Topi-Topalli, përplasje për gjyqësorin

 Debatet e fundit në radhët e gjyqësorit për rizgjedhjen e katër anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, kanë përplasur kryetarin e KLD-së, Bamir Topi dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Presidenti i Republikës është shprehur për një pavarësi të institucioneve dhe nëpërmjet nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu ka deklaruar se nuk mund të zgjidhen anëtarët e këtij organizmi pa pasur një ligj. Por kryeparlamentarja Topalli ka nxitur gjyqtarët të mbledhin Konferencën Gjyqësore edhe në mungesë të ligjit duke kundërshtuar versionin e Spahisë. “Konferenca duhet të mblidhet vetëm pasi të jetë miratuar ligji, që kërkon 2/3 e votave në Kuvend”, deklaroi Spahiu pak ditë më parë në një takim me gjyqtarët. Për numrin dy të KLD-së, ligjërisht edhe pse u ka mbaruar mandati në kohë disa prej anëtarëve, ata janë të ligjshëm deri në momentin kur të zgjidhen të tjerët. “Situata ka vetëm një zgjidhje që projektligji i hartuar nga Ministria e drejtësisë të kalojë gjithë fazat dhe etapat e një procesi ligjor, të miratohet nga Këshilli i Minstrave, të kalohet në komisionin e ligjeve dhe më pas të miratohet në Parlament. Një anëtar i KLD-së në bazë të ligjit 7 të KLD-së, i përfundon mandati kur emërohet anëtari i ri i KLD-së që e zëvendëson atë”, shprehet Spahiu. 
PERGJIGJA E TOPALLIT 
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli kërkoi dje informacion nga të zgjedhurit e Kuvendit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjatë takimit me këta të fundit, znj.Topalli konfirmoi qëndrimin e institucionit që drejton për mbështetje të plotë të autonomisë së gjyqësorit. “Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD. Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta, është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, thuhet në një njoftim për shtyp të Kuvendit. Më tej theksohet se “për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor në KLD, ndërkohë që gjykata Kushtetuese ka vendosur tre të pestat për ligjin për Konferencën Gjyqësore dhe kur opozita bojkoton parlamentin, është në të drejtën e trupës gjyqësore të vendit të përcaktojë vetë rregullat e zgjedhjes së përfaqësuesve të vet në KLD”. Kuvendi u hap rrugë të lirë gjyqtarëve që të vetadministrohen. “Të drejtat e gjyqësorit për t’u përfaqësuar në KLD me të zgjedhurit e tij nuk mund të pengohen, tjetërsohen dhe asgjësohen nga askush. Është në të drejtën e gjyqësorit që të ndërmarrë çdo nismë në përputhje me Kushtetutën e vendit, për të zëvendësuar anëtarët me mandate të skaduara dhe për të plotësuar vendet vakante në KLD”, përfundon njoftimi për shtyp.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).