Shqipja e njerkës

Në morinë e mallrave të importuara që konsumojmë, pjesa më e madhe e kanë informacionin për përdoruesin në gjithfarëlloj gjuhësh, veç në shqipe jo.


Pjesa që mbetet, ose ka një informacion minimal ose është në një shqipe të përkthyer, që herë s'e kupton hiç e herë e kupton tjetër për tjetër

Për një pjesë të mirë të shqiptarëve që jetojnë në qytete të mëdha, të shpenzuarit a të bërit pazar nëpër super- e hipermarkete apo qendra të mëdha tregtare është bërë tash së fundi një modë e, për disa, madje dhe një pasion i vërtetë.

Vrullin dhe dëshirën e konsumatorëve shqiptarë të këtyre mjediseve zor se e ndalka gjë: as çmimet e larta të mallrave e produkteve që ofrohen atje, krahasuar me të ardhurat mesatare të shqiptarëve; as informacionet e munguara a të mangëta në shqip për përbërjen dhe mënyrën e përdorimit të tyre.

Një paradoks i vërtetë për një botë normale konsumatorësh, por, mesa duket, jo për këtë tonën... E nëse për paradokset financiare nuk do të isha në gjendje të thosha ndonjë gjë, për ato gjuhësore besoj që po.

Le të kujtojmë që konsumatori shqiptar kontaktet e para masive me mallrat dhe produktet e importuara të konsumit të gjerë i vendosi vetëm dy dekada më parë. Deri atëherë Shqipëria ish reduktuar në një treg thuajse të zbrazur dhe shqiptarët në njerëz të tejetur për konsum. Vërshuan, në këto kushte, mallra nga të katër anët, më së shumti prej vendeve të Ballkanit.

Shqiptarët nisën të hanin biskota e çokollata turke të llojllojshme pa pasur mundësi kurrë të merrnin vesh gjë nga etiketat e shkruara në turqisht; të konsumonin specialitete të kuzhinës maqedonase duke kuptuar, në rastin më të mirë, vetëm ndonjë fjalë tek-tuk nga maqedonishtja, dhe këtë me ndihmën e rusishtes; të përdornin shpesh sende tualeti e të higjienës vetjake, ku gjithçka shkruhej në bullgarishte; të provonin qumështin dhe lëngjet e frutave hungareze pa pasur as idenë më të vogël se ç'përmbanin etiketat e shkruara në hungarishte (destinuar, natyrisht, për konsumatorin hungarez); të lehtësoheshin disi në punët e pastrimit e të kuzhinës duke përdorur - po kuturu, ama - pajisje elektroshtëpijake, me udhëzues përdorimi të shkruar në serbo-kroatishte a gjermanishte, çekishte a polonishte ...

Po sot, pas dy dekadash, ç'bëhet? Përvoja vetjake e drejtpërdrejtë si konsumatore më shtyn të pohoj me bindje se pak, fare pak gjë ka ndryshuar në raport me dy dekada më parë.

E them këtë, para së gjithash, kur kujtoj odisenë për të siguruar udhëzimet e përdorimit në anglisht - e theksoj, në anglisht - të një ekspresi kafeje, që e bleva para ndonjë viti në një nga qendrat më të mëdha tregtare të pajisjeve elektroshtëpiake në Shqipëri.

E siguruar nga shitësi dhe menaxheri se libërthin me udhëzimet e përdorimit në një varg gjuhësh, përfshirë edhe shqipen, e kisha në kuti, nxitova asokohe ta vija menjëherë në punë aparatin.

Po ç'të shihja? Libërthi, jo në shqip, por as në njërën nga gjuhët e mëdha (anglisht, frëngjisht, spanjisht, gjermanisht a italisht), nuk i përmbante udhëzimet. Në vend të tyre, shpërfaqej një listë e gjatë dhe shteruese e gjuhëve të të gjitha vendeve ish-komuniste, që nga estonishtja, letonishtja e lituanishtja, deri te sllovakishtja, sllovenishtja, maqedonishtja, çekishtja e të tjera me radhë.

Pas shumë ecejakesh, sqarimesh e debatesh, u detyrova t'i vija kapak kësaj meseleje, duke u mjaftuar me një informacion në anglisht, që mu dërgua pas shumë kohësh e këmbënguljeje në adresën time të postës elektronike.

E po ja, një fakt i vetëm, i izoluar, i pandjekur nga të tjerë; tek e fundit, i pamjaftueshëm për të nxjerrë bindshëm një përfundim, mund të thoshte ndonjë skeptik. Pa dyshim që s'është i vetmi.

Mund të kujtoj, gjithashtu, se sa keq u ndjeva kur vizitova para disa kohësh një dyqan gjerman, që tregton produkte bio (natyrale, ekologjike) kryesisht të kozmetikës e të higjienës, por edhe ushqimore, i cili është hapur në mjediset e një qendre të madhe tregtare në Tiranë.

Mallra pa fund, të një cilësie shumë të mirë, me çmime tepër të leverdishme, por pa kurrfarë informacioni elementar për klientët. Fillimisht mendova që kjo situatë lidhej me nxitimin për hapjen sa më shpejt të dyqanit.

Por, pasi u ktheva atje edhe dy-tre herë të tjera e pashë që, edhe pas shumë muajsh, gjendja ishte e njëjtë, u ndjeva vërtetë keq. E papërfillur, e injoruar, prandaj dhe e fyer në të drejtën time më elementare si konsumatore për të qenë e informuar rreth mallit që kërkoja të blija, përbërjes së tij dhe mënyrës së përdorimit. E ndërkaq dyqani vijon të gëlojë edhe sot që po shkruajmë, nga njerëzit e etur për konsum...

Çfarë mund t'i shkojë njeriut në mendje në raste si këto? Më së pari dyshimi që shteti i ka lënë në mëshirë të fatit shqiptarët si konsumatorë në të drejtën e tyre për informim në gjuhën amtare, por jo më pak edhe shqipen, gjuhën e vet zyrtare.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, do doja të përmendja një fakt të rëndësishëm. Shqipja - ka ndonja 10 vjet - është shpallur me kushtetutë gjuhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë.

Pra, për herë të parë në historinë tonë kushtetuese është futur një nen i posaçëm për gjuhën shqipe, që e përcakton atë shprehimisht si gjuhën zyrtare të shtetit shqiptar ("Gjuha zyrtare e Republikës së Shqipërisë është shqipja", 1998, Neni 14.1). Me këtë kushtetuta jonë përfshihet tashmë në qindëshen e kushtetutave të botës, që i shpallin a i emërtojnë gjuhët për përdorim zyrtar a kombëtar.

Po ç'rrjedh prej kësaj, mund të pyesë ndokush. Ekzistenca e një dispozite të tillë kushtetuese mbi gjuhën e bën të detyrueshëm përdorimin e shqipes në të gjitha funksionet publike që i takojnë një gjuhe zyrtare.

Pra, ajo detyrimisht duhet të shërbejë si gjuhë e arsimit dhe e shkollës, e administratës shtetërore dhe asaj lokale, e medias, e drejtësisë etj.; që qytetarët në raport me shtetin, por edhe ky i fundit në raport me qytetarët, duhet të përdorë shqipen si mjet komunikimi etj. etj.

Një dispozitë kushtetuese natyrisht që nuk është e mjaftueshme për mbarëvajtjen dhe funksionimin e një gjuhe zyrtare. Del nevoja që ajo të artikulohet në mënyrë të hollësishme, pra, të zbërthehet në trajtë ligjesh, dekretesh, vendimesh a formash të tjera ligjore e nënligjore.

Kështu, në rastin më të mirë, shtete që i shpallin në kushtetutë gjuhën a gjuhët zyrtare, hartojnë më pas edhe ligje të posaçme gjuhësore. Ky është, mes tjerash, rasti i Francës, e cila, pasi e shpalli frëngjishten për herë të parë me kushtetutë më 1992-shin si gjuhë të Republikës, nxori më 1994-ën (tashmë jo për herë të par&eumlsmiley një ligj për gjuhën (i ashtuquajturi ligji Toubon).

Në raste të tjera, shtetet mjaftohen duke përfshirë nene të posaçme, që kanë të bëjnë me gjuhën, brenda kuadrit të ligjeve të fushave të ndryshme, siç është edhe rasti i Shqipërisë. Jemi një nga vendet, që ende nuk e kemi një ligj të posaçëm për gjuhën.

Nuk e kemi pasur, madje, ndonjëherë as në kontekste shtetërore e politike shumë më të favorshme për ta bërë këtë, siç qe periudha e shtetit komunist në Shqipëri. Ndërkohë, kemi një varg ligjesh, pjesa dërrmuese të hartuara vetëm në këto dy dekadat e fundit, që përfshijnë nene me përmbajtje ose implikime gjuhësore.

Në legjislacionin shqiptar, të shpërndara në të katër anët e tij, gjen, në të vërtetë, me dhjetëra nene nën emërtime të tilla, si Gjuha, Gjuha shqipe, Detyrimi i gjuhës, Gjuha e përdorur, Përdorimi i gjuhës shqipe etj., të cilat, në thelb, s'bëjnë gjë tjetër veçse artikulojnë disa nga funksionet zyrtare publike të shqipes.

Kështu, një nen i veçantë i ligjit "Për sistemin arsimor parauniversitar" (1995) i njeh dhe i garanton shqipes funksionin si gjuhë e shkollës dhe e arsimit; një nen i posaçëm i "Ligjit mbi radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë" (1998) i siguron shqipes funksionin si gjuhë e medias audiovizive; një nen më vete i ligjit "Për mbrojtjen e konsumatorëve" (2008) i njeh shqipes funksionin për informim të përdoruesve apo të konsumatorëve shqiptarë të mallrave, produkteve e shërbimeve të ndryshme... Dhe, për ta rimarrë çështjen pikërisht andej nga e nisëm, le të ndalemi shkurt te kjo e fundit.

Merret me mend që shumëkush do ta ketë të vështirë ta besojë që tek ne ekzistuaka një ligj që i mbron konsumatorët edhe në të drejtën e tyre për t'u informuar në gjuhën amtare mbi gjithçka përdorin apo konsumojnë ("Të gjitha të dhënat dhe informacionet më të domosdoshme për mallin dhe shërbimin duhet të jenë në gjuhën shqipe" Neni 14,).

Të vështirë, afërmendsh, kur përditë jemi dëshmitarë që, në morinë e mallrave të importuara që konsumojmë, pjesa më e madhe e kanë informacionin për përdoruesin në gjithfarëlloj gjuhësh, veç në shqipe jo; dhe pjesa që mbetet, ose ka një informacion minimal, që s'i hyn në punë kujt; ose është në një shqipe të përkthyer, që herë s'e kupton hiç e herë e kupton tjetër për tjetër.

(Ky i fundit është rasti i një shënimi që lexova para dy ditësh tek etiketa e një mjeti që bleva për heqjen e bërthamave të ullinjve e qershive, ku anglishtja "dishwasher safe" qe dhënë në shqip me "veçanërisht i prodhuar për lavapjata&quotsmiley.

Por më të vështirë akoma e ke të besosh që ka edhe një nen, po në të njëjtit ligj, që ndalon reklamat, si ato të shkruara ashtu edhe ato të folura, që nuk janë në gjuhën shqipe ("Mesazhet e publicitetit duhet të jenë në gjuhën shqipe" [...], Neni 22,).

Për këtë, mjaft të sjellësh ndër mend vetëm disa prej mesazheve publicitare të kësaj vere, të vendosura me bollëk nëpër afishe të përmasave gjigande në rrugët kryesore kombëtare të Shqipërisë apo mbi autobusët urbanë: "Bring out the beast", shkruhej në afishen publicitare të një pijeje energjizuese; "Never hide", në reklamën për një markë syzesh, "Vero espresso italiano edhe në zyrën tuaj", në publicitetin për një lloj kafeje për ekspres; "When beauty meets health", ka nisur të qarkullojë mbi autobusët e linjës së Unazës...

Gjithë ç'u tha deri këtu, flet qartë, pra, për një mospërputhje, që ekziston mes realitetit ligjor dhe atij praktik ndër ne, sa i përket punëve të gjuhës zyrtare. Si pasojë e kësaj, por jo vetëm, shqipja po i ushtron në mënyrë të mangët disa funksione të saj në përdorimin publik. Del kështu nevoja që çështjet e gjuhës zyrtare kombëtare të futen seriozisht në agjendën politike të shtetit shqiptar, sikurse kanë bërë tashmë thuajse të gjitha qeveritë evropiane.

Politika për të cilën ka nevojë shoqëria e sotme shqiptare në fushë të gjuhës, duhet të jetë e tillë që të synojë, mbi të gjitha, mbrojtje, zhvillim, kultivim dhe përdorim të shqipes si gjuhë shtetërore në të gjitha sferat e kudo në mbarë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Një politikë e tillë, në të vërtetë, do duhej të ndiqej nga një planifikim i kujdesshëm e i artikuluar qartë, mbi të cilën të mbështetej më pas veprimtaria konkrete e institucioneve të ndryshme të shtetit.

Të gjithë atyre që kanë në dorë të iniciojnë, të nxisin e të realizojnë hartimin e politikave gjuhësore në fushë të shqipe, duke mbajtur mirë parasysh kontekstin e proceseve integruese evropiane dhe të ndikimit të globalizimit, do doja t'iu kujtoja thirrjen e sociolinguistit të famshëm amerikan, Joshua A. Fishman: "Mos e lini gjuhën vetëm", çka përbën edhe titullin e librit të tij më të fundit.

5 Komente

Eshte shume e vertete, ne te gjitha supermarketet ke produkte ne lloj lloj gjuhesh qe ne nuk i njohim. Edhe kur e kane ate etiketen mikroskopike ne shqip, perberesit aty ne shqip nuk korrespondojne hic me perberesit qe jane ne gjuhen angleze ose nuk i shkruajne gjysmat duke vene keshtu ne rrezik jeten e njerezve. P.sh. ka njerez qe kane alergji nga gluteni, dhe ne te gjitha etiketat e produkteve te prodhuara ne BE eshte e detyrueshme te vihet gluteni nese produkti e ka. Ne shumicen e etiketave shqip kete perberes nuk e vene, megjithese mund te vdese ndonje njeri ngaqe nuk e lexon ne anglisht a italisht qe ai produkt ka gluten. Kush do te paguaje vdekjen a semundjen e nje personi ne kete rast?

Lehtesisht jashte teme, por a ka ndonje tjeter pervec meje qe ka qeshur pasi ka pare reklamen dhe mbi te gjithe pasi ka degjuar shqiptimin e kremit NIVEA Q10?!

përkthimi i etiketave dhe udhëzimeve është zanat më vete dhe po nuk u shty nga shteti nuk ka për t'u bërë asnjëherë në rregull. do para dhe ligje ajo punë.

Po ilacet, qe dhe kur i kane udhezimet ne shqip, nuk i merr vesh hic? Me mire i lexon ne anglisht dhe je i  sigurt, te pakten, se c'perberje kane apo c'deme anesore mund te te japin.

 Mendoj se do te ishte me interes, (ne mbrojtje te konsumatorit), qe produktet ushqimore e kozmetike te kishin perberesit ne dy gjuhe te pakten, anglisht dhe frengjisht. Qeveria mund tu lere nje kohe tolerance firmave, 6 muaj per te ndryshuar situata. Pra duke i lajmeruar ne dhjetor p.sh., i bie qe ne qershor-korrik, te mos shihen produkte vetem me nje gjuhe te huaj, por me dy-tre gjuhe. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).