Patrioti ballkanik

Ky patriot ka dy fytyra: një për përdorim të brendshëm, privat dhe një për përdorim të jashtëm, publik. Nëse punon në administratë, shumë herë pas tij qëndron ndonjë politikan dhe është e mundur se është punësuar ose duke paguar ose me intervenime. Tregu ballkanik është i hapur dhe mund të blihet çdo gjë: që nga fletëlindja, diploma e fakultetit, deri te doktoratura apo pozita. Nëse patrioti ballkanik është kryetar komune, me të do të ketë probleme qyteti. Nëse bëhet ministër, Kryeministër apo kryetar shteti, atëherë kokëçarje mund të ketë kombi dhe fqinjët. Njeriu me veti tipike ballkanike profilohet lehtë. I moralshmi, idealisti, i sinqerti e ka vështirë apo të pamundur depërtimin dhe karrierën politike.

Kur ballkanasi i vërtetë futet mirë në politikë, nuk e nxjerr as dreqi jashtë. Ai fiton edhe kur humb. Ai e deklaron veten fitues pa përfunduar numërimi i votave, sepse ai qysh në fillim të fushatës e di përqindjen e fitores. Nëse nuk rivotohet është e mundur të mbetet i papunë, prandaj mandatin e shfrytëzon të përforcojë rrethin e vet ose të pasurohet: zakonisht i pasuron fëmijët. Nëse humb është e mundur të shkaktojë një dramë nacionale. Patrioti ballkanik në teori dhe me fjalë të mëdha adhuron kombin, praktikisht pasuron veten dhe varfëron ekonominë kombëtare.

Nëse është afarist, ballkanasi tipik grumbullon aq shumë pasuri për 1-3 vite, sa një afarist gjerman për pesë breza. Politikanët me pozita, mjekët dhe gjyqtarët në Ballkan janë më të pasur se kolegët e tyre në Perëndim.

Patriotët ballkanikë kanë rrjetin e tyre si merimanga dhe po të preket njëri prej tyre, mund të dridhet krejt rrjeti dhe alarmohen kolektivisht, prandaj këta janë të paprekshëm, sepse edhe ai që duhet të vendosë për drejtësi, të zbatojë ligjin, edhe ai dridhet nga një arrestim dhe tronditje periferike. Telefonatat dhe trysnia nuk pushojnë.

Si kundërshtar i patriotit ballkanik mbetet media e lirë, e pa korruptuar dhe ata që nuk varen drejtpërdrejt nga rrogat e tyre, si dhe politikani i sinqertë, që nuk ecën para nga pengesat që krijon rrjeti me imazh dhe qëndrim gati mafioz.

Vetëm në Ballkan "popi" stërpik tanket me ujë të shenjtë për të vrarë sa më shumë njerëz. Vetëm në Ballkan imami përgatitet për t‘i vrarë shpëtimtarët e vet! Vetëm në Ballkan kryetari i ushtrisë kriminale ka fytyrë të kërkojë nga viktima: "Na kërkoni ndjesë edhe ju, ekzistenca juaj na nervozoi, prandaj ju masakruam!" Vetëm ballkanasi i ngriti përmendore deri në neveri politikanit të gjallë. Vetëm në Ballkan mund t‘i humbësh luftërat njërën pas tjetrës dhe prapë të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan është e mundur ta tolerosh shitjen e naftës armikut, ta shkatërrosh shtetin deri në themel dhe përsëri të zgjidhesh. Vetëm në Ballkan mund ta shesësh edhe detin prapa shpinës së popullit pa u dhënë llogari votuesve. Në Ballkan mund të jesh edhe kontrabandist i cigareve dhe përsëri të bëhesh kryetar shteti! Në Ballkan politikani me pozitë të lartë bëhet më i pasur se kolegu i tij në Perëndim. Në Ballkan diskriminimi i pakicave konsiderohet barazi!

Patriotin ballkanik nuk e gëzon suksesi i fqinjit, kjo e dëshpëron. E quan negative dhe të padrejtë! Ai mendon se ballkanasit janë të njëjtë dhe nuk duhet asnjëri të shquhet dhe të punojë më shumë se tjetri. Ai nuk do të mësojë nga suksesi i fqinjit, por e përfol atë.

Patrioti ballkanik e njeh aq mirë historinë e kombit të vet, sa edhe të fqinjit. Ai ka urrejtjen si vlerë, krenarinë dhe kokëfortësinë e tepruar si tipar dhe përbuzjen e kombit, që ka afër si moto të jetës. Çdo akademi ballkanike i prezanton kombit të vet një version të veçantë të historisë së vet dhe të fqinjit.

Në Ballkan urrejtja e së paku një kombi fqinj është traditë dhe detyrë patriotike. Patrioti ballkanik nuk lufton krimin e vet pa e detyruar nga jashtë. Sa herë arrestohet një kriminel, kombi nga vjen krimineli nuk gëzohet që është një më pak në qarkullim, por apriori e konsideron kriminelin e vet të pafajshëm; e përjeton si luftë kundër kombit të vet dhe, në anën tjetër, edhe nga gjykata ku duhet gjykuar krimineli nuk mund të pritet trajtim objektiv, sepse është gjykatë ballkanike dhe anëtar i një rrjeti tjetër. Edhe ai nuk vepron sipas ligjit, por sipas paragjykimeve dhe obligimit tjetër patriotik. Sipas urdhrave të rrjetit të vet.

Gjyqtari ballkanik me fytyrë private dhe publike ka për detyrë ta shpallë fajtor, edhe nëse nuk është. Nëse i burgosuri është i pasur, në Ballkan del jashtë, edhe me faj, nëse është i varfër, qelbet në burg, edhe pa faj!

Ballkanasit e kanë kuzhinën gati të njëjtë, gjuhë gati të ndryshme apo të ndryshme, fetë gati të ndryshme dhe të ndryshme dhe paragjykimet e njëjta dhe reciproke, deri në theqafje. Kryesisht paragjykimet. Nëse një ligj është i papranueshëm apo i pazbatueshëm për Ankaranë, kjo përthyhet edhe në Sofje, Bukuresht, Zagreb, Beograd, Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Athinë dhe Tiranë. Kokëfortësia, këmbëngulja, mashtrimi, dyfytyrësia, keqpërdorimi, bakshish mentaliteti dhe mosndryshimi janë ide drejtuese dhe parim burrnie për patriotin ballkanik!

Ballkanasi që dëshiron pajtimin me fqinjin, nga patrioti ballkanik në kombin e vet konsiderohet tradhtar, nga kombi me të cilin dëshirohet pajtimi, njeri i sinqertë, i mirë! Në Ballkan viktima dhe krimineli peshojnë njëlloj. Çdonjëri është viktimë, çdonjëri është kriminel, varet se nga cila kodër dhe në ç‘drejtim ballkanik dëshiron të hidhet vështrimi. Vetëm në Ballkan krimi mbetet pa autor!

Ballkanasit tipik, nëse i heq urrejtjen, mbetet lakuriq dhe i pamotivuar, bie në depresion dhe letargji. E ndien veten të topitur. Ai nuk prodhon asgjë me vlerë, me të cilën mund të krenohet. I mungon revolucioni industrial, revolucioni kulturor, revolucioni seksual; të gjitha rrymat e reja të artit dhe kulturës i kopjoi dhe kërcyen nga feudalizmi osman nëpër monarki, kur zhbëheshin monarkitë në Europë. Nga rendi i parafundit shumica kërcyen në diktaturë komuniste nga dolën me plot trauma dhe u detyruan të përplasen në demokraci, kur panë se mbetën me gishta në gojë. Në një demokraci patologjike! Dhe tani kemi situata tragjikomike, ku kryetari i Partisë Demokratike mund të jetë komunist i djeshëm, ndërkaq, kryetari i Partisë Socialiste të jetë demokrat i vërtetë, i sotshëm! Patrioti ballkanik është i vetëdijshëm se i mungon çdo gjë që shërben për të ndërtuar një imazh pozitiv sot, një krenari pozitive për veten, prandaj mburret me të djeshmen, me histori, me personalitete historike dhe ata i rregullon, i kreh dhe i përshtat kohës. Madje festojnë edhe humbjet! Nëse i mungojnë personalitetet e veta, patrioti ballkanik pa kokërr turpi ia merr fqinjit dhe e konsideron të vetin.

Në vend se ta mësojë historinë, e jeton për ditë atë dhe historia është e tashmja e tij. E tashmja reale është boshe, me plot brenga ekzistenciale dhe kështu, në vend se të shikojë para, kthen kokën pas dhe, natyrisht rrëzohet. Patrioti ballkanik jeton në të kaluarën duke injoruar të tashmen dhe duke humbur ardhmërinë. Ai me mish e shpirt përpiqet ta paraqesë të kaluarën si të madhërishme, në vend se të punojë dhe ta ndreqë të sotmen.

Krenaria dhe mburrja ekstreme, rrena, mungesa e kompromisit janë karakteristikat e tij. Kompromisin e konsideron dorëzim, frikë dhe humbje; patrioti ballkanik qetësohet vetëm nëse fuqitë e mëdha e detyrojnë ose e nënshtrojnë. Në shikim të parë duket se janë të ndryshëm, por në mendësi janë aq shumë të ngjashëm, sa edhe sasia e urrejtjes, paragjykimeve dhe mosdurimit është e barabartë, e njëjtë, reciproke, madje edhe sasia e groshës që konsumojnë është e barabartë! Edhe e qofteve.

Patrioti ballkanik nuk është kompetent vetëm për historinë e vet: shqiptari është ekspert për historinë e grekëve dhe sllavëve të jugut. Grekët janë profesionalistë për historinë helene, shqiptare, maqedonase dhe turke. Maqedonasit janë dijetarë të historisë maqedonase, të historisë greke dhe me specializim të posaçëm në historinë shqiptare dhe helene. Serbët janë doktorë të historisë serbe, profesorë të historisë shqiptare, maqedonase dhe kroate e boshnjake. Boshnjaket janë specialistë të historisë serbe e kroate. Kroatët janë shkencëtarë të historisë serbe, boshnjake dhe asnjëri nga kombet e lartpërmendura nuk ka aq banorë sa ka Londra me rrethina. Madje, disa shtete kanë aq banorë sa ka një qytet në Perëndim. Italia shpëtoi nga ballkanizmi falë detit Adriatik.

Patrioti ballkanik, guximin dhe trimërinë i konsideron si veti burrërore dhe është në gjendje të ngrihet kundër botës. Ai mendon se vetëm kombi i tij është i fortë! Ai mendon se kombi i tij në seks është më i forti në botë. Kjo i nevojitet për ta theksuar virilitetin primitiv dhe për të rritur vetëbesimin. Gratë e tyre janë shumë të dëshpëruara dhe të zhgënjyera!

Shikuar nga Perëndimi, Ballkani duket si një fëmijë trazovaç, hiperaktiv, që nuk lë dy gurë bashkë dhe vuan nga komplekse vogëlsie dhe vazhdimisht përpiqet të shquhet: ai dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Nëse nuk mundet me të mirë, atëherë provon me qarje të bëhet i imponueshëm, nëse nuk dëgjohet, atëherë mbush xhepat me gurë dhe gjuan fqinjët! Në Ballkan ambasadorët e shteteve të huaja nuk janë ambasadorë, por organe qortuese dhe këshilluese! Shpesh i kapin edhe për veshi kryeministrat tanë ballkanikë.

Si fitohet simpatia e ballkanasit? Thuaj patriotit ballkanik me origjinë shqiptare: ti je pellazg, ilir dhe kombi shqiptar është po aq i vjetër sa edhe dheu i Ballkanit, se pranove krishterimin para romakeve, se je trim i pashoq. Se një numër i madh i perandorëve romakë ishin ilirë, se ndonjë papë ishte ilir. Thuaj se dje ishe qendër e botës, ai të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Thuaj patriotit ballkanik me origjinë greke: gjithë personalitetet e kohës së lashtë janë grekë, pa Greqinë, Europa akoma do të hante me grushte, dje ishe prodhues i civilizimit dhe të tjerët ose nuk ishin këtu ose ishin barbarë. Thuaj se Maqedonia të ka marrë troje, thuaj se Shqipëria të ka marrë troje, atëherë greku me profesion patriotizmin ballkanik, të përqafon. Thuaj Leka i madh ishte grek, edhe pse nuk fliste greqisht! Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan, atëherë të beson. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patriotit ballkanik me origjinë serbe: ti je vendi më i fuqishëm në Ballkan, je superfuqi, je komb hyjnor, fqinjët të kanë pushtuar territoret me ndihmën e huaj, Serbi është aty ku ka një varr serb, edhe nëse ka vdekur nga tuberkulozi. Je qendër e botës dhe e krishterimit, thuaj se dje ishe kombi më i ditur në Ballkan dhe se mbreti yt dinte të shkruante, kur mbretërit e Perëndimit nënshkruanin me gisht. Thuaj se je vendi më i rëndësishëm në Ballkan, në botë dhe viktima më e madhe, ai të përqafon! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Maqedonasit thuaj se je viktimë e fqinjëve, se Leka i madh ishte maqedonas si ti; thuaj se grekët, shqiptarët, bullgarët, serbët po ta vjedhin historinë, thuaj se dje ishe i famshëm, atëherë të përqafon. Thuaj se je viktima më e madhe në Ballkan, menjëherë të beson! Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patrioti ballkanik me origjinë turke: thuaj ti ke moral dhe të tjerët janë të degjeneruar. Thuaj se Perandoria Osmane ishte emancipuese dhe Amerika e djeshme. Thuaj se ju jeni shembullorë dhe trima, se keni fenë më të mirë në botë. Ai të përqafon. Thuaj se ti ishe, ai të beson se ishte! Nëse e pyet kush je sot, atëherë të tregon kush ishte dje!

Patrioti ballkanik i vërtetë me veti të theksuara ballkanike është aziatik në mendësi edhe njëqind vjet pa çlirimit. Ai është çliruar fizikisht, por jo në mendësi. Patriotizmin e vet e dëshmon me peshën dhe sasinë e urrejtjes ndaj fqinjit të vet. Ai edhe kur bën marrëveshje me fqinjin, e bën sa për sy e faqe ose i detyruar nga Perëndimi, mirëpo pret një çast ideal për ta prishur atë marrëveshje.

Ata jetuan pesëqind vite nën një kulm, ruajnë me xhelozi një mendësi joeuropiane dhe, edhe pse kanë fe të ndryshme, ngjashmëritë janë trishtuese. Ballkanasi krijon nga politikani i gjallë idhull, edhe pse ai politikan nuk është në gjendje të krijojë as njëqind vende të punës! Nëse janë pak të këndellur dhe nuk kapardisen me personalitete historike, këtë vakum e plotësojnë me politikanin e gjallë dhe për të flasin si për Zotin. Ballkanasit kanë edhe një ngjashmëri të tmerrshme: miqtë i kanë sa më larg vetes, armiqtë sa më afër.

Patriotit ballkanik i nevojitet së paku një pakicë kombëtare. Kjo i nevojitet për ta shtypur dhe për ta rritur vlerën e kombit të vet. Për të pasur mundësi krahasimi e kapardisje. Nëse nuk shtyp dhe nuk cenon, atëherë i mungon diçka për ta përforcuar patriotizmin provincial dhe lokal. Një pakicë, së paku një, i nevojitet për ta kultivuar sedrën e vet. "E kemi shtypur pakicën aq mirë, varfëruar aq shumë, sa ne dallohemi prej tyre dhe dukemi si aristokratë!"

Këta patriotë ballkanikë, me këto tipare të njëjta mund të internohen në një ishull dhe pas dhjetë minutave e kuptojnë aq mirë njëri-tjetrin, sa do të ulen të hanë së bashku: groshë, byrek, qofte e do të pinë kafe turke dhe do t‘ia hedhin fajin botës.

Nëse këta patriotë ballkanikë futen në një thes së bashku dhe hidhen në det, atëherë Ballkani shndërrohet në Europë. Nëse vërtet këta hidhen në det, atëherë do bëjnë çdo gjë që është e mundur ta shpëtojnë njëri-tjetrin, jo nga dashuria, por për të pasur edhe një motiv mburrjeje: "Unë ia shpëtova jetën!"

Popujt e këtyre patriotëve ballkanikë në gara të Eurovizionit votojnë për njëri-tjetrin dhe këtu shihet një xixë shprese se këta një ditë do të ulen vërtet së bashku për t‘u bërë subjekt të ardhmërisë e jo për ta zbukuruar të kaluarën apo për ta shkruar historinë e njëri-tjetrit!

Çfarë pret patrioti ballkanik? Shqiptari shpreson ta zbulojë një armë të madhe dhe ta çlirojë atdheun deri në mes të Serbisë, diku deri në mes të Greqisë, një pjesë të Malit të Zi, Iliridën dhe Kosovën lindore. Patrioti grek shpreson të arrijë deri në Durrës, në Stamboll, një pjesë të Maqedonisë dhe një pjesë e Italisë jugore nuk do të ishte keq.

Maqedonasi do t‘i nervozojë të gjithë: ai pret ta çlirojë një pjesë të Bullgarisë dhe Greqisë, një copë Shqipërie dhe Serbie edhe pak Kosovë. Serbi pret ta zbulojë armën e madhe ose ta kuptojë bota këtë viktimë permanente dhe ta çlirojë Kosovën, ta çlirojë Maqedoninë, ta çlirojë gati tërë Bosnjën, pjesë të Kroacisë dhe Malin e Zi dhe të arrijë në Durrës për t‘u takuar me Greqinë. Kroacia do ta çlironte Bosnjën, një pjesë të Vojvodinës dhe ndonjë copë të Sllovenisë dhe Malit të Zi. Mali i Zi do ta kishte çliruar një pjesë të Kosovës, të Shqipërisë dhe pak Kroaci do ishte e pëlqyeshme. Bullgaria do ta çlironte Maqedoninë, pak Serbi dhe pak Turqi. Bosnja do ta çlironte Sanxhakun dhe një pjesë të Malit të Zi.

Patrioti ballkanik me origjinë turke ëndërron nëpërmjet BE-së të kthehet aty ku ishte pesë shekuj dhe të çlirojë: Bullgarinë, Greqinë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Kroacinë, Serbinë, Bosnjën dhe Rumaninë. Edhe Vjenën. Ky patriot ballkanik ka dëshirë të flakët ta çlirojë edhe Spanjën. Edhe Romën.

Sigurisht edhe indianët e Amerikës kanë plane të tilla për ta çliruar atdheun e tyre nga SHBA-ja.

E vërteta: patrioti ballkanik nuk mund të çlirojë asgjë pa ndihmë nga jashtë, as bythën e vet, në vend se të ndërtojë marrëdhënie me fqinjin ku ka popull të vet, ta shfrytëzojë si urë ndërtuese në dobi të kombit të mbetur jashtë kufirit, ai manipulon pakicën e vet jashtë territorit të tij dhe përpiqet t‘i rrisë tensionet me shumicën ku jetojnë bashkëkombësit, natyrisht duke dëmtuar pakicën e vet, por me një qëllim madhor: ta destabilizojë fqinjin. Ky është patrioti ballkanik me banim në Ballkan. Me dy fytyra: një për përdorim privat dhe të brendshëm, tjetrën për bashkëbisedime me politikanët perëndimorë.

Ekonomia e vendeve ballkanike: Greqia shet në Perëndim ullinj, vaj ulliri, verë dhe gjethe rrushi të mbushura. Shqipëria romane të Kadaresë. Bullgaria shet djathë të deleve. Rumania histori të kontit të Transilvanisë. Maqedonia verë të lirë. Kosova verë të lirë dhe nëpër shitore turke suxhuk Kosove që prodhohet në Gjermani. Serbia shet havjar (specat të bluar e të fërguar). Bosnja nëpër shitore turke shet "bosanski suxhuk". Kroacia shet vegetë dhe verë. Turqia shet speca, domate, fara të kungullit, të lulediellit dhe byrek... Kjo është industria dixhitale e vendeve ballanike dhe burim i krenarisë ekstreme!

Natyrisht se shqiptari si popull vendas u dogj në këtë çorbë të shkrumbuar ballkanike, por me fajin e vet. Na pushtoi Roma dhe gati u romanizuam, na pushtoi turku dhe gati u bëmë turq, erdhi komunizmi dhe gati u bëmë rusë! Kur nuk u lidhëm për një kunj dhe si pasojë, kërcimet i paguam me troje. Sot kemi një mik të madh, por edhe këtë duam ta vrasim! Njeriu që ndryshon miqtë çdo ditë, nuk ka miq të vërtetë. Popujt që ndryshojnë aq shpesh aleatët, nuk kanë ardhmëri! Vetëm integrimi në BE mund ta ftohë këtë çorbë të prishur ballkanike...

7 Komente

Njeriu që ndryshon miqtë çdo ditë, nuk ka miq të vërtetë. Popujt që ndryshojnë aq shpesh aleatët, nuk kanë ardhmëri!

Antiamerikan!

 

Popujt që ndryshojnë aq shpesh aleatët, nuk kanë ardhmëri!

Alencat e popujve jane pjese e politikes.

Kjo eshte njesoj si ti kerkosh K...rves te shkoj vetem e nje partner. Pak e veshtire se atehere nuk do te quhej k...rve dhe politika nuk dote quhej politike.

Problemi jone qendron se ne kurre nuk kemi zgjedhur partnere/aleate Ne na kane zgjedhur/imponuar aleanca . Ne k...rveri keto quhen k....rva te keqia dhe ato jane gjithmon qe humbasin dhe vuajne. 

Kuptohet eshte me lehte te te zgjedhin se sa te zgjedhesh. Prandaj ne gjithmon kenaqemi me poziten e te zgjedhurit dhe jo te zgjedhesit. Dhe gjithon vuajme dhe humbasim

 Mos u nxitoni djema ne gjykim, une e lexova me vemendje dhe jo vetem qe me pelqeu por thashe, ky i ka rene pikes. Per mua duket qe qenka autor i madh, jo vetem nga te vertetat qe qendrojne aty, te pakten 90% te rasteve, por dhe nga ndertimi i fjalive.  Nese tek nje autor tjeter, gjate gjith shkrimit, veme re/zbulojme 2-3-4 ese, tek ky shkrim ishte çdo rresht nje ese.

 

"....Patrioti ballkanik jeton në të kaluarën duke injoruar të tashmen dhe duke humbur ardhmërinë. Ai me mish e shpirt përpiqet ta paraqesë të kaluarën si të madhërishme, në vend se të punojë dhe ta ndreqë të sotmen..."

Kjo ese me pelqeu dhe mu duk me aktuale se kurre.  

Pa me thuaj nje rast nga Shqiperia qe nje qeveritar i yni perpiqet me mish e me shpirt te paraqese te kaluaren si te madherishme dhe qe per kete shkak harroka te ndreqe te tashmen??? Vetem nje shembull, dhe jemi ne rregull. Nese ti nuk gjen dot asnje shembull nga Shqiperia, atehere cfare dmth kjo? Shqiperia nuk eshte ne Ballkan? Apo autori eshte aq idjot, saqe poshteron edhe Shqiperine e shqiptaret qe te godase ne shenjester serbet apo felliqodonasit. Mos thuaj "patrioti ballkanik" kur ne Ballkan ke dhe shqiptaret qe nuk kane te bejne fare, po fare fare fare ama me kete palo ese`. Mos i perfshi dhe shqiptaret ne kafsherite e "patriotizmave" kriminele dhe barbare te fqinjeve tane... Do te besh autokritike per shqiptaret, kemi edhe ne ane te keqia sa te duash; dhe te tashmen nuk po e rregullojme per shkak se qenkemi shume te impenjuar me mish e me shpirt per t'i bere reklame te kaluares sone te lavdishme; perkundrazi, ne, ne dallim nga te gjithe fqinjet tane, kemi vendosur te harrojme cdo gje te se kaluares sone; duke filluar me arkeologjine dhe historine antike, ne historine e mesjetes duke mohuar dhe "cmitizuar" apo "demitizuar" (si kane qejf disa te shkolluar ne Shqiperi) edhe heronjte tane kombetare, ata me te cilet kemi lidhur dhe identitetin kombetar; e deri te e kaluara e afert, e djeshmja apo e pardjeshmja.

Une nuk e marr vesh o Pjero se ku e sheh ti aktualitetin ketu!!!

E c'mund te presesh nga nje shoqeri qe ka ne krye nje klase  pseudo-intelektualesh qe ka per imazh serioz te intelektit njerez te semure mendor, qe perqendrojne te gjith forcen e llogjikes kunder vendit dhe popullit te tyre. Keta pseudo-analist e pseudo-intelektual, biles shume prej tyre edhe pseudo-njerez kurre nuk japin zgjidhje per problemet aktuale te vendit dhe te shoqerise, kurre nuk flasin per rruget drejt zgjidhjeve te mundshme per nje ardhme me te mire. Kane kaq kohe qe sulmojne vetem te kaluaren, ne fakt vetem aspektet pozitive te te kaluares nga ku shoqeria jone vetem mund te gjeje frymezim dhe force per te kapercyer kete diktature te llumit. I keni degjuar ndonjehere te sulmojne aspektet negative te te kaluares dhe te sotmes ? Jo, merren eskluzivisht me shkaterrimin e memories kolektive te popullit, dhe me rrenimin shpirteror te tij. Ne krye te kesaj fushate idioteske, jan njerez si Lubonja etj. Nuk e kuptoj se c'sherbim i behet ketij populli ( lere me atdheut, apo ndjenjes kombetare) duke sulmuar vetem figurat historike, kulturen, dhe traditat me te mira, dhe duke mos u marr me problemet aktuale, dhe me sfidat e te ardhmes. Nje gje me ben habi, dhe pyes veten shpesh, ku e gjejne njerez te tille zellin, vullnetin e paepur per te shkaterruar cdo gje shqiptare. Nga buron kjo urrejtje patologjike ? Kuptohet tek disa prej tyre, si Lubonja, kurse shumica e kan nga injoranca dhe idiotizmi qe i karakterizon.

Apo autori eshte aq idjot, saqe poshteron edhe Shqiperine e shqiptaret qe te godase ne shenjester serbet apo felliqodonasit. Mos thuaj "patrioti ballkanik" kur ne Ballkan ke dhe shqiptaret qe nuk kane te bejne fare, po fare fare fare ama me kete palo ese`. Mos i perfshi dhe shqiptaret ne kafsherite e "patriotizmave" kriminele dhe barbare te fqinjeve tane...

Ekcepcionalizem per Shqipot? Bah!smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).