Zinxhirët e ndryshkur të Kohës sonë

Zinxhirët tanë, zinxhirët që na mbajnë të lidhur me të shkuarën, nuk janë prej letre, siç mund të pandehë pegasi ynë optimist. Ajo që nuk e thonë librat e historisë, është pesha e këtyre prangave të ndryshkura në ndërgjegjen tonë kolektive. Por është e dukshme gjithpoaq, se ndjeshmëria e përjetimit të këtij ndryshku që kalb vetëdijen tonë, nuk rëndon njëlloj tek të gjithë. Sepse njeriun nuk mund ta shpjegojnë tekstet skematike të librave shkollorë apo kronikat e thata didaktike të kohërave dhe modave koniukturale. Prandaj habia, ndjeshmëria dhe dhimbja si kategori psiko-fizike e mendore kuptimësohen vetëm në të shkuarën, përmes membranës së ndjeshme të së tashmes. E ardhmja si pritje, si shpresë dhe utopi e projektimit të vetvetes nuk ka kurrfarë kuptimi pa të shkuarën dhe të tashmen, për faktin elementar, se rrënjët e së ardhmes janë vetëm e vetëm në të shkuarën. Truall tjetër, jashtë këtyre rrënjëve, koha e ardhme ka (e përthyer në kategoritë e pritjes, shpresës dhe utopis&eumlsmiley vetëm në kokat e të çmendurve dhe të sëmurëve mendorë, kur ajo shpërthen në vizione anormale, delire, skizofreni.
Ja pra ku kemi dalë pashmangshëm në një postulat, sipas të cilit, Koha si kategori historike dhe psikologjike është e përjetueshme vetëm në përmasën morale, përderisa njeriu, si “masë e të gjitha gjërave”, i jep asaj gjykimin e vet moral. Duket se këtë ka patur parasysh poeti anglo-amerikan T.S.Eliot në poemën “Katër kuartetet”, kur qysh në vargjet e para shkruan:

“Në fillimin tim është fundi im...
 Në fundin tim është fillimi im...”  

Por nëse e katandisim veten në mëshirën e historisë apo të demagogëve, atëherë “shfarosja e miliona njerëzve është thjesht statistikë e thatë”. Atëherë pa pikë keqardhjeje dhe pa e njohur keqardhjen, nuk do të rrekeshim t’i kuptimësonim asfare katastrofat njerëzore, nuk do të t’ia hynim punës së “bezdisshme” të të ndjerit, përjetimeve, përvujtnisë, analizës së plojave shoqërore, pasi përvojat tona të kaluara shpirtërore nuk paskëshin lidhje me ne, që i kemi hequr tatuazh në lëkurë; ato mund të kapërcehen me një kthim mekanik të kokës, që sugjerohet rëndom kësisoj: “e kaluara mbaroi, me të mirat dhe të këqijat e saj, tani duhet të shohim përpara!”. Pikërisht në këtë devizë e ka origjinën thelbi i neveritshëm i banalitetit dhe, rrjedhimisht fatalizmi ynë, që na ka ndëshkuar dhe nuk vonon të na ndëshkojë përgjatë gjithë historisë.
Epo, pas kaq argumentesh, e keni kuptuar tashmë qëndrimin tim të përkundër me shprehjen profane “Po të shikosh prapa, prapa do të shkosh!”.
Le ta shohim pak më drejtpërdrejt çështjen nën dritën e përvojës sonë. Le të çojmë nëpër mend katakombin tonë gjysmëshekullor, - ata qindra mijëra të pushkatuar, të burgosur e të internuar, kulakë e të deklasuar, të përjashtuar e të privuar, të vulosur në heshtje e të frikësuar në palcë, njerëz ishullorë e vetmitarë, të cilëve për shkaqe biografie nuk u shkelte në derë as mik, as shok, as farefis; njerëz që vdisnin ngadalë bashkë me energjitë krijuese, dhuntitë, talentin, mendimin dhe dëshirat; popull të interiorizuar, të depersonalizuar në servilë, xhelatë dhe viktima; masa të shndërruara në zombie me zinxhirin e shatit, kazmës dhe propagandës dhe psikozën e “kështjellës në rrethim”; me mish të munduar njerëzor, të rraskapitur ndër turne fabrikash, minierash e arash; ushtri hijesh të venitura, avitaminoze, të shpëlara nga mungesa e albuminave dhe proteinave, por gjithsesi, “vigjilentë”, me një ateizëm masiv paganist, që në vend të lutjes në Zot ka brez pas brezi në gojë këngët e paradigmës “Enver Hoxha tungjatjeta”. Dhe më në fund, ajo çka përbën shqetësimin tim dhe të bashkëmendimtarëve të mi, nuk është e kaluara, në të cilën unë, gjoja, jetokam, por trashëgimia e pashqitshme enveriste me të cilën ndeshesh në çdo hap jashtë pragut, në rrugë, në sheshet publike, në format recediviste të mendimit, arsyetimit dhe gjykimit, në tërësinë e literaturës shkollore, universitare, në art, kulturë, shkencë dhe politikë. Ne jemi të nginjur deri në vrimat e veshëve pikërisht me ajrin molepsës e të flligësht të komunizmës origjinale shqiptare. Jemi të rrethuar me përcjellësit e kësaj trashëgimie të rëndë, që merr të përpjetë në gjeste, akte e sjellje, - në konceptimin e të vërtetave tona, në sektet mediatike, në vetë dyfytyrësinë bizare, nënshtrimin dhe përshtatjen ndaj të fortit apo fitimtarit, në cilësinë e bashkëkohësit tim, në kriptograminë e padeshifrueshme të idealit të tij me disa standarde njëherësh. Dhe nëse vazhdojmë t’i numërojmë ato cilësi më të dukshme të natyrës së bashkëkohësit tonë, s’do fort mend ta shohësh të ardhmen në surrat, se çfarë ngërdheshjeje premtuese ka.
Sigurisht këto nuk i thonë librat e historisë me monopolin e vetëm të hartuesve të saj, të shkollës së Paskal Milos. Por mua, që më intereson të di jo vetëm faktin e rehabilitimit të të pushkatuarve, të cilëve ende nuk u dihet varri, mua që nuk kënaqem me faktin se familjes së X/Y ia sollën njeriun e tyre në trajtën e një qeske najloni me dy-tri eshtra, mua që nuk më ngushëllon një copë letre, e cila dëshmueka pafajësinë e tyre, - mua nuk më mjafton asnjë libër historie me fakte koprrace. Sepse mua më intereson të di çfarë u bë me njeriun, të cilit një mesdite të bukur a natën vonë, në shtrat me gruan dhe fëmijët në shtëpi, erdhën dhe e morën, për të mos e kthyer më kurrë; mua më duhet ta di mirë, çfarë u bë me njeriun, të cilin e arrestuan në mes të auditorit, në zyrë, në kafe mes miqsh; çfarë u bë me këtë njeri në të gjitha ditët e viteve të pasosura të burgut, derisa e kthyen si një thes kockash, në një mjedis armiqësor e të izoluar, me rini dhe energji të bjerrur nëpër kampburgje. Dhe për këtë ia vlen “të jetosh e mendosh” kokë e këmbë në të shkuarën, të pezullosh çdo lloj të ardhmeje të rreme, përderisa e shkuara nuk ka mbaruar. Ajo është me ne dhe, për më tepër, na pret. E shkuara jonë pret të shlyejmë llogaritë me të, në mënyrë që ajo të kthehet në Kohë morale të njeriut. Dhe nëse përballë kësaj bindjeje të ngulmët që kam, gjenden mijëra e miliona të tjerë që më kundërvihen me qindra miliona fakte, përballë tyre kam veç një përgjigje, në frymën e Hegelit: “Atëherë, aq më keq për faktet”!
Çështja e ndarjes me thikë të kohëve më ndërmend një perëndi pagane romake, Janus-in, perëndinë e zanafillës, përtëritjes dhe ndryshimeve, i cili paraqitej me dy fytyra: njëra, e plakur dhe e rrudhosur (nga tmerret që ka par&eumlsmiley, që sheh e kthyer prapa, dhe tjetra, e re, pa asnjë rrudhë, që sheh para, me gjasë, në të ardhmen. Janusi ishte një ndërmjetës (negociator) në çdo punë a vepër njerëzore, pasi akti i çdo njeriu a shoqërie, vërtet zë fill në të shkuarën, por projektohet fuqimisht në të tashmen dhe në të ardhmen. Nëse do të ndiqnim këshillën e moskthimit të kokës prapa, për hir vetëm të fytyrës së re të Janusit, atëherë do të na duhej ta ndanim me një presë në dy gjysma këtë hyjni të lashtë, d.m.th., të ndërmerrnim një akt kriminal të vrasjes dhe shkatërrimit të Kohës dhe Historisë. Por po të na i tregonte sot kjo hyjni pagane, në përvojën tonë, të dyja fytyrat e tij, atëherë besoj se të dyja do të ishin eshkë e djegur prej rrudhash, - njëra me llahtaret që hoqëm, tjetra me brengën që nuk nxumë dot mend.  

* * *
Duke iu rikthyer zinxhirëve që na mbajnë të lidhur me të shkuarën, dua ta reduktoj çështjen në të tashmen tonë: a mund t’u shpëtojmë vallë zinxhirëve që na mbajnë lidhur me të shkuarën? Sigurisht, nëse njeriu e ka të dobët lidhjen me sociumin ku bën pjesë, kjo e shkuar injorohet. Për egoistin, që kujdeset vetëm për lëkurën e vet, jehona e së shkuarës nuk thotë asgjë. E njëjta gjë është dhe për mizantropin apo optimistin trularaskë, që ka vetëm një përmasë kohore: përpara drejt.... peshkut, që s’është as mish, as peshk. Megjithatë më brengos shmangia, ikja, rrëshqitja, mosdashja për ta lexuar drejt dhe për ta kuptimësuar përvojën e kaluar.
S’ka as një javë që pamjet rrëqethëse të dy vajzave të lidhura me zinxhirë shëtitën nëpër ekranet dhe gazetat tona. Të nxjerra nga bodrumet dhe bimsat e errëta ku kishin qëndruar për 22 vjet të lidhura, këto forma antropoide pikëllimi i shfaqen ndërgjegjes tonë si pamje të largëta, të zbehura, a thua është fjala për një rrëfenjë gotike, apo për episode filmash horror. U shua habia brenda pak ditësh, u vu në lëvizje mekanizmi i plogët e i ngathët i shtetit, ndërsa studiot tona televizive ku bun gjithmonë i njëjti klan çkoqitësish, vazhdoi të tjerrë lodhshëm e mërzitshëm racionin e pallavrave politike. U quajt monstër e pashpirt ati i atyre vajzave, një plakaruq i mbaruar 75-vjeçar. U ngrit padi nga gjykata e Dibrës, duke dhënë të kuptohet se këtu ka shtet e drejtësi. Por çupat dhe djemtë e devotshëm që raportuan ngjarjen lanë jashtë pikërisht esencën e asaj drame, nyjen e saj, mënyrën se si u lidh. Nga ana tjetër, asnjë analist a sociolog nuk u interesua të dijë për kushtet dhe rrethanat në të cilat u ngjizën e u lidh fryti i helmët i kësaj historie.
Mundohem ta rrok me mendjen time thelbin e përzishëm të tablosë mesjetare që pamë, me dy fatkeqet e lidhura në zinxhirë, - Fllanxa dhe Fidania, përkatësisht me moshë 47 dhe 38 vjeçe. U interesova për dramën e tyre. Komshinjtë e tyre, katundarët e Maqellarës, thonë, se fatkeqësia e tyre fillon me dënimin e dytë të babait të tyre me 20 vjet burg, në vitin 1982. Ditën kur u dha dënimi i të atit, në fillim u çmend motra e madhe, Fllanxa. Në krye të vitit dha shenja edhe e vogla, Fidania. Moshatarët e saj thonë se Fidania sapo pati mbaruar shkollën e mesme me rezultate shumë të mira. Kush ishte i ati i tyre, Dine Keshi?
“Babain e vajzave e kam pasë njohur në kampin e Spaçit, në vitet 1978-1982... Pas ca kohësh, Dinia me zgjuarsinë natyrale të fshatarit dhe me cinizëm e marifet tallej me regjimin e Enver Hoxhës dhe dënohet përsëri në kampin e Bulqizës për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës me 20 vjet të tjera. Pastaj e sjellin në kampin e të burgosurve politikë në Spaç të Mirditës, ku punonte në minierë. Kam mësuar nga kontaktet me të, se fëmijët i kishte të vegjël në moshë, se gruan e kishte të sëmurë rëndë dhe se asnjëherë nuk ka ardhur për ta takuar në Spaç. Dine Keshi duhet të jetë liruar nga burgu nga viti 1991, me pak fjalë nuk ka pasur kohë të merrej me fëmijët e tij”, - shkruan një qytetar në faqet e gazetës “Shekulli” online.
Duke u nisur dhe nga pamja skandaloze e përtrollëzës së tij në foto, ne mund të restaurojmë një tablo të përditshmërisë së asaj familje, me ose pa babain, para ose pas vdekjes së parakohshme të nënës së vajzave. Në të gjitha versionet e lajmit mbi këtë ngjarje, është fshehur origjina dhe motivet e tragjedisë në kohën, kushtet dhe rrethanat që e ngjizën. E sjell shembullin e tyre në këtë shkrim për të theksuar pamundësinë tonë për t’iu shmangur përjetimit të së shkuarës. Sepse shkaqet e zinxhirit të fatkeqësisë së tyre nuk janë abstrakte dhe nuk lindën prej vetvetiut. Sigurisht, ne mund të bëjmë (dhe kemi bër&eumlsmiley sikur nuk i shohim; kemi vënë paftet e kalit përanash syve për të parë në delir vetëm drejt, përpara, por mu në kulmin e delirit ngazëllyes, futurologjik, shkundullohet së thelli nesh, ngre krye e kaluara e lidhur me zinxhirë në bodrumet tona (alegorike) dhe përballemi në dritë të diellit me monstrat që kemi strukur përposh vetes. Sepse nuk e bëmë kur duhej përballjen tonë, por pritëm për 22 vjet rresht që ta shohim, tashmë nga ekrani i televizorit brenda komfortit shtëpiak. Ka diçka që kërcet, që thyhet në brendësinë tonë – një qelqe vaji e pikëllimi të pangushëllimtë, diçka mashtrimtare me të cilën e kemi gënjyer veten... Por, nëse kemi guximin të shohim drejt, në zemrën e terrinës së tij, Bodrumi ynë gjallon monstra. Dhe herëdokur vjen dita që këto pamje të gjirizeve tona të trazohen, të kërkojnë të drejtën e ekzistencës së mbetur peng ndër kohëra, të na ndëshkojnë për shpërfilljen tonë, të na printohen nga “zemra e errësirës” drejt në fytyrë, para syve, në mes të retorikës hipokrite “europiane”. Pra ne s’i paskemi larë hesapet me të kaluarën tonë, sepse përveç mentalitetit, përveç të vdekurve, përveç gërmadhave njerëzore, përveç trashëgimisë që nuk jep shpirt, si krimineli i fundit, paskemi ushtrinë e viktimave të përçudnuara, që i mbajmë me zinxhirë... Jo ai plaku 75-vjeçar, që vetëm zinxhirë ka njohur në jetën e tij nga dita e dënimit, por jemi ne që s’duam të ndeshemi dhe t’i dërrmojmë tërë hallkat e atij zinxhiri të shkaqeve dhe pasojave. Jemi ne, që zhvillojmë në finesa nihiliste indiferencën, prirjen e arsyetimit, tipin e marrëdhënieve me të vërtetat tona. Po për ku nxitojmë vallë si të ndërkryer? Të kapim çfarë? Humanizmin e ri?! Edhe në Mars të fluturojmë, tringëllima e atij zinxhiri të ndryshkur në lagështinë e bodrumeve tona do të na rëndojë në ndërgjegje. Dhe atëherë do ta kthejmë kokën pas, të shohim ... veten tonë, në vetë të parë.

10 Komente

Keto histori te kepusin shpirtin dhe na rikujtojne edhe nje here te gjitheve sesa ne borxh i jemi te gjithe atyre qe u kalben burgjeve dhe kampeve gjate regjimit komunist. 

Per me keq akoma, kur shikon se edhe ato pak tentativa per demshperblimin e te pesekutuarve deshtuan mjerisht. (A ju kujtohen letrat me vlere, po kurset e plepave). 

Ose kur shikon nje ish sekretar (fanatik) partie qe drejton shtetin shqiptar rethuar me spiune te cileve akoma nuk iu jane hapur dosjet.

Ose kur shikon qe nje shtet qe pretendon te futet ne BE, nuk ka institucione apo mekanizmat e nevojshme per te parandaluar ndodhi si e atyre dy motrave me siper. 

E shkuara nuk eshte funksion i kohes kalendarike; ka shumecka nga koha relative. Ne jemi mesuar me idene e shpejtesise qe rritet asimptotikisht deri afer asaj te drites. Por a mund te mendoni kahun e kundert? Pra nje shpejtesi qe zvogelohet pambarimisht e asimptotikisht drejt zeros? C'ndodh ne fakt ne kete realitet kermillor? Si deformohet aty koha dhe hapsira? Cfare torture eshte nocioni i te shkuares: sepse ti jeton ne nje te tashme pafund e c'eshte me e keqja, e tashme e pafund nga te dyja krahet, perpara dhe pas. Ti ke shprese te hasesh ndonje cike te shkuar vetem diku larg... nga koha e Tanzimatit ndoshta?

E shkuara nuk eshte e dhene e pare, ajo prodhohet; nepermjet ndyshimit. Reaksionet e ngadalta, si ato difuzivet psh, kapin dekada. Keshtu dhe puna jone.

Ndersa lexoja ket shkrim mua me shoqeronte edhe dicka tjeter: c'do me thene te kesh lene Shqiperine qysh ne fillim te 1991-shit si puna ime dhe te kesh jetuar aktivisht larg atij realiteti. Ato zinxhiret qe thote ky autori ketu virtualizohen; ne nje proces vetezgjedhes fitojne ne ekzotike dhe humbasin ne konkretesi. Sidomos kur jeton larg ajrit alkooloduhanor te bastionit qe rifarketon zinxhiret: kafenese patriotike. Dhe kur jeton ne rrethina qe shpejtesite e reaksioneve ti detyrojne pothuaj me perdhune, darvinisht: shpejto ose vdis!

Jemi popullsi me ritem te ngadalte reaksioni. E trishtueshme. Kemi dicka prej muzhikesh, dicka prej fshataresie ruse si jepet ne letersine perkatese, dicka izbash qe u ngjajne koracave te breshkave qe nuk ka evolucion ti preke. Shum e trishtushme e gjitha kjo n'fakt!

Ne pamundesi per ti shkuar me tutje komentit tim,ngacmimit qe sjell ky shkrim, po mjaftohem me dy fjale mbi vemendjen qe i iu dha nga ky blog kesaj copeze te shkruar nga nje autor qe per hir te disa shkrimeve te sjella me pare te peshku pa uje , vazhdon te serish te lihet ne harrese. Shume komentues vjellin vrer mbi kete autor edhekur ai prek ngjarje qe tmerrojne cdo njeri pavaresisht lidhjeve me realitetin shqiptar, te shkuaren dhe te tashmen shqiptare,per te mos permendur te ardhmen qe per fat te keq nuk e shoh te shkoje aspak pertej ketyre dy te parave.

Me vjen mire qe Emigranti, edhe pasi kete autor e respekton e "respekton" per hire te disa fjaleve te mira qe i vijne nga ato qe Emo respekton, hodhi nje koment.

Lahute, ne balle te vendit e ka vendosur admini shkrimin, komente me pahir nuk nxirren nga peshqit, se dhe kjo eshte metode totalitare. Dhe aq kohe sa Tufa vete nuk merr pjese ne keto biseda, te komentosh me duket e kote dhe ndonjehere jo-etike perderisa ai nuk eshte ketu te mbrohet. Gjithesesi dy fjale vetem po i them.

Une mendoj se Tufa i ka shume te sinqerta edhe shqetesimet edhe dhimbjen, dhe eshte njeri nga i cili mund te mesosh shume, nga ai vete nje pjese, dhe pjesen tjeter nga vuajtjet e tij. Lexoj se Tufa trishtohet qe ky brez qe po rritet nuk po i hedh rrenjet ne te shkuaren "katakomb gjysmeshekullor". Sic e kuptoj une, Tufa kerkon qe brezi i ri, t'i njohe dhe te mesoje nga vuajtjet e brezit te Tufes, madje (pershtypja ime) ky brez i ri duhet t'i ndjeje dhimbjet e brezit te shkuar.

Por mua kjo me duket e pamundur (sepse fatkeqsisht nuk e perjetojme dot dhimbjen e tjetrit) . Tufa flet sikur brezi i ri nuk di cfare eshte vuajtja. Une mendoj se brezi im ka vuajtjet e veta, dhe vuajtjet jane personale. Le t'i thote dikush atyre djemve qe ua kane cuar motrat prostituta ne Itali se jane brez pa brenga, se nuk dine c'eshte dhimbja. Le tu thote dikur ketyre qe lane kocakt maleve per ne Greqi, qe rane pre e droges, qe u zhduken pa nam e pa nishan diku jashte shtetit, ose atyre qe u braktisen dhe mbeten jetime rrugesh, pa asnje strehe (as doren e ngrohte te Demokracise) ... C'do t'u themi ketyre? Qe vetem ata qe vuanin politikisht para 1991 dine c'eshte vuajtja?

Tufa flet sikur brezi i tij eshte brezi i pare ne bote, dhe sikur vuajtjet e ketij brezi ishin vuajtjet e fundit. Por nuk eshte keshtu. Une kam rezerva per keto teza. Se edhe ata qe i shkaktuan dhimbjet brezit te Tufes frymezoheshin nga vuajtjet e brezit para tyre, brezit te Migjenit, "A don qymyr zotni?".

Ne fakt,

shume intuitive, jemi produkt i kohes qe "gatuajme" vete si shoqeri, me apo pa deshire, evidentohen dukshem sot tek ne, edhe konturet e kohes se Turqise(mos me shku me larg) jo me te xhaxhit, e ne te vertete, jo se nuk kemi nje force reaktive, por na mungon nje bussull, nje hiearki sistemi vlerash qe sistemi i kaluar e c'perftyroi, dhe eshte pothuajse e pamundur qe ne nje "sistem vlerash" 50-vjecar te besh nje ndryshim strukturor te tij duke perdo te njejtim mjet-produkt(klase drejtuese) qe ngjizi vete, dmth ceshtje KOHE, brezash.

Vlera e debatit qendron: jemi te vetedishem qe po hajme c'ka kemi mbjelle dje, po c'po mbjellim sot qe te hajme neser ose me qarte, kush/si/nga...po nderton strukturen e nje sistemi te ri vlerash si komb, shtet, shoqeri ?

Me trishton kjo brengosje e sinqerte e Z.Agron Tufa pikerisht per sinqeritetin e saj. Ndersa qasja ndaj problemit (koha jone e lidhur nga zinxhiret metaforike te se kaluares)  me duket nje gjelle e gatuar estetikisht bukur por ingredientet permbajne barishte te idhta. Ka utopizem dhe eufemizem dhe kesisoj fjalet jane rreshtuar bukur duke krijuar fjali qe rrezellejne si  nje zinxhirke floriri .Po perse na duhet kjo zinxhirke e florinjte fjalesh? Per tu engledisur? Te me ndjeje zotni autor por nese flasim me eufemizem nuk kemi thene asgje. Fjalet stilitikisht elegante por pa vene gishtin mbi plage...kthehen ne nje mantel fjalesh hedhur mbi problemet shqetsuese.

Ne si popull , si vend dhe si shtet ,kemi njezet vjet qe perpiqemi si SIZIFI mitologjik  ne rrugen malore te demokracise por perseri, ashtu si gjithmone, ne stacionet e Historise mbrijme me vonese. Edhe pse jemi nje popull trim dhe liridashes (sic) ne mbritem te fundit e ballkanit ne shpalljen e pavaresise. Edhe pse jemi popull luftarak dhe ne shpirt pak anarkist, ne ulem kurrizin dhe perjetuam diktaturen me monstruoze pa bere as gek as mek. Pse ndodh kjo? Nga vjen ky fatalitet ? Ta leme te kauaren po le te flasim per te sotmen njezetvjecare. Perse te fundit per ne Europe?

Ja pergjigjia e Z.Tufa:

 Ne jemi të nginjur deri në vrimat e veshëve pikërisht me ajrin molepsës e të flligësht të komunizmës origjinale shqiptare. Jemi të rrethuar me përcjellësit e kësaj trashëgimie të rëndë

"NE" dmth i gjithe populli apo NE eshte fjala per nje grup te caktuar social ? (lihet te kuptohet se NE dmth  grupi idealisteve, ish tepersekutuarve, mbartesve eskluziv te shqiptarise etj. eshte i rrethuar ... nga percjellesit e trashegimnise komuniste!!) Me NE dhe ATA nuk ndertohet e ardhmja.Perkundrazi , eshte kthim ne te kaluaren te ciles kerkojme ti pervidhemi.   Jam plotesisht dakort qe shoqeria duhet dhe, sidomos duhej ta kishte bere me kohe katarsisin nga pislleqet, mekatet, krimet dhe mekataret  e se kaluares institucionalisht (lustracioni, dosjet, demshperblimi te perndjekurve etj. ) dhe moralisht nepermjet ndarjes kritike me te kaluaren.

Kush duhet ta beje kete katarsis ? ..... dhe si ? Elita politike e ish komunisteve te konvertuar ne demokrate duke kapercyer ylberin me nje fjalim para studenteve ne atte dhjetorin e larget 90? Dhe pse nuk e beri kete ndarje me te kaluaren? Prandaj them se shkrimi ka eufemizem. Ne sot jemi mesuar bajagi mire ti themi kapitalizmit shoqeri e tregut te lire, ti themi kapitalistit punedhenes, ta quajme kopukun mafjoz tip i shkathet, ti themi politikanit demagog tip i squt dhe i sukseshem etj. etj.

Si duhet shkeputur zinzhiret me te kaluaren? Duke ja hedhur te gjitha fajet "parajses" komuniste? Une  e kuptoj shume mire dhe bashkohem me shqetsimin e Tufes, se pa pastruar terrenin nga shkurret e se kaluares nuk mund te mbillet ajo bima e re e demokracise, mbaresise, tolerances, qytetarise dhe europianizmit te shoqerise shqiptare (uhh mu mor fryma ke kjo fjala "europianizim" -kaq shume eshte lakuar dhe  eshte perdorur sa eshte bere si nje lecke e ndotur )  Por te kerkosh zgjidhjen e problamtikave te sotme duke i bere gjyqin se kaluares -kjo eshte arratisje nga realiteti.

e kaluara mbaroi, me të mirat dhe të këqijat e saj, tani duhet të shohim përpara!”. Pikërisht në këtë devizë e ka origjinën thelbi i neveritshëm i banalitetit dhe, rrjedhimisht fatalizmi ynë, që na ka ndëshkuar dhe nuk vonon të na ndëshkojë përgjatë gjithë historisë.
 

Fatalizmi yne e ka burimin te hedhja e te gjitha fajeve te kaluares per ritmin tone te breshkes dhe mossukseset (deshtimet) tona. Kur flasim per pastrimin e te sotmes nga rraqet e se kaluares ne shoqeri nuk eshte njelloj si ne ndertimin e nje shtepie te re. Cdo sistem i ri e fillon punen fatkeqsisht dhe fatmiresisht me njerzit e trasheguar nga sistemi kaluar. Ky eshte shkaku i asaj qe quhet inercia e Historise. Akoma inxhinieria sociale  nuk ka siguruar nje mekanizem per ndaljen e Historise dhe futjen e saj ne rimontin total ashtu sic bejme me makinat. 

Prandaj them se shkrimi ka edhe doza te nje utopizmi te sinqerte.Me keto vrejtje asesi nuk do te thote qe s jam dakort me thelbin e shqetsimeve te autorit por mendoj se gjerat duhen thirrur me emrin e tyre te vertete.NDRYSHE:

gjithmone do te kete femije nenash te lindur me kot/ nje mantel fjalesh hedhur mbi kufoma...

irena klepfisz

 

when they took us    to the shower    i saw>>

the rebitsin   her sagging breasts   sparse>>

pubic hairs    i knew    and remembered>>

the old rebe   and turned    my eyes away>>

i could still hear   her advice    a woman>>

with a husband   a scholar>>

> >

when they turned   on the gas    i smelled>>

it   first    coming at me    pressed myself>>

hard to the wall    crying    rebitsin    rebitsin>>

i am here with you    and the advice you gave me>>

i screamed    into the wall    as the blood burst from>>

my lungs    cracking    her nails in woman’s flash    i watched>>

her capsize   beneath me    my blood in her mouth   i screamed>>

> >

when they dragged my body    into the oven    i burned>>

slowly at first    i could smell my own flesh    and could>>

hear   them grunt    with the weight of the rebitsin>>

and they flung    her on top    of me    and i could smell>>

her hair burning    against my stomach>>

> >

when i pressed through    the chimney>>

it was sunny    and clear    my smoke>>

was distinct    i rose quiet    left her>>

beneath.

>>

 

ja pra qe nuk harrojme, por leme ne nje cep te kujteses me shenimin "kujtohu me vone". jo vetem e jona, por edhe shume te tjera, ne kete pike jane ende shoqeri ose struktura tranzicioni, tranzit nga nje tren ne tjetrin, mbushur e zoturuar nga ankthi si kur treni niset me shpejt, si kur treni vonohet.

Tipike : çfare dhimbjesh kam pas dje...dje e durova, dje nuk pipetiva. Sot...

Normal qe DIKUR do kuptojme me mire e do jemi me te kujdesshem. Deri atehere, me pengun e ketij tymit te vjersha me siper..

 

Ky ishte mire ne ngerthimin smiley e shkronjave qe jepnin mendime te "hijeshme" ne fushen e mosgjese se mendimit.. Me duket se e quante Histori a Leksion Letersie per te gjithe Jetet ne Toke e ne Kozmos kur te shperngulet njerezimi . Kishte dhe emra e citime me "teprice kompanie " smiley  

C'ka ky qe do te afishohet edhe ne fusha te tjera me "Shkarje Ledhi" . Manjak llafollog pa asnje "grime" modestie si "i te vertave ne instance te fundit " qe per literaturen serioze Boterore jane cilesuar si "karagjozlleqe".

Dhe si per te na hequr merakun ne vdeketareve e fluturuesve planetare , te vertat e tij do na ndjekin duke na ngushelluar :

 Edhe në Mars të fluturojmë, tringëllima e atij zinxhiri të ndryshkur në lagështinë e bodrumeve tona do të na rëndojë në ndërgjegje.

Per sa kohe do jene pjese e shtypit dhe tentaive per ndreqje intelektuale kjo lloj kategorie shkrusish Regjimenti po uroj dhe une nje te vertete ne "instance te fundit" : Teveqelet  na shplafshin  trute!

Ftojeni njehere seriozisht tek PPU te shohim si mendon drejtepersedrejti dhe si e perballon dialogun pa i dhene te drejten e "Tutorit intelektual" , qofte edhe per ndonje gje te "vogel" . Mbase e kalon testin e te vertetave qe kane per autoresi TUFEN.

"....Po për ku nxitojmë vallë si të ndërkryer? Të kapim çfarë? Humanizmin e ri?! Edhe në Mars të fluturojmë, tringëllima e atij zinxhiri të ndryshkur në lagështinë e bodrumeve tona do të na rëndojë në ndërgjegje. Dhe atëherë do ta kthejmë kokën pas, të shohim ... veten tonë, në vetë të parë.. "  

 

Nxitojme te sigurojme ushqim per ne darke, per neser, me nje fjale te ekzistojme. He-he, diçka e dhjere, si vete qeverite dhe sistemet.  

Pr. Fuga, je marre me hallka por jo me zinxhire.  Por pavaresisht njeres apo disa hallkave (te ndjera deri ne palce) tablloja s'mund te jete e plote. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).