Rikthimi i censuruar i FMN-së

Pas një pauze të gjatë, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) u shfaqën ditët e fundit në publik për të dhënë qëndrimin e tyre mbi hartimin e buxhetit 2010 nga qeveria shqiptare. Kritikat e Gerwin Bell, shef i misionit të FMN-së për Shqipërinë, ishin të parat e këtij lloji dhe kaq të drejtpërdrejta lidhur me “modus operandi”-in financiar të qeverisë. Bell iu referua nevojës së hartimit të një buxheti realist, përballë rënies së ritmeve të rritjes. Por rikthimi i FMN-së në vëmendjen e publikut shqiptar, ndonëse i shkurtër, ka qenë një kthim i censuruar.
Vetë deklarata publike e Shefit të Misionit të FMN nuk ishte pasqyruar në faqen zyrtare të këtij institucioni. Në të njëjtën faqe mund të gjenden raporte dhe qëndrime të Fondit mbi shumë shtete, si Islanda, Zambia, Moldavia, Gambia, Uganda, Kolumbia, Maqedonia, Estonia, Gana, Bjellorusia, Hungaria etj. Por jo mbi Shqipërinë. Arsyeja është e thjeshtë. Që me përfundimin e programit 3-vjeçar të FMN-së me qeverinë, Shqipëria ka statusin e thjeshtë të një vendi anëtar, çka përveç një pranie shumë më të kufizuar të Fondit, nënkupton edhe vlerësime më të rralla në kohë. Praktikisht, ajo që ndodh janë konsultime në kuadër të Artikullit IV – pjesë e marrëveshjes së vendeve anëtare me FMN-në – një herë në vit ose një herë në dy vjet mbi kuadrin makroekonomik dhe fiskal.

Por, produkti i këtyre vlerësimeve ka të gjitha gjasat që të vazhdojë të mbetet sekret, sikundër ka ndodhur deri më sot, me të paktën dy raporte. Kjo, sepse marrëdhëniet aktuale të qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar e lënë në dorë të ekzekutivit, zgjedhjen nëse raportet apo komentet e Fondit mund të publikohen apo jo. Qeveria ka zgjedhur censurën. Për rrjedhojë, dokumentet në fjalë, qarkullojnë vetëm brenda një rrethi të ngushtë zyrtarësh të FMN-së dhe titullarësh të institucioneve kryesore financiare në vend. Por, nuk mund të bëhen subjekt i informimit publik për sa kohë qeveria nuk e hap dritën jeshile. Dhe deri më sot, diçka e tillë nuk ka ndodhur.
Një rast paralel, ai i Hungarisë flet në fakt për një tjetër qëndrim nga ana e zyrtarëve të këtij vendi. Ndonëse qeveria hungareze ka të drejtë sikurse qeveria shqiptare, që të ndalojë konkluzionet e FMN-së, krejt e kundërta ka ndodhur. Duke mos iu përmbajtur kodit të censurës, tashmë traditë për ekzekutivin shqiptar, qeveria hungareze e ka lejuar FMN-në të publikojë konkluzionet e saj mbi Artikullin IV lidhur me këtë vend.

Deklarata e FMN-së
Sipas FMN-së, deficiti buxhetor ka kapur nivelin 6.5 për qind të GDP-së, ndërsa borxhi publik ka arritur në 60 për qind të GDP. Fondi paralajmëron se nëse qeveria nuk do të parashikojë një buxhet realist, vitin e ardhshëm mund të ketë probleme për ekonominë shqiptare. Fondi ka korrektuar sërish parashikimet për ekonominë shqiptare duke projektuar për vitin 2009 një rritje prej 2 për qind, ndërsa për vitin e ardhshëm, 3 për qind.
“Është imperative të vendosen objektiva realiste të te ardhurat. Nuk mund të presim që të kemi serish ritme shumë të larta të rritjes që janë vënë re në 2007 dhe 2008, por ashtu duhet edhe programi realist i shpenzimeve. Nëse kjo behet ashtu siç duhet atëherë ekonomia shqiptare ka shanse shumë të mira ta kalojë këtë krizë. Javët e ardhshme do të jenë kritike për të ecur në drejtimin e duhur, sa i takon përgatitjes se buxhetit të vitit 2010”, u shpreh Gerwin Bell.

“Një pozicion i fortë fiskal dhe konsolidimi i borxhit publik do të ndihmojë ekonomie të përmirësojë besimin brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu kjo do i lejonte sistemit bankar që ta kanalizojë kredinë drejt aktiviteteve më produktive të sektorit privat dhe jo në borxh qeveritar. Ajo çka është më e rëndësishme është ulja e borxhit publik dhe një pozicion fiskal i fortë dhe i qëndrueshëm janë shumë kritike kur do të marrë kredi në tregun e huaj”, tha Bell.

Mundësia e djegur
Me pak përpjekje, Shqipëria mund të kishte përfituar nga fondet që FMN shpërndau në kuadër të ndihmave emergjente financiare për ekonomitë e vendeve në zhvillim të prekura nga kriza botërore. Më pak se një vit më parë, njëzet krerët e vendeve më të industrializuara i dhanë Fondit Monetar Ndërkombëtar 750 miliardë dollarë që ky institucion do t’i menaxhojë në kuadër të krizës ekonomike botërore. E bashkë me rolin e ri të FMN-së si dispeçer i huave anti-krizë edhe radha e përfituesve apo e atyre që duan dhe shpresojnë të marrin diçka u rrit ndjeshëm.

Ndër përfituesit mund të përmenden Serbia, Bosnja, Letonia, Rumania, Ukraina, Letonia, Republika Ceke dhe së fundmi Polonia. Vetëm për këto vende shpërndarja e huasë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar kap një shifër rreth 70 miliardë dollarë, ndërkohë që të tjerë kanë dërguar aplikimet dhe presin përgjigjen. Madje mund të përmendet rasti i Ukrainës, që pas ndihmës së FMN-së prej 16.5 miliardë dollarësh dhe të ardhurave shtesë që realizoi nga disa privatizime të rëndësishme, e ktheu bilancin buxhetor nga një deficit i pakëndshëm në suficit. Norma e interesit e këtyre kredive nuk ka një vlerë fikse por vlerësohet sipas interesit mesatar të dollarit, euros dhe jenit japonez. Në terma shumë përgjithësuese, sipas rastit dhe kursit të këmbimit, mund të flitet për një normë interesi mesatare nga 3% deri në 5%. Ndërkaq qeveria shqiptare nuk bëri asnjë përpjekjeje – të paktën publikisht – për të përfituar nga fondet e FMN-së. Ende sot qeveria nuk e ka zënë me gojë këtë mundësi.

2 Komente

O Ervin, nuk e kuptoj pse edhe ti flet per fondet e FMN-se sikur te ishin para per buxhetin e shtetit. Si gazetar qe ke shume vite qe merresh me keto gjera, minimumi qe mund te besh eshte te sqarosh per cfare perdoren zakonisht fondet e FMN-se, per cfare perdoren ne kohe krizash, kur nje vend mund te quhet se ka krize te bilancit te pagesave, dhe cfare kushtesh duhet te permbushe vendi per te perfituar keto fonde ne te dyja rastet, qe ta marrin vesh njerezit cfare do te kishte perfituar tamam Shqiperia nga ky thesi 750 milionsh. Disipline fiskale do te kishte fituar, kete s'po e mohon njeri. Financiarisht pastaj mos fol 'kshu ne pergjithesi'. Ngelem ne duke folur per luge floriri, cek te bardhe, e thes te FMN-se.

Gjithashtu, ai takim nuk ishte nje konsultim i artikullit IV.

Mendimi im eshte se Shqiperia ka shum resurse, por ka manaxher te keqinj, siç eshte Buall Mavria dhe ekipi i tij.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).