Ulja e interesave: A do të vijojë më tej?!

Banka e Shqipërisë ndërhyri javën e fundit në tregun e parasë duke ulur normën bazë të interesit në 5.25 për qind, në një moment mjaft deciziv për ekonominë shqiptare. Ekonomia po vuan nga një tkurrje e kreditimit që rrezikohej t’i bënte edhe më të ndjeshme pasojat e krizës ekonomike globale, që deri tani për fat të mirë ishin ndier më pak se tek fqinjët e rajonit.

Ky hap u bë në një moment kur tregu kishte dhënë shenja për një reagim pozitiv me bankat të cilat kishin filluar të ulnin interesat e depozitave dhe kur kursi i këmbimit kishte dhënë shenja qëndrueshmërie javën e kaluar, madje me tendencë të lehtë forcimi të lekut ndaj euros (frika e presionit zhvlerësues mbi monedhën vendase ishte një nga arsyet që e stepte Bankën e Shqipërisë të ulte me kohë dhe me ritme të larta normën bazë të interesit).

Tashmë çështja së pari shtrohet se sa efektive do të jetë kjo ulje. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë për herë të parë e deklaroi hapur se shumë do të varet nga “sjellja e tregut dhe pjesëmarrësve në të, ku politika fiskale ka një rol parësor”. Teksa sjellja agresive e qeverisë në drejtim të shpenzimeve buxhetore rezultoi një stimul i mirë për ekonominë shqiptare gjatë muajve të parë të 2009-ës, tashmë duket se ka ardhur koha që ajo “të tërhiqet”, ashtu siç rekomandoi dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vizitën e fundit në Tiranë, dhe t’ia lërë stafetën nxitjes së ekonomisë reale. Këtu lehtësimi i kostos së kredisë merr një rol parësor. Ndërsa, të dhënat e fundit tregojnë se depozitat kanë vazhduar prirjen rritëse edhe në shtator (rritja e stokut me bazë mujore prej 6 për qind), ritmet e rritjes së huasë në shtator me bazë mujore ishin mjaft të ulëta (vetëm 0.1 për qind).

Së dyti, a do të kemi më tej një reduktim tjetër të kostos së parasë, çka nënkupton që Banka e Shqipërisë të vijojë me ulje të mëtejshme të kësaj norme, që do t’i jepnin një sinjal akoma më pozitiv tregut të kredisë. Në deklaratën e fundit të BSH-së nuk lexohet qartë një sinjal i tillë, gjithsesi një faktor pozitiv është që pritshmëritë inflacioniste nuk duket të jenë të larta në muajt në vijim. Në rast se dhe leku do të tregojë shenja qëndrueshmërie, atëherë një ulje tjetër do kishte efekt pozitiv në reduktimin e kostos së kredisë në monedhën vendase. Kjo do të nënkuptonte që të shkohej drejt një minimumi të ri historik (që kur filloi të përdorej interesi bazë si instrument indirekt i politikës monetare, niveli më i ulët i saj ka qenë 5 për qind në mars të vitit 2005).

Por në kushtet e tregut shqiptar nuk mund të neglizhojmë efektet e kreditimit në monedhë të fortë e sidomos të kreditimit në Euro shumë prezent si për huanë në biznes edhe në atë të shtëpive. Në një konkurrencë agresive për të thithur depozita, bankat e nivelit të dytë i kanë rritur shumë normat e interesit të depozitave në monedhën europiane (ndryshe nga herët e tjera kur uljet e normës bazë nga Banka Qendrore Europiane reflektoheshin në të njëjtën kah edhe në vendin ton&eumlsmiley. Si rrjedhojë edhe interesat e kredisë të ofruara në euro janë rritur shumë duke iu afruar lekut. Është e vërtetë që Banka e Shqipërisë kërkon orientimin e kredisë drejt lekut, por po aq e vërtetë është që një pjesë shume e madhe e stokut të kredisë vazhdon të mbetet në euro dhe për më tepër ekonomia shqiptare sa vjen e po euroizohet (paqëndrueshmëria e Lekut favorizon përdorimin e Euros në transaksionet e shitblerjes) dhe huaja në monedhën e përbashkët do të vazhdojë të mbetet një alternativë mjaft e përdorshme. I mbetet autoritetit të Bankës së Shqipërisë të gjejë format për të ndikuar edhe normat e interesit të kreditimit të asaj pjese të ekonomisë private shqiptare që mbështetet në këtë monedhë e që dashur padashur është një realitet në vend dhe që frenohet apo nxitet pikërisht nga niveli i lartë apo i ulët i normës së interesit të Euros.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).