Tregimi. Historiku dhe analiza I

Brander Methjus   (Xhejms Brander Methjus), 1852–1929, Autor dhe mësues amerikan, lindur në Nju Orleans. Methjus ishte figurë e njohur në rrethet letrare dhe teatrale të Parisit, Londrës dhe Nju Jorkut. Në vitin 1891, ai filloi të jepte mësim në Universitetin e Kolumbias, ndërsa në vitin 1900 u emërua si profesor literature, për herë të parë në tërë universitetet amerikane. Anëtar themelues i disa shoqëri shkrimtarësh, ai gjithashtu pati ndikim të gjerë në dramat e shkruara nga 1890-1915 ... vijon tek Enciklopedia Kolumbia, Botimi i Gjashtë. Copyright © 2002 Columbia University Press.

 

Tregimi: Shembuj që Ilustrojnë Zhvillimin e tij  E redaktuar, me Parathënie dhe Shënime nga Brander Methjus, LL.D.  Me ndihmën e 23 tregimeve të përzgjedhura nga Mesjeta e deri në fillimin e shekullit të 20, Brander Methjus—pionier i shkollës dramatike dhe profesor në Universitetin e Kolumbias —demonstron “zhvillimin e ngadalshëm të kësaj gjinie letrare në shekujt e gjatë të përparimit të civilizimit.”
 
 
Tregimi.  1907.

Shënime Paraprake
 
Me gjithë mundësitë dhe kufizimet e veta rigoroze, tregimi u njoh nga kritikët letrare si gjini më vete vetëm në fund të shekullit XIX. Ndonëse ende nuk ka një emërtim të kënaqshëm, tregimi është krejtësisht i dallueshëm nga romanet e gjata dhe nga rrëfimet të cilat thjesht nuk janë të gjata. Dallimi është tejet i dukshëm – nga romani për shkak të shkurtësisë së tij, dhe nga rrëfimet për shkak të gjithëpërfshirjes, harmonisë dhe përqendrimit vetëm mbi një subjekt ose një sërë subjektesh.
Në faqet e mëposhtme do të gjeni disa tregime-shembuj që ilustrojnë shtjellimin e formës – zhvillimin e kësaj gjinie letrare gjatë shekujve të gjatë të përparimit të civilizimit. Rrëfimet e hershme të paraqitura këtu nuk janë tregime të mirëfillta; secilës nga to i mungon një ose disa elementet karakteristike të gjinisë. Shembujt më të vonshëm janë tregime të mirëfillta, dhe janë përzgjedhur pikërisht për të demonstruar shumëllojshmërinë e madhe të mundshme brenda kësaj gjinie. Ato janë zgjedhur nga letërsitë kryesore moderne, dhe shfaqin shumë kolorit dhe kontrast lokal.  
Parathënia ndjek rritjen e kësaj gjinie përmes historisë së letërsisë dhe kërkon të ilustrojë mbërritjen e ngadalshme tek forma thelbësore e saj. Shënimet që paraprijnë disa nga këto shembuj, diskutojnë shkurtimisht pozicionet letrare të autorëve. Shënimet bashkangjitur secilit shembull kanë për qëllim t’i tregojnë studentit meritat dhe defektet e tregimit në fjalë, i cili ilustron formën e gjinisë.
 B. M.   
 
Tregimi.  1907.
 
Parathënie
 
VETËM gjatë viteve të fundit na ka rënë në sy ndryshimi thelbësor që ekziston ndërmjet tregimit të mirëfilltë dhe një rrëfimi hartuar shkujdesshëm, i cili qëllon të jetë i shkurtër. Bile edhe tani, ne nuk kemi emër të përshtatshëm për këtë gjini të re; e ndoshta përkohësisht nuk kemi gjetur rrugë më të mirë sesa sajimin e fjalës “tregim”, për ta dalluar me aq sa mundemi nga rrëfimi i cili qëllon i shkurtër, por mund të kishte qenë më i gjatë.  
 
 
Rrëfimet kanë ekzistuar që me lindjen e botës sonë, atëherë kur arti i të treguarit ishte ende në hapat e para, kur shpellarët mbushnin netët e gjata rreth e qark zjarrit me rrëfime bëmash misterioze të krijesave të çuditshme që lindnin në fantazitë e tyre, kur eksploratorët e hershëm të vendeve të huaja përzienin të vërtetat dhe sajesat në rrëfimet për bëmat e prapësitë që u kishin ndodhur gjatë udhëtimeve të tyre. Kishte rrëfime të çuditshme për kafshë që flisnin dhe kishin plot veçori karakteristike të njeriut. Këto rrëfime u përcollën gojarisht brez pas brezi, duke u pasuruar në detaje dhe hollësi gjatë rrugës së tyre, deri sa u kthyen në një masë gjigante përrallash me kafshë të cilat kryesisht ekzistonin në folklorin gojor, por aty-këtu nxirrnin kryet në letërsinë e kohës.
Bidpai dhe Ezopi zgjodhën pikërisht nga ky det fabulash përcjellë gojarisht veprat e tyre, të ndjekur shumë shekuj më vonë nga Lafonteni, mjeshtri i madh i rrëfimit dhe i fabulës, e cila edukon por edhe ve në lojë shoqërinë tonë njerëzore. Çdo fabul ka moralin e saj edhe nëse ky nuk del gjithnjë në fund, dhe qëllimi etik i fabulistit që krijon dialogun mes kafshëve, është po aq i dukshëm në bëmat e Dhelprës Reinar, sa edhe në proverbat e Vlla Lepurit, të përcjella nga Xhaxha Remyja. Morali –i shëndoshë dhe i mençur – është i dukshëm dhe në “Librin e Xhunglës” të Kiplingut, i cili na tregon si u rrit Maugli nga bishat e xhunglës e të stepave.
Por fabulat me kafshë, sado mjeshtërisht ndërtuar nga shkrimtarët që kanë vërtet simpati për të varfrit dhe njohuri të thella për kushtet e jetës së tyre, janë vetëm një nga format e shumta të rrëfimit të shkurtër, të cilat kanë një ngjashmëri tepër të rastësishme me tregimin e mirëfilltë. Rrëfimet e shkurtra të një lloji tjetër përdoreshin shumë edhe nga paraardhës të tjerë, kryesisht me origjinë orientale. Ata parapëlqenin temat e mbinatyrshme dhe përbënin shumicën e rrëfimeve që na kanë mbërritur nga Lindja. Këto janë rrëfimet paksa të pakuptimta egjiptiane – p.sh. rrëfimet “Dy Vëllezërit” dhe “Përralla e Dy Detarëve Anijembytur,” të cilën studiuesit e kanë nxjerrë kohët e fundit nga papiruset e zhvarrosura.
Pastaj kemi dhe anektodat e treguar bukur që i hasim herë pas here në faqet e Herodotit, i cili ishte historian me dhunti të shumta rrëfimi, si edhe eksplorues me dëshirë për të dëgjuar dhe rrëfyer histori të reja dhe mbresëlënëse . Këto janë të ashtuquajturat “Rrëfimet e humbura të Miletusit”, të cilat ishin të famshme gjatë epokës së dekadencës greke, kur rrëfimet turbulluese orientale kishin korruptuar shijen e rreptë artistike të Athinës dhe qyteteve të tjera rivale të saj. Por, pavarësisht nëse greke apo egjiptiane, ajka e rrëfimeve që qarkullonin aso kohe, kishte tre të meta të mëdha sipas opinionit të kritikut kompetent, profesorit Pek (nga Kolumbia): “mungesë llojshmërie në tema, mungesë interesimi në shtjellimin e tyre, si edhe mungesë origjinaliteti në formë.”
 
 
II
 
Këtu nuk kemi pse habitemi me grekët e lashtë, sepse ata filluan të merren me prozë vetëm gjatë perëndimit të shoqërisë së tyre. Gjatë lulëzimit të shoqërisë se tyre, ata mendonin që poezia ishte i vetmi mjet i denjë shprehës për imagjinatën e tyre, bile ishte shumë kuptimplotë fakti që asnjë nga nëntë muzat nuk u caktua për të mëkuar prozën. Ndikimi demoralizues dhe shthurës i Orientit shfaqet dukshëm dhe në letërsinë latine, meqë ashtu si edhe në fushat e tjera të artit, edhe në prozën artistike romakët ndoqën pikë për pikë shtegun e rrahur më parë nga athinasit. Krijuesit e këtyre rrëfimeve çoroditëse u tunduan po ashtu nga temat e mbinatyrshme dhe të jashtëzakonshme, dhe gjurmët e tyre janë të dukshme në literaturën latine.
 
P.sh. në letrat e Plinit të ri gjendet një rrëfim me fantazma, i treguar thjesht por me mjeshtëri, i cili ngjan disi me një rrëfim të hershëm amerikan —“Dolf Hejligër.” të Irvingut. Një nga rrëfimet më të famshme nga rrëfimet e shkurtra të ardhura nga latinishtja është “Nëna e Efestit,” plot satirë të hollë, i cili ka frymëzuar poetë nga çdo gjuhë moderne ta ritregojnë sipas mënyrës së tyre. Ky rrëfim fillimisht gjendet në formë anektode, në një nga kryeveprat e hershme të realizmit satirik, “Satira” e Petroniusit.
Këtu, shfrytëzojmë rastin për të theksuar se vetëm atëherë kur romani arriti ta shquante veten si rival artistik i dramës, dhe vetëm kur u përcaktua plotësisht qëllimi i tregimit të mirëfilltë, shkrimtarët e ndërprenë zakonin e tyre për të zgjeruar rrëfimet e tyre të gjata me rrëfime të shkurtra të cilat nuk kishin të bënin fare me temën kryesore të veprës.
Për shembull Servantesi përfshiu tek “Don Kishoti” të paktën një rrëfim dytësor që nuk kishte asnjë vlerë pasuruese për romanin e tij, por thjesht e tejzgjaste atë. Shembulli i tij u ndoq nga Skaron tek “Roman Comique”, nga Fielding tek “Tom Xhons” si edhe nga Dikensi tek “Letrat e Pikuikut”. Gjithashtu “Përrallën e Uillit Bredharak”, një përzierje të mrekullueshme të fantazisë dhe humorit, e gjejmë tek “Dorashka e Kuqe” e Skotit. Rrëfimi zë vend mirë në romancën e gjatë me të cilën ndërthuret dhe gjithashtu pa dashje është bërë një nga shembujt më interesantë të fillimeve të tregimit të mirëfilltë, të cilat i gjejmë aty-këtu në historinë e letërsisë. Edhe “Nëna e Efestit” mund të pranohej si një nga këta shembuj nëse nuk do të kishte mangësi në thjeshtësinë dhe konçizitetin e stilit të rrëfimit. Megjithatë është i vetmi shembull i rrëfimit të shkurtër nga letërsia latine si pararendës i gjinisë moderne të tregimit.
Nga tërë letërsia greke do të kishim zgjedhur rrëfimin e lezetshëm “Dafne dhe Kloe”, nëse ky idil në miniaturë nuk do të ishte gjithashtu aq i ngatërruar, sa për nga përmbajtja mund të quhet pararendës i novelës moderne që qëndron mes rrëfimeve të shkurtra dhe romaneve të gjata. Novelat shpesh shfaqin të njëjtat veçori si tregimet e mirëfillta, si psh origjinaliteti i temës së trajtuar dhe i imagjinatës, por u mungon veçoria thelbësore e shkurtësisë. I ndjeri Loker-Lampson deklaroi se “Thyerja e Bravës” së Popit do të ishte shembulli më perfekt i vers de société , nëse nuk do të kishte qenë aq i tejzgjatur. Për të njëjtën arsye pra, edhe novela më e përkryer si psh “Dafne dhe Kloe” duhet dalluar nga tregimi. 
Megjithatë, këtu theksojmë se novela është gjini tepër interesante e letërsisë, e cila ende nuk ka vëmendjen e plotë të kritikës ashtu siç e meriton. Duke nisur me krijimi fisnik “Dafne dhe Kloe” e vazhduar me hirin patetik të “Okasinit dhe Nikoletës”, historia e novelës është e respektueshme dhe e veçantë.
Veçanërisht dy shekujt e fundit, letërsia ka parë një numër të konsiderueshëm novelash në gjuhë të ndryshme dhe me tema të ndryshme si “Poli dhe Virgjinia” në frëngjisht, “Undine” dhe “Peter Shlemil” në gjermanisht, “Liri i stepave” në rusisht, ndërsa në anglisht haset fantazia humoristike “Çështja e Z. Lukraft” nga Besant dhe Rais, rrëfimi moralist “Çështja e çuditshme e Dr. Xhekill dhe Z. Haid” i Stevensonit, dhe studimi rrënjësor i karaktereve tek “Deizi Miller” nga Henri Xhejms. Fryma përshkuese e këtyre novelave, i bën ato tepër të afërta me tregimin, por përzgjatja e përmbajtjes i largon nga njeri-tjetri.

 

vijon...

Shënim. Kjo është pjesa e parë e përkthimit të një eseje interesante mbi tregimin shkruar në fillim të shekullit të kaluar, që më është sugjeruar e dërguar nga një pjesëmarrës forumi tjetër. Të gjitha gabimet drejtshkrimore si edhe gabimet në shqipërimet e emrave dhe të titujve janë të përkthyeses.

 Për versionin anglisht, ju lutem ndiqni këtë lidhje:

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).