“Tirana 2009”, manifestimi i librit shqip

 

Akademiku Ali Aliu, “kumbari” i edicionit të 12-të të panairit

 

Panairi i librit shqip çel edicionin e tij të 12-të. Përgjatë pesë ditëve, Pallati i Kongreseve do të jetë streha e librit shqip, i cili mbërrin në këtë festë të madhe të librit nga të gjitha trevat shqiptare.

Ashtu sikurse na dikton tradita e mëparshme e këtij evenimenti, edhe këtë vit, ditët kushtuar librit i çel një shkrimtar apo personalitet i kulturës shqiptare. “Kumbari” i këtij edicioni të 12-të do të jetë akademiku Ali Aliu, ai që do të presë në mënyrë simbolike shiritin e përurimit, për të ftuar lexuesit të jenë më pranë librit, të bisedojnë me shkrimtarët që do të jenë në stendat e panairit çdo ditë. E kjo duket se do të jetë edhe risia e këtij edicioni, pasi përpos promovimeve, stendat do të jenë pikëtakimi i lexuesit me autorët, duke synuar kështu një kontakt me lexuesin, që shpesh është thënë se mungon. Botimi i korpusit të plotë të veprës së shkrimtarit Ismail Kadare me 20 vëllime, është padyshim një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij panairi, çka pritet të ngjallë interes të madh te lexuesi e me gjasë, shkrimtari gjatë ditëve të panairit do të jetë në stendën e shtëpisë së tij botuese “Onufri”, për të prezantuar kolanën e veprës së, duke dhënë edhe autografe për lexuesit. Nuk do të mungojnë as emrat më në zë të momentit të letërsisë shqipe, të cilët do të promovojnë krijimet më të reja, duke na dhënë provën e gjallë se çdo vit panairi i librit pasurohet. Janë jo të paktë titujt e rinj që i shtohen vitrinës së librit shqip e një pjesë e mirë e botuesve zgjedhin këtë eveniment për të nxjerrë botimet e reja në stendat e tyre, duke synuar kështu ndjelljen e lexuesve. Në edicionin e 12-të numri i titujve të rinj arrin në 1200, ndërsa numri i titujve ekzemplarë në total kap shifrën 40.000. Prej të premtes, në çdo orë të ditës, shumë shkrimtarët do të jenë të pranishëm në stenda dhe kështu do të jenë më pranë lexuesit të tyre. Pritet që numri i shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe atyre që veprojnë në diasporë, që do të jenë të pranishëm në panair, të jetë rreth 300, çka nuk ka ndodhur në asnjë prej panaireve pararendës. Çdo ditë, për takimet e tyre me lexuesit, vizitorët e panairit do të informohen nëpërmjet suplementit informativ, që do të shpërndahet në të gjithë hapësirën e panairit. Përpos informacioneve të mësipërme, “qershia mbi tortë” në të 12-in, i është kushtuar tërësisht dashamirësve ë librit, të cilët përveçse do të kenë në duart e tyre botimet e fundit të letërsisë kombëtare dhe asaj të huaj, mund edhe të dialogojnë me autorët e librave, duke bërë kështu të mundur rritjen e kontaktit mes tyre, njëkohësisht edhe thyerjen e një barriere që deri më tani ndante të dyja palët. Për 5 ditë me radhë në të cilat do të mbahet ky panair, shkrimtarët më të zëshëm shqiptarë do të jenë të pranishëm në stendat e botuesve të tyre, jo vetëm për të dhënë autografe, por edhe për të biseduar me lexuesit e tyre. Qëllimi i këtij panairi është paraqitja e të rejave nga fusha e botimeve mbarëshqiptare dhe përtej, kontaktet tradicionale të njerëzve të librit dhe paraqitja e vlerave të arritura nga fusha e botimeve nëpërmjet përurimeve të librave, konferencave, çmimeve e të gjitha veprimtarive të tjera që do të mbahen gjatë ditëve të evenimentit më të rëndësishëm të librit në të gjitha hapësirat shqiptare. Sikundër është shndërruar në traditë, edhe në këtë edicion  nuk do mungojnë çmimet e panairit, të cilat jepen nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, në kategoritë e mëposhtme: “Shkrimtari vitit” , “Përkthyesi i vitit”, “Shkrimtari për fëmijë”, “Libri më i realizuar grafikisht”, Stenda me paraqitjen më të mirë. Çdo ditë, për takimet e tyre me lexuesit, vizitorët e panairit do të informohen nëpërmjet suplementit informativ, të cilin mund a gjeni vetëm në faqet e gazetës “Korrieri” që do të shpërndahet në të gjithë hapësirën e panairit.

1 Komente

Une nuk kam shkuar akoma, por me behet qejfi kur shoh se Panairi i librit shkakton interes tek njerezit. Shume qe njoh kane shkuar ose do shkojne dhe virtualisht te gjithe e dine se Panairi eshte hapur.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).