Tirana Kulturore - 2 deri në 8 nëntor 2009

Teatri i të rinjve shfaq “Fundi i lojës”

Në datat 7 dhe 8 nëntor, ora 19:00, në Sallën e Re të Teatrit Kombëtar në Tiranë, jepet drama “Fundi i lojës”, pjesë teatrale e dramaturgut irlandez Samuel Becket me regji të Elis Matajt. “Fundi i lojës” është një dramë me një akt dhe katër personazhe. Origjinali i saj është shkruar në frëngjisht dhe mbante titullin “ Fin de partie”.

Becket siç e kishte zakon e përktheu dramën vetë në anglisht. Drama për herë të parë u vu në skenë në frëngjisht në Royal Court Theatre në Londër. “Fundi i lojës” bën pjesë së bashku me pjesën tjetër “Në pritje të Godos” ndër veprat më të rëndësishme të Becket.
 
Personazhet e dramës janë Hammi, një zotni plak i verbër dhe që nuk ecën dot,dhe shërbëtori i tij Clov, i cili nuk uletdot. Të dy vegjetojnë në një shtëpi tëvogël buzë detit, megjithëse ngadialogu i tyre duket se jashtë shtëpisë nuk ekziston asgjë: as det, as diell dhe as re.

Të dy personazhet, të varur nga njeri - tjetri, kanë vite që zihen dhe vazhdojnë kështu gjatë gjithë shfaqjes. Clov do ka dashur gjithnjë të largohet, por kurrë nuk e ka bërë këtë. Dy personazhet e tjerë të dramës janë Nagg dhe Nell, prindërit e Hammit, të cilët jetojnë në kosha plehrash dhe vetëm kërkojnë ushqim dhe grinden kot së koti.

Kjo vepër jepet në kuadrin e përgatitjeve të edicionit të katërt të Festivalit të Teatrit për të Rinj, që do të mbahet në Tiranë nga data 20 deri në 25 nëntor.

Gjatë këtij festivali do të konkurrojnë vepra të tilla si “Norvegjia sot" e Igor Bauersima, "Shtëpia e Bernarda Albës" Lorkës, “Banorët e shkallës V” e Kin Dushit, “Prafumeria” e dramaturgut kosovar Haqif Mulliqi dhe “Morsa” e Luigi Pirandellos.

“E zonja e bujtinës” zbret në Teatrin e Metropolit

Duke filluar nga data 14 nëntor Teatri i Metropolit në Tiranë do të shfaqë çdo të enjte, premte, shtunë dhe të diel, premierën e komedisë italiane me titull “E zonja e bujtinës”.

Në datën 12 dhe 13 nëntor shfaqja do të jepet për mediat dhe miqtë e Tetarit të Metropolit.

“E zonja e bujtinës” është komedia me modern e reformatorit të teatrit italianCarlo Goldoni. Përballja e dy gjinive, e mashkullit dhe e femrës, e lashtë sa vetë jeta është boshti qendror i konfliktit të kësaj vepre.

Goldoni si mjeshtër i madhe i karaktereve, ka pikturuar Even dhe Adamin me një kolorit shumë modern. Në një kohë kur femra ishte e dhunuar nga arroganca mashkullore ai ngre lart figurën e Mirandoines, protagonistes kryesore të veprës, si një ftesë për emancipimin e një shoqërie tejet patriarkale.

Komedia vjen nën regjinë e Hervin Çulit dhe nën interpretimin e aktorëve Adelina Muça, Eni Jani, Fatos Sela, Genc Fuga, Genti Deçka, Arben Spahia dhe Ermonela Alikaj Plasari. Skenografe është Herolinda Koçllari, ndërsa piktore Albana Rexha.

Prezantohet proza më e mirë shqiptare e viteve të fundit

Faza kryesore e konkursit letrar “Shqipëria tregon” mbyllet në datën 5 nëntor, ora 18:00, me prezantimi e teksteve më të mira të prozës së shkruar në shqip në vitet e fundit.

Aktiviteti do të zhvillohet në sallën gjermane të leximit të Bibliotekës Kombëtare, në Rr. Xhorxh Bush, përballe Parlamentit. Konkursi “Shqipëria tregon“ u shpall nga Shoqata gjermano-shqiptare “Robert Schwartz“ në maj të këtij viti.

Qëllimi i tij është që të evidentohet proza më e re e shkruar në gjuhën shqipe, e veçanërisht që autorët e rinj t’i prezantohen publikut.

Autorët do të lexojnë nga tekstet e tyre, përkthyes të rinj gjermanë do t’i përcjellin këto tekste në gjermanisht. Po me këtë rast do të prezantohet edhe një antologji e prozës shqiptare që ka në qendër periudhën e diktaturës nëShqipëri.

Konferencë shkencore “Vende të kujtesës”

Nga data 7 deri 9 nëntor në Tiranë mbahet konferenca shkencore “Vende të kujtesës”. Në konferencë do të diskutohet koncepti i vendeve të kujtesës dhe do analizohet zbatueshmëria e saj për Shqipërinë dhe vendet fqinje.

Kjo konferencë shënon fillimin e një projekti kërkimor disavjeçar, i cili aplikon metodat dhe perspektivat e konceptit “Vende të kujtesës“ për mësimdhënien universitare në Shqipëri dhe nga i cili do tëpërpunohen materiale didaktike përkatëse.

Konferenca duke vënë në jetë një koncept të ri të trajtimit të historisë nuk do ta shqyrtojë atë nga perspektiva e individëve të veçantë, porpërmes historisë kolektive nëpërmjet “Vendeve të kujtesës”.

Sipas këtij koncepti një “Vend kujtese” nuk duhet të jetë patjetër një vend gjeografik konkret, mund të jetë shumë mirë një ngjarje, një mit, një nocion ose një vepër arti. Pra një pikë referimi në të cilën formohet identiteti i një grupi social.

Aktiviteti do të zhvillohet bashkërisht nga Universiteti i Tiranës, Munihut dhe Bilefeld në bashkëpunim me fondacionin Alexander-von- Humboldt dhe financohet nga DAAD, fondacioni Friedrich- Ebert si dhe Ambasada Gjermane në Tiranë.

Rënia e Murit të Berlinit në librat shkollorë evropian

Deri më 15 nëntor, në hollin e hotel “Dajti” në Tiranë, do të qëndrojë e hapur një ekspozitë e librave shkollorë evropian, në të cilët pasqyrohet rënia e Murit të Berlinit. Nën moton “Refleksione” ekspozita do të paraqesë librat shkollorë nga Gjermania, Shqipëria, Bjellorusia, Bosnja-Hercegovina, Bullgaria, Franca, Mali i Zi, Rumania, dhe Polonia.

Më konkretisht do të ekspozohen pjesë të veçanta të tyre, dhe pikërisht ato pasazhe ku drita e një ngjarjeje historike thyhet në perceptime të ndryshme kombëtare. Tekstet përkatëse janë printuar në gjuhën e tyre origjinale, në gjermanisht dhe anglisht. Këto tekste janë të ekspozuara mbi banka shkolle.

Një fotograf spanjoll në Galerinë e Arteve

Deri në datën 15 nëntor në Galerinë e Arteve në Tiranë do të qëndrojë e hapur një ekspozitë retrospektivë e veprës së fotografit dhe disenjatorit grafik spanjoll, Jordi Socías.

Ekspozita përbëhet nga 78 fotografi bardhë e zi që tregojnë momentet kyçe të shoqërisë spanjolle, imazhe të jetës së përditshme dhe një sërë portretesh të personaliteteve të rëndësishme të kulturës europiane të katër dekadave të fundit.

Ekspozita përmban gjithashtu një grup imazhesh që autori i përkufizon si “Situata të gjetura”si dhe imazhe të përditshme të qyteteve si Santiago de Kuba, Pekín, Londër, Barcelonë,Ámsterdam si dhe një galeri e gjerë portretesh në të cilat Jordi Socias ka ofruar vizionin e vet personal mbi një numër të rëndësishëm personalitetesh çelës për të kuptuar kulturën spanjolle dhe europiane të katër dekadave të fundit: Dalí, Jorge Luis Borges, Leonardo Sciascia, Graham Green, Paul Bocusse.

Fotografitë e studentëve të Arkitekturës

Në hollin e katit të katërt të godinës se Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Tiranës është hapur një ekspozitë fotografike me punime të studenteve të këtij fakultetit.

Janë shkrepje artistike mbi Tiranë apo detaje të qëmtuara nga studentët, pas të cilave apo përmes të cilave përcillet një ide. "Të shohësh dhe të perceptosh", titullohet kjo ndërmarrje e realizuar me studentët, nën kujdesin e pedagogut të tyre, Petri Ilo.

Dy sy të mëdhenj që shohin siluetat e minares së xhamisë së Et‘hem Beut dhe Sahatit, si shenjat e para të qytetërimit të Tiranës, silueta e Bibliotekës Kombëtare, godina e Bashkisë si simbol i drejtimit të një qyteti, hija e një objekti të madh në ndërtim janë fokusuar në disa prej fotografive të studentëve.

Cirk dhe Teatër për fëmijë

“Gjethe që bien” në Cirkun e Metropolit “Gjethe që bien” quhet premiera me e re e “Cirkut të Metropolit”. Deri më 22 nëntor, çdo të shtunë dhe të diel, në orën 11:00, fëmijët e kryeqytetit kanë mundësinë të shijojnë ketë shfaqje cirku.

Premiera “Gjethet që bien” ofron një përmbledhje të numrave më të mirë të krijuar në 50 vitet e ekzistencës së cirkut shqiptar, të cilët tashmë janë ripunuar dhe rikonceptuar për ketë shfaqje.

Është një mozaik numrash të ajrit, akrobacisë, plastikes, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe klounatës, ku mund të përmendim "Fjongoja fluturuese", "Klasa e qeneve", "Plastika- Vajza e kabaresë" si dhe lojërat humoristike të klounëve të cirkut.

Nuk do të mungojnë as performancat efëmijëve të grupit "SPEKTER" që i shtojnë koloritin shfaqjes. Udhëheqës artistik i kësaj shfaqje është mjeshtri Fatos Roshi, ndërsa interpretues janë akrobatet Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Juxhina Madhi, Pranvera Sallata, Fitnete Duro.

“Gracka” – pjesë për fëmijë në Tetarin e Metropolit

Premiera e “Grackës”, një shfaqe me kukulla klasike dhe marionete për fëmijë, jepet çdo të shtunë dhe të diel, në orën 10.30 në skenën e Teatrit të Metropolit. Kjo shfaqjeje do të jepet vazhdimisht deri në datën 27 dhjetor.

Kjo pjesë me regji të Leondard Daliut është një shfaqe me kukulla klasike dhe marionete, por personazhet janë maskota sungeri, ku aktori vishet me pellushin e personazhit. Fabula e saj është marrë nga bota e kafshëve dhe në qendër janë katër personazhe: lepuri, ujku, ariu dhe dhelpra, që vijnë të interpretuar nga Albana Sançolli, Sonjela Leço, Petrika Thano dhe Manjola Merlika.

Dhelpra lajkaton lepurushin për t’i bërë vizitë ujkut me që është i sëmurë. Kur ujku shkon të ndezi zjarrin dhelpra gllabëron trutë e lepurushit. Ujku padit dhelprën tek gjykatësi i pyllit, ariu. Dhelpra justifikohet duke thënë se lepuri nuk kishte tru, ndryshe nuk kishte si të vinte në shtëpinë e ujkut për vizite. Ariu i jep të drejtë dhelprës duke u nisur nga kjo logjikë dhe ujku me dhelprën vazhdojnë miqësinë e tyre.

“Shtatë kecat dhe ujku” vjen në Teatrin e Kukullave

Teatri Kombëtar për Fëmijë do të shfaqë në fundjavë, në datat 7 dhe 8 nëntor, “Shtatë kecat dhe ujku”, pjesë teatrale me kukulla për fëmijët e vegjël. Të shtunave shfaqjet fillojnë në orën 11:00, ndërsa të dielave jepen dy shfaqje dhe pikërisht në orën 10:30 dhe 11:30.

Për prenotime telefononi në: 2222 446.


Filmi në “Marubi”

Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” shfaq çdo të enjte, në orën 19:00, në ambientet e saj filmin e së enjtes. Filmat janë në gjuhë origjinale të subtitruar. Kurse të premteve në kuadrin e  “Të premtes së kinemasë spanjolle” projektohen filma spanjoll. Ky aktivitet organizohet nga Ambasada e Spanjës dhe Akademia e Kinemasë dhe e Multimedias "Marubi".

Kështu më 6 nëntor do të shfaqet filmi "Teza" i Alejandro Amenábar-it. Më 13 nëntor shfaqet "Matahari", prodhimi ifundit i Icíar Bollaín, me një karrierë të pasur si aktore dhe regjisore, të cilën publiku shqiptar ka pasur mundësi ta shohë në filmin "Jugu" i Víctor Erice,apo në "Tokë dhe liri", i Ken Loach. Më 19 nëntor projektohet dokumentari "14 kilometra" i Gerardo Olivares me temë emigracionin. Filmat jepen në versionin origjinal me titra në anglisht, çdo herë në ora 19.00.

Hyrja është e lirë. Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” ndodhet në Rr. “Aleksandër Moisiu”, Nr. 76, ish-Kinostudio. Për më shumë informacion kontaktoni: Tel/fax: +355.42.365.188/157 Faqe në internet: www.afmm.edu.al

Kinema “Millenium”

Në kinema “Millenium”, në ditët e para të javës do të vazhdojë të shfaqet filmi dokumentar ” Thi Is It”. Filmi është një shikim i shpejtë në ditët e fundit të Michael Jackson, një dokumentar i nxjerrë nga rreth 100 orë xhirime gjatë provave për turneun e ri që duhet të fillonte në Arena 02 të Londrës, në korrik të vitit 2009, përpara se ai të vdiste në qershor, në moshën 50 vjeçare.

Ndërsa nga fundi i javës do fillojë të shfaqet filmi “Inglurious Basterds”. Në mbrëmjen e 4 nëntorit në kinema “Millenium” do të shfaqet edhe premiera e filmit shqiptar "Lindje, Perëndim, Lindje" të regjisorit Gjergj Xhuvani.

Filmi trajton historinë dhe peripecitë e pesë çiklistëve shqiptarë me në krye trajnerin e tyre, Ilo Zoto, që Partia i dërgoi për një garë në një shtet perëndimor, por pikërisht në atë kohe sistemi komunist në Shqipëri fillon të rrezohet, dhe sportistët shqiptar harrohen nga shteti dhe pas asnjë para ne xhep marrin rrugën e kthimit në atdhe me biçikletat e tyre të ndryshkura.Për prenotime telefononi në: Tel: +355 2 53 654.

Kinema “Kristal”

“Push” është filmi i ri javës që shfaqet në kinema “Kristal”.

Po në këtë kinema këtë javë shfaqet dhe filmi tjetër “ Sinjalet nga e ardhmja” dhe ai për fëmije “Delko”.

“Push” është një film triller me aksion, i cili gërmon thellë në botën e vdekur të spiunazhit psikik, ku operative artificial paranormal kanë aftësinë të lëvizin objekte me fuqinë e mendjes duke krijuar realitet të reja dhe vrare pa i prekur fare viktimat e tyre.

Kinema “Kristal” ndodhet në Rr. “Komuna e Parisit”, përballë “Kolegjit Kristal”. Për prenotime telefononi në: Tel: + 355 (04) 480 4595

Futboll - Kupa e Shqipërisë

Të mërkurën, më 4 nëntor, luhen takimet e kthimit të turit të parë të kupës së 58-të të Shqipërisë. Në grupin A, dy skuadrat kryeqytetase, “Tirana” dhe “Dinamo” do të luajnë në kryeqytet përkatësisht kundër Luzit dhe Mamurrasit. “Tirana” e ka humbur ndeshjen e parë kundër “Luzit” 3-1, kurse “Dinamo” e ka fituar 3-2. Në këtë edicion marrin pjesë 32 skuadra: 12 të superligës, 16 të kategorisë së parë dhe 4 të kategorisë së dytë. Skuadrat janë ndarë në dy grupe me nga 16 pjesëmarrëse, prej të cilave do të dalin dy finalistët e kësaj gare.

Futboll - Superliga Shqiptare

Në javën e 10-të të superligës shqiptare, të shtunën, më 7 nëntor, ora 15:00 në Stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, “Dinamo”, kryesuesja e kampionatit, pret ekipin e Apolonisë. Ndërsa Tirana luan në transfertë me ekipin e Laçit.

Basketboll

Të shtunën, në 7 nëntor, zhvillohet java e gjashtë e kampionatit kombëtar i basketbollit për rritur meshkuj dhe femra. Për meshkuj, “Tirana” e grupit A, luan kundër ekipit “Valbona” të Tropojës, në sallën e sportit “Farie Hoti”, ora 17:00.

Po në të njëjtën orë “Partizani” i grupit B, luan kundër ekipit të Pogradecit, në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë. Ekipe të tjerë pjesëmarrës në ketëkampionat janë Skënderbeu, Vllaznia, Teuta, Studenti, Flamurtari, F.U.A.T, Elbasani dhe Apolonia. Për femra, po për javën e gjashtë, në datën 7 nëntor, ora 17:00, ekipi “Tirana” luan kundër ekipit “Mati”, në sallën e sportit “Farie Hoti” në Tiranë. Ekipe të tjerë pjesëmarrës në ketë kampionat janë Elbasani, Vllaznia, Apolonia, Studenti, Skënderbeu dhe Flamurtari.

TIRANA KULTURORE administrohet nga Drejtoria e Promovimit e cila ka për qëllim promovimin kulturor, turistik dhe ekonomik të qytetit.
Për të siguruar buletinin TIRANA KULTUROR shkruani në adresën: infotourism@tirana.gov.al
Për çdo pyetje, shqetësim, ankesë, sugjerim, ide shkruani në adresën: infotourism@tirana.gov.al
Për promovimin e aktiviteteve tuaja në TIRANËN KULTURORE dërgoni informacionin në adresen: infotourism@tirana.gov.al

http://77.242.19.116/kultura/Tirana_Kulturore_2_nentor_2009.pdf

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).