Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, plan për njehsimin e diplomave

Autoritetet zyrtare të arsimit në Tiranë kanë nisur përpjekjet për njehsimin e diplomave për universitetet shqipfolëse në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Hapi shihet me efekt në gjallërimin e tregut të punës.

Ditët e fundit qeveria ne Tirane prezantoi publikisht nismën për njehsimin e diplomave në universitetet shqipfolëse, në tre shtetet e rajonit, në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Tiranë ka nisur hartimin e një platforme bashkëpunuese me institucionet përkatëse të të dyja vendeve, për ta konkretizuar projektin.

Teuta Çuni është nga Gjakova e Kosovës dhe studion psikologji në një universitet në Tiranë. Ajo është e ndërgjegjshme se pas kthimit në vendlindje do të ketë shumë procedura burokratike deri në njohjen e diplomës. Ndaj dhe ideja për njehsimin e diplomave i duket mjaft pozitive.

"Ne vazhdojmë të ndjekim shkollën këtu në Shqipëri, sepse mendimi është që këtu është një nivel më i lartë arsimimi. Mendoj se do të rritet dhe fluksi i studentëve që do ta bëjnë këtë gjë, në rast se arrihet njehsimi i diplomave", thotë Teuta për DW, duke shpresuar që kjo çështje "të marrë zgjidhje brenda periudhës së diplomimit tim në Tiranë".

Prof.dr Dhori Kule është rektor i Universitetit të Tiranës. Por njëkohësisht ai është dhe president i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse. Në fillim të kësaj jave, prof. Kule ka patur kontaktet me homologët e tij në Universitetin e Tetovës dhe atë të Prishtinës. Ai thotë se është një projekt në kohën e duhur, në kuadër të proceseve integruese, ku janë përfshirë vendet e rajonit. Të gjithë e dimë se në ka fushë dhe shërbim, që integrohet para të tjerëve, ajo është arsimi, thotë ai për DW.

"Do të fillojmë procedurat për unifikimin e standartizimin e kurikulave në universitetet tona. Në mënyrë që studentët tanë të lëvizin lirshëm nëpër to. Sikurse e kërkon dhe Karta e Bolonjës, ku mobiliteti i studentëve është tipar karateristik. Dhe ne këtë mobilitet duhet ta materializojmë në radhë të parë midis universiteteve tona, pra brenda Shqipërisë me Kosovën e Maqedoninë".

1 Komente

KJo eshte plotesisht e padrejte. Pa pasur asnje paragjykim, por i nisur nga fakti qe shkollat e Kosoves, nuk kane pasur mundesine qe te jene ne nivelin e duhur. Dhe shkaqet dihen. Njesim? Ku eshte e mira?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).