Tregimi. Historiku dhe Analiza II

III>smiley>


Edhe nëse proza letrare e pakujdesshme e grekeve dhe latinëve qëndron shumë më poshtë nivelit artistik të poemave voluminoze të Atikës dhe lirikave romake, përsëri ajo  del mbi rrëfimet kaotike mesjetare, të vetmet që na kanë mbërritur nga ajo periudhë e errët pas shpërbërjes së perandorisë.  Përfaqësuesi më i denjë i letërsisë mesjetare është “Gesta Romanorum”, një depozitë rrëfimesh të të gjitha llojeve dhe gjatësive, mbledhur nga çdo cep i tokës dhe grumbulluar rrëmujthi. Megjithatë ka disa rrëfime cilësore në këtë mishmash anektodash, dialogjesh, batutash, përrallash të të gjitha llojeve, rrëfime, të cilat meritonin trajtim më të mirë sesa pena e murgut të turbulluar që i radhiti ashtu si i erdhën. Faktikisht shumë poetë dhe dramaturge të mëvonshëm ishin në gjendje të peshkonin perla nga kjo çorbë mesjetare. “Gesta Romanorum” përfaqëson rrëfimin e Mesjetës, ashtu si kryhej nga të shkolluarit gjysma-gjysma, të cilët mbanin mend vetëm copëza nga e kaluara. Rrëfimi i atyre që ishin fare pa shkollë përfaqësohet nga përrallat me kafshë, të cilat kishin fituar famë nëpër tërë Evropën, si edhe nga një gjini akoma më tërheqëse, fabliau. Termi rrjedh nga frëngjishtja sepse edhe fabula vetë ishte gatuar në Francë plot kripë Galicie. Fabliau  është një përrallë e shkurtër, pothuajse anektodë, me një batutë thumbuese në fund; shpesh treguar në vargje me rimë. Po ashtu ka karakter satirik dhe është e mbushur me lojëra fjalësh. Mund të përkufizohet si përrallë realiste, jo me ndërlikime librareske, por mbushur me zgjuarsinë e njerëzve të thjeshtë. Ka raste që është tepër vulgare, por ka raste që është thumbuese, e gëzueshme, e mprehtë, me një gjallëri dhe guxim krejt të vetën.
>smiley>

 >smiley>

IV>smiley>


Rrëfyesit e Rilindjes morën hua shumë nga elementet e fabliau dhe “Gesta Romanorum”, por gjithashtu ata e ngritën rrëfimin në një nivel më të lartë artistik. Rrëfimet e tyre të shkurtra në prozë ose në vargje, jo vetëm që ishin me përmbajtje më të pasur, por mbi të gjitha, të ndërtuara më mirë dhe më bukur, më të balancuara dhe të matura, më të studiuara dhe të planifikuara. Çoser, i cili shkruante vargje me rimë në Angli, dhe Bokaçio i cili shkruante prozë në Itali, përdornin aty-këtu rrëfime të “Gesta Romanorum”; por poeti anglez dhe rrëfimtari italian morën nga fabliau jo vetëm inuendot e lehta të situatave, por edhe hijeshinë, lehtësinë dhe rrjedhshmërinë që i karakterizonte punët modeste të rrëfimtarëve anonimë francezë. Vetë Bokaçio si edhe vargu i gjatë i italianëve të tjerë që ndoqën shtegun e hapur nga autori i “Dekameronit”, trajtuan jo vetëm materialin tradicional të grumbulluar për rrëfyesit, por edhe anën serioze dhe të përgjakshme të realitetit të asaj kohe. Përrallat e tyre të vrullshme, të vizatuara vetëm në linja kryesore, me përshkrime tepër të kufizuara të mjedisit rrethues, si edhe pothuajse pa veçori individuale, ishin komike ose tragjike siç i kërkonte rasti. Ndonjëherë na prezantojnë ndërlikimet zbavitëse të intrigave dashurore, dhe ndonjëherë na shfaqin elementë të hakmarrjes së papritur dhe vdekjeprurëse. Kjo përzierje që ata i bënë qesharakes me tragjiken, u imitua më vonë nga francezët dhe anglezët.  Tek “Cent Nouvelles Nouvelles” dhe përmbledhje të tjera autorësh në të njëjtën gjuhë, vërejmë se francezët bien shumë natyrshëm nën ndikimin e fablieau, dhe se ata preferojnë dukshëm komiken në rrëfime. Tek “Pallati i Kënaqësive” të Painter dhe në përshtatjet rivale në gjuhën tonë, shikojmë se anglezët parapëlqejnë tragjiken. Rrëfimet italiane, qoftë të përkthyera, qoftë origjinale, ishin  thesari i ngjarjeve të zymta në shërbim të autorëve dramatikë në periudhën elizabetiane, ku këta të fundit mund të zgjidhnin elementët më të padëgjuar e t’ua servirnin audiencave të tyre analfabete, të cilat vdisnin për intriga makiaveliane dhe keqbërës. Bokaçio ashtu si edhe shumë nga lexuesit e tij, ishte mjeshtër i rrëfimit. Novela e Rilindjes italiane shpesh shfaq një unitet krejt të vetin, bile disa herë arrin edhe atë që mund ta quajmë përmbajtje të balancuar meqë rrëfimi ka një fillim, zhvillim dhe fund. E megjithatë, tërë këta rrëfyes të talentuar e pjellorë nuk i vunë re të mirat e thjeshtimit të përmbajtjes, karakteristika mbizotëruese e tregimit modern.  Ndonjëherë ata na servirin anektoda të thjeshta po të skicuara me mjeshtëri, ndonjëherë na servirin rrëfime me subjekte më të gjata, por të paredaktuara, të pangjyra, e pa zgjidhje/përfundim logjik. Vetëm në raste shumë të rralla e tepër rastësisht, ato shfaqen në formën e rrëfimit pararendës të tregimit modern siç e njohim tani, me subjekt të zhvilluar, dhe përqendrim të qëllimshëm në një subjekt të caktuar. Profesori Bolduin (nga Jala) ka analizuar 100 rrëfimet e “Dekameronit”, dhe në bazë të rezultateve të nxjerra prej kësaj analize, më shumë se gjysma e tyre janë thjesht barsaleta, ndonjëherë të treguara keq dhe ndonjëherë të përpunuara më artistikisht, ndërsa 40 e kusur rrëfime të tjera janë thjesht skelete subjektesh për tregime, vërtet të ndërtuara mjeshtërisht, por si të themi, më tepër skenarë me potencial për zhvillim. Ai ka mundur të dallojë tre të cilët i afrohen tipit të tregimit të mirëfilltë si e njohim ne sot, dhe vetëm dy të cilët mund të quhen të tillë. Ky klasifikim i kujdesshëm duket se tregon se Bokaçio nuk kishte asnjë standard të përcaktuar në tru, dhe se fakti që dy nga rrëfimet e tij janë renditur në formën e tregimit modern është thjesht koinçidencë dhe i paqëllimshëm. Po ashtu Bandello, pasuesi më i shquar i Bokaçios, ishte – sipas të njëjtit kritik serioz – akoma më i pakujdesshëm me strukturën e rrëfimeve, dhe nuk i kushtoi fare vëmendje kufizimeve kohore dhe vendore.
>smiley>

 >smiley>

V
Influenca e italianëve ishte e shtrirë në tërë Evropën dhe ishte shumë më e fortë se sa ajo e spanjollëve, të cilët po ashtu lulëzuan në shpikjen e aventurave me shkrim. Këtu duhet të theksojmë se pjelloria e spanjollëve u shfaq më shumë tek dramat e tyre të shumëllojshme sesa tek proza letrare, bile edhe në këtë të fundit, stili i tyre madhështor ishte shumë më i dobishëm për krijimin e romancave të stërzgjatura se sa për rrëfimet e përrallat që i binin shkurt.  Spanja na ka dhuruar Romancat  pa fund me Kalorës dhe Dama, seriale brenda serialeve, si edhe tregimet humoristike me trima (të ashtuquajtuara Romanca Pikareske). Po ashtu falë Spanjës, sot kemi kryeveprën më të hershme të padiskutueshme të prozës letrare “Don Kishoti”. Gjithësesi Servantesi nuk e merrte veten shumë seriozisht, bile dhe në punët e tij më të mira ka gjurmë të pamohueshme të pakujdesisë së tij artistike. Ai e shprehte veten lirshëm sipas zakoneve të kohës dhe të racës së vet, dhe nuk mund të pretendojmë se duhej ta njihte strukturën rigoroze dhe advantazhet e tregimit të sotëm. Në rrëfimet anësore të ndërthurura arbitrarisht me Don Kishotin, si dhe në vëllimin e veçantë të tij “Novela Model”, ai nuk ka shkruar as tregime, as novela të mirëfillta, por modele të një rrëfimi i cili rastis të jetë i shkurtër, por që nuk ka arësye pse të mos zgjatet më tutje. E njëjta mospërfillje për bukurinë formale, e njëjta “shkalafitje” strukture dallohet dhe tek dy romancierët francezë të cilët shfaqin hapur ndikimin e tyre nga Spanja. Skarron edhe Le Sazh huazuan shumë elementë nga dramat dhe proza letrare të paraardhësve e bashkëkohësve të tyre në jug të Pirrenejve; duke përvetësuar jo vetëm subjektet dhe ngjarjet, por edhe shkalafitjen spanjolle të përbërjes. Rrëfimet e shkurtra futur tek “Roman Comique”, si edhe përsihatjet autobiografike të dalluara tek “Gil Blas” nuk ndryshojnë fare nga rrëfimet e gjata, pjesë e të cilave janë. Bile sa më shumë e studiojmë prozën letrare franceze ashtu si ishte në kohën e Skarronit dhe të Le Sazhit, aq më qartë del fakti që ajo nuk ishte e ndërgjegjshme për potencialin e fshehur të saj, të realizuar vetëm në shekujt e mëvonshëm. E vetmja gjë që vemë re gjatë kësaj periudhe ishte mjeshtëria  e rrëfimit dhe përshkrimi i personazheve. Nuk shohim as shenja pararendëse të tregimit e as të strukturës së plotë të romanit që do të buronte më vonë nga duart e Balzakut, Hothornit dhe Turgenievit.  Këto  gjini nuk kishin filluar ende të shquheshin nga rrëfimi i rrëmujshëm që mund të ishte i çdolloj gjatësie. Rrëfimi i matur me kujdes “Princesha e Klevesit” nga Madame de la Fajete, mbetet si përjashtim i rrallë nga rradhët e letërsise franceze të dy shekujve më parë, pjesa më e madhe e të cilës është e dobët e s’ka as fund, as krye.

 

vijon...

 

Shënim. Kjo është pjesa e dytë e përkthimit të një eseje interesante mbi tregimin shkruar në fillim të shekullit të kaluar, që më është sugjeruar e dërguar nga një pjesëmarrës forumi tjetër. Të gjitha gabimet drejtshkrimore si edhe gabimet në shqipërimet e emrave dhe të titujve janë të përkthyeses.

2 Komente

Prurje teper interesante per ata qe shkruajne, per ata qe deshirojne te kene kulture letrare dhe per dashamiresit e lertesise ne pergjithesi. Perkthimi well done. Lexohet rrjedhshem dhe pa asnje veshtiresi kuptimore.

Faleminderit qe e postove. Po pres te lexoj pjeset e tjera.

po prisja per komente smiley

faleminderit qe e lexove ne shqip.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).