Tregimi. Historiku dhe Analiza III

 

vijon...

 

 

 

Shënim. Kjo është pjesa e dytë e përkthimit të një eseje interesante mbi tregimin shkruar në fillim të shekullit të kaluar, që më është sugjeruar e dërguar nga një pjesëmarrës forumi tjetër. Të gjitha gabimet drejtshkrimore si edhe gabimet në shqipërimet e emrave dhe të titujve janë të përkthyeses.

 

 

 

VI

 

As në shekullin e tetëmbëdhjetë nuk shohim ndonjë përparim të dukshëm në artin e letërsisë, të paktën përsa i përket gjinisë. Në Francë, Volteri krijoi një seri contes, ose rrëfime filozofike, që të kënaqin me humorin dhe thumbimet e tyre, por gjithësesi “Kandidi” dhe shokët e tij, nuk u krijuan për qëllime plotësisht letrare, por për t’i shërbyer një ideje krejt tjetër. Ato nuk ishin thjesht tregime për hir të tregimeve, por armë sulmi. Ato ishin armët me të cilat Volteri luftonte rrethana të cilat i urrente dhe besime që donte t’i shfaroste. Ato ishin alegori ose fibula, jo skicime jete e personazhesh. Megjithë interesin e madh që ngjallin, ato janë vetëm shprehje intensive të Volterit vetë, dhe kështu nuk mund të konsiderohen hap më tutje në rrugën e zhvillimit të tregimit modern. Anglia pati zhvilluar Esenë e Shekullit të Tetëmbëdhjetë, ashtu si e hartoi Stil dhe zgjeroi Adisoni. Tatleri dhe Spektatori janë dy shembuj të përshtatshëm pararendës të revistave mujore të kohërave të sotme, të cilat krijonin të njëjtën hapësirë si për gjinitë e shumta letrare – ashtu edhe për lajmërimet e vdekjeve, kritikat e librave dhe të dramave. Përshembull, aty gjejmë një seri artikujsh kushtuar Sër Roxher de Koverli, të cilat mund t’i pranojmë si përpjekjet e para për tregimet seriale. Po ashtu, hasim rrëfimet orientale si edhe artikujt e shpeshtë kushtuar personazheve të ndryshme të cilat mund t’i konsiderojmë po të duam si parardhës të largët të tregimit modern. Gjysëm shekulli më vonë, këto rrëfime orientale siç u përkufizuan thjesht nga Adisoni u zgjeruan nga Xhonsoni në rrëfimin e tij “Rasselas”, ashtu si edhe artikujt kushtuar personazheve filluar nga Stil, u pasuruan e zhvilluan nga Goldsmith tek “Prifti i Uejkfildit”. Në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe në fillim të atij të nëntëmbëdhjetë mund të hasim në Angli jehonën e një zëri të ri – atij të romanticizmit gjerman. Asokohe pati një reaksion ndaj realitetit të jetës së atëhershme, përfaqësuar nga Fielding, Maria Exhuorth dhe Xhein Austin. Në dallim, baladat dhe rrëfimet e shkurtra të sjella nga gjermanishtja në anglisht, ose të krijuara sipas stilit gjerman, përmbanin gjurmë misticizmi dhe misteri. Skot përktheu Byrgerin dhe Mathju Luis krijoi përmbledhjen e tij “Rrëfime të tmerrshme”. Shpirtrat hynë përsëri në mode, dhe fantazmat shëtitën edhe njëherë mbi tokë. Fantazia e frikshme dhe haluçinacionet e përgjakshme të Zshokes dhe Hofmanit u pritën ngrohtë nga toka amtare e autorëve të “Kështjellës së Otrantos” dhe “ Mistereve të Udolfos”. Megjithëse këto rrëfime gjermane ishin përgjithsisht të paqarta e pa formë, e ndonëse kishin plot elemente të pabesueshme në fantazinë e tyre të stërholluar, përsëri ofronin një mori elementë të cilët u përdorën shumë më vonë nga mjeshtrit e ardhshëm të tregimit –Hothorn dhe Poe në Shtetet e Bashkuara, Gotie dhe Merimee në Francë.

 

 

 

VII

 

Në të vërtetë, tregimin e parë të mirëfilltë nuk e gjejmë në Britaninë e Madhe por në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara, pikërisht në 25 vjeçarin e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në Francë, Gotie dhe Merimee u paraprinë nga Nodie, i cili e kishte idenë e formës së ardhshme të tregimit, por si përfundim nuk arriti dot ta krijonte atë. Në Shtetet e Bashkuara, Irvingu u bë pararendësi i Poes dhe Hothornit me rrëfimet e tij të mrekullueshme të cilave u mungonte vetëm disiplina për t’u kualifikuar si modelet më të hershme të tregimit. Bile, vetëm atëherë kur i përmbahemi përkufizimit më të rreptë e më të ngushtë të tregimit, mundemi ta heqim Irvingun nga lista e krijuesve të tij. Çka Irving-u nuk u përpoq ta fuste në fantazitë e veta të hijshme, ishte përqendrimi thelbësor i ngjarjes, rrjedhja e saj e shpejtë në një drejtim, moszgjatja e kotë e subjektit. Në fakt tejzgjatja e subjektit ishte parimi kryesor që Irvingu i vuri vetes si detyrë. “Unë”, i shkruante ai një mikut të vet “ E konsideroj tregimin thjesht si kornizë ku të tendos rrëfimin; sepse (për mua kryesore ësht&eumlsmiley loja mes mendimit dhe ndjenjës, gjuha, ndërthurja e personazheve, përshkrimi besnik dhe i vërtetë i skenave jetësore; si edhe delli gjysmë i fshehur i humorit që shpesh përshkon tërë pjesën; këto pra janë qëllimet e mia që kënaqem kur i arrij sepse më duket se ia kam dale mbanë”. Kjo thënie e shpreh më së miri pse Irving-u është trashëgimtar i mirëfilltë i eseistëve të shekullit të tetëmbëdhjetë. “Fletorja e skicave” është pasardhësja e drejtpërdrejtë e Spektatorit; dhe në veprat e tij “Rip Van Uinkëll” “Nusja Fantazmë” si edhe “Legjenda e Luginës së Fjetur” tregojnë lidhjen ndërmjet rrëfimit të shkurtër ashtu si trajtohej në esetë e shekullit të 18, dhe tregimit ashtu si u zhvillua në shekullin e 19. Nëse stili i Irvingut konsiderohet si stil diskutues prej eseisti, temat e tij janë plotësisht ato që frymëzuan shkrimtarët e mëvonshëm të tregimit. Pa diskutim që Irvingu kishte freski, imagjinatë, fantazi – talente tepër të vlefshme për tregimin, por ai nuk përpiqej të arrinte harmoninë dhe dendësinë e përshpejtuar të tij, që tashmë quhen të domosdoshme dhe që ne i hasim shumë shpesh tek Hothorn dhe gjithmonë tek Poe. Këto cilësi thelbësore i gjejmë shpesh dhe tek “Vdekja e Dashuruar” nga Gotie si dhe “Venus d’Ille” e Merimeesë, të cilat u botuan në Francë vetëm një ose dy vjet pasi Poe kishte botuar “Berenis”. Nëse marrim parasysh botimet e tjera letrare të tyre, Merimee dhe Gotie, ashtu si edhe Hothorn, arritën tek forma e vërtetë e tregimit më tepër nëpërmjet përpjekjeve të tyre artistike, sesa nëpërmjet përpjekjeve të tyre të qëllimshme për të vërtetuar një teori të njohur. Por Poe ishte plotësisht i ndërgjegjshëm, ai e dinte çfarë po bënte, besonte në teorinë e tij, dhe parimet e tij ndryshonin shumë nga ato të Irving-ut. Qëllimi artistik i tij, imazhi i tregimit që kishte në kokë ishte tepër i qartë, në ndryshim nga Hothorn i cili megjithëse ishte artist më i talentuar, ishte shumë më pak i aftë si teoricien arti. Për më tepër, Poe përdori pikërisht një përsiatje mbi rrëfimet e Hothorn për të paraqitur për here të parë parimet e veta, sipas të cilave ai ndërtonte krijimet e tij, dhe të cilat tashmë citohen në çdo vend ngaqë janë pranuar nga tërë mjeshtrat e tregimit në çdo gjuhë moderne. Në esenë e tij “Filozofia e Krijimit” Poe shprehet se poema nuk duhet t’i kalojë kurrë 100 vargje, sepse vetëm kaq mund të lexohen pa humbur interesin, dhe në të njëjtin vend ku reflekton mbi Hothorn, ai përdor të njëjtin parim për prozën letrare: - “Tregimi i zakonshëm përkufizohet nga gjatësia, për arsyet që i kam përmendur më lart këtu. Dhe meqë nuk mund të lexohet përnjëherësh, ia heq vetes forcën e jashtëzakonshme që vjen nga tërësia. Interesat e jashtëm që ndërhyjnë gjatë pushimeve mes leximit, anulojnë ose influencojnë herë më pak e herë më shumë përshtypjet që të le libri. Ndërprerja e të lexuarit në vetvete është e mjaftueshme për të shkatërruar tërësinë e mirëfilltë. Por formati i tregimit e lejon autorin ta çojë deri në fund qëllimin e vet pavarësisht nga pasojat. Gjatë orës së leximit, shpirti i lexuesit është plotësisht në duart e autorit. Influencat e jashtme ose të parëndësishme që rrjedhin nga lodhja ose ndërprerja e leximit nuk ekzistojnë. Mjeshtri i letërsisë krijon një rrëfim. Nëse është me mend, nuk ua përshtat idetë e tij ngjarjeve, por pasi ka krijuar me shumë kujdes dhe qëllimisht një rrjedhë të caktuar dhe unike, autori krijon ngjarjet që i duhen dhe pastaj i kombinon ato sipas nevojës për të arritur rrjedhën e paracaktuar. Nëse ai nuk e fillon procesin e shprehjes së kësaj rrjedhe që në fjalinë hapëse, atëherë ka dështuar në hapin e parë. Krijimi nuk duhet të përmbajë asnjë fjalë të shkruar, e cila nuk të çon drejtpërdrejt apo tërthorazi tek rrjedha që ka planifikuar autori. Në këtë mënyrë, kujdesi dhe talenti i autorit lë në mendjen e atij që e lexon me po të njëjtin kujdes, një ndjesi kënaqësie të plotë. Pra, tregimi arrin t’i përcjellë idetë e veta qartësisht dhe pa turbullime, një gjë kjo e pamundur për t’u arrirë nga romanet. Shkurtësia e tepruar këtu është po aq e papërshtatshme sa edhe tek poezia, por gjatësia e tepruar është akoma më keq. Ky koncept është i përcaktuar dhe nuk le asnjë hapësirë për keqkuptim. Tregimi duhet të përmbushë vetëm një qëllim dhe duhet ta bëjë këtë plotësisht dhe në mënyrë të përkryer, nuk duhet të endet a të zgjatët pa arsye, duhet të ketë harmoni veprimesh, mendimesh, toni, ngjyrash, efektesh, si edhe duhet të flakë pa përjashtim të gjithë ato elemente që mund t’i ndërhyjnë në përmbushjen e qëllimit të tij. Të njëjtat parime u shtruan edhe një herë, pothuajse gjysmë shekulli më vonë nga një artist tjetër në fushën e letërsisë, i cili gjithashtu dha kontribut të çmuar në rregulloren e artit të tij. Në një nga “Letrat e Vailimës” Stevensoni i shkroi një mikut të tij i cili ishte nxituar e i kishte sugjeruar një mbyllje tjetër për tregimin e tij, se çdo ndryshim i tillë ishte i pamundur sepse do të shkelte kodin e tregimeve:—  “T’i jap fund tjetër? Po mirë, por unë nuk shkruaj ashtu; ngjarja nënkuptohet dhe rrjedhat e saj i përdor vetëm atëherë kur shtrojnë rrugën për atë që vjen më tutje, sepse pikërisht këto e përbëjnë tregimin. Nëse ndryshoj fundin, fillimi nuk shkon më fare. Zgjidhja e tregimit nuk ka rëndësi, është thjesht “mbyllje” të cilën mund ta trajtosh si të duash dhe shoqërosh me çfarë të duash – është bishti i simfonisë, jo masë kryesore që prish ritmin e saj. Për më tepër, zhvillimi dhe mbyllja e tregimit janë gjaku i gjakut dhe kocka e kockës së fillimit.”  

 

 

 

VIII

 

Pasi Poe kishte treguar mundësitë dhe pastërtinë e formës së tregimit në parim dhe praktikisht, ky i fundit mori pamje të plotë po aq të ndryshme nga romani sa edhe lirika nga epika. Tashmë rastësia dhe fati nuk ishin të vetmet mënyra për të krijuar një tregim të mirëfilltë, por edhe puna dhe përpjekjet e vetëdijshme. Rregullat ishin të rrepta, njësoj si edhe për sonetet, dhe suksesi nuk ishte aq i lehtë, por pikërisht vështirësia e krijimit ishte ajo që e tërhiqte artistin e vërtetë, gjithmonë gati të provonte teknika të reja. Patjetër që rrëfimi i pastrukturuar me stërzgjatjet e tij të panevojshme i plotësonte nevojat e shkrimtarëve që nuk kishin as disiplinë e as nerva t’u përmbaheshin rregullave të rrepta të tregimit, ashtu si edhe bejtexhinjtë e zakonshëm vazhdojnë të kënaqen me rimat e dobëta në sonetet e tyre. Në të gjitha letërsitë moderne ka shkrimtarë që e përvetësuan mjeshtërisht formën e tregimit, e bënë të epshme, i dhanë qëllim, e modeluan sipas dëshirës, dhe u dhuruan lexuesve të gjuhëve të tyre kryevepra rrëfimi në miniaturë, pa asnjë nga tre gabimet që karakterizonin rrëfimet e shkurtra greke “mungesë ndryshueshmërie në temat e trajtuara, mungesë interesi në trajtimin e temës, si edhe mungesë origjinaliteti në formë”. Kështu, hasim Vergan në Itali, Kjelland në Norvegji dhe Turgenjevin në Rusi, të cilët përvetësuan formën e përkryer të tregimit, dhe shfrytëzuan rregullat e saj të rrepta për tërësinë, thjeshtësinë dhe harmoninë, si edhe e trajtuan me ndryshueshmëri, interes dhe origjinalitet. Secili nga ata u mor me jetën që i rrethonte, me njerëzit që kishin pranë, me atë që njihnin fund e krye, duke e pasuruar tregimin me aspektin njerëzor, për të cilin Poe nuk e vrau mendjen kurrë pasi ai i jepte më tepër rëndësi strukturës sesa ndërtimit të personazheve. Megjithatë, as Italia, Norvegjia ose Rusia nuk ishin vendet ku lulëzoi tregimi. Përkundrazi, ai u zhvillua më shumë në Francë dhe në SHBA dy vendet ku lindi fillimisht, pothuajse në të njëjtën kohë dhe pavarësisht nga njëri tjetri. Në Britaninë e Madhe, tregimit iu desh mund të futej dhe për shumë kohë asnjë nga mjeshtrit britanikë të rrëfimit nuk u morën seriozisht me këtë zhanër të parëndësishëm. Ata prej kohësh preferonin dimensionet e romanit të plotë, që ofronte më shumë liri artistike dhe më pak rregulla, si edhe shpërblehej më kollaj. Asnjë revistë ose gazetë javore e Londrës nuk nxiste botimin e tregimeve në faqet e saj, por zgjidhte rrëfime seriale të cilat garantonin shitje për të paktën një vit. – Çarls Rid u mburr njëherë se ishte romani i tij ai që e kishte mbajtur me bukë revistën ku ishte botuar. Natyrisht që rrëfimet e shkurtra gëlonin në faqet e revistave dhe gazetave, por shumica e tyre ishin botime pa vlerë të shkrimtarëve mediokër. Britanikët ishin të fundmit nga popujt e qytetëruar të botës që zbuluan mundësitë elegante të tregimit si zhanër më vete i letërsisë, dhe si rrjedhim ishin po ashtu të fundit që filluan ta përdornin këtë formë. Si pasojë e konservatorizmit të tyre ata mbetën shumë pas Francës dhe SHBA-së në këtë pjesë të letërsisë, derisa meritat e saj u vunë në pah nga Kiplingu dhe Stevensoni, që ishin ndikuar drejtpërdrejt nga Poe dhe tregimtarë të tjerë amerikanë. Gjithashtu Stevensoni kishte një farë afiniteti me Hothornin, që doli në pah plotësisht në veprën e tij “Markhaim”, e cila ka një vend të përhershëm në listën botërore të tregimeve më të fuqishme. Po ashtu, çdo listë e tillë duhet të bëjë vend për tregimet më të bukura që ka shkruar Kiplingu “Pa ndihmën e priftërinjve” “Djali i Brashudit” dhe “Ata”, megjithëse tregimet e tjera prej tij nuk e kanë të njëjtën forcë. Britanikët nuk e eksploruan përnjëherësh këtë zhanër të ri, por kur dy nga shkrimtarët e tyre më të famshëm u morën me të, ata u quajtën menjëherë mjeshtër të këtij arti jo dhe aq të rëndësishëm.

 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).