Tregimi. Historiku dhe Analiza IV

vijon... 

IX

Ndoshta arsyeja pse tregimi hodhi rrënjë më shpejt në Francë ishte e dyanshme – para së gjithash u aprovua nga një racë me shije tepër të hollë artistike që kishte trashëguar pasionin latin për logjikën dhe kishte pranuar prej kohësh rëndësinë e tërësisë dhe përmasave, dhe së dyti, fryma mikpritëse e gazetarisë pariziane, e cila krenohej me lidhjen e ngushtë që mbante me letërsinë. Francezët nuk kanë shumë revista, pjesërisht sepse gazetat e tyre servirin atë që ne anglishtfolësit e presim vetëm nga botimet javore dhe mujore. Ishin pikërisht të përditshmet e qytetit mbi Senë që botuan të parat shumicën e tregimeve të Rishepin, Kopee, Halevi, Dode dhe Mopasan. Dhe sa herë hartohet lista botërore e tregimeve më të dashura, gjithmonë do të përfshijë të paktën një nga fantazitë humoristike të Dode, plot me nuanca jugore, si edhe disa nga portretet aq të fuqishme të personazheve të Mopasanit, pikturuar me besnikërinë veriore ndaj fakteve. Përsa i përket përhapjes aq të shpejtë të tregimit këtu në ShBA, në degën amerikane të letërsisë angleze në mes të shekullit, kur ai u la pas dore nga tërë autorët kryesorë të degës britanike të letërsisë tonë, mund të sugjeroj tre arsye. Së pari, forma e mirëfilltë e tregimit ishte ilustruar dhe shpallur këtu nga Poe më parë se nga çdo shkrimtar tjetër. Së dyti, na duhet të vemë në dukje se revistave tona që mezi po e mbanin kokën mbi ujë, u duhej të mbështeteshin plotësisht mbi tregimet për tërheqjen e lexuesve të tyre sepse në fillim kishte mungesë të theksuar romancierësh vendas të aftë për të krijuar seriale të gjata. Dhe së treti, na duhet të marrim parasysh disa nga kushtet e veçanta të vendit tonë – sipërfaqen e pamatë, popullsinë e përzier, interesat e shumanshme, që të kombinuara e bëjnë pothuajse të pamundur ngjizjen e asaj që mund të njihet si Kryevepra Absolute Amerikane. Shkrimtarët tanë kishin interes dhe mundësi vetëm ta anashkalonin romanin si gjini dhe ta zëvendësonin atë me tregimin, të cilin mund ta shfrytëzonin direkt për t’u marrë me atë pjesë të këtij vendi të pamatë të cilën ata e njihnin më mirë, për të gdhendur personazhet e tyre me ndershmëri absolute, dhe për t’i përjetuar në letër veçoritë e asaj pjese, para se këto të fundit të ndryshonin. Mesi i shekullit të nëntëmbëdhjetë nuk ishte ende koha e duhur për t’iu përkushtuar studimeve të thella të jetës amerikane si p.sh. “Shkëlqimi i Sajlas Lapham” dhe “Hakëllberi Fin” që do të arrinin më vonë, por ishte momenti më i mirë për të zhvilluar atë që mund të quhej tregim me nuanca lokale. Në një farë mënyre ishte Irvingu ai që e kishte hapur këtë rrugë me “Rip Van Uinkëll” dhe krijimet e tij të tjera ku ai popullonte brigjet e Hadsonit me personazhe legjendare. Akoma më e fuqishme ishte influenca e Hothornit me analizat e tij të thella të vetë esencës së Nju Englandit. Irvingun e Hothornin e pasoi një mori shkrimtarësh amerikanë të tregimeve me nuanca lokale, burra dhe gra, humoristë e sentimentalistë, fantazues e realistë, veriorë e jugorë, me nivele të ndryshme sinqeriteti dhe talenti. Për më shumë se tridhjetë vjet, këta po eksplorojnë Shtetet e Bashkuara, dhe po ua shpjegojnë popullin e një shteti popujve të shteteve të tjera, duke na zgjeruar dijen dhe shtuar simpatinë për bashkëqytetarët tanë. Në asnjë vend tjetër nuk është ndërmarrë ky eksplorim kaq i thellë i humanitetit kontemporan, ndoshta sepse në asnjë vend tjetër nuk është aq e nevojshme dhe aq e dobishme sa këtu. Bret Hart hodhi petkun e romanticizmit mbi supet e Argonautëve të 49-ës dhe atë çka u përpoq të bënte ai për kalifornianët e hershëm, u përpoqën ta bëjnë edhe shkrimtarët e tjerë për popujt e shteteve përkatëse. Romanticizmi rrjedh lumë në skicën plot dashuri të z. Kejbëll “Ditët e hershme kreole”, ashtu si edhe respekti për jetën reale dhe karakterin njerëzor. Atë që bëri z. Kejbëll për Luizianën, e përsëriti z. Peixh për Virgjinian, dhe z. Harris për Xhorxhian. Znj Xhuet dhe znj Uillkins janë pak më të sinqerta në realizmin e tyre gjatë përshkrimit të popullin e rreptë të Masaçusetsit, ashtu si dhe z. Garland me skicat e tij për njerëzit e thjeshtë të Uiskonsinit. Kohët e fundit, e njëjta metodë eksplorimi po aplikohet dhe me lagjet e qytetit të Nju Jorkut me mishmashin e qytetarëve të tij ardhur nga gjithë cepat e Botës së Vjetër, por që tashmë po shndërrohen në qytetarë të Botës së Re.

 

X

Ishte Poe ai që vuri në dukje i pari se tregimi ka të drejtën e ekzistencës dhe se synimi i tij ndryshon rrënjësisht nga rrëfimi i cili thjesht nuk zgjatet më tutje. Duke pranuar pretendimin e tregimit për t’u quajtur si zhanër më vete, profesor Perri (i Harvardit) vlerëson të mirat e këtij zhanri si edhe kufizimet e tij rigoroze. Ai mendon se autorët letrarë, romancierë apo tregimtarë, gjithmonë kërkojnë të zgjojnë interesin e lexuesit duke i treguar atij “persona të caktuar që bëjnë veprime të caktuara në situata të caktuara”. Pra, ata punojnë me tre elementë, personazhet, ngjarjen dhe mjedisin ku zhvillohet kjo ngjarje. Meqë këta shkrimtarë e kanë tepër të kufizuar kohën në dispozicion, personazhet e tyre nuk mund të jenë të pajetë, dhe nëse “tema është zhvillimi i personazhit, atëherë ky zhvillim duhet të përshpejtohet nga ngjarje mbresëlënëse.” Me fjalë të tjera, tregimi i ndërtuar rreth një personazhi ka shumë mundësi të përshkruajë një njeri pak a shumë të pazakontë dhe befasues. Nga ana tjetër, nëse theksi vihet tek ngjarja, jo tek personazhet që po e përjetojnë, atëherë kushti i rënies aplikohet tek thjeshtimi në maksimum e heroit kryesor. P.sh. heroina e “Zonjës dhe Tigrit” është thjesht një grua – pa ndonjë veçanti dalluese, dhe heroi tek “Pusi dhe Lavjerrësi” është thjesht burrë – pa veçanti dalluese dhe ky. Ngjarja vetë mjafton për të na tërhequr vëmendjen për një kohë të shkurtër. Pra nëse tregimi përqendrohet tek heroi, atëherë ky i fundit është i pazakontë, por nëse tregimi përqendrohet tek ngjarja, atëherë heroi është pothuajse gjithmonë i rëndomtë. Për më tepër, nëse autori vendos të përqendrohet kryesisht mbi vendin a rrethanat e ngjarjes, atëherë ai pothuajse nuk ka nevojë as për hero kryesor, as për ngjarje. Rrethanat e ngjarjes duhet të jenë ato që do të na tërheqin, dhe vëmendja duhet të na thithet kryesisht nga presioni në atmosferën e tregimit. “Qëndrimi modern ndaj mjedisit, kurioziteti modern ndaj kushteve shoqërore, estetika moderne që pëlqen më shumë karakterin sesa bukurinë, të tëra këto janë mjete në dorën e tregimtarit”, i cili mund të na japë kënaqësi maksimale “nëse arrin të na shpalosë një qoshe të re të botës, ose skicojë skena familjare në atë mënyrë që na prekin telat e zemrës, ose të hedhë dritë mbi njërën nga zejet njerëzore si lufta, tregtia ose industria.” Profesor Perri e shpreh qartë se tregimi “Nuk e sprovon gjatë fuqinë e lexuesit” dhe se kjo cilësi u jep tregimtarëve atë mundësi që romancierët mund ta shfrytëzojnë vetëm nëse e kanë qejf rrezikun – pra mundësinë “për didaktizëm të pafajshëm, për të shtruar probleme pa gjetur zgjidhje për ta, për të përshkruar rrethana arbitrare, për të hequr detajet e shëmtuara, dhe si rrjedhojë për të krijuar bukuri nga tmerri, si edhe për simbolikë poetike”. Në vijim, i njëjti kritik ve në pah rregullat që tregimtari duhet të ndjekë nëse do të prodhojë një kryevepër në këtë zhanër, si edhe përcakton se tregimi cilësor “kërkon nivel të lartë të imagjinatës vizive, fuqinë për të përfytyruar objektivin, për të depërtuar tek thelbi i tij, për të zgjedhur pikërisht atë veçori që e përfaqëson më së miri këtë thelb”. Por tregimi nuk ka nevojë për furnizim të pandërprerë imagjinate, as nuk i kërkon autorit të tij “zgjerim, tolerancë dhe inteligjencë këndvështrimi”. Meqë autori i tregimit merret me trajtimin e një aspekti jete gjatë një njësie të shkurtër kohore, ai “nuk ka nevojë të jetë i qëndrueshëm, ose t’i arsyetojë gjërat deri në fund. Këtu shohim si tregimi bie më poshtë se romani, i cili duhet që të jetë jo vetëm i qëndrueshëm por edhe me kuptim, dhe që ka nevojë për ushtrimin e tejzgjatur të imagjinatës interpretuese.

XI

Deri tani u është kushtuar vëmendje vetëm tregimeve në prozë, por patjetër duhet të diskutohen edhe rrëfenjat e shkurtra në vargje, disa nga të cilat arrijnë të shndërrohen në tregime të mirëfillta, pavarësisht nga rimat. Pjesa tjetër është kryesisht rrëfime metrike shpesh të tejzgjatura pa nevojë. Natyrisht që rrëfimet e para ka shumë mundësi të kenë qenë në vargje ritmike, sepse proza gjithnjë vjen pas poezisë, dhe lirika nuk është asimiluar kurrë nga harmonia e mëvonshme prozaike. Në Aleksandrinë e lashtë, Teokriti i ndenji larg epikës deklamuese, ndoshta sepse i kishte vënë veshin paralajmërimit të Kalimakut se “libri madhështor është e keqe e madhe”. Ai shkroi idile delikate dhe të hijshme, skica të thjeshta të jetës qytetare dhe fshatare, me stil të ngjashëm me skicat e disa poetëve të shoqërisë moderne. Dallimi midis prozës e poezisë ndonjëherë bëhet pothuajse i padukshëm. Çoser vargëzoi disa nga të njëjtat rrëfime që Bokaçio i tregonte në mënyrë më të thjeshtëuar, por pothuajse me të njëjtën kënaqësi. I njëjti material që u përdor nga këta dy mjeshtra të hershëm të rrëfimit, nganjëherë vinte nga fabliau-t e hershme franceze në vargje. Poeti anglez ishte më i aftë në teknikën e rrëfimit, sepse ai gëzonte një tërësi dhe harmoni që nuk gjendej tek bashkëkohësi i tij italian. Po ashtu Çoseri kishte shumë më tepër humor dhe e kuptonte shumë më mirë natyrën e njeriut. Përdorimi i vargjeve dhe i rimës e pajis rrëfimin pothuajse gjithmonë me një frymë lirike që normalisht nuk e presim nga tregimi, dhe që nuk shkon dhe aq me stilin dominues të tij. Domethënë, vargjet ka shumë të ngjarë t’i japin rrëfimit ton balade, dhe megjithëse një rrëfim në vargje afrohet me baladat, ato nuk janë e njëjta gjë. Ashtu si romani ndryshon nga eposi, ashtu dhe rrëfimi në vargje ndryshon nga balada, edhe kur nuk është e lehtë ta përcaktosh saktësisht këtë ndryshim. Eposi mund të bëhet dhe nga ripunimi i baladave më të hershme, por është jocilësor, dhe ngjan më shumë si varg i stërzgjatur baladash. Është krejtësisht e lehtë përzgjedhja e një rrëfimi në vargje të ngjashëm me strukturën e tregimit nga moria e rrëfimeve në vargje, që nga nga contes-t e plot jetë të La Fontenit, e mrekullueshmja “Legjenda e epokave” të Hygoit, e zakonshmja “Rrëfimet e Korridorit” të Krabes, deri tek e hijshmja “Rrëfimet e një Hani Buzë Rrugës” të Longfellout. Po ashtu mund të citojmë disa rrëfime në vargje të Skotit, “Majkëllin” e Uordsuërthit dhe “Dorën” e Tenisonit. “Hermani dhe Dorotea” e Gëtes është më tepër novelë sesa tregim në vargje, ashtu si edhe motra e vet angleze “Dashuria e Majls Standishit”. Në Francë, conte en vers buroi pa ndërprerje gjatë tërë shekullit të nëntëmbëdhjetë, dhe vepra patetike dhe e vrullshme “Greva e Hekurpunuesve” nga Kopee mund të konsiderohet plotësisht si rrëfim në vargje, e krahasueshme me prozën e tij “Zëvendësi” dhe atë të Halevit “Rebeli”.

 

XII

Drama ishte forma më dominante e letërsisë në fillim të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, ishte eseja ajo që tërhoqi vëmendjen e pothuajse të gjithë autorëve letrarë. Eseja e humbi popullaritetin e vet në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ashtu si edhe drama një shekull më parë, dhe proza letrare që huazoi shumë elementë nga paraardhësit e siperpërmendur u bë e modës në botë dhe nguli këmbë në vendosjen e saj krahas dramës e cila më parë konsiderohej si forma më e lartë e letërsisë. Asnjë kritik kompetent nuk mund të mohonte që shekulli i nëntëmbëdhjetë ishte era e romanit, por padyshim edhe e tregimit. Tani, në fillim të shekullit të njëzetë, po shihet një ringjallje e dramës në letërsi, si edhe rikthimin e adhuruesve të saj nga radhët e romancierëve. Por ky rivalitet mes dramës e romanit nuk ka shumë të ngjarë të influencojë tregimin, i cili tashmë qëndron më vete. Ndoshta profecia se tregimi do të lulëzojë akoma më shumë në të ardhmen nuk është më e nxituar. I sigurt është vetëm fakti që një zhanër letërsie aq popullor dhe aq i rrënjosur në letërsi sa tregimi meriton studim serioz e të kujdesshëm.

 

TREGIMI.  1907.

Shtojcë (Shkruar për hir të studentëve që kërkonin materiale plotësuese leximi për tezat e tyre.)

 

TREGIMI ndryshon thellësisht nga zhanret e gjata të letërsisë sepse vetë shkurtësia e tij e shtrëngon shkrimtarin ta kufizojë veten me një nga tre elementet të cilat romancieri mund t’i kombinojë sipas dëshirës. Këto tre elemente janë subjekti, personazhet dhe rrethanat e ngjarjes. Romancieri mund të shtjellojë njësoj si ngjarjen, personave të cilëve po iu ndodh kjo ngjarje, ashtu edhe vendeve e rrethanave ku po ndodh. Por hapësira e kufizuar nuk ia lejon tregimtarit këtë luks, por e detyron të zgjedhë njërën nga të treja. Nëse përqendrohet tek subjekti, tregimtari nuk ka kohë të shtjellojë as personazhet, as rrethanat. Pikërisht këtë ka bërë poe në “Vrasjet në Rue Morgue”. Nëse ai do të përqendrohej në një perzonash, subjekti atëherë do të ishte i përmbledhur, dhe mjedisi rrethues i skicuar shpejt e shpejt, ashtu si ka vepruar Xhorxh U. Kejbëll tek “Poson Xhon”. Nëse ai e drejton vëmendjen e lexuesit tek mjedisi rrethues, tek vendi i ngjarjes, tek atmosfera si të themi, ai duhet ta përdori personazhin dhe ngjarjen vetëm për të përforcuar mbresat që le koha dhe vendi i ngjarjes, të cilin e shohim tek “Kthimi i Ushtarit” nga Hamlin Garland. Pasi shkrimtari ka zgjedhur elementin për të cilin do të punojë, atëherë duhet t’i përmbahet vendimit që ka marrë. Në esenë cilësore “Struktura e tregimit” nga Klaiton Hamilton ( botuar tek Lexuesi, Shkurt 1906), thuhet se “qëllimi i tregimit është të prodhojë vetëm një mbresë nga rrëfimi, me sa më pak mjete që të mundet për të krijuar fuqinë më të madhe të mundshme shprehëse.” Shembujt e dhënë në këtë shkrim tregojnë që shkrimtarëve iu desh shumë kohë për të arritur në këtë parim. Edhe Bokaçio që është mjeshtri i rrëfimit, humbet kohë kot në rrëfimet e veta. Adisoni ka mëse një faqe të pavlerë në rrëfimet e tij, dhe po ashtu e prish skenën më mbresëlënëse duke e nxjerrë sekretin e tregimit në fillim të tij. Pushkini e dëmton vazhdimësinë në tregimin e tij duke e ndërruar këndvështrimin në pjesën e dytë. Nga ana tjetër Lambi përfiton sepse kthen tregimin në monolog dhe Dikensi prek notat e duhura me fjalinë hapëse “Na ishte një fëmijë njëherë.” Ja pse Poe, duke e konceptuar “Rrëzimin e shtëpisë Ashër” si studim të një vendi të panjohur e të çuditshëm, e filon tregimin me një përshkrim, duke e vonuar futjen e personazheve të tij misterioze. Hothorn, me talentin e tij të admirueshëm, na paraqet familjen me të cilën “Mysafiri Ambicioz” do të kalojë natën, para se të na njohë me vetë personazhin. Gjithashtu, Mopasani, që në fjalinë e parë të “Gjerdanit” na e drejton vëmendjen tek fakti thelbësor it regimit. Stimsoni e fillon dhe e mbaron “Zj. Nollis” me akullnajën. Kiplingu në paragrafin hyrës të “Njeriut që ishte” parashtron tezën që do të ilustrojë tregimi. Banër tek “Plani i motrave” na shpjegon hotelin veror para se të na njohë me personazhet e veta, sepse ngjarja bëhet e mundur vetëm në një hotel amerikan. Mësuesi dhe studenti duhet të studiojnë më thellë kufizimet e tregimit –kufizimet të cilat në të vërtetë krijojnë cilësitë e tregimit, ashtu si shpjegohen nga kapitulli XII i librit “Studimi i Prozës Letrare” të profesor Blis Perrit. Ata do të bëjnë mirë të përqendrohen tek format të cilat kanë zgjedhur shkrimtarët për të “derdhur” rrëfimet e tyre, nëse përdorin vetën e parë apo vetën e tretë, të treguar nga vetë autori ose nëse përdorin formën asnjanëse. “Marxhori Dou” e Aldriçit është vendosur në formën e një seri letrash dhe telegramesh, me shumë pak pjesë rrëfyese. Një tregim tjetër “Dokumentet e Çështjes” shkruar nga H.C. Banër (në bashkëpunim me autorin e këtij vëllimi), përbëhet vetëm nga një sërë letrash, telegramesh, copëza nga artikuj të ndryshëm, reklama etj. dhe subjekti, rrethanat e ngjarjes dhe personazhet janë të tërë në shërbim të stilit të tregimit. “Zonja ose Tigri” e Stoktonit është pothuajse e tëra një gjeagjëzë, e cila tërheq vëmendjen e lexuesit me anë të mjeshtërisë së autorit që na detyron t’i parashtrojmë vetes një problem pa zgjidhje. Ata studentë të tregimit që duan të lexojnë shembuj të tjerë këshillohen të gjejnë tregimet e tjera të mjeshtërve të përmendur më poshtë, si edhe ata punët e të cilëve janë përdorur për ilustrimin e kësaj eseje. Për shembull, “Rip Van Uinkëll” nuk është më i mirë se “Legjenda e Luginës së Fjetur” ose “Nusja Fantazmë” e Irvingut. “Mysafiri Ambicioz” tregon vetëm një nga anët gjeniale të Hothornit, që janë më të dukshme tek “E bija e Rapaçinit” dhe “Nishani”. Poe ka mbi një dyzinë kryeveprash. “Partneri i Tenesisë” megjithëse tepër karakteristik, shpalos vetëm disa aspekte të talentit rrëfyes të Bret Hartit. Të tjerat mund të gjenden në tregimet e vëllimit të titulluar “Fati i Kampit Buçitës”. Perëndimi i Largët është gjithashtu skena e aventurave interesante dhe skicave të personazheve që përbëjnë “Burrat e kuq dhe të bardhë” të Ouen Uistërit. Perëndimi i Mesëm përdoret si arenë nga “Rrugët më të rrahura” të Hamlin Garlandit. As shtetet e jugut nuk janë harruar nga tregimtarët amerikanë. Në veprën e vet “Ditët e hershme kreole” Xhorxh U Kejbëll ka kapur sharmin fluturues të jetës në Luiziana para luftës civile, dhe “Zhan-ah Pokelin” mund të konsiderohet si analizë e personazhit në kontrast të thellë me sfondin ku vendoset. Zhoel Çandler Harris analizon negrin e Xhorxhias me besnikëri e dashuri, sidomos tek “Ananias” dhe “Xhoja i lirë”. Tomas Nelson Peixh përshkruan shoqërinë e Virgjinias me të tëra dallimet e veta midis të bardhëve dhe të zinjve, sidomos tek “Marse Çan” dhe “Zonja meh”. Autorët janë përpjekur të rindërtojnë fonetikisht të folurën e pagdhendur të dialektit të negrove të pashkolluar në të tëra këto tregime të jugut. Ata janë marrë jo vetëm në veçanti me personazhet që po analizonin, por edhe me kushtet sociale të shoqërisë në zhdukje ku jetonin këto personazhe. Jeta në metropoliset e Shteteve të Bashkuara është tema e shumicës së tregimeve tek “Gjashtat e shkurtra” të H.C. Banër, njëra nga të cilat “Tenori” mund të quhet si përfaqësuese e nuancave të ndryshueshme te Nju Jorkut. Atmosfera e qytetit, ndryshueshmëria e tij, mundësitë e pafundme, e frymëzuan autorin e këtij vëllimi që të krijonte “Copëza nga Manhatani” si edhe “Skicat e Nuancave Lokale”., në shumicën e të cilave personazhet dhe ngjarjet i shërbejnë vendit dhe rrethanave të tregimeve. Një përshkrim tepër i gjallë i jetës metropolitane po ashtu mund të gjendet në rrëfenjat e shpejta të “Van Bibër” të Ripçard Harding Dejvis. Kolonia hispanike e Nju Jorkut dhe piktorët janë përjetësuar në letërsi nga Tomas A. Zhanvier. Megjithatë Nju Ingland ka qenë e para që është zbuluar nga kërkuesit e nuancave lokale, dhe pothuajse çdo aspekt i jetës dhe karakterit të saj është përshkruar nga shkrimtarët vendas. “Rrëfenjat pranë vatrës të Sem Losonit”nga Herriet Biçër Stou pothuajse nuk i përmbushin kërkesat e tregimit të mirëfilltë sepse janë skica personazhesh humoristike, por ato e sjellin të plotë esencën e tokës nga kanë dalë. Meri E Uillkins Frimën i ka analizuar lëneshat e pagjakta të zonës së saj dhe e ka kapur mirë tragjedinë që shpesh fshihet nën qetësinë e gënjeshtërt. “Murgesha e Nju Inglandit” dhe “Rebelimi i Nënës” veçohen si më të mirat. Sara Orne Xhuit ka humër më delikat në tregimet e veta, një lojë më të këndshme, por po aq vërtetësi, dhe tregimet e saj përmbledhur në vëllimin “Fshati me gjethe fieri të mprehta” meritojnë një studim më nga afër. Nga Nju Inglandi kanë dalë dhe fantazitë interesante të Eduart Everet Heël, nga të cilat “Njeriu pa atdhe” është pa dyshim më i famshmi. Por “Skeleti në Dollap” dhe “Dublanti im e si më rrënoi” janë po aq të gjetura, si edhe përbëjnë shembuj të shkëlqyer ilustrim në të cilat subjekti është më i rëndësishëm se personazhet apo sfondet ku janë vendosur ata. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për “Lufta për jetën” dhe “Maduazel Olimpë Zabriski” të cilat T. B. Aldriçi i përfshiu në veprën e tij më të spikatur “Marxhori Dou”. Zgjuarsia, e kombinuar me humorin përsëri, është veçoria kryesore tek “Ngatërruesit e djallit” dhe e “Burro-mbinati”. Edhe njëherë zgjuarsia e kombinuar me fantazi krijuese përshkon “Gravitetin Negativ” dhe “Shkatërrimin spektakolar të Tomas Haikut”. Në parathënie na u tregua se autoret britanikë nuk iu kushtuan tregimit aq shumë sa kolegët e tyre amerikanë. Megjithatë Xhejms M. Beri na kujton shkrimtarët e Nju Inglandit me pasqyrimet e tij mjeshtërore të jetës së fshatit, sidomos në serinë e skicave të quajtura “Dritarja nga Thrams”. Nga ana tjetër, R.L. Stevensoni u ndikua shumë nga Hothorni dhe Poe. Vepra e tij më e shkëlqyer është seriali i “Netëve të Arabisë”, i cili është plot fantazi të freskët. “Markhaim” nuk është e vetmja analizë letrare serioze që ka shkruar ai. Në të gjitha tregimet e tij vihet re se frymëzimi i vjen nga kuptimi katërçipërisht i mundësive dhe kufizimeve të zhanrit të tregimit. Po ashtu mund të zgjedhim një dyzinë shembujsh të përkryer nga shkrimet e shumta të Kiplingut, për shembull “Pa ndihmën e priftërinjve” “Njeriu që duhej të bëhej mbret” “Porta e njëqind fatkeqësive” si edhe “Djali i Brashudit”. Tek “Delegati në këmbë” dhe “Macja malteze” ai ringjalli dhe rigjeneroi fabulat me kafshë, ndërsa tek “007” ia përshtati stilin e fabulës me kafshë kalit të hekurt, ose lokomotivës moderne. Francezët e kanë përdorur tregimin më shumë se britanikët, megjithëse nuk janë aq prodhimtarë sa amerikanët. “Pushtimi i fortesës” së Merimesë ndoshta mund që quhet i barabartë me “Mateo Falkonen”, dhe megjithëse “Gjerdani” është pa dyshim vepra më cilësore e Mopasanit, secili nga tregimet e përkthyera tek “Numri Tek” ia vlejnë të studiohen. Tregimet e Ludovik Halevit dhe Fransua Kopesë nuk janë aq të gjalla dhe aq shumëngjyrëshe, por studenti nuk duhet kurrsesi t’i lerë pas dore rrëfimet e përmbledhura tek volumet “Këndvështrime Parisiane” të Halevit dhe “Dhjetë rrëfime” të Kopesë. Material akoma më i pasur mund të veçohet nga krijmet e Alfons Dode, një pjesë nga analizat e jetës në Paris ku edhe vdiq, e një pjesë nga përshkrimet e jetës në Provansë ku edhe lindi. Për t’u përmendur janë dhe tregimet e Alzasës nga Erkman-Çatrian. Pavarësisht nga fakti që francezët dhe amerikanët i përvetësuan më mirë rregullat e rrepta të tregimit, ka shumë për të studiuar dhe nga letërsitë e tjera Evropiane. Në Itali gjejmë përshkrimet e jetës siciliane nga Verga, më e famshmja e të cilave është “Kavaleria Rustikane”. Në Gjermani hasim “Rrëfimet e pyllit të zi” nga Ojerbah, dhe rrëfimet sentimentale të Gustav Freitagut. Në Norvegji lexojmë të tjera përshkrime jetësore – tregime prekëse si “Babai” i Bjornsonit, dhe ato plot kuptim të Aleksandër Kjendallit, disa nga të cilat mund t’i gjejmë të përkthyera tek vëllimi “Tregime nga dy vende”. Nga Rusia na vijnë tregimet e pasura dhe të shumëllojshme të Turgenjevit, sidomos “Liri i stepave” dhe “Mumu”, si edhe përshkrimet patetike të karakterit fshatar nga Tolstoi, që ndoshta ishte më i suksesshëm me romanet sesa me tregimet e tij. Tek “Analiza e Prozës Letrare” të profesor Perrit do të gjeni bibliografinë e librave dhe artikujve më të fundit që merren me tregimin, si edhe tek libri im “Filozofia e tregimit” (botim i Longman Grin dhe Ko.)

 

FUND

3 Komente

O Blete, te falenderoj nga zemra per kete perkthim. You did it! smiley kur e mendoj, jane nja 11.000 fjale, edhe e perktheve te gjithin, je e madhe, per vete volumin e tekstit, por edhe perkthimi ishte shume i mire. Nuk e kam lexuar te gjithin, por e ndjeva nevojen te bej koment sepse jam i kenaqur me cilesine e perkthimit. I was also very very pleasantly suprised when i saw this last night, but was unable to write then. Kjo eshte nje analize shume e rendesishme e me vlera per entuziastin e zhanrese. Me vjen keq qe nuk ka gjalleruar interes edhe diskutim prej antareve, por per kete jam i sigurte se reflekton mbi antaret edhe blogun e jo analizen, ose perkthimin. Shpresoj te mos kete qene shume i lodhshem perkthimi dhe se ke nxjerre dicka per veten tende, pervec faktit se ke kontribuar substancialisht ne menyren tende me kete zhanre te letersise. Gjithsesi, une do e printoj kete edhe do e dergoj per dike tjeter qe do i behet shume qejfi ta lexoj.

I thank you.

ditto!!!

5 x 4 = 20 stars!

Perkthim i shkelqyer shoqeruar me nje modesti te argjendte.

Mirenjohje te merituar.

Sugjeroj te mos i humbni te katerta pjeset.

Gjynah qe ky perkthim per se mbari te fshihet pas sepetesh me levere PPU-je.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).