktuar gjyqtari Andi Celiku. Ligjërisht të dyja paditë janë të karakterit penal e kësisoj për fillimin e shqyrtimit të tyre do të kërkohet zhveshja e Mediut nga imuniteti, të cilën ai e mori për herë të dytë pas rizgjedhjes deputet në 28 qershor. Gjykata e Lartë ka pranuar dhe një tjetër padi, këtë herë për shpifje të Kryeministrit Berisha. Biznesmeni Artan Dulaku, sipërmarrës në fushën e ndërtimit, ka paditur penalisht kreun e qeverisë për shpifje. Edhe për këtë çështje, Gjykata Supreme ka zgjedhur me short kolegjin e përbërë nga 5 anëtarë dhe të kryesuar nga Mirela Fana.

Paditë për Mediun
Dy të dëmtuarit nga tragjedia e Gërdecit, Roxhers Durdaj e Alketa Hazizaj paditën disa javë më parë ish-ministrin e Mbrojtjes. "Mbështetur në dokumente, evidentohen mjaft indicie dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec", thuhej në kërkesën e të dëmtuarve. Duke iu përmbajtur kërkesës për gjykim, ata deklaronin se edhe personi që ka fituar imunitet, në këtë rast Mediu, është përgjegjës për ngjarjen. Sipas tyre, mungesa e rregulloreve të sigurimit teknik ka mundësuar punësimin e personave pa kritere profesionale në këtë fushë, mosparashikimin e proceseve të punës dhe garantimin e sigurisë së tyre, mostrajnimin e punonjësve për kryerjen e këtyre proceseve dhe mosrespektimin e rregullave të sigurisë etj., dhe si rrjedhojë ka sjellë shpërthimin. Shkelje flagrante në këtë proces është punësimi i fëmijëve të mitur. Organizimi i punës në këto procese bëhej duke përqendruar një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe të vogël pune, çfarë ka cenuar kushtet e sigurimit teknik dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit. "Në proceset e punës janë përdorur mjete të papërshtatshme në aspektin teknik, si edhe është lejuar kryerja e veprimeve që kanë mundësuar premisa për ngjarje të jashtëzakonshme. Këto gabime kanë sjellë shkaktimin e zjarrit të pasuar me shpërthimet masive, duke shkaktuar pasoja tejet të rënda", shkruhet në kërkesë. Dy kërkuesit, Roxhers Durdaj e Alketa Hazizaj, janë evidentuar me anën e aktit të ekspertizës mjekoligjore nr. 305, dt. 02.04.2008, ku eksperti Bledar Xhemali, në bazë të kartelës klinike nr. 533391 të repartit të djegieve në QSUT, Tiranë, ka konstatuar dëmtime të rënda, për të cilat kërkuesi ka nevojë për më shumë se 9 ditë pushim. Dhe si rrjedhojë ata deklaronin se nga ana subjektive, vepra penale është kryer nga pakujdesia, në formën e neglizhencës, pasi shtetasi Fatmir Mediu nuk ka dëshiruar ardhjen e pasojës së dëmshme, por nuk e ka shmangur atë ndërkohë që i kishte të gjitha mundësitë dhe madje detyrimin ligjor. 

Hedhja e shortit
Pas kërkesave të të dëmtuarve, të cilët pretendojnë se i akuzuari ka konsumuar veprën penale të plagosjes nga pakujdesia, Gjykata e Lartë ka regjistruar padinë dhe ditën e djeshme ka zhvilluar hedhjen e shortit. "Në Gjykatën e Lartë u zhvillua hedhja e shortit për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen e regjistruar ne Gjykatën e Lartë, në ngarkim të të akuzuarit Fatmir Mediu dhe i dëmtuar akuzues Roxhers Durdaj. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga relatorja Arjana Fullani dhe me anëtarë Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj. Ndërkohë, po dje është organizuar edhe hedhja e shortit për kërkesën e Alketa Hazizajt. Ka rezultuar nga shorti me gogla, se relator është gjyqtari Andi Çeliku, dhe anëtarë Ardian Nuni, Irma Bala, Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako.

 

2 Komente

Nje copez "interesante" nga Korrieri

Sipas burimeve zyrtare nga Gjykata e Lartë, mësohet se relatore e çështjes, e zgjedhur nga shorti (procesi i hedhjes së të cilit nuk u bë publik për mediat) do të jetë gjyqtarja Mirela Fana, bashkëshortja e anëtarit të KLD-së, Neshat Fana, që ka qenë edhe avokati i Berishës.

 Mendoj se ne ate aksident, mban pergjegjesi drejtori a pronari i firmes se çmontimit dhe pergjegjesi i kontrrollit teknik apo per sigurine ne pune. Nuk perjashtohet as shefi/pergjegjesi i turnit a brigades. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).