Që vullkani në Martinik të mos përsëritet

Në fillim të shekullit XX, në ishullin francez të Karaibeve, Martinik, shpërtheu vullkani në Malin Pelee që shkatërroi tërësisht ishullin piktoresk turistik të Martinikut; gjithë banorët e ishullit - njëzetë e pesë mijë vetë - gjetën vdekjen në këtë katastrofë. Nga vullkani shpëtuan vetëm dy vetë në të gjithë ishullin. Fuqia e vullkanit ishte e tillë saqë mund të shkatërronte një mur me trashësi 1 m dhe të ngrinte në ajër një statujë me peshë 16 tonë.
Ndërkaq, humbjet njerëzore ishin tërësisht të evitueshme. Guvernatori i ishullit, z. Moutet, ishte tërësisht i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanosej ishullit, përderisa shumë banorë të ishullit - kryesisht të pasur kishin filluar të largoheshin nga ishulli - por ai "nuk deshi të dëgjojë". Interesi i tij kërkonte që njerëzit të qëndronin në ishull për të votuar për të në zgjedhjet që po afronin.
Z. Moutet përdori tri mënyra për të ndaluar njerëzit të largoheshin nga ishulli: (I) pseudo-shkencëtarët; i vetmi shkencëtar që inspektoi vullkanin ishte një mësues i shkollës së mesme, (II) forcën për të ndaluar njerëzit të largoheshin nga ishulli, duke përdorur patrullimet ushtarake, dhe (III) median; kryeredaktori i gazetës "Les Colonies" u shtrëngua të zvogëlonte rrezikun që vinte nga vullkani.

Është e çuditshme sa simbolike është kjo histori për zhvillimet në Shqipërinë e sotme, ku zëri i politikës nuk është as i besueshëm as realist, nëse nuk nxitet dhe dëgjohet zëri i profesionistëve, që përpiqen të orientojnë qëndrimin që duhet mbajtur ndaj shenjave të dukshme të zhvillimit të kësaj ose asaj dukurie.

Shenjat e "Vullkanit" për Shqipërinë

Në tetor të vitit të kaluar u shfaqën simptomat e efekteve të krizës financiare ndërkombëtare në Shqipëri si: rënia e dërgesa të emigrantëve, depozitave, rrudhja e kredisë si pasojë e tyre, po kështu dhe rënia e importeve, eksporteve etj. Por qeveria nuk donte ta shihte këtë realitet dhe quante si arritje historike rritjen e të ardhurave doganore.
Një vit më parë, në Parlament argumentuam me fakte se shtesat kundrejt vitit të mëparshëm në të ardhurat doganore prej drithërave, apo karburanteve ishin vetëm rezultat i rritjes së çmimeve të këtyre produkteve në tregun ndërkombëtar, mbasi sasia e importit të këtyre produkteve kishte rënë. Paralajmëruam se në kushtet e krizës globale ky realitet fiktiv nuk do jetë si më parë dhe kërkuam kujdes e më pak eufori me shifrat e arritjeve, në mënyrë që programimi i rritjes së PPB të ishte real. Por Kryeministri dhe vartësit e tij kanë mbrojtur me kokëfortësi argumentin e paprekshmërisë së Shqipërisë nga kriza globale, si argument të vitalitetit të saj me qëllim për të justifikuar kështu djallëzisht shpenzimet marramendëse buxhetore në një vit elektoral si 2009. Ndërkaq, opozita dhe institucionet ndërkombëtare si FMN etj., deklaronin se Shqipëria nuk është e paprekshme nga kriza. Në këto kushte, debati për rritjen ekonomike të Shqipërisë u shfaq me diferenca në qëndrime. Nga njëra ana qeveria që insistonte se rritja ekonomike në Shqipëri është më e larta në rajon e botë, me rritje të PPB prej 6% dhe nga ana tjetër, opozita dhe institucionet ndërkombëtare si FMN etj., që tërhoqën vëmendjen për kujdes e maturi në programimin e këtij treguesi. Arsyeja e qëndrimit të dytë ishte maturia në programimin e shpenzimeve të vitit 2009 si vit elektoral. Sepse PPB, si tregues llogaritës me gjithë rezervat për mënyrën e llogaritjes së tij në Shqipëri, mbetet shumë i rëndësishëm për të parë jo vetëm sa të ardhura krijohen në raport me PPB, por edhe sa janë shpenzimet në raport me të, në mënyrë që të ruajmë ekuilibrin makroekonomik.
Thirrja jonë për maturi në llogaritjen e rritjes ekonomike lidhej me parashikimin: se rritja e eksporteve pritej të ngadalësohej, dërgesat e emigrantëve do të ndikohen dhe investitorët mund të rivlerësonin rreziqet si rezultat i ndikimit të krizës edhe në Shqipëri.
Në të kundërt, ministri i Financave deklaronte se: "në kushtet e krizës globale një ekonomi e lidhur me botën më shumë përmes importeve sesa eksporteve ka më shumë shanse për të pasur një ecuri pozitive".
Por pas një viti realiteti vërtetoi këtë thënie si të pasaktë. Ekonomia jonë është një ekonomi e orientuar nga importi, në saj të remitancave dhe burimeve të tjera informale. Prandaj, ajo që parashikuam për efektet e krizës rezultoi e vërtetë, duke sjellë një ngadalësim të rritjes ekonomike, pavarësisht deklaratave propagandistike të qeverisë për një rritje të lartë.
Konkretisht, faktorët që u prekën nga kriza jepen si vijon:
1. Pas një rritjeje disavjeçare, u vërejt qartë rënia e depozitave dhe kreditimit. Gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008, periudhë kur ndikimi i krizës filloi të shfaqet edhe te ne, filloi rënia e depozitave bankare, të cilat nga 667.7 miliardë lekë në fund të shtatorit, ranë në çdo muaj duke arritur në 604 miliardë lekë në fund të muajit mars dhe pas ulje-ngritjesh mujore nuk kanë arritur megjithatë nivelin e tyre të para rënies, pavarësisht deklarimit entuziast të një muaji më parë të guvernatorit të BSH. Kjo rënie në depozita u shoqërua me tkurrjen e kredisë së saj. Për herë të parë, në muajin qershor të 2009-s, pas tkurrjes të kredisë u vu re rënia absolute e saj në nivelin e 6 miliardë lekëve më pak se një muaj më parë, duke arritur nivelin e mëparshëm vetëm në gusht. Në këto kushte kreditimi u bë më i rrallë dhe më i shtrenjtë duke sjellë rënie të ritmit të rritjes ekonomike, të zhvillimit të biznesit dhe për rrjedhojë dhe të të ardhurave buxhetore. Kjo u reflektua në rishikimin e buxhetit 2009 me uljen e të ardhurave 7,7 miliardë lekë duke ulur të ardhurat e planifikuara nga TVSH, akciza, të ardhurat doganore dhe tatim-fitimi, që janë reflektim i drejtpërdrejtë i rënies së aktivitetit ekonomik të biznesit si rezultat i efekteve të sipërpërmendura.
2. Gjatë 2009-s vërehet rënia e volumit tregtar. Ndërsa vjet në të njëjtën periudhë, megjithëse pati rënie të ritmeve të importit dhe eksportit, u rrit volumi i tregtisë së jashtme në nivelin e rreth 16%. Kjo ndikoi në rritjen e të ardhurave buxhetore të vitit 2008. Sivjet situata ka qenë shumë e zymtë ku si në eksporte dhe importe kemi rënie të tregtisë, e cila ka dhënë efekte në uljen e të ardhurave buxhetore. Kjo do të thotë se biznesi ka pakësuar dukshëm investimet dhe se aktiviteti ekonomik në përgjithësi ka rënë.
3. Me gjithë këshillën e FMN-së, opozitës dhe të BSH-së për uljen e shpenzimeve që në kushtet e mësipërme do të ruante lekun nga zhvlerësimi, qeveria shqiptare. Është nga të paktat vende që nuk e pranoi të bënte uljen e shpenzimeve, për shkak se vendi gjendej para zgjedhjeve. Shpenzimet buxhetore dhe deficiti buxhetor në vend që të mbaheshin në kontroll në një vit si 2009, i cili mbarte efektet e krizës që u shpjeguan më sipër, u rritën edhe më shumë se nivelet e 2008, një vit normal kur kriza në Shqipëri nuk kishte filluar të jepte asnjë efekt. Ato arritën në nivele historike në 2009, përkatësisht 34% të PPB dhe 6,3% të PPB. Kur në 2008 qenë përkatësisht 32% dhe 5,5%. Kurse në vlerë absolute deficitit buxhetor nga 60 miliardë në 2008 arriti në 74 miliardë lekë në vitin 2009. Kjo situatë ka sjellë rritjen galopante të borxhit publik dhe kostos së shërbimit të tij që për 2009 arriti 43,2 miliardë lekë shifër kjo tepër e lartë për ekonominë tonë. 4. Shpenzimet e tepërta elektorale të qeverisë këtë vit çuan në rritje të importeve dhe deficitit të llogarisë korrente e cila ka arritur nivelin më të lartë historik. Ndërsa më 2008-ën ai qe 14,9% të PPB, krahasuar me 10,4% të PPB duke tejkaluar edhe vitin 1997 kur vendi gjendej në anarki të plotë, sivjet ky deficit është thelluar më tej i ndikuar kryesisht nga ngadalësimi i remitancave dhe rënia e shpejtë e eksporteve për këtë vit. Ky tregues vë në dyshim stabilitetin makroekonomik të vendit. Deficiti i llogarisë korrente është shoqëruar me rënien e vlerës së monedhës vendase.
Pra, kur qeveria shpenzon me tepri lekë, këto lekë këmbehen në euro, gjë që rrit presionin mbi monedhën kombëtare. Në këto kushte, ilaçi i vetëm do ishte ulja e shpenzimeve buxhetore. Ndërkohë, ka ndodhur e kundërta. Në maj, për qëllime elektorale u rritën pagat dhe pensionet me 10 për qind, ndërkohë që të ardhurat e buxhetit të shtetit qenë rritur me vetëm 5 për qind. Diferenca solli zhvlerësim të lekut. Pra në maj, në vend të rritjes qeveria u dha pensionistëve dhe rrogëtarëve të shtetit para borxh, që ata po i paguajnë me zhvlerësimin e lekut. Në një ekonomi si ajo e Shqipërisë e orientuar nga importi, zhvlerësimi i monedhës shoqërohet me ulje të fuqisë blerëse të popullatës, si dhe vështirësi në rritje për shlyerjen e kredive në valutë, që ka çuar në rritjen e kredive të këqija në nivelin e 9,3%.
5. Për sa i përket punësimit, statistikat flasin për stanjacion të punësimit për vitin 2009. Në kushtet kur është rritur numri i kredive të këqija, borxhet e biznesit në tatimet, është e pritshme të kemi falimentim të firmave, prandaj për 2010 nuk ka asnjë mundësi për realizimin e premtimeve elektorale të LSI-së për 30 mijë dhe as të PD, 40 mijë vende të reja pune (ose respektivisht 120 dhe 160 mijë në katër vjet)

Guvernatori shqiptar "Mouttet dhe kryeredaktori shqiptar i ‘Les Colonies‘
Ngjashmëria e Kryeministrit shqiptar, Berisha, me guvernatorin francez, Moutet, është befasuese. Ndërsa guvernatori Moutet përdor forcën për të ndaluar njerëzit të largohen nga ishulli, "guvernatori" ynë detyron njerëzit të votojnë për të dhe pas manipulimit të zgjedhjeve të besojnë se "ishulli" i tij është duke lulëzuar. Ndërsa guvernatori Moutet dhe manipulon gazetën ‘Les Colonies‘, "guvernatori" ynë ka korruptuar segmente të rëndësishme të jetës mediatike e më tej, duke topitur kështu mendimin ekonomik ndaj zhvillimeve të vendit.

Simboli shqiptar i mësuesit të Martinikut
Nëse ekspertiza mbi një rrezik me pasoja tragjike si vullkani në Malin Pelee i lihet një mësuesi të shkollës së mesme, nuk ka pse "guvernatori" shqiptar t‘i besojë ekspertizës së Bankës së Shqipërisë. Dhe prandaj nuk çuditesh me faktin se sapo z.Fullani, foli dje nga Vjena shumë qartë si asnjëherë për krizën e likuiditetit, iu kujtua nëpërmjet medias se do të zëvendësohet nga Genc Ruli

Në vend të mbylljes
Në kuadrin e një vlerësimi sa më objektiv të ritmit të rritjes ekonomike, por dhe të zhvillimit ekonomik financiar në vendin tonë kam evidentuar vazhdimisht ecurinë e treguesve të tillë sinjifikativë siç janë depozitat dhe krediti bankar, të cilat çuditërisht "harrohen" nga analistët apo këshilltarët e qeverisë, si dhe efektet që vijnë nga kjo ecuri dhe rritja e frikshme e kredive të këqija.
Në disa shkrime kam ngritur nevojën e një reflektimi ndaj ecurisë të këtyre treguesve sinjifikativë për ekonominë tonë. Por cili është qëndrimi?!
Heshtja e mazhorancës dhe shpesh qëndrimi eklektik i Bankës së Shqipërisë

Sipas statistikave të BSH-së që zakonisht i boton në datën 15 të çdo muaji, (këtë radhë po vonohet dalja e tyre!!!) depozitat janë 26 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar, kur shtesa e tyre në dy vitet e fundit paraardhëse ka qenë në nivelin 90-100 miliardë lekë. Pra, niveli i tyre sot është 120-130 miliardë lekë më pak ose rreth 1 miliardë euro më pak që shërbejnë si burim për të kredituar ekonominë. Por pavarësisht nga këto të dhëna, qeveria pretendon në buxhetin e aprovuar me nxitim (ky buxhet meriton një tjetër shkrim)se ritmi i rritjes për vitin 2010 do të jetë 6.5%. Qëllimi është që të manipulohet përsëri me rritjen ekonomike, në mënyrë që deficiti buxhetor ndaj PPB të mos rezultojë i lartë.
Për të garantuar zhvillimin, unë do dëshiroja që ritmi real i rritjes ekonomike të jetë pse jo dhe më i lartë se 6.5%. Por me të dhënat mbi zhvillimet ekonomike të vendit tonë dhe me leximin real të tyre, më rezulton se kjo mbetet vetëm një dëshirë euforike, si ato të vitit famëkeq 1996 dhe pragun e 1997, apo me qëndrimin e shtetarëve të Martinikës në fillim shekullin e kaluar.
Problematika shqiptare më sjell në vëmendje një autor shumë të preferuar, Herbert Stein, 50 vjet këshilltar në Shtëpinë e Bardhë, i cili duke iu referuar çështjeve të buxhetit thotë:"… se është detyrë e qeverisë, pra vendimmarrësve të vendosë se cilat janë prioritetet e tij, por ekonomistët duhet të jenë në gjendje të tregojnë pasojat që vijnë prej vendimeve të tyre, sidomos kur ato nuk janë të qarta".
Prandaj lind nevoja që për vendimmarrje të debatueshme dhe me pasoja për të ardhmen e vendit të inkurajohet angazhimi i ekspertizës akademike, mediatike, të shoqërisë civile etj., për këto çështje si mekanizmi më i mirë për të parandaluar vullkanet e llojit të Martinikës.

3 Komente

Ekuivalentimi i krizes se pergjithshme qe po kalon Shqiperia me ate te krizes financiare, tkurrje te buxhetit te shtetit, renie te depozitave e indikatore te tjere makroekonomike personalisht me duket thjesht si 'hi syve' mbi cfare po ndodh vertete e me ben te kuptoj edhe nje here se jemi larg nje alternative potencialisht te zbatueshme... So sad!

Mire mi moter, mi esmeralda, po ta zeme se qenka vullkani gati me shperthy. Ti po na keshillon te ikim? Se sic po e thua dhe vete, vullkani per te plas ka, me kete apo me ate guvernator. Edhe ju po te ishit ne qeveri, po ate vullkan do qeverisnit...

 Shkrimi me pelqeu, kishte disa kritika me vend, veç ai krahasimi me vullkanin e ishullit te Martinikes ishte i diskutueshem. Ne fakt Berisha i ngjan atij ish guvernatorit te ishullit, por se pasojat e vullkanit tone financiar, sfumohen/zbuten nga dergesat e emigranteve dhe investimet e huaja. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).