Theksi tek familja

Në një editorial pa autor, gazeta Libertas analizon ndryshimet e opozitës socialiste gjatë ditëve të fundit dhe lindjen e nocionit të "familjes" për Sali Berishën dhe rrethin e tij. 


Investimi politik i Partisë Socialiste po i përmbahet gjithnjë e më shumë idesë së një stimulimi artificial të tensionit social, përkundrejt pushtetit të tanishëm. Protesta e dy ditëve më parë në qytetin e Lushnjës ka verifikuar, përveçse traditës së akuzave tashmë të shpeshta të kryetarit të PS-së, Edi Rama, edhe disa risi, për sa i përket teknologjisë së propagandës. Një përdorim, i cili, të paktën në analogjinë që kërkon të ndërtojë, prezanton synime radikale.

Kështu, përgjatë gjithë fjalës së tij në Lushnjë, ashtu sikurse gjatë këtyre ditëve nga selia rozë, Rama ka hedhur në qarkullim një “neologjizëm” propagandistik, që rreket ta orientojë në mënyrë më të drejtpërdrejtë vëmendjen dhe mllefin e opinionit kundrejt pushtetit. Nocioni “Familja”, si onomastikë politike, për Sali Berishën dhe rrethin e tij, është kthyer tashmë në një mjet efikas, për kanalizimin e gjithë pakënaqësisë drejt një objektivi që trazon dhe provokon, si me historikun e vet, ashtu edhe me mënyrën se si i jepet opinionit.

“Pushteti i familjes Berisha dhe i sojit e sorollopit të tij është shtrirë si një rrjetë merimange në çdo sektor të jetës së vendit. Pronat publike e private të shqiptarëve nuk janë të sigurta, sepse janë nën kërcënimin e oreksit të pashuajtshëm të familjes që qeveris Shqipërinë”, - deklaroi Rama, nga qendra e Lushnjës. Grabitje tokash, korrupsion, parazitizëm dhe mashtrim i një pushteti familjar. Këto janë termat e përdorura, të cilat, për nga intensiteti i akuzës dhe i perspektivës radikale që ato hapin, rikujtojnë sagën e urrejtjes së dikurshme kundrejt bejlerëve dhe çifligarëve shqiptarë. Është e qartë se PS-ja po kërkon më 20 nëntor në Tiranë një ortek proteste, me anë të të cilit të faktonte rritjen e pakënaqësisë popullore, një ripërsëritje të vitit ’90, kur sfida ndaj pushtetit arriti të kristalizohej vetëm përmes transformimit politik të kulturës së turmës protestuese. Në të vërtetë, ky është një instrument politik që i siguroi mbijetesën vetë Sali Berishës, përgjatë 8 viteve të opozitarizmit të tij.

Theksimi gjithnjë e më shumë i emërtesës “Familja”, si një e keqe absolute dhe e dallueshme për shqiptarët, në të vërtetë përcaktohet natyrshëm si një alegori, për rastin rumun të vitit ‘89-‘90. Protestues të irrituar i dhanë zgjidhje me qark të shkurtër situatës politike, duke u bërë gjyqin politik atyre që perceptoheshin si ADN-ja e së keqes: familjes Çaushesku. Minimalisht, ky imponim i fjalorit politik nga PS-ja e rrit ndjeshëm ekspozimin e rrezikut politik për Berishën, në kuptim të imazhit të tij në opinion. Nga ana tjetër, ai “kërcënon” me harresë edhe aleatin e ri të PD-së, Ilir Metën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që po synohet të lihet në periferi të debatit nga sulmi verbal i socialistëve. Se sa e fortë do të kumbojë kjo politikë e Ramës, mund të shihet edhe në provën e 20 nëntorit, që është epilogu i këtij presioni në rritje ndaj një pushteti që ende nuk po çedon para kërkesave të opozitës, për hapje kutish.

 

 

1 Komente

analogji komplet palidhje....

"Këto janë termat e përdorura, të cilat, për nga intensiteti i akuzës dhe i perspektivës radikale që ato hapin, rikujtojnë sagën e urrejtjes së dikurshme kundrejt bejlerëve dhe çifligarëve shqiptarë."

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).