Përmbytjet, situatë e rënduar në Shkodër, Durrës, Fier

SHKODËR: Reshjet e shiut të rëna në qarkun Shkodër kanë risjellë në vëmendje përmbytjen edhe të objekteve të kultit, siç është Xhamia e Plumbit. Besimtarë që kryejnë ritet fetare në këtë objekt, monument kulture, kanë akuzuar shtetin, institutin e monumenteve të kulturës, por dhe drejtuesit e strukturave të besimit islam në Shqipëri për indiferencën ndaj këtij objekti, i cili prej shumë vitesh mbushet me ujë sa herë ka reshje.

Thirrësi në Islam, Muhamet Sytari, shprehet se fajtorë për gjendjen ku ndodhet ky objekt me vlera të veçanta kulturore e fetare, janë pushteti vendor, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe drejtuesit e Komunitetit Mysliman. "Ashtu siç u japim votën, i duartrokasim dhe mbushim sallat kur na thërrasin, ashtu duhet të protestojmë kur monumentet tona fetare e kombëtare lihen në këtë gjendje. Për këtë situatë disavjeçare fajtorë janë bashkia Shkodër, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Myftinia Shkodër. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në Kabul, por nga ato që kam dëgjuar, rruga drejt këtij objekti me vlera kombëtare e monumentale i ngjan rrugës së Kabulit. Askush nuk ndërhyn. Ky është një problem që duhet t'i shqetësojë të gjithë, dhe jo të lihet në mëshirë të fatit. Ne duhet të revoltohemi për këtë",- thotë Sytari. Ndërsa një prej besimtarëve që jetojnë në zonën ku ndodhet objekti, Mit'hat Myftija, kujton se më 16 nëntor përkujtohet në këtë objekt 19-vjetori i rihapjes së xhamisë së parë në Shqipëri pas ndalimit të fesë nga diktatura. "Në vend që në këtë ditë ky objekt të dekorohet me zbukurime, po dekorohet me ujë",- thotë ai.

Lidhur me fatin e këtij objekti, drejtori i Monumenteve të Kulturës në Shkodër, Ervin Gjini, shprehet se ka një projekt për drenazhimin e tokës ku ndodhet ky monument kulture dhe evitimin e ujërave që e përmbytin atë, por nuk ka fonde për të ndërhyrë.

***

Reshjet e shiut kanë shkaktuar shembjen e çatisë së një banese në lagjen "Çulaj" të qytetit të Koplikut. Çatia e banesës së Xhemal Çulaj me 6 anëtarë, është shembur, muret janë çarë dhe uji ka depërtuar në çdo dhomë të shtëpisë. Shembja e çatisë nuk ka shkaktuar viktima, pasi familjarët kanë mundur të dalin me shpejtësi jashtë. Dëmet e shkaktuara në këtë shtëpi janë të konsiderueshme dhe aktualisht ajo është e pabanueshme. Kryefamiljarja Feride Çulaj kërkon ndihmën e pushtetit vendor, pasi shtëpia e saj është jashtë çdo funksioni dhe ata nuk kanë mundësi ekonomike për ta riparuar dhe as për të jetuar në një tjetër banesë.
Tre ditë më parë, si pasojë e reshjeve atmosferike dhe shkarkesave elektrike, një rrufe ka shkaktuar djegien e banesës së shtetasit Qamil Selaj po në qytetin e Koplikut, duke lënë pa strehë 8 pjesëtarë të kësaj familjeje.
Reshjet e shiut të shoqëruara dhe me erë të fortë kanë rrëzuar një depozitë uji të vendosur në tarracën e një prej pallateve 5-katëshe në qendër të qytetit të Koplikut. Depozita e ujit, një prej të shumtave që përdorin banorët e këtij qyteti, i cili e ka mjaft problem furnizimin me ujë të pijshëm, nuk ka shkaktuar dëme tek kalimtarët në momentin e rënies.
Dëmet në rrethin e Malësisë së Madhe i shtohen atyre të përmbytjes së tokave bujqësore në rrethin e Shkodrës, si pasojë e situatës së rënduar me reshje të shumta shiu të shoqëruara me furtunë. Mbi 10 hektarë tokë bujqësore që përfshijnë tre komuna të zonës së Nënshkodrës janë përmbytur totalisht, ku shkak është mosfunksionimi i kanaleve kulluese.

***
Tokat bujqësore të fshatrave të komunave Dajç, Velipojë dhe Berdice janë totalisht nën ujë. Mungesa e punëve në sistemimin e kanaleve kulluesve, vënia në funksion të plotë e hidrovorëve dhe pompave kulluese kanë qenë shkaktarët e kësaj situate. Sipas drejtorit të bordit të kullimit në Shkodër, Muhamet Muça, "problemet vijnë nga derdhjet e lumenjve e përrenjve dhe duhet të lutemi (Zotit) që të pushojë shiu dhe besoj se ai do të pushojë patjetër".

********************
Durrës, me dyer hapura për të tharë ujin

Vazhdon situata emergjente në Qarkun e Durrësit. Rrjedhja e ujërave nga përrenjtë që vijnë nga zonat malore të vendit ka vazhduar duke fryrë nivelin e ujërave në zonat e ultësirës në rajonin e Fushë-Krujës. Një pjesë e mirë e dëmeve natyrore është deklaruar se do të rimbursohet nga pushteti qendror dhe ai vendor. Këtë deklaratë e ka dhënë prefekti Genc Alizoti pas konstatimit që ka bërë mbi normalizimin e pjesshëm të gjendjes.
Por situata vazhdon të jetë dramatike për shumë shtëpi të Spitallës, Porto-Romanos, Shkozetit dhe ish-Kënetës, ku megjithëse niveli i ujit ka rënë, familjet kanë frikë të ndezin dritat nga lagështira që kanë marrë muret dhe instalimet elektrike. Shtëpi të përmbytura, mijëra lavatriçe, televizorë, radio, frigoriferë etj pajisje elektro-shtëpiake të dala jashtë përdorimit, dhjetëra automjete, si dhe një numër i konsiderueshëm minimarketesh, njësish tregtare, madje edhe farmacish kanë pësuar dëme të pariparueshme të artikujve të tyre.
Lidhur me zonën periferike të qarkut janë konstatuar dëme të rënda si në bujqësi, ashtu edhe në blegtori. Prefekti Alizoti ka deklaruar se shumë zona janë ende nën ujë dhe se për këtë situata po monitorohet me kujdes. Ai ka shtuar se stacionet e pompimit në qark, ai i Porto-Romanos dhe i Hamallajt, janë duke punuar me kapacitet maksimal. Por megjithatë, shumë familje ndihen të braktisura në fatin e tyre. Vetëm në zonën e Porto Romanos me dhjetëra familje që u janë përmbytur banesat nga rrebeshi i madh, kanë braktisur shtëpitë që janë bërë thuajse të pabanueshme dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Në këtë vend pamjet janë dramatike. I gjithë segmenti prej 7 km në rikonstruksion e sipër, është përmbytur në të gjithë gjatësinë. Dyert e shtëpive të banimit përgjatë rrugëve janë të hapura për tharje, por koha është e vranët dhe nuk u premton shumë.
Shumë kryefamiljarë të cilët kanë mbetur në mëshirë të fatit janë ankuar dje në prefekturë dhe në bashki. Nga shtëpitë e tyre nuk ka mbetur asgjë. Ata i bëjnë apel bashkisë dhe qeverisë të verifikojë situatën e tyre. Sipas banorëve, janë mbi 50 familje të cilat kanë pësuar dëmtime të pariparueshme. Muharrem Poli, një prej banorëve, tregon për minutat që pasuan pas mesnate. "Një tub që shërben për mbledhjen e ujërave, mbi të cilin gjendet një shtresë betoni, shpërtheu para oborrit të shtëpisë. Fuqia e ujit ishte shumë e madhe dhe brenda pak sekondash uji kish arritur 1,5 metra lartësi në shtëpi, ndërsa ne u ngjitëm në tarracë. Menduam se kish ardhur deti dhe shpresonim që të dilnim gjallë nga e gjithë kjo. Tre fëmijët dhe gjyshja e tyre qanin të lebetitur. E gdhimë natën nën shi, mbi shtëpi. s'kishim ku të shkonim. Në terrin e natës vetëm ujë na zinin sytë. Por jemi të gjithë gjallë. Vetëm në mëngjes pamë se kishte shpërthyer kanali i ujërave dhe na kish bërë gjëmën".
Gjendja e rënduar shikohet edhe në Shkozet. Këtu përveç banorëve që u ka hyrë uji në banesë, janë rënduar edhe shkollat në të cilat nuk vijon normalisht mësimi. Kjo gjendje është edhe në shkollën profesionale "Hysen Çela", e cila ndodhet në lagjen 18 të Durrësit. Një pjesë e mirë e mjediseve të mësimdhënies kanë dalë jashtë funksionit. Nga katet e sipërme të kësaj shkolle ka hyrë ujë, duke krijuar përmbytje në klasa dhe lagështirë, ndërsa ujërat rrjedhin edhe në katet e poshtme. Ndonëse prej kohësh ekziston një fond i vënë në dispozicion nga Bashkia e Durrësit për investime riparuese në këtë shkollë, deri më tani ai nuk është zbatuar. Stafi mësimdhënës i shkollës "Hysen Çela" i bën thirrje Bashkisë së qytetit për të ndërhyrë sa më parë me investimet e premtuara, pasi shirat e kanë shpënë situatën ku nuk pritet më. Përveç kësaj shkolle të mesme, gjendje e rëndë është paraqitur nga situata e reshjeve të pandërprera edhe në shkollat e tjera të Shkozetit, si tek "Olsi Lasku", në ish-Kënetë dhe Porto-Romano. M.Brunga

***********************
Fier, prefekti: E kemi situatën në dorë

Reshjet e ditëve e fundit kanë bërë që lumi Seman dhe ai Vjosës të kalojnë lartësinë e lejuar, ndërkohë që disa fusha bujqësore janë përmbytur dhe disa kanale kulluese rrezikojnë të dalin nga shtrati. Kjo ka ndodhur në lagjen "Afrim", një lagje periferike e Fierit. Kanalet kullues që kalojnë pranë shtëpive janë të bllokuara, duke bërë që ujërat të depërtojnë në oborret e banesave. Në kushtet e krijuara edhe tokat e mbjella në shumë vende janë përmbytur duke zhdukur bimësinë nën ujëra. "Kasollet janë të përmbytura nga reshjet e shiut, - shprehen banorët. - Në mëngjes kemi parë se shumë haje për bagëtitë janë dëmtuar". Ata shprehen se për çdo vit kjo situatë përsëritet sa herë që bie shi. Megjithë premtimet, sipas tyre, asgjë nuk është bërë. Ndryshe ka ndodhur në fushat bujqësore në komunat Topojë e Ndërmënas. Investimi në lumin e Roskovecit ka bërë të mundur që të gjitha ujërat e shirave që vijnë nga fushat, të derdhen në këtë kanal duke bërë të mundur kullimin e tokave bujqësore. Prefekti i Fierit, Bujar Hasa, lidhur me këtë situatë u shpreh se nuk ka pasur ndonjë problem shqetësues. "Situatën e kemi në dorë dhe kemi marrë masa si në lumin Vjosë, ashtu dhe me hidrovoret për të mos u përsëritur rastet si ato të vitit të kaluar, ku ka pasur përmbytje që kanë shkaktuar dëme të mëdha. K.Th.

7 Komente

Besimtarë që kryejnë ritet fetare në këtë objekt, monument kulture, kanë akuzuar shtetin, institutin e monumenteve të kulturës, por dhe drejtuesit e strukturave të besimit islam në Shqipëri për indiferencën ndaj këtij objekti, i cili prej shumë vitesh mbushet me ujë sa herë ka reshje.

Më duket se duhet t'i çojnë akuzat ca më lart. Ç'punë ka shteti me mirëmbajtjen e kishave e xhamive?

po t' shkosh ke xhamia e plumbit ne person dhe ti py'sesh robt qe falen aty, kur bi ene kur s'bi shi, ta shpjegojn ato vete se ca lidhje ka shteti me ket rast konkret. kurse ktu n blog ka shum shonce qe s'ke per ta more vesh pervec qe do hapet no'i debat shum i shemtut per i ceshtje shuum sensitive.

edhe venecia eshte e permbytur tash sa vjet, por familja mafioze dhe berisha se cajne koken fare

 Elton djali, 

BEU ka len lesht duke dhene grante ne keto vitet e fundit per mirmbajtjen e kanaleve kulluese. Qe thu ti, osht nje deputet i PD qe i ka pas qef for keto soj grantesh dhe ka dal garant personalisht per soj-menaxhimin e tyre nga Fush Kruja e lart.

 

 

Mire e ke.Po kushte ai Prec Zogaj qe thonte se i kishte rregulluar kanalet kulluese ne Lezhe????

Kjo gazeta Shekulli qe ka shkruar me kaq hollesi per kete permbytje dhe i qan hallin shume njerzve (kur ne perendim paguajne shoqerite e sigurimeve demet e jo shteti,sepse eshte kulture sigurimi prones),a e mban mend njeri te kete shkruar ne kete menyre ne te gjitha rastet kur eshte permbytur Tirana Edit ?

A mbajti pergjegjesi Edi per autoveturat qe u mbuluan nga uji,per dyqanet qe ju prish malli,per orendite e shtepive qe u mbyten??????????

 

 O prestigjo,

Po ik e pi nai caj a burr i dheut.. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).