Të gjithë nxitojnë të lajnë duart me Belegun

Eduard Belegu, këshilltari më i afërt i ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti, tani ndodhet pas hekurave të qelisë, por askush nuk duket i gatshëm të mbajë përgjegjësi politike se përse një person që po hetohej për një skandal kaq të madh, ndodhej në stafin e ministrit të LSI.

Kryetari i LSI, Ilir Meta, bëri një deklaratë dje duke u përpjekur që të distancohet nga njeriu që ka në forumet kryesore të partisë, duke thënë që drejtësia duhet të hetojë pa pengesa.

“Institucionet e zbatimit të ligjit janë të ftuara që të veprojnë ndaj cilitdo zyrtari të lartë të LSI, PD, PS, pushtetit vendor, të çdo partie tjetër apo pa parti. Çdo njeri që shkel ligjin, çdo njeri, i cili ka probleme me zbatimin e detyrës së tij apo detyrimin ndaj ligjit, duhet të përgjigjet dhe e theksoj edhe një herë tjetër, prokuroria dhe organet e zbatimit të ligjit do të kenë gjithnjë mbështetjen time më të plotë dhe të LSI për të goditur korrupsionin, jo me fjalë, jo me retorikë, por me veprime konkrete pa asnjë dallim politik dhe origjine se nga vjen ky zyrtar i lartë apo se kush e ka emëruar”, - tha Meta.

I pyetur nëse do të duhet të bëhet një kontroll i të gjithë personave që janë punësuar në administratë, Meta thjesht ripërsëriti që duhet luftuar korrupsioni.

Por, a është Meta fajtor për këtë situatë?

Kur ai vendosi që të bashkohej me Sali Berishën për të qeverisur, pjesa politike e partisë e kundërshtoi hapur dhe drejtuesit më të rëndësishëm u distancuan prej tij.

Nën zë dhe publikisht ata deklaruan se ishin interesat ekonomike që diktuan këtë marrëveshje. Disa njerëz, që prej kohësh paguanin për mbijetesën e Metës, do të duhej të kompensoheshin dhe ky ishte momenti.

Ashtu siç kishte deklaruar dhe vetë Prifti, LSI nisi të punësojë njerëzit e saj, kryesisht në poste me shumë pará. Dëshmi e fortë e kësaj është dhe emërimi i një ‘pagatori’ të partisë së Metës në krye të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Belegu ishte një shembull tjetër se si njerëzit që paguanin për partinë e Metës merrnin poste, prej nga ku mund të nxirrnin përfitime.

E gjithë kjo nuk kishte si të mos ndodhte pa dijeninë e kryeministrit, Sali Berisha. Ky i fundit nuk kishte si të mos e dinte se kush e kishte gatuar ngritjen e “Darfo”-s dhe kush vilte pará nga ajo kompani në kurriz të qytetarëve shqiptarë.

Në tetor të vitit 2007, vetë Berisha do të shprehej se “Darfo” ka keqpërdoruar qeverinë. Gjatë një takimi me minatorët Berisha tha se do të merrte masa ndaj kësaj kompanie. Në fakt asgjë nuk ndodhi.

Në atë kohë, një ish/zëvendësministër i Energjitikës dhe ish-deputet i PD, Franko Kroqi, do të denonconte se Ruli ishte i lidhur me “Darfo”-n.

“Unë gjykoj se ministri Ruli ka qenë dhe është i predispozuar, që këto firma, të cilat kanë “zbarkuar” në minierat e bakrit dhe kromit shqiptar dhe që po bëjnë “ligjin” në to duke i shkatërruar, të jenë në aktivitet, të mos kontrollohen, të lehtësohen nga detyrimet fiskale, të punojnë pa bërë investime, madje edhe të mos shkojnë përpara ligjit, kur vriten minatorë për faj të tyre. Një fakt: Përpara një viti ka ndodhur një skandal në Kuvend: Edhe pse firma abuzive “Darfo” kishte manifestuar veprimtari të pista me minierën e Bulqizës, ministri Genc Ruli ka deklaruar në interpelancën e tij në parlament, se qeveria shqiptare (në prezencë të kryeministrit Berisha), firmës “Darfo”, edhe pse ka probleme, do t’i japë edhe një herë mundësinë për të zhvilluar programin e koncesionit, përndryshe do të prishte marrëveshjen e koncesionit, ndërsa me firmën “Ber-Oner”, Ruli, pas denoncimeve të shumta për korrupsion me të, bëri sikur u tregua “më i ashpër”, por që në fakt kjo vazhdon të jetë prezente me koncesionin e saj në industrinë e bakrit, duke mos u shqetësuar më nga ministri Ruli”, - deklaronte Kroqi.

Duket se këto interesa të dyshimta dhe të përbashkëta po përgatisin që më përpara martesën politike mes Metës dhe Berishës.

“Nga ana tjetër, në dritën e këtij pozicionimi të ri e të papritur të LSI, ka ardhur koha të analizohen me qetësi edhe disa qëndrime të lidershipit të saj, që i janë imponuar edhe Kryesisë së kësaj partie, të cilat në kohën e tyre na janë dukur emocionale e reaktive dhe që mund të mos kenë qenë thjesht të tilla...”, - do të deklaronte një nga ish-drejtuesit e LSI, Pëllumb Xhufi.

Ndërsa Belegu me klanin e tij ndodhet në burg, komandantët e tij ende nuk janë përgjigjur, por mjaftohen me reagimin e shpejtë: “E shkarkuam, sapo u arrestua”.

3 Komente

 ".... “Unë gjykoj se ministri Ruli ka qenë dhe është i predispozuar, që këto firma, të cilat kanë “zbarkuar” në minierat e bakrit dhe kromit shqiptar dhe që po bëjnë “ligjin” në to duke i shkatërruar, të jenë në aktivitet, të mos kontrollohen, të lehtësohen nga detyrimet fiskale, të punojnë pa bërë investime, madje edhe të mos shkojnë përpara ligjit, kur vriten minatorë për faj të tyre. Një fakt: Përpara një viti ka ndodhur një skandal në Kuvend: Edhe pse firma abuzive “Darfo” kishte manifestuar veprimtari të pista me minierën e Bulqizës, ministri Genc Ruli ka deklaruar në interpelancën e tij në parlament, se qeveria shqiptare (në prezencë të kryeministrit Berisha), firmës “Darfo”, edhe pse ka probleme, do t’i japë edhe një herë mundësinë për të zhvilluar programin e koncesionit, përndryshe do të prishte marrëveshjen e koncesionit, ndërsa me firmën “Ber-Oner”, Ruli, pas denoncimeve të shumta për korrupsion me të, bëri sikur u tregua “më i ashpër”, por që në fakt kjo vazhdon të jetë prezente me koncesionin e saj në industrinë e bakrit, duke mos u shqetësuar më nga ministri Ruli”, - deklaronte Kroqi..." 

Rruli, sipas nje artikulli qe kemi lexuar po ketu tek Peshku, eshte nje personazh i dale nga zyrat e Tregtise se jashtme dhe zyrat e sigurimit qe kishin te benin me te huajt. Administratoret mund te na ndihmojne ta gjejme ate artikull. Jo me kot ai dhe Berisha rrine bashke, ne çdo formim qeverie.  

jane nga nje tenxhere "demokrate" te garuar ne guzhinen e diktatures...

shkolluar e me privilegje ne diktature, e qeveritare ne "demokraci"...

 Ja tek po i shtoj edhe une dy firma qe operonin ne menyre te ngjashme me z. Ruli: Stream Oil & Bankers Petroleum.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).