Tuneli i tre kryeministrave

Tre turqit e rinj, që janë brenda njërës prej kabinave të kampingut të administratës, para tunelit të Thirrës, të shikojnë si me përtesë. Pinë shumë duhan, ndërsa një djalë inxhinier shqiptar, që na ka prirë drejt tyre, hesht si me sustë. Njësoj si ai, kanë heshtur dhe gjithë punëtorët, që pyeten për tunelin. Me një anglishte gjysmake dhe fort me bezdi, turqit të tregojnë se ku mund të gjesh informacionin “e duhur” për shembjen e Tunelit të Thirrës. “In Reps, there is information. You can get her...our director of publik relacion...”. “Ku,- e pyesim-saktësisht”.

Na gënjejnë paq, sepse njeriu i shtypit të Kompanisë është në Tiranë, dhe këtë e provojmë teksa dikush e merr nga hyrja e tunelit. Në sheshin para tunelit, qëndron e patrazuar një ambulancë dhe panele betoni të kryqëzuar në kënd të drejtë dhe të tjerë panele me ngjyrë të kuqe. Asnjë hap më tej. Më kot, një ditë më vonë, doe provojnë edhe disa deputetë të Majtë. Të gjithë këtë hapësirë e menaxhon një polic i nginjur, që ha ambulatisht diçka. Krejt i shkujdesur. Kur provon të bësh një hap më tej, ai zgjohet dhe... fillon gjeste me duar dhe këmbë.“Rruga është qytetërim dhe një rrugë që kalon përmes malesh është akoma edhe më shumë”, kujtojmë fjalët e thëna të kryeministrit turk Erdogan në inaugurimin e tij.
Si ka ndodhur?
Nuk ka shumë kohë nga inaugurimi dhe tuneli nuk funksion më. Kuptohet edhe rruga. Makinat bëjnë rrugën e vjetër dhe këtë e ka provuar vetë dhe prefekti i Kukësit, pak ditë më parë, kur i është dashur të kalojë një ambulancë në galerinë veriore. Duhet të pyesim, gjithsesi. E gjithë shembja ka ndodhur në galerinë jugore, në atë, që në fakt nuk ka pasur ndonjëherë kalime të mjeteve. “Janë shkelur parametrat e kontratës, sipas menaxherit Mort- tuneli do të përfundonte në vitin 2010, në verë të këtij viti, kurse ai u inaugurua përpara kohe”. Me këtë argument, specialisti i firmës, nuk i lejon dhe deputetët. “Patëm rrëshqitje të masivit jugor në tunel, dhe nuk mund të hymë brenda. Mesi i tunelit paraqet probleme”. Menaxheri i projektit Darren Mort ka pohuar gjithashtu, se tuneli nuk ka mbaruar krejtësisht dhe se kontrata me qeverinë përfundon pikërisht në fund të verës së ardhshme. Por, ne nuk e kemi këtë fat, sepse askush nuk na flet.
Bash në hyrje të tunelit, në të djathtë, gjendet një hangar i ndarë në tre seksione. Në njërën janë mbledhur disa burra; në tjetrën s’ka njeri; ndërsa në të tretën është vendosur një si “rouloute”, ku një djalë i ri shtrirë, merret me telefonin e tij celular. Të tre apo të dyja shërbejnë si minibare. Djali na përcjell tek burrat, sepse nuk ka ndonjë gjë të madhe. Nga jashtë vjen e pandalur zhurma e atyre pak makinave, të cilat kanë lidhje me tunelin. “Këta s’bënë një rrugë për pesëqind vjet, jo të bëjnë gjë të hajrit”, na thotë një punëtor, sepse duke gjetur një justifikim në historinë tonë të ngatërruar me turqit. Si për ironi, në vesh na qëndrojnë fjalët e Erdogan, që theksoi rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i kësaj rruge, ku sipas tij tani Shqipëria i ka afruar shqiptarët akoma dhe më shumë rreth vetes, dhe ku largësia ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është vetëm 3 orë.
“Ishte aq, -më thotë një shofer. Se tash ban sërish dyfishin”. Dëshiron të futet në bisedë.
Biem shpejt në muhabet dhe gjithçka e zbut më shumë një gotë e stërmbushur rakie. Shembja ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, të një jave më parë- rreth orës 20:00. Ndërsa kanë qenë duke punuar në brendësi të tunelit, një masiv dheu ka rënë në pjesën veriore të tunelit. Dy syresh, që janë në këtë si hangar, mëtojnë se kanë qenë brenda. Ka pasur viktima? “Jo“-më thotë prerë dikush. Punëtorët flasin njëkohësisht, por veçmas duket se i ruhen paq njëri-tjetrit. Dy që vijnë me uniformat e punës fosforeshente nuk pipëtinë, por sa marrin vesh që aty ndodhet një gazetar zhduken tej... prapa roulotes . “Shembja asht e madhe dhe shtrihet deri në 100 metra. Në këtë hapësin s’ka dritë dhe është bash e vështirë për ta pastruar”, thotë një nga punëtorët. “E kam ni si tërmet”, më thotë një burrë, që derdh pakuptuar një lum fjalësh. Nga larg na ndjek një burrë, që nuk përzihet. Kur shikon kaosin, atëherë me fonemat e rënda të Veriut, që ai i gëlltit edhe më shumë në gojën e tij, fillon të na sqarojë. Unë s’kam frikë, më thotë. Jam specialist. Preng M. është 59 vjeçar, por gjithsesi na duhet të veçohemi pak: “Tuneli në 2000 metërshin e parë ka qenë material i fortë. Kur u shkëput kontakti i bakrit me kromin ka hasur në formacione me klorite dhe këto nuk kanë qenë të studiuara. Ata e dinin se deri diku ishin, por jo që ka pasur të dhëna ekzakte në hapësirën 12 me 8 të gjerë dhe 12 me 8 të lartë. Pas saj, tuneli ka qenë i pashtruar me beton dhe duke u futur oksigjeni krijohet përzierje dhe bien..Kjo do të bësh kështu: një hap dhe pastaj me betonim...Gabimi ishte teknologjik asgjë më tepër ...sepse ana gjeologjike s’është bërë më parë dhe ka qëndruar më shumë. Ka qenë shembje e madhe. Nuk dihet lart lartësia sepse nuk punohet dhe duhet të punohej me harqe e pastaj të eliminohet. Ka punëtorë shqiptarë por platformat i bëjnë turqit...”.
Nuk pipëtin më asnjë, por pak më vonë do marr vesh se burri është simpatizant i PD-së dhe këtij i lejohet të flasë lirisht. Burri ka respekt për punën dhe mëton se shqiptarët kanë bërë punë më të vështira. Ai vetë ka punuar më parë në tunelin e Gjadrit, ku më përmend një seksion 14x9 të bëra me makineri, vetëm se këto të sotmet ndryshojnë, sipas tij. Ka qenë pneumatike puna. Duhej të gërmohej dhe të betonohej. “Duhej të përfundonin këtu dhe të vazhdonin me qemer te tjetri. Politika është tjetër kurse teknika është ndryshe”. Në fakt, dikush që futet befas në bisedë më tregon me një skemë të vështirë sesi mbahen tunelet dhe se kjo është bërë më shpejt. Por, edhe ai nuk e do emrin, sepse do ketë siklete. “Është inauguruar më parë. A e kupton apo jo”,thotë burri dhe largohet. Jo dhe për këtë se është dakord punëtori i vjetër. Më tregon se ka eksperienca të vështira sepse veç Gjadrit ka qenë edhe në Librazhd dhe në Murrash.“Unë s’jam dakord që u inaugurua më parë, por ky dyshi(galeria jugore) nuk duhet të bëhej... Gabimi më fatal ka qenë lënja shumë pa betonuar. Ky është gabim teknik. Shembja mund të ndodhë kudo dhe ne kemi punuar në kushtet më të vështira, por kurrën e kurrës su falet kjo...dhe sidomos Enkës. Dhe, unë jam për këtë, se ajo ka pasur mundësi të bënte njëherësh njëshin dhe pastaj të niste tjetrin. Kjo është bërë që të mbaronte shpejt”.
Kryeministri kosovar Thaçi: “Realizuam një ëndërr. U bashkuam”. Kryeministri Berisha: “Tuneli i kushtueshëm, por më i lartë çmimi i bashkimit dhe shërbimit që i bën qytetarëve dhe daljen në det që i jep Kosovës, dhe fqinjëve të saj”. Berisha mëton se ky korridor për nga përmasat  e tij vetëm në segmentin Rrëshen –Kalimash tejkalon 4 deri në 5 herë HEC e Fierzës dhe mbi 2,8 here tërë kaskadën e Drinit.

Nga shkohet
Burri nuk do të flasë më. Në fakt, koha ka fluturuar. Tashmë, rruga nacionale Kukës-Tiranë ka marrë atributet e dikurshme. Ëndrra e shqiptarëve dhe kryeministrave mbeti në sirtarin, ku depozitohen premtimet e shumta, duke e bërë sërish të largët Tiranën, Kukësin dhe Prishtinën mes vete. Ca më shumë akoma, mos përdorimi i gjatë bëri që rruga e vjetër ti nënshtrohej erozionit, duke u dëmtuar shumë. Në të njëjtën kohë, Qafë-Mali, Shëmri dhe Qafë-Shllak punojnë një numër fadromash, që pastrojnë dheun e skarpatave dhe prurjet e erozionit, duke bërë që të mos ndërpritet qarkullimi. Për fat, përtej Kalimashit është autostrada dhe kjo i tërheq garipat dhe qindra e qindra drejtues mjetesh, që tentojnë dhe e presin shkurt. Në këtë mënyrë karvanët e furgonave e fuoristradave e deri tek autoveturat dhe kamionët gjetën fill pas mbylljes së tunelit, një tip “arterie ndihmëse”-in. Fillimisht e kaluan vetëm fuoristradat, por më pas gati çdo mjet udhëtarësh preferon t`i kalojë asaj rruge. Eshte e rrezikshme ajo rrugë, sidomos ne dimer, flasin dy burra, që kanë ardhur sakaq në hangarin tonë. Nga rruga e vjetër tentojnë kosovarët ose furgonat lokalë, që kuptohet se i troshitin shumë njerëzit. Ata pak që provojnë rrugën e vjetër e shohin me sy katrahurën. Për fat, rruga këtu shkon vetëm 50 minuta dhe pastaj mund të manovrosh. E kam të vështirë të kuptoj shpjegimin e gjatë të një burri dhe toponomastikën, për shkak se germat shpesh shkrihen në gojën e tyre. Një variant shkon Arrni (Qafa e Kombit), apo ajo e Qafës së Kumbullës te Laku i Qershisë. Kurse kryeplaku i Dardhasit, që ka zbritur me një kamionçinë nga fshati dhe tash është rrasur në cep të hangarit ka një version tjetër:“Për mendimin tim, si popull, rruga më e shkurtër është në hyrje të Çangës te Dardha te Qafja e Komit. Dhe dilte rrugë e sheshtë dhe me më pak probleme prej ngricave të krijuara. Por, këto janë punë të qeverisë dhe unë nuk i di. Di se do dilte më shkurt”. Është i papunë, por ai më zgjidh dhe rebusin i pari, sepse shumë rrinë pa folur. Ata që njihen si mbështetës të së Majtës, nuk flasin sepse do kenë probleme në punë. Ai vetë s’ka ç’të humbasë më dhe çështjen e tij do ta përcjellë deri në Strasburg. Ka qenë dikur në postë, por e kanë pushuar.Versioni i tij i rrugës është ende më futurist. Kryetari i komunës së Fanit e ka penguar. Sa për kohën, më mirë e lemë, të gjithë këtu duket se nuk u duhet koha. Ndue Çeku është i egër dhe i vendosur në ato që thotë, por mllefi më i madh është me firmën dhe me punët jo të mira dhe se pse fshatin tij e kanë anashkaluar?! Dy herë ka organizuar fshatarët dhe kanë dalë në rrugë sepse rruga e cila është e vetmja arterie e tyre nuk funksionon më në kushte optimale. Beson si të gjithë militantët socialistë, që e Majta do i fuste në burg.

Frika
Në fakt, askush s’ka hyrë në burg dhe deputetët e PS-së e vizituan për herë të parë vetëm këtë javë. Për fat, shembja s’ka ndodhur në tunelin që ka qenë i hapur por në galerinë jugore tjetër dhe kjo situatë është normale. Kurse, firma ndërtuese në tunelin e Thirrës, “Bechtel-Enka”, e ka pohuar shembjen në tunel vetëm tri ditë pas ngjarjes së rëndë, e në të gjitha herët e ka shmangur rrezikun që ekziston në të. Për hir të së vërtetës, thuhet se punëtorëve që ishin brenda u është thënë të kenë kujdes, por këtë e ke të vështirë ta konfirmosh. “Bechtel-Enka”, vetë, nuk e ka pohuar asnjëherë publikisht. Kur flet pa diktofonin në dorë punëtorët të thonë se rreziku ka qenë i vazhdueshëm. Çdo ditë ndodhnin shkarje të dherave, gjë që kuptohet është hedhur poshtë me fraza teknike dhe si proces normal punimesh, nga firma. Ca më keq akoma, duket se nga burrat që kemi përballë duhet të jetë dikush, që prish punë, sepse ata pas pak kohësh nuk flasin më. Ndërkaq, bëjmë një hamendësim për harxhimet në tunelin e Thirrës, që me sa duket do të gllabërojë ende shifra të konsiderueshme parash nga ana e buxhetit të shtetit dhe do të ketë një kosto më të lartë për kurrizin e shtetit shqiptar. Teknikisht, diku kam lexuar se punimet në këtë tunel i konsideron si volum pune dhe për këto duhet që të paguhet nga ana e shtetit shqiptar. E kjo shifër, e cila duhet të paguhet nga shteti shqiptar, nuk mund të parashikohet, pasi firma ndërtuese nuk punon me çmime fikse, por thjesht nga vlerësimet. Kujtoj zërin e një specialisti, kohë më parë, që fliste për rrezikshmërinë dhe për këtë formacionin problematik, që po hasej në tunel...por ashtu si ndodhin gjërat në Shqipëri, edhe kjo kaloi thjesht. Ky aksesor, në qershor u quajt i mbaruar dhe kryeministri Sali Berisha, para një turme ku valëviteshin flamujt e pafund të PD-së, theksoi fatin e madh të ndërtimit të saj dhe se Shqipëria dhe Kosova ishin bashkuar tashmë. Tashmë, shumë prej këtyre burrave edhe pse nuk janë inxhinierë, të shprehen gati me një zë: Tuneli është hapur para kohe dhe se rreziku është kurdoherë shumë i pranishëm. Në një farë mënyre autoritetet shqiptare, që kanë lejuar kalimin në dy galeritë, duken si shumë të papërgjegjshme me këtë rast. Por ato vazhdojnë stigmën dhe talljen e atyre që ngrenë pretendime për tunelin. Sa i përket firmës, duket se menaxheri i saj ka qenë shumë konkret këtë javë në vizitën, që kanë bërë deputetët: Do ende kohë të mbarohet, është shprehur ai.

Si duhej
Në të vërtetë duhet të dojë kohë. Shfrytëzojmë rastin, që ka pushuar pak shiu dhe dalim jashtë. Jemi poshtë flamurit të PD-së, që duket si pika e vetme e referimit në këtë mjedis betoni. Burri, që është militanti i PD-së, bëhet më lakonik: “Kjo teknologji është e vjetër. Pretendoja që do vinte një makinë me impiant pneumatik dhe pastaj me transportier e përcjell. Bën 30 metra në ditë, por me këtë s’u bë. Fajin për këtë e mban ENKA për mua”. Shtrëngojmë duart. Një burrë, që e mbështet, më thotë se e njëjta firmë, ka bërë punë të shkëlqyera me urat dhe me veprat e tjera të artit përgjatë aksit Durrës-Morinë, por këtu, s’ka qullosur gjë!!! Ndahemi. Ndueja vazhdon të ankohet dhe më kërkon një kontakt me FIKS-in. Më merr madje, për të më treguar fshatin por habitem sesi një burrë që pretendon se merr thjesht 15.000 lekë, të ketë mundësi të mbajë kamionçinën në këtë rrugë . Deklamon dhe më ankohet gjithë rrugën, që përshkruajmë bashkë nga anash tunelit dhe diku deri drejt fshatit të tij: “Jetojmë me blegtori dhe punojmë ato tokë me dynym. Vepër e madhe por këtu është korrupsion i madh. Duhej hapur rruga sipër tunelit dhe të mos hapej kaq shpejt për votim. Kam dëgjuar se në Turqi këto punë shkojnë për 4-5-6 vjet. Por ky tunel ka ujë shumë dhe nga të vjetrit dimë se do ketë probleme dhe të mendosh se ka rrugë tjetër që kishte diell dhe jo si këtu që nuk e rreh fare dielli”.
...
E qetësoj disi. I premtoj numrat. “PS u njoh sot me rrugën në Kalimash, kjo është pozitive. PS njohu rrugën, edhe pse me vonesë. Por do të doja që të kishte qënë vetë Rama në Thirrë”, ua kthen ministri Olldashi nga Tirana deputetëve, që në sheshin ku marrin sqarim u duhet të përballin disa njerëz të drejtuesve të komunës së Fanit që duan të prishin takimin dhe gjithçka. “Ky është tuneli ynë dhe kjo është rruga jonë. Ikni andej nga keni ardhur! Ç’ju duhet juve me këtë muhabet”. Kanë të drejtë me të tyren. Për ta shteti është PD-ja. Naimi do më thotë pak më vonë se hangari ishte në tre pjesë sepse dy vëllezër, që e kishin, s’gjenin gjuhën me njëri-tjetrin. Zgjidh dhe ‘misterin’ e flamurit të PD-së, mbi të, që është e njërit prej vëllezërve simpatizantë të PD-së.
Ne e kemi më lehtë. Ndueja më merr dhe më lë diku përtej rrugës kryesore, pasi më ka treguar rrugën për në fshat dhe pamundësinë e tyre. “Tashti, do më heqin dhe vajzën nga puna, më thotë-që të jam ankuar”. Përshëndetemi thjesht. Turqit, që kam takuar përtej, më duket se kalojnë atypari. Largohemi, ndërsa shiu ka pushuar fare pak. Kurse, fjalët e tre kryeministrave për Tunelin, të duken të largëta dhe të largëta pafund ashtu si edhe fundi i dy galerive të Thirrës.

21 Komente

Tuneli do te inagurohet prape edhe nja 10 here te tjera.

A mund te ma shpjegoje njeri se cila eshte Rruga e Kombit?

Dikur flitej per autostraden Durres-Morine, kurse sot degjohet vecse per Rreshen-Kalimash?

A mund te ma shpjegoje njeri mua qe jam i larget dhe te marr edhe une vesh cfare behet?

“Ky është tuneli ynë dhe kjo është rruga jonë. Ikni andej nga keni ardhur! Ç’ju duhet juve me këtë muhabet”.

Keta akoma pa mbaruar rruga dhe po e pervetesojne ate. Cfare do te bejne neser? Do te vene posteblloqet?

Edhe ne tunelin qe po bashkon Italine me Francen ka ndodhur nje problem i ngjashem,por nuk kam pare media qe tja veje fajin qeverise dhe as deputete (italiane apo franceze) te shkojne e ti kerkojne llogari firmes ndertuese.

Keto cudira ndodhin vetem ne Shqiperi ku edhe per formacionet shkembore e ka fajin Kryeministri dhe ku te gjithe dalin specialiste tunelesh (pa hyre edhe nje here te vetme ne nje tunel) dhe i japin mend eksperteve boterore se si duhet te kishin vepruar.

Nuk ka gallate me te madhe.

Gallata me e modhe eshte se ky eshte tunel i inaguruar, dhe jo vetem 1 here, por 2 here. Por ti do beje mire te dilje vullnetar dhye te shkoje per te punuar ne tunel, ne menyre qe edhe kosto shtese te jete sa me e voge.

Ky nuk eshte tuneli i inaguruar o berber. Tuneli qe ka inaguruar Berisha dhe qe u perdor nga njerezit nuk ka pesuar shembje, ky eshte tuneli tjeter qe po behen punime dhe nuk eshte hapur asnjehere per kalimin e automjeteve.

Po pse nuk u lane deputetet e PS per te hyre brenda e per te inspektuar punimet, theksoj ne tunelin qe ishte inaguruar 2 here? Gjithashtu pse po ky tunel u tha se do te hapet vetem ne veren e vitit tjeter, kur Olldashi tha se ka vetem nja 2-3 jave pune dhe do te hapet? Di gje ti apo ashtu ke qejf me fol kodra mbas bregut?

 Shume i bukur shkrimi. Me pelqeu shume menyra e shtruar e pershkrimit te gjerave.

Mapo strikes again! Lorenc Vangjelli zbardh prefektin, Ben Andoni zbardh tunelin, fapetin drita e Mapos gjithandej.

Ku qendron lajmi ne kete artikull me te gjate se tuneli ne krye te Peshkut, qe me shume se artikull investigues apo analitik ngjan me tregim letrar ose mesele qe tregohen anes oxhakut te zjarrit ne dimer, mund te me thote kush?

Mbase ketu?

E gjithë shembja ka ndodhur në galerinë jugore, në atë, që në fakt nuk ka pasur ndonjëherë kalime të mjeteve. “Janë shkelur parametrat e kontratës, sipas menaxherit Mort- tuneli do të përfundonte në vitin 2010, në verë të këtij viti, kurse ai u inaugurua përpara kohe”.

U inagurua para kohe pjesa jugore e tunelit po nuk kaloi asnje makine? Per ca u inagurua atehere?

Nga gjithe shkrimet tunelse te tuneluara ne Peshk kohet e fundit shkrimi i Lizanderit i fiton piket. Ai te pakten s'pretendon se ka zbuluar nje grope te mbuluar me dhe. Plus qe e kishte shkruar para shembjes, dhe fiton pike ekstra, jo si keta G99-istet qe degjuan lajmin e shembjes dhe u nisen me ceten e deputeteve sapo i ra era gjak. smiley

Megjithese ne nje gje keta i kane rene ne te; hapja e kutive do zbardhe dhe erresiren e tunelit. Ne 20 nentor tek sheshi! smiley

 

Edhe ne tunelin qe po bashkon Italine me Francen ka ndodhur nje problem i ngjashem....

 

Edhe ne Boston pati nje gje te ngajshme edhe ne filifistun ka ndodhur njelloj

edhe ... edhe ... edhe .....

Po mire mor njerez meqense ka ndodhut ne Italy Boston apo filifistun dhe eshte ne rregull? Meqense ata e kane dhje.re punen e tyre dhe eshte OK per ne ta dhje.sim gjithashtu?  Ceshte ky mentalitet? Sikur Italjonet apo Amerikonet apo filistinezet te vendosin te hidhen nga shkembi dhe ne te gjithe pas tyre do te shkojme?

O milet u shemb tyneli!!!!!!.Sa pare te derdhura ne ate pjese te tynelit qe u shemb shkun per dhjame qeni? Sa jete njerezish u rezikuan? Sa e sigurt eshte e ardhmja e tynelit? Kush mban pergjegjesi per tere keto?

Apo hajde meqenese kjo ka ndodhur edhe ne filifistun dhe ne jemi ne rregull me regull treshi

PS Cfare lidhje ka shembja e tynelit me kutite e votimit? Si lidhen keto dy gjera me njera tjetren?

Apo hajde ta lidhim qe pastaj shembjen ta konsiderojme si kutite ,politike  dhe bashke me kutite te fshehim edhe tynelin

Hajde or hajde cbehet ne ate vend

Citati i mijevjecarit

“Këta s’bënë një rrugë për pesëqind vjet, jo të bëjnë gjë të hajrit”, na thotë një punëtor, sepse duke gjetur një justifikim në historinë tonë të ngatërruar me turqit.

Edhe ne Boston pati nje gje te ngajshme edhe ne filifistun ka ndodhur njelloj

edhe ... edhe ... edhe .....

Eee.sepse edhe aty ishte Bechtel-i..edhe ne Bolivi ishte Bechtel-i dhe populli beri grusht shteti prej Bechtel-it. Nderkohe ne Shqiperi eshte interesant fakti qe rruga po ndertohet nga kompani qe i perkasin Perandorise Romake: si te vjetres ashtu edhe te rese, me leke te marra borxh nga ata qe e quajn veten "Romake" por qe jane Greke.smiley

 Ky eshte mentaliteti komunist, "po edhe ne Nju Jork ka njerez qe flejne poshte ures"; i perzier me ate demokrat "Ameriken edhe ne mos e arritshim nga sukseset, patjeter do ta arrijme nga deshtimet!"

Deri tani kemi pasur nje mini Civil War ne 1997 dhe nje mini 9/11 ne Gerdec. Perpara drejt fitorjeve te reja! Zoti e bekuofte Shqiperine! smiley

 Artikulli kishte nje pershkrim neutral, (gje e mire kjo), veç une parashikoj nje renie te besimit nga ana e shoferve, sidomos tani pas shembies. Kjo eshte dhe humje pikesh per firmen ne fjale, si dhe per qeverine. Mendoj, se diç para tynelit (nga te dyja krahet) te hapet nje devijim rruge e gjere, si alternative per makinat qe nuk duan te pershkojne tynelin, apo dhe ne rast avarie ne tynel. 

Mundesi e mire per te grabit para te tjera nga taksat tona ....kur do e perurojne  prap  se kemi injorante, militant partie sa te duash ne Shqiperi ...

PF, e ke pas njof Benin ne Shqiperi? Nje nga njerzit me te qete qe kom rastis me pa ndonjehere. Ajo qetesia e vet sikur i eshte reflektu edhe ne ket shkrim. Plus, duke lexu ket shkrim me dilte parasysh paralel edhe ai artikulli kompulsiv i Ypit per rrugen dhe rezultati i perqasjes qe nje nenqeshje e lehte me cep buze e pasume me i rrufitje kafeje.

Kur e mbarova se lexuari kete shkrim, mendimi i pare ishte qe nuk ja vlen sepse ka shume aspekte pa lidhje dhe eshte shume i turbullt, pa provuar asgje...."binte shi", "shiu shtohet", "Pali s'foli", "Prenga ishte blu", "Morti ishte pissed off", "turqit po kruanin dhembet", "ishte kohe e keqe", "Thirre-Kalimash eshte me i shkurter se Kal-Thirre"........... e terci e verci. Por kjo tamam reflekton historine e vertete qe eshte shume mistike, nuk merret vesh kush pi e kush paguan (kjo e fundit pak a shume eshte e qarte), kush inauguroi cfare dhe me ke, pune e nisur pa u studiuar sikur po hapej ndonje tunel ne buze detit ne rere..........Mire Andoni.

“Ky është tuneli ynë dhe kjo është rruga jonë. Ikni andej nga keni ardhur! Ç’ju duhet juve me këtë muhabet”.

 

Haha. 'Rruga asht e xan'

 "Tunel i xanum!" desh me thane? smiley 

Jam dakort me shembjet e tuneleve sepse edhe muri i berlinit shembet, shembet po si nuk shembet, ja bie nje termet dhe rrezohet, parakalojne ushtaret e napolonit dhe shembet ura.   Jane shembur te gjitha perandorite e botes dheu ju dashkeni te mos shembet tuneli. Po, pa dale nje here, kush e shembi tunelin Alexander Xhuvani apo Dhimiter Xhuvani??

Titullit te shkrimit deshiroj ti shtoj nje fjale dhe ta quaj "Tuneli i tre kreministrave anadollake". E cfare prisnit juve nga keta te tre..cfare do ndertonin?

Edhe ne tunelin qe po bashkon Italine me Francen ka ndodhur nje problem i ngjashem,por nuk kam pare media qe tja veje fajin qeverise dhe as deputete (italiane apo franceze) te shkojne e ti kerkojne llogari firmes ndertuese.

Keto cudira ndodhin vetem ne Shqiperi ku edhe per formacionet shkembore e ka fajin Kryeministri dhe ku te gjithe dalin specialiste tunelesh (pa hyre edhe nje here te vetme ne nje tunel) dhe i japin mend eksperteve boterore se si duhet te kishin vepruar.

Nuk ka gallate me te madhe.

E keqja me e madhe eshte kur pajtohesh me te keqen.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).