Shifra për ekonominë Shqiptare

Botuar më datë 2 nëntor 2009 tek gazeta Panorama me titullin:

"Ministria e Financave gabon me 950 milionë dollarë"

Diskutimi i projektbuxhetit të një viti të caktuar ushtrimor mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e një vendi. Ky diskutim risjell në vëmendje të publikut analizën e zhvillimeve ekonomike të vendit, pritshmërinë për të ardhmen e afërt, dëshmon se çfarë mund të presin grupe apo shtresa të ndryshme sociale, partnerë socialë, studiues e analistë ekonomikë, organizime të pavarura të sipërmarrjes dhe grupeve të interesit etj. Duke qenë se një vit kalendarik është 1/4 e një mandati qeverisës, ky diskutim është, pashmangshmërisht, një nga pikat më të nxehta të debatit politik. Qeveritë kanë mundësinë të mburren, por edhe të provojnë se si po punojnë për të përmbushur programet qeverisëse, ndërsa opozitat të kundërshtojnë, të tregojnë botërisht se si qeveritë përpiqen të shmangen nga problemet reale të vendit dhe, pse jo, të mund të dëshmojnë se çfarë mund të përmirësohet duke sjellë politika alternative.
 
* * *
Projektbuxheti i vitit 2010 do të fillojë s’afërmi të diskutohet e të debatohet në Kuvendin e Shqipërisë. Shqipëria ka bërë përparime të prekshme në hartimin  e miratimin e rregullave të përgatitjes së projektbuxhetit vjetor. Por edhe si në fusha të tjera, Shqipëria vazhdon të çalojë në zbatimin e rregullave të miratuara e në fuqi. Kështu, neni 29 i ligjit 9936 (de facto kushtetuta e buxhetimit ose ligji organik i buxhetit) përcakton se “Brenda datës 25 tetor, Këshilli i Ministrave miraton, me vendim, projektbuxhetin vjetor dhe programin buxhetor afatmesëm, të rishikuar”. Në të vërtetë, Sali Berisha na tregoi në televizor se në datën 28 tetor mblodhi një komitet të tijin dhe foli për rritje pagash e pensionesh, por vazhdon me kryelartësi të shkelë çdo normë juridike që i del përpara, pa pasur as kompleksin se këto norma i ka propozuar e miratuar ai vetë.

Në diskutimin e projektbuxhetit është normale që të bëhen analiza bazuar në rezultatet e vitit të mëparshëm ushtrimor dhe të dhënave sa më të fundit të periudhës së kaluar të vitit ku jemi. Për vitin e mëparshëm ushtrimor analiza më e saktë duhet të jetë buxheti faktik. Në kushtetutën e buxhetimit ka rregulla të qarta edhe për miratimin e buxhetit faktik. Në paragrafin e fundit të nenit 63 të ligjit 9936 përcaktohet se “Raporti vjetor i konsoliduar i zbatimit të buxhetit, i miratuar në Kuvend, brenda muajit tetor të çdo viti, publikohet në Fletoren Zyrtare”. Tetori u mbyll dhe buxheti faktik i vitit 2008 nuk u miratua. Nën ethet e marrëzisë së “madhështisë” edhe Jozefina Topalli, në garë me Sali Berishën, nuk mund te mbetet pas në shkeljen e ligjit, paçka se buxheti faktik është depozituar në Kuvend dhe se deputetët mblidhen në seancë plenare vetëm një herë në javë meqë nuk kanë çfarë të diskutojnë e miratojnë.

Por edhe për të dhënat më të fundit për pjesën e kaluar tashmë të vitit 2009 që ofrohen në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2010 janë të pakta, të largëta dhe jo koherente.

Është e papranueshme, është e pafalshme, madje është fyese që edhe pas shumë parave publike e të donatorëve të shpenzuara për të asistuar Ministrinë e Financave, relacioni shoqërues i projektbuxhetit, i firmosur nga Ministri i Financave, Ridvan Bode, njëherazi Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, paraqitur në Komitetin Planifikimit Strategjik në datën 28 tetor 2009 të përmbajë shprehje se sa është rritur numri i të punësuarve në 9–mujorin e parë të vitit 2008 (INSTAT ka bërë publike numrin e të punësuarve deri në qershor 2009); se sa është inflacioni në tremujorin e parë të vitit 2009 (INSTAT ka bërë publike inflacioni nderi në shtator 2009); sa më shumë janë mbledhur të ardhura nga TVSH gjatë 6–mujorit të parë 2009 krahasuar me 6 mujorin e parë 2008 (vetë Ministria e Financave ka publikuar pasqyrat fiskale deri në shtator 2009); sa është numri i subjekteve që paguajnë tatim fitimi deri në maj 2009, ndërkohë të paktën relacioni duhet të kishte të dhënat e shtator 2009.

Pra, tri figurat kryesore të Partisë Demokratike: Berisha, Topalli e Bode janë të përzierë fort e të përfshirë keq në (mos)përgatitjen si duhet e konform rregullave ligjore të procesit të diskutimit e miratimit të projektbuxhetit të vitit 2010. Çdo shqiptar e kupton lehtë se kur këta njerëz nuk bëjnë atë që kanë për detyrë e për të cilën paguhen nga taksat e shqiptarëve dhe ndihmohen nga paratë e taksave të evropianëve, çfarë mund të bëjnë në të mirë të shqiptarëve përfshirë edhe ata që kanë votuar për Partinë Demokratike.

* * *

Ajo çfarë i shqetëson më shumë qytetarët, nuk është ligji i buxhetit në vetvete, por ajo çfarë do të ndodhë me ekonominë e vendit, çfarë do të ndodhë me buxhetet e tyre familjare, sa e si do të përmirësohet jeta në Shqipëri. Pashmangshmërisht qytetarët janë të interesuar të dinë edhe si mund të ndikojë për mirë në gjithë sa thashë në fjalinë e mëparshme edhe buxheti i shtetit.

Por çfarë pritet të ndodhë me ekonominë e vendit në vitin 2010? Sipas asaj që është bërë publike nga përfaqësues të ndryshëm të qeverisë ekonomia e vendit do të ketë rritje reale prej 6.8 % në vitin 2010. Kjo bazohet edhe në vlerësimin e rritjes prej 8 % në vitin 2008 dhe parashikimit të rritjes prej 5.8 % në vitin 2009.

Viti 2008 – Vetë relacioni i Ministrisë së Financave shprehet se “Ne vitin 2008, ekonomia Shqiptare regjistroi një rritje reale prej 7 – 8 për qind. Rritja për vitin 2008, e vlerësuar prej treguesit të Produktit të Brendshëm Bruto Tremujor (PBBT), regjistroi nivelin e 8 për qind”. Pra, edhe në fund të tetorit 2009, Ministria e Financave vazhdon të shprehet për rritje 7 – 8 %, ndërkohë që në një dokument të qershor 2009 po kjo ministri flet për rritje 7.2 %, aq sa thuhet edhe në një raport për ekonominë botërore të FMN-së në shtator 2009. Ditën që Ridvan Bode paraqet me firmë një relacion për shefin e tij, ku konfirmon që rritja është 7–8 %, del para medias me misionin e FMN-së dhe thotë që rritja është 8 %. Kë të besojnë shqiptarët, qofshin votues së Partisë Demokratike, Boden që firmos apo Boden që flet në televizor. Çuditërisht, takimi i Bodes dhe misionit të FMN-së me median nuk është ende i zbardhur në web faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, gjë që nuk ka ndodhur në 3–4 vitet e fundit. Në relacionin e projektbuxhetit 2010, PBB e vitit 2008 është 1,085 miliardë lekë, por të gjitha gjasat janë që ai të jetë rreth 1,076 miliardë lekë – 9 miliardë lekë më pak.

Viti 2009 – Për rritjen ekonomike të vitit 2009 qeveria ka pasur një optimizëm në rritje dhe ka arritur të parashikojë 5.8 %. Optimizmi i vjen kryesisht nga PBBT e tremujorit të dytë 2009. Përveç faktit që matja e PBBT është në fillimet e saj dhe do të duhet kohë të kolaudohet, tremujori i dytë e vitit 2009 ishte edhe tremujori i fundit i mandatit të parë të Sali Berishës si kryeministër. Si i tillë, në atë tremujor u përqendruan shumë shpenzime publike kapitale e të mirëmbajtjes që nuk ndodhin zakonisht në ata muaj të vitit e që ritmi i tyre nuk mund të mbahej në vijim (siç e dëshmoi tremujori i tretë i vitit 2009). Por ka edhe tregues të tjerë që të bëjnë të mendohesh thellë për rritjen shumë të pakët të pritshme të PBB në vitin 2009.

• Në 9 muaj të parë të vitit 2009, tatimi mbi vlerën e shtuar i mbledhur është vetëm 4.1 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2008. Të dhënat zyrtare dëshmojnë se gati 70 % e këtij tatimi mblidhet në doganë. Partneri ynë kryesor mbetet Bashkimi Evropian e për pasojë shkëmbimet kryesore bëhen në Euro. Në se do të rivlerësojmë TVSH e mbledhur në dogana duke e zhveshur nga efektet e ndryshimit të kursit të këmbimit (leku është zhvlerësuar më shumë se 5 % kundrejt euros), rezulton se nuk ka asnjë rritje në TVSH.

• Në 9 muajt e parë të vitit 2009, tatimi mbi biznesin e vogël është 4.82 % më i ulët se 9 muajt e parë të vitit 2008. Dëshmi kjo e qartë se biznesi i vogël po fiton më pak dhe se do të kenë më pak mundësi për të investuar në të ardhmen.

• Në 9 muajt e parë të vitit 2009, tatimi mbi fitimin i mbledhur është 5.2 % më i ulët se 9 muajt e parë të vitit 2008. Dëshmi kjo e qartë se edhe sipërmarrjet po fitojnë më pak dhe se do të kenë më pak mundësi për të investuar në të ardhmen.

• Në 9 muajt e parë të vitit 2009 kemi një shifër të lartë të investimeve kapitale publike, por në shtator 2009 këto investime ishin më të ulëta se në çdo muaj nga janari në gusht dhe nuk pritet të rriten në tre muajt e fundit të vitit 2009.

• Në 6 muajt e parë të vitit 2009, sipas raportimeve të INSTAT, shitjet në tregtinë me pakicë janë 3.8 % më të ulëta se në 6 muajt e parë të vitit 2008.

• Në 6 muajt e parë të vitit 2009, sipas raportimeve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, janë mbyllur apo kanë deklaruar ngrirje të përkohshme të aktivitetit më shumë se 2 mijë subjekte. Kjo shifër është 4 – 5 herë më e lartë se në 6 mujorin e parë të vitit 2008.

• Në 6 muajt e parë të vitit 2009, sipas raportimeve të INSTAT, konsumi në kwh i energjisë elektrike nga konsumatorët jofamiljarë është më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2008. Konsumi më i ulët i energjisë elektrike tregon se konsumatorët jo familjarë kanë punuar më pak se një vit më parë.

• Sasi në tonë e naftës së importuar deri tani është vetëm 6.5 % më shumë se një vit më parë dhe pse çmimi i importit dhe për pasojë edhe i shitjes me pakicë u ul ndjeshëm krahasuar me vitin 2008.

• Është raportuar rritje e madhe  e numrit të vizitorëve të huaj krahasuar me një vit më parë. Kjo nuk u arrit të efektojë as taksat e konsumit të mbledhura deri në fund të shtatorit 2009 dhe as të influencojë, si shumë vite më parë, në rivlerësimin e lekut.

• Numri i të punësuarve në sektorin jobujqësor, sipas INSTAT, në 6 muajt e parë të vitit 2009 u rrit vetëm me 1.2 % krahasuar me 6 muajt e parë të vitit 2008, ndërsa në sektorin bujqësor rritja është 0. Në relacionin e projektbuxhetit, Ministria e Financave paraqet rritje të lartë të punësimit gjatë vitit 2008. Në fakt ajo luan me metodologjinë që përdoret për të vlerësuar punësimin bujqësor. Megjithatë, po sipas të dhënave të INSTAT rezulton se nga dhjetor 2006 deri në qershor 2009, pra për 2.5 vjet, numri i të punësuarve është rritur vetëm 4 %. Pra edhe në këtë periudhë me rritje të lartë ekonomike, Shqipëria vazhdon të ketë si prej 10 vjetësh “jobless growth”.

Kjo analizë mund e duhet të vazhdojë edhe me të tjerë tregues të sektorit të jashtëm, sektorit financiar, etj. Edhe sa më sipër të bën të mendosh se në vitin 2009 do të kemi një rritje sa deklaroi përfaqësuesi i FMN-së në datën 28 tetor - pra 2 %. Me fjalë të tjera, PBB për vitin 2009 pritet të jetë 1,134 miliardë lekë – 42 miliardë lekë më pak se parashikimi prej 1,176 miliardë lekë në relacionin e projektbuxhetit 2010. Ftoj të tjerë të interesuar të komentojnë apo plotësojnë këtë analizë.

Viti 2010 – Ministria e Financave parashikon një rritje ekonomike 6.8 % për vitin 2010. Të gjithë do të uronim të ishte e tillë. Por, ministria është më shumë se optimiste. Eksportet nuk po rigjallërohen. Në volum janë 20 % më të ulëta se në vitin 2008. Partneri ynë kryesor ekonomik me 70 % të volumit është Bashkimi Evropian. Parashikimet janë që në vitin 2010 ekonomia e BE të rritet me 0.2 %. Në këto nivele parashikohet të rriten edhe ekonomitë e Italisë e Greqisë, partnerët tanë kryesorë. Papunësia do të vazhdojë të mbetet e lartë në vendet e BE-së duke bërë që shqiptarët që jetojnë jashtë të ruajnë nivelin aktual të remitancave pa arritur të rrisin prurjet e valutës së fortë në Shqipëri.

Kredia për ekonominë është tkurrur, sidomos ajo afatgjatë. Dëshmi kjo se nuk po investohet në teknologji që mund të japin frytet në një periudhë afatmesme. Edhe në vitin 2009, importet ne makineri e pajisje, nëse i zhveshim efektin e kursit të këmbimit, janë rritur vetëm me 6 %. Kreditë e “këqija” po rriten. Kjo po i detyron bankat e nivelit të dytë të shtrëngojnë kredidhënien, të provigjonojnë më shumë duke ulur fitimet e tyre dhe mundësitë për t’u zgjeruar e investuar. Edhe investimet publike parashikohen të jenë më të ulëta se në vitin 2009.

Sektori i kromit do të ketë një ngrirje të përkohshme, meqë “Albanian Chrome” po i hiqet koncesioni dhe do të duhet një kohë jo e vogël derisa të rifillojë puna me kapacitet të plotë. Investimet e pritshme në energjetikë po shtyhen, pasi disa nga investitorët kanë kërkuar studim më të gjatë të sjelljes së erës apo prurjeve ujore gjatë 12 muajve.

Sa më sipër të bën të arsyetosh se parashikimi, “konservator” sipas zotit Bode, i FMN-së për rritje 4.2 % të jetë më afër realitetit. Kështu, PBB për vitin 2010 pritet të jetë 1,266 miliardë lekë – 32 miliardë lekë më pak se parashikimi prej 1,298 miliardë lekë në relacionin e projektbuxhetit 2010.

Pas rivlerësimit veç e veç të rritjes ekonomike për secilin nga vitet 2008, 2009, 2010 duhet të rivlerësojmë periudhën trevjeçare 2008–2010. Rivlerësimi dëshmon se në vitin 2010 PBB pritet të jetë 1,210 miliardë lekë, ose 88 miliardë lekë (950 milionë dollar&eumlsmiley më pak se parashikimi i Ministrisë së Financave.

11 Komente

I mire shkrimi, sidomos pjesa e dyte. Nje permbledhje e qete, pa teprime dhe ulerima. Nevojiten shume me teper shkrime te ketilla per te pasur nje pasqyre te qarte te gjendjes se ekonomise.

 Mire do ishte qe me shkrimet per ekonomine ne PS te merrej vertet dikush nga fusha. E kemi Ledi Shamkun qe merret me gjuhesi ne menyre autodidakte, nuk kemi nevoje edhe per Ilirin qe te beje ekonomi ne menyre autodidakte.

Ku gjykon se calon shkrimi?

Ky interneti eshte gje e keqe se te jep inflacion informacioni. Keshtuqe kur ulem e lexoj dicka per fushen time perpiqem te gjej dicka qe o eshte shkruajtur nga persona te njohur, ose eshte botuar diku qe ja vlen.

Mire e ben Iliri qe shkruan se aty nuk ka ngel me njeri tjeter, po kur acarohemi shpesh me analistat nje nga arsyet eshte se marrin persiper me shume sec u mban kurrizi.

 

 kush quhet nga fusha ?

se ato qe kane qene minsitra e zv ministra i ka largu Rama. Cim Cani eshte disi i terhequr dhe jo fort i profilizuar si person politik. Per c'kane ngelur, te pakten Beqja, eshte me kembe ne toke dhe nuk ja mbyt kot per gjera qe sja ka haberin fare.  

 se harrova,

tani i iku dhe shpetim idrisi smiley

qe ishte i fushes smiley

Shkrimi deri diku ka strukture dhe eshte munduar te sjelle argumenta te bazuar ne shifra. Por....me cfare shifrash flasim?

Duhet te dime paraprakisht se ne Shqiperi PBB nuk MATET por VLERESOHET! Kjo eshte shume e rendesishme qe ta kemi parasysh perpara se te fillojme te hedhim argumenta per kete indeks. Matje do te thoshte nje agregat statistikor i te gjitha te dhenave qe vijne nga ndermarrjet (prodhimi, xhiro vjetore, punesim) dhe te gjitha te dhenave te tjera dytesore shtese (dogana, tatime etj). Keto te dhena ne Shqiperi nuk ekzistojne ose jane te paperdorshme (me shume nga keto te dhena jam ballafaquar vete me ato qe jep INSTAT dhe eshte nje rumpallhone e papare shifrash). Keshtu qe cfare behet? Krijohet nje model ekonometrik ku vleresohet disa parametra dhe nxirret nje shifer per PBB (VLERESIM). Prandaj hidhen shifrat nga 12% (Qeveria) deri ne 4% (FMN) per te njejtin vit. Keshtu qe te flasesh me presje dhjetore per rritje ekonomike me kete gjendje te shifrave NUK KA ASNJE SENS.

Elementi tjeter shume i rendesishem per tu konsideruar eshte DIMENSIONI INFORMAL i ekonomise. Ai qe nuk deklarohet dhe qe perfshin qe punesimin e padeklaruar e deri tek sherbimet e prodhimet dhe pagesat e padeklaruara. Ky dimension ben qe te kete deformime qe ne PBB per fryme e deri tek shifra e punesimit! Ne parim kesaj qeverise sone i intereson te kete nje informalitet te madh pasi ky informalitet i sjell mundesi manovrimi me shifrat sepse ato diku duhet te dalin (per shembull ne nivelin e konsumit te mallrave dhe sherbimeve). Prandaj rrumpallhonja e shifrave vazhdon pambarimisht dhe asnjehere nuk ka vetem 1 "te vertete" por mund te kete edhe 15 te tilla keshtu qe Qeverise nuk i ben syri terr te thote "cmendurine" e rradhes per shifra per sa kohe shifra NUK KA.

Per ta bere edhe me interesant gjithe kete katrahure Qeveria Shqiptare ka zgjedhur dhe nje instrument te papare  - BUXHETIN SUPLEMENTAR. Ky instrument ne fakt e copezon debatin mbi buxhetin, nuk e lejon te jete si debat pasi pas cdo argumenti del "pergjigja' prit se eshte edhe buxheti sup-lementar" i cili asnjehere nuk dihet se cdo te pjelle. Pervec se i jep edhe mundesi qeverise te beje cte doje me "rikategorizime" dhe "rishperndarje"...

Nejse...artikuj te tille duhen gjithsesi pasi sjellin nje fryme argumentash pak me teknike ne tymnajen e madhe te argumentave shterpe politike

 "....• Sasi në tonë e naftës së importuar deri tani është vetëm 6.5 % më shumë se një vit më parë dhe pse çmimi i importit dhe për pasojë edhe i shitjes me pakicë u ul ndjeshëm krahasuar me vitin 2008..." 

gje qe do te thote qe keto shoqerite importuese te kene fitime te kenaqeshme per keto muaj dhe muajt e ardhshem, qe mund te perkthehet ne punesim ose investim te metejshem. 

Kush arrin ta perktheje kete terminologji fantastike nga anglishtja ne shqip se une s'po e bej dot

, Shqipëria vazhdon të ketë si prej 10 vjetësh “jobless growth”.

Ne parim kesaj qeverise sone i intereson te kete nje informalitet te madh pasi ky informalitet i sjell mundesi manovrimi me shifrat

Kur thua qeverise, e ke fjalen per administraten Berisha apo per cdo lloj administrate?

Specifikisht kesaj administrate aktuale (qe te mbyt me shifra pa kuptim dhe pa mundesi verifikimi). Por jo se ata para ketyre kane qene me te mire. Ne fakt ata nuk e vrisnin mendjen fare per shifra...smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).