Rritja e dritave, kompensim për katër vjet

Shqiptarët pritet të paguajnë vitin e ardhshëm energjinë e lirë që morën në të shkuarën

Çmimi i dritave do të duhet të rritet në vitin 2010 me 44 për qind për shkakun e vetëm se gjatë katër viteve të fundit, çmimet janë rritur vetëm një herë dhe qeveria ka shkelur strategjinë e miratuar prej asaj vetë, bëhet e ditur nga ekspertë të energjetikës. Çmimi i dritave u rrit për herë të fundit në vitin 2007, për shkak të presionit politik që qeveria ushtroi mbi Entin Rregullator të Energjisë, ndërkohë që planet për zhvillimin e sektorit, të cilat janë miratuar nga vetë qeveria, parashikonin së paku rritje 10-15 për qind të çmimeve çdo vit. Qeveria parapëlqeu gjatë viteve të fundit të mbulonte koston e furnizimit të vendit me energji përmes subvencionimeve të Korporatës Elektroenergjetike nga buxhetit të shtetit, por tani që Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është nën pronësi private, qeveria duket se i ka duart e lidhura, thonë ekspertët. Sipas kontratës së privatizimit dhe marrëveshjes rregullatore që e shoqëron këtë kontratë, çmimi i dritave duhet të pasqyrojë koston dhe kostoja është shumë më e lartë sesa çmimi ekzistues.

Kostoja

Që në vitin 2002, një studim i miratuar nga qeveria vlerësonte se kostoja margjinale e energjisë elektrike në Shqipëri është rreth 13 lekë. Studimi vlerësoi se për të mbuluar këtë kosto, çmimi i dritave duhej të rritej me mesatarisht 1 lekë për kWh deri në vitin 2013, pra deri në nivelin e 13 lekëve. Sipas asaj strategjie, këtë vit shqiptarët do të duhet të paguanin rreth 10 lekë, por në fakt, paguhet mesatarisht rreth 8 lekë. Rritja e çmimeve do t‘i mundësonte KESH-it të ndërtonte termocentrale të reja për të garantuar furnizim të rregullt. Por qeveritë e ndryshme i rritën çmimet vetëm kur nuk mund të përballonin presionin e Bankës Botërore, institucioni që është edhe kreditori më i rëndësishëm i KESH.

Marrëveshja e privatizimit

Kur qeveria nënshkroi marrëveshjen e privatizimit të OSSH më herët këtë vit, e tha troç se në vitin 2009 nuk do të kishte rritje çmimesh, por humbjet e krijuara nga kjo do të kompensoheshin në vitin 2010. Shkaku i mosrritjes së çmimeve sipas logjikës normale të kostos, qenë zgjedhjet. Zgjedhjet mbaruan dhe rrjedhimisht, edhe çmimet nuk mund t‘i shpëtojnë më rritjes. Shqipëria u kritikua për këtë çështje edhe nga raporti i fundit i progresit që Komisioni Europian bëri për Shqipërinë. "Parimi i çmimeve që mbulojnë koston e furnizimit me energji nuk është zbatuar ende në Shqipëri", thuhet në raport.

Rritja e çmimit të dritave filloi në vitin 2002, kur Shqipëria doli vend me deficit të konsiderueshëm energjetik dhe kur u pa që investimet e nevojshme për furnizim të rregullt, kërkonin një çmim më të lartë. Sipas një studimi të vitit 2001, çdo kilovator shtesë në furnizim, në rastin e Shqipërisë e kishte çmimin rreth 13 lekë. Studimi bazohej mbi koston e investimeve për termocentrale të reja, si dhe koston e zgjerimit të rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes. Shumë ekspertë besojnë se ai studim është tashmë jashtë realitetit, sepse parashikonte kosto të energjisë me çmim reference nafte prej 35 dollarësh për fuçi. Të gjitha kostot e tjera të lidhura me materialet bazë janë rritur gjithashtu. Fatura e energjisë elektrike është shumëfishuar për shqiptarët gjatë këtyre viteve, megjithatë, zgjidhja nuk duket në horizont.

Vendi përjetoi një krizë më të madhe energjetike në vitin 2007 sesa në vitin 2002, pavarësisht se çmimi i dritave qe katërfishuar ndërkohë. Por angazhime të tilla nuk janë mbajtur pavarësisht se programi i shkruar paraqet si të vetmen zgjidhje për problemin e dritave, rritjen e fortë të çmimeve, ka shumë pak gjasa që kjo gjë të ndodhë. Dokumenti i Planit të Masave është hartuar nga KESH dhe është miratuar nga qeveria, por edhe më herët, programi i rritjes së çmimeve nuk është respektuar.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).